back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Izet Shehu… Jetëshkrimi dhe Kujtime prej së bijës Brikena…

Gazeta

Izet Shehu (1942-2012)
Izet Shehu (1942-2012) 

Jetëshkrim i Izet Shehut

Izet Shehu, lindi më 15 Dhjetor 1942, në Qytetin e Lushnjes, në një familje me tradita të larta patriotike. Babai i tij Emini kishte studiuar në Napoli të Italisë për Financë dhe për shkak të biografisë familjare shumë pak arriti ta ushtrojë profesionin e tij.
Nëna, Fadile Shehu, rrjedh nga një familje me tradita patriotike e fetare të rrethit të Tepelenës.
Babai im Izeti, ishte shumë krenar për prejardhjen e tij familjare.
Gjithë jetën e tij, i ka pasur si pikë referimi vlerat e larta morale dhe edukimin që trashëgoi nga babai i tij, ndërsa adhuronte dhe gëzonte respekt të madh për xhaxhain e tij, Ahmetin.
Mësimet e para i mori në vendlindje. Më pas vazhdoi gjimnazin në Qytetin e Lushnjes, ishte matura e I-rë e diplomuar në gjimnazin e vetëm të qytetit. Shoqëria e gjimnazit ishte tejet e fortë dhe e konsoliduar. Ata ishin miqtë dhe shokët më të mirë, që e shoqëruan gjithë jetën.
Me shumë vështirësi arriti të siguronte të drejtën për të vazhduar studimet e larta. U diplomua për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës.
Më 1995, kreu Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Që herët, në vitet e para të gjimnazit filloi të shkruante poezi, të cilat i botonte në gazetat lokale dhe ato letrare. Por për shkak të biografisë politike familjare, do t’i hiqej e drejta e botimit rreth viteve ’60.
Në vitin 1975, u martua me Znj. Suzana Bejko, e cila kishte prejardhje nga një familje patriotike, por për kohën jo të pëlqyeshme, për shkak të biografisë politike. Zgjedhja që ai ka bërë për kohën, tregon një guxim dhe karakter të forte morali, pasi familja e saj ishte e përndjekur nga regjimi, babai në burg politik dhe vëllai (Dervish Bejko) i pushkatuar në Revoltën e Spaçit, në vitin 1973.

Izet Shehu, e shoqja Suzana dhe e bija Brikena
Izet Shehu, e shoqja Suzana dhe e bija Brikena

Izet Shehu, ka punuar kryesisht si mësues i gjuhës shqipe dhe më pas si mësues letërsie në fshatrat e Rrethit të Lushnjes e të Elbasanit.
Në vitet ’90, u përfshi menjëherë në lëvizjet e para demokratike. Me dëshirën e madhe për ta parë vendin e tij si një ndër vendet europiane, u angazhua dhe ka dhënë kontributin e tij në demokratizimin e vendit.
Me thjeshtësinë dhe modestinë që e karakterizoi gjithë jetën, në Zgjedhjet për Pushtetin Qendror të vitit 1992, bashkëqytetarët e tij e përkrahën maksimalisht dhe e zgjodhën Deputet të Kuvendit të Shqipërisë.
Me vendosmërinë e tij, kontributin dhe dëshirën e madhe, bëri më të mirën për të ndihmuar dhe për t’iu gjendur pranë qytetarëve dhe qytetit të tij.
Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”.
Deri në fund të jetës ndihej krenar dhe më shumë se gjithçka deshi vendlindjen e tij, Lushnjen.
Çdo punë që ka kryer dhe detyrë që ka ushtruar, e ka kryer me përkushtim të lartë dhe moral të fortë. Këto janë vlera që e kanë karakterizuar gjithë jetën.
Mbas viteve 1997, u tërhoq nga politika, dhe iu rikthye pasionit të vjetër, që aq shumë e donte, poezisë. Filloi të shkruante pa reshtur poezi, tregime, publicistikë dhe botonte rregullisht në shtypin e përditshëm apo në gazetat me karakter letrar.
Poezia ishte ushqimi dhe gëzimi më i madh i jetës së tij.
Në vitin 2000 me ndihmën, mbështetjen e inkurajimin e mikut të tij më të mirë, shkrimtarit Vath Korreshi, botoi librin e parë me poezi “Çiltërsi lirike”.
Ky ishte një fillim i mbarë që i dha shtysë të shkruante pareshtur poezi, tregime e artikuj publicistikë, për të kapur kohën e humbur.
Herë pas here e shqetësonte fakti pse ishte përfshirë në politikë, kur këtë kohë mund ta kishte shfrytëzuar fare mire për të shkruar shkrime letrare. E kështu vijuan njëri pas tjetrit botimet e librave me poezi, tregime e publicistikë, si:

