Imazhi i Edi Luarasit përtej Shtetit të getoizuar nga Puntorie Ziba

Artistja Edi Luarasi

Artistja Edi Luarasi

Imazhi i Edi Luarasit përtej Shtetit të getoizuar

nga Puntorie Ziba – shkrimtare

 Shkrimi im për aktoren Edi Luarasi
është botuar në librin
“Dashuri dhe dramë në jetë dhe në skenë”
- me autore Zenepe Luka
 

Shkrimtarja Puntorie Muça - Ziba

Shkrimtarja Puntorie Muça – Ziba

Rrëfimin për aktoren Edi Luarasi do ta kisha filluar me diamantin e një mbreti që edhe pse e ruajti përsosmërinë edhe pas gërvishtjes, çdo kujt ia kujtonte vrazhdësinë dhe pakujdesinë që e krijuan të këqinjtë dhe të pandërgjegjshmit. Poentën e kësaj fraze do ta lidhi me atë grua të talentuar, të brishtë e nazike dhe me fatkeqësinë që ajo e pësoi nga sistemi morbid totalitar, i cili i mbante në shënjestër artistët me vlera.

Pamja e saj prej shtojzovalleje jo vetëm që hijeshonte skenat ku ajo aktronte, por trazonte edhe zemrat tona këndej kufirit, kur ne, me legenat e aluminit përpiqeshim ta kapim të vetmin kanal televiziv të Shqipërisë, TVSH-në. Edi Luarasin si aktore, si mjeshtre të madhe të skenës e njohëm përmes ekranit televiziv. Ekrani ishte dritarja e vetme prej ku ne fshehtas regjimit jugosllav, rrëmbenim ndonjë lajm, ose shihnim ndonjë film.
Pasi e njohëm këtë figurë e dinim se sa e rëndësishme ishte ajo për publikun shqiptar. Ajo ishte një figurë që e merrte punën me ndërgjegjësi të madhe, prandaj mbeti një kujtim i ëmbël nga rinia jonë qysh në kohën e sistemit komunist. Çdo ngjarje kulturore që realizohej në Shqipëri për ne ishte mahnitëse dhe magjike. Kujtoj se jetonim vetëm për ta parë atë copë vend. Kështu realizohej komunikimi ynë i vetëm me shtetin amë. Asokohe shqiptarët e të dy anëve të kufirit i ndante një mur fantazmë, shumë më i lartë se Muri i Berlinit.
Gruaja që jetoi e veproi në kohë të gabuar edhe pas dramës jetësore mbeti zonja që e adhuronte skenën dhe e sfidonte të keqen, mbeti aktorja me aureolën e shkëlqimit në të gjitha trojet shqiptare. Edin e shikonim me tërë feminilitetin që posedonim. Ajo për gratë shqiptare nga Maqedonia ishte dhe mbeti prototipe e gruas shembullore dhe një model që donin ta ndjekin shumë gra që jetonin jashtë kufirit gjeografik me Shqipërinë. Imazhin e bukur për këtë aktore e ndërtuam kur e shihnim madhështinë e saj në interpretimet filmike. Në rol dukej magjike. Çdo rol i saj ishte një zë, një mesazh, një lirikë e ngrohtë. Krenoheshim që sukseset e mjeshtres, radhiteshin si gurët e një mozaiku. Tek interpretimet çdo lëvizje e saj ishte briliante dhe hyjnore. Dukej holivudiane. Kjo ikonë e filmit dhe e Teatrit Shqiptar ngjalli kuriozitetin dhe dëshirën në zemrat tona që në ndonjë kohë, në ndonjë ditë ta shohim nga afër. Gruaja ideale që rrezatonte në skenë dhe në jetë, u ballafaqua me demonët komunist që jetonin për t’ua zënë frymën vlerave. Lajmi i hidhur për ndërprerjen e jetës artistike të Edi Luarasit mori dhenë. Ngjarja i futi mendjet tona në konfuzion. Filluam të pështiremi nga ai sistem dhe i urrenim shërbestarët e regjimit. Ishim të denja për ta mbrojtur gjininë tonë nga rrethanat e pahijshme, por ajo mbeti vetëm një ëndërr. E urrenim edhe kufirin. Ai kufi ishte nepërka që na ndante. Me vështirësi arrinim deri tek lajmi për shqetësimet jetësore të artistëve të mëmëdheut tonë. Gjigandja Edi bëri një luftë të gjatë psikologjike gjatë kohës kur ia burgosën bashkëshortin. Fitoi drejtësia. Ajo arriti ta mban familjen e saj si një heroinë jashtë skenës. Kjo na bënte që ta donim dhe ta quanim gjigande të kohërave monstruoze.
.
Edi Luarasi midis Bekim Fehmiut dhe Dhimiter Anagnostit

Edi Luarasi midis Bekim Fehmiut dhe Dhimiter Anagnostit

Gjatë periudhës së tranzicionit në Shkup u mbjat Kuvendi i Tretë i Fondacionit – Nermin Vlora- Falaschi. Ishte një eveniment interesant dhe shumë i rëndësishëm për ne. Aty do të takoheshim me gratë e shquara të kombit tonë. Të entuziazmuara që kësaj radhe do ta takonim Znj. Edi Luarasi, shkonim vërdallë sallës ku do të mbahej Kuvendi. Sytë tonë kërkonin vetëm Edi Luarasin. Zbritëm në foajen e hotelit “Kontinental”. Pak më tutje, në një karrige rrinte ulur një zonjë elegante me një shall rreth qafe. Dukej modeste. Pika e saj në faqe na mundësoi ta njohim më shpejt gruan që kishte prekur mesmoshën. Vitet nuk e kishin dëmtuar nurin e gruas fisnike. Në mendjet tona jetonte imazhi për aktoren e talentuar që e bënte punën me përkushtim, për gruan që e donim dhe e idealizonim.

Iu afruam e përqafuam dhe bëmë foto me të. Nuk arritëm t’i themi asgjë. Sytë tonë të përlotur flisnin për ndjenjën e dhembjes që patëm për atë grua të çeliktë që arriti t’i sfidojë gardhet që i dolën para. Bota e brendshme e saj manifestohej plot me adhurim, tek shikimi i butë drejt nesh.
Edi Luarasi do të mbetet gjithmonë njëra ndër figurat më markante të dërrasave të Talias. Vendin e nderit ajo e zuri edhe jashtë kufirit të Shqipërisë, prandaj tek ne konsiderohet si shembëlltyrë e femrave që do të ndjekin rrugën e saj. Aktorja la gjurmë të thella në fushën e krijimtarisë filmike dhe teatrale në Shqipëri dhe në çdo pëllëmbë toke, anë e kënd ku jetojnë shqiptarët.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook