back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Ja pse reagova (pa leje) në premierën e dokumentarit për Bilal Xhaferin nga Nebil Çika

Gazeta

Nebil Cika dhe statuja e Bilal Xhaferrit në Sarandë
Nebil Cika dhe statuja e Bilal Xhaferrit në Sarandë

Ja pse reagova (pa leje)

në premierën e dokumentarit për Bilal Xhaferin

nga Nebil Çika

Sot pata një reagim të fortë e të panatyrshëm për mua, pasi nuk e kam zakon të flas në vende e ngjarje ku nuk jam planifikuar apo ftuar për një gjë të tillë.
Isha i ftuar në Kuadrin e “Javës Çame” në premierën e një filmi dokumentar kushtuar shkrimtarit dhe poetit antikomunist, Bilal Xhaferri.
Filmi, prodhim i Institutit “Lumo Skëndo”, me skenar të Bashkim Kuçukut dhe regji të Admirina Peçit, nën kujdesin e Uran Butkës, kishte subjekt të tij jetën dhe veprën, veçanërisht persekutimin politik të Bilal Xhaferit nga komunistët.
Së pari, dua t’iu them që unë jam një admirues i thekur i Bilal Xhaferit dhe prisja me kureshtje të madhe se si do të trajtohej persekutimi i tij me që e dija që autorët kishin pasur në dispozicion dosjen e Sigurimit të Shtetit, për Bilal Xhaferin.
Fatmirësisht dosjen e tij të sigurimit e kam lexuar edhe unë!!
Jo vetëm ata që e kanë lexuar dosjen, por gjithkush që ka dijeni për Bilal Xhaferin e di që persekutimi dhe linçimi i tij kishte vetëm një shkak madhor: Ismail Kadarenë!
Në dosjen e tij të sigurimit, Kadare përmendet më shumë se kushdo tjetër.
Bilal Xhaferi edhe pse ishte djali i një të pushkatuari politik nga komunistët, falë talentit të tij, u lejua të botonte letërsi deri në momentin që kritikoi Kadarenë ose më saktë romanin e tij “Dasma”, roman që edhe vet Kadaresë, i vjen turp ta përmendë sot.
Regjimi komunist që sipas dosjes së Sigurimit e kishte ndjekur Bilalin, që fëmijë e dinte shumë mirë biografinë e tij politike, por donte që talentin e tij të jashtëzakonshëm si shkrimtar ta përdorte për interesa të tij.
Ata prisnin që Bilal Xhaferi të bëhej konformist e t’i nënshtrohej rregullave të regjimit, gjë që ai nuk e bëri.
Si njeri i lirë e me dinjitet ai i goditi ata pikërisht tek simboli i regjimit komunist në art e letërsi, Ismail Kadare. Pikërisht këtë regjimi nuk mund ta pranonte, gjë që del edhe nga dosja e Sigurimit për të. Pikërisht ajo mbledhje e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ku Bilali kritikoi veprën e Kadaresë u kthe në gjyq linçues për të, gjë që i kushtoi jo vetëm të drejtën e botimit por edhe internimin, arratisjen e përndjekjen pa mëshirë, deri në fund të jetës.
Se Kadare ishte “vija e partisë në letërsi” – thoshte Mehmet Shehu për këtë rast.
Asnjë gjë nga këto nuk kishte në dokumentar. Autorët ishin kujdesur që të zhduknin çdo gjurmë të Kadaresë në persekutimin e Xhaferit ndërkohë që ai është strumbullari motivi i madh politik i persekutimit barbar të Bilalit. Procesverbale e dëshmi raporte të bashkëpunëtoreve, porosi e letra të drejtuese të lartë të shtetit deri tek kryeministri terrorist, komunist Shehu apo diktatori Hoxha që kërkonin arrestimin e dënimin e tij pse kishte kritikuar Kadarenë si dhe raporteve të sigurimit të Shtetit ku përmendej ky fakt ishin retushuar ose nuk ishin paraqitura fare në dokumentar.
Më shumë se një dokumentar për Bilal Xhaferin, ngjante si një dokumentar që synonte të pastronte Kadarenë nga mëkati, si shkak e motiv i persekutimit të tij. Kadare vazhdon të jetë i paprekshëm dhe pakritikueshëm edhe sot, simbol i regjimit, njësoj si atëherë kur linçohej kritikuesi i tij Bilal Xhaferi.
Për këto arsye në fund të premierës u çova dhe iu drejtova të pranishme se: Nuk kishin si mund të duartrokisnin për një falsifikim kaq të turpshëm të historisë si ky. Turp t’iu vijë që vazhdoni të falsifikoni historinë duke fshehur krimet e komunizmit dhe duke u munduar te pastroni gjakun e pisllëkun nga duart e fytyra e Kadaresë.
Çfarë kuptimi ka të flisni për persekutimin e Bilal Xhaferin pa përmendur shkakun dhe motivin kryesor të këtij persekutimi Ismail Kadarenë – iu thashë publikisht, autorëve të filmit. Me që ishte në kuadër të “Javës Çame” iu drejtova edhe kryetarit të PDIU, Shpëtim Idrizit i pranishëm në sallë: Zoti Shpëtim, nuk mund ta zgjidhim dot çështjen çame duke falsifikuar kështu historinë.
Tani për ata që nuk kanë shumë informacion po ju sjell vetëm një provë, nga më të qartat të persekutimit të Bilal Xhaferit, për shkak të Ismail Kadaresë.