Vjeshtë njerëzore – poezi, 2000;
Ëndrra trëndafilash në borë – poezi, 2001;
Brohoria e një dimri – tregime 2002;
Fatkeqja e bukur – novelë, 2002;
Troku i fatit të verbër – poezi, 2002;
Mjegulla e trishtimit – tregime, 2003;
Mbi qerpikë çlodhet ag – poezi, 2004;
Perëndimi në zabelin plak – tregime, 2005;
Drithërime muzgu – poezi, 2006;
Vetëm një grua – roman, 2007;
Tirkani – tregime dhe ese, 2008;
Hija e korbit të bardhë – publicistikë dhe ese, 2009;
Kundër frymës mohuese – publicistikë letrare, 2010;
Bari mbi rrënoja – poezi, 2012;
Antologjia 10 x 10

Libri i fundit i Izet Shehut, botuar mbas vdekjes
Libri i fundit i Izet Shehut, botuar mbas vdekjes

U nda nga jeta më 25 Nëntor 2012 në qytetin e Tiranës, e la pas një dhimbje të madhe tek të gjithë familjarët e tij, bashkëshortja, vajzat e tij të dashura, nënës së tij të moshuar (gruas më të zgjuar e më të fortë që kam njohur, e cila na jep kurajo për të përballuar dhimbjen e madhe), motrave të tij, vëllait dhe gjithë kushërinjve, nipërve, miqve e shokëve të tij.
Izeti që bëri aq shumë për njerëzit e në thelb dëshiroi të mbetej thjesht njeri, nuk kishte se si të largohej nga kjo jetë, pa lënë pas shumë lot e dhimbje të madhe.

Brikena Shehu - e bija e Izet Shehut
Brikena Shehu – e bija e Izet Shehut

Dy fjalë për babain tim të shtrenjtë e të paharruar!

nga Brikena Shehu

Me respekt dhe mirënjohje të thellë po shkruaj këto rreshta për babain tim të shtrenjtë. E kam të vështirë të shkruaj, jo se nuk gjej fjalët, porse ndjenja dhe malli që kam për të, ma bëjnë tepër të vështirë. Kujtimet e bukura më japin forcë të përkujtoj babain tim, në këtë përvjetor të parë të ndarjes së tij nga jeta, mes miqve, shokëve, familjarëve dhe të afërmve të tij. Për ne familjarët, ky ka qenë viti më i vështirë i jetës sonë, pasi kur të kishim pranë çdo problem apo shqetësim ishe Ti që i jepje zgjidhje. E konsideroj veten me fat që ke qenë babai dhe njëkohësisht shoku ynë më i mirë. Kemi pasur pranë prindin e përkushtuar, që na e bënte jetën më të lehtë, duke na dhënë forcë dhe kurajo për të ecur përpara me dinjitet dhe krenari. Këshillat e çmuara për t’u bërë në radhë të parë njerëz të mirë, e më pas të vlefshëm për shoqërinë do të na shoqërojnë gjithë jetën. Zoti na vendos gjithmonë në provë, për të parë se sa të fortë jemi, për të përballuar vështirësitë e jetës. Jam krenare që jam bija jote. E më shumë jam ndierë me ikjen tënde. Mes dhimbjes së madhe që na kishte mbuluar, dëgjoja fjalë të mrekullueshme dhe të sinqerta të miqve dhe të afërmve të tu. Aty kam kuptuar që Ti gojëmbli ynë, kishe ditur të bëje vetëm miq, duke menduar gjithmonë vetëm për bijat e tua. Në ato momente, më të vështirat e jetës time, kam parë sa shumë miq kishte babai im i nderuar. Jam ndier tepër e privilegjuar mes tyre.

Izet Shehu në Lushnje midis miqsh dhe shokësh
Izet Shehu në Lushnje midis miqsh dhe shokësh

Kthej kokën pas dhe sjell në kujtesën time gjithë tallazet, që shoqëruan jetën tënde. Shoh një njeri energjik dhe të palodhur, që çdo sekondë të jetës e shfrytëzoi, për të lënë gjurmë. Sakrifica jote sublime më jep forcë mua, për ta mbajtur të pacënuar emrin tënd të ndritur. Me shumë vështirësi, por gjithmonë ia ke dalë mbanë, duke triumfuar mbi të keqen. Në çdo hap të jetës ke qenë i merituar. Kur kjo thuhet nga miqtë, vlen edhe më shumë. Mesazhet që më vinin nga nxënësit e tu, shokët e tu dhe miqtë e vërtetë më bindnin, që unë kisha pasur fatin e madh, të jem vajza e një njeriu model. E falënderoj Zotin, që njëzet vjet më parë, kur ti kalove një sëmundje të rëndë, ai të riktheu mes nesh. Këtë e konsideroj vërtet fat, pasi unë nuk do të arrija të njihja për moshën, që kisha në atë periudhë kohore, vlerat njerëzore që ti mbartje brenda vetes. Besoj në Zot, ndaj si unë dhe motrat e mia duhet ta konsiderojmë veten me shumë fat, që arritëm të rriteshim nën frymën tënde, të edukoheshim nën vëmendjen dhe përkushtimin atëror, që aq bukur e ke transmetuar brenda nesh. Ti ishe modeli i birit të bekuar, i bashkëshortit ideal, i babait shembullor, i mësuesit të përkushtuar, model i politikanit me moral të lartë, model i poetit, publicistit, shkrimtarit që me aq modesti i thoje. Jetojmë në një shoqëri ku vlerat e njerëzve i njohim, por nuk duam t’i pranojmë. Ikja është momenti, që njerëzit shprehen pa rezerva. Sigurisht që ti i ke ndierë thellë brenda vetes. Do doja që atë kënaqësi që kam ndierë unë, për vëmendjen që të është kushtuar, fjalët e sinqerta që kanë shprehur miqtë dhe të dashurit e tu, vlerat që ti mbartje në shpirtin tënd të pastër, të ta kishin falur ty.
Që e vogël më kishe thënë, që librin e parë nëse s’do mundje, duhej ta botoja unë. E kujtoj si një vegim. Ndoshta nuk e kemi diskutuar bashkë këtë, por kjo më ka shqetësuar gjithë jetën. Kjo ishte edhe arsyeja e vetme, që unë vajza jote, në çdo kohë dhe pa u kursyer t’u gjenda pranë, pa hezitimin më të vogël. Dëshiroja shumë që librat t’i botoje vetë, të merrje kënaqësinë që të jepte krijimtaria jote.
Jeta e solli, që disa poezi të lëna në sirtar mbetën të pabotuara. Kjo është pabesia e jetës. Kam kohë që mendoj të botoj përmbledhjen tënde të fundit, me kënaqësinë më të madhe për të çuar në vend amanetin tënd. Kjo është gjëja më e vogël që mund të bëj, për të nderuar kujtimin tënd të mrekullueshëm.
I paharruar qoftë kujtimi yt babushi ynë i dashur!
Secila nga ne, do donte të ishte pak poete. Por ashtu si ti je krenaria jonë më e madhe edhe ne do të përpiqemi sadopak të jemi krenaria jote. Ne ecim çdo ditë dhe ti ecën në mendjen, shpirtin dhe zemrën e bijave të tua të dashura rrugëve të Tiranës, Torontos dhe Bostonit. Midis tyre ti kishe vendosur të ndaloje në atdheun tënd të dashur.
U prehsh në paqe babushi ynë i dashur!
Ah, për pak harrova, edhe Suza… siç vetëm ti i thoshe, ka vendosur të shkruajë në letër kujtimet e saj. Atë ç’ka ajo do donte të ndante me ty çdo ditë, tani i hedh në letër. E sigurisht, unë e inkurajoj të shkruajë, për ta kaluar sadopak trishtimin e madh, që i ka shkaktuar mungesa jote.Të duam shumë dhe do na mungosh gjithë jetën!

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Nënë Fadilenë dhe Izetin, kam pasur fatin t’i njoh herët që në fëmijërinë time. Shkoja shpesh në atë shtëpinë e tyre të vendosur atje maje kodrës që kishte privilegjin të merrte rrezet e para të diellit. Ngjitesha shpesh atje më pëlqente nënë Fadileja, grua me shtat të hajthëm, por me gojën më të ëmbël në botë. Edhe Izeti me atë të folurën e ngadaltë dhe shumë të kuptueshme… pastaj më vonë njoha Suzanën gruan bjonde, bardhoshe të Izetit djalit me kacurrela të zeza. Vajzat ia mbaj mend pak kur zbritën me shtëpi më poshtë diku afër xhades, si i thonim në ato kohë.
    Lexoj gjithshka që Brikena boton në murin e saj nga poezitë e të atit që për mua jeton akoma… jeton në mendimet e mia, në përfytyrimet e mia, në kohën që e kam njohur…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.