Kadare mes bashkëshortëve Shehu
Kadare mes bashkëshortëve Shehu

Letër nga Mehmet Shehu

Shoku Enver,
Më ranë në dorë këto dy materiale, të cilat po jua dërgoj që t’i lexoni, po patët kohë.
1.Një “artikull” me titull “Luftëtarë artizanë të artit”, shkruar nga Qani Çollaku (i vëllai i Reshit Çollakut) dërguar redaksisë së “Zërit të popullit” për botim.
2.Një material “Diskutim mbi romanin “Dasma”, që është diskutimi i Bilal Xhaferrit në mbledhjen që u organizoi këto ditë Lidhja e Shkrimtarëve për të marrë në shqyrtim romanin e Ismail Kadaresë me titull “Dasma”.
“Artikulli” i Qani Çollakut është një sulm i egër, i shfrenuar dhe i hapët kundër vijës së Partisë në art e letërsi dhe kundër vetë Partisë. Qani Çollaku është armik i njohur i Partisë. Ka qenë mësues, është demaskuar e hequr nga puna si mësues në Berat, por tash na qenka prapë mësues në Pogradec! Thuhet se ka hedhur votën kundër Frontit në zgjedhjet e fundit. Mendoj që, duke përdorur këtë material, të mbledhim mësuesit e Pogradecit, ta demaskojmë gjer në fund dhe ta çojmë në gjyq (me dyer të mbyllura), sepse me këtë material i ha gjer 15 vjet burg, ose ta internojmë në fermën e Lushnjës, ku të punojë me kazmë. Është jashtëzakonisht i poshtër!
“Diskutimi” i Bilal Xhaferit është gjithashtu një sulm kundër Partisë, por i tërthortë – godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij godet rëndë dhe vijën e Partisë në art e letërsi. Ky “shkrimtar” është i biri i një çami, të cilin ne e kemi pushkatuar si kriminel lufte, ka bërë shkollë vetëm 7-vjeçaren a të mesmen, pastaj organet tona nuk e kanë lejuar të vazhdonte më tej studimet dhe tash punon si punëtor krahu në fermën e Sukthit. Ka talent si shkrimtar, ka studiuar vetë dhe gjuhë të huaja, shkruan shumë, i ka dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve shumë shkrime, por nuk i janë botuar, si bir armiku dhe sepse shkrimet e tij kanë përmbajtje armiqësore. Më kanë thënë se i kanë botuar një roman dhe e kanë popullarizuar bile dhe me fletë volante në stadium në një lojë futbolli dhe se Dhimitër Shuteriqi e paska propozuar për tu futur në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku u shqyrtua romani i Ismail Kadaresë. Është enigmë: ai dihej se ishte bir armiku dhe vetë me qëndrim të poshtër, por ja që mori pjesë në diskutim para qindra intelektualëve dhe foli kundër vijës së Partisë! Në atë mbledhje ndodhej edhe Thoma Deliana, Fadil Paçrami e të tjerë, dhe Fadili, Dhimitri e shumë të tjerë e goditën si provokator. Por fakti është që ai mundi të fliste. Kush e pruri në mbledhje? Nuk dihet! Dihet që edhe Qamil Buxheli “ka punuar” për shumë kohë në Sukth.
Është interesant se si Qani Çollaku, ashtu dhe Bilal Xhaferi, megjithëse njëri në Pogradec e tjetri në Sukth, në ato që shkruajnë të dy u referohen: Majakovskit, Kafkës dhe Heminguejit. Mejtoj që çështjen e Bilal Xhaferit ta çojmë gjer në fund për të gjetur dhe shokët e tij midis Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj ta demaskojmë si duhet po në atë mbledhje ku ka folur e ta internojmë.
Më 8 prill 1968

Marrë nga muri i fb i Nebil Çikës 22 qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.