back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Ilirjan Gjika: Çiriaku i Ankonës, agjent apo arkeolog!?

Gazeta

Ciriaco de Pizzicolli (1391-1452)
Ciriaco de Pizzicolli (1391-1452)

Çiriaku i Ankonës, agjent apo arkeolog!?

nga Ilirjan Gjika

Në historinë e arkeologjisë shqiptare njihet si eksploratori i parë i antikitetit një figurë e çuditshme dhe enigmatike, siç është ajo e Çiriakut të Ankonës. Të dhënat e para për veprimtarinë e tij në Shqipëri, i botoi për herë të parë studiuesi Hasan Ulqini në librin e tij “Grabitës të monumenteve”, botuar në vitin 1980. Më vonë emri i Çiriakut do të përmendet në botime të ndryshme që kishin të bënin me arkeologjinë, deri disa vite më parë, kur do të botohej në gjuhën shqipe vepra e historianit Franc Babinger, “Mehmet Pushtuesi”

Ilirjan Gjika
Ilirjan Gjika

1.

Në historinë e arkeologjisë shqiptare njihet si eksploratori i parë i antikitetit një figurë e çuditshme dhe enigmatike, siç është ajo e Çiriakut të Ankonës. Të dhënat e para për veprimtarinë e tij në Shqipëri i botoi për herë të parë studiuesi Hasan Ulqini në librin e tij “Grabitës të monumenteve”, botuar në vitin 1980. Më vonë emri i Çiriakut do të përmendet në botime të ndryshme që kishin të bënin me arkeologjinë, deri disa vite më parë, kur do të botohet në gjuhën shqipe vepra e historianit Franc Babinger, “Mehmet Pushtuesi”. Pikërisht këtu ky autor hedh dyshime të forta rreth këtij personazhi të shekullit të XV-të, të cilin perëndimi e vlerëson si një nga figurat e Rilindjes Europiane. Ndërsa në Shqipëri Çiriako de Picikoli i quajtur ndryshe edhe Çiriaku i Ankonës, kreu dy udhëtime. Fillimisht “turin” e parë ai e bëri në vitin 1418, për t’u rikthyer përsëri në vitin 1435. Në to ai kreu vizita në Durrës, Lezhë, Apoloni, Butrint, Artë dhe Karaburun. Për gjithçka që pa dhe vëzhgoi si rrënoja, mbishkrime apo monumente, Çiriaku dha përshkrime të hollësishme, të cilat i gjejmë tek vepra e tij “Komentarët”. Midis tyre mund të përmendim të dhënat që ai jep për muret dhe portat e kalasë së Durrësit, midis të cilave na dëshmon për shumë mbishkrime dhe statujën e një kalorësi prej bronzi. Të tilla të dhëna ndeshim edhe për Lezhën dhe Butrintin. Me interes Çiriakut ju duk edhe Karaburuni, në të cilin ai vizitoi edhe gjirin e Gramatës, ku kopjoi dhe botoi disa nga mbishkrimet e famshme të tij.

2.
Çiriako de Picikoli lindi në vitin 1391, në Ankona të Italisë, ku për këtë shkak të origjinës do të njihet më vonë me emrin Çiriaku i Ankonës apo Çiriako Ankonati. Në moshën 28-vjeçare ai nisi udhëtimin e tij të parë drejt Kostandinopolisit për qëllime tregtie. Ashtu si e tregon edhe ai vetë gjatë këtij udhëtimi atij i lindi pasioni për Antikitetin greko-romak, ku përveç aktiviteteve të tjera ju kushtua edhe eksplorimit të qendrave antike. Kudo që shkoi Çiriaku mbajti ditarë dhe për ato që vëzhgoi shkroi letra në adresë të miqve të tij, të cilat shekuj më vonë do të shërbenin si burime të mirëfillta historike. Udhëtimet e tij të shumta do të përfshinin në itineraret e tyre edhe territoret e Shqipërisë, Maqedonisë, Greqisë, Thrakës, Azisë së vogël, ishujve të Egjeut dhe Egjiptit, me qëllim që, ashtu si e shpreh edhe ai vetë në shkrimet e tij, kishte për qëllim” të zgjonte të vdekurit nga varri” (F. Babinger, Mehmet Pushtuesi, f. 52-53). Pasioni i tij mund të ishte vërtet arkeologjia, por qëllimi i vërtetë i tij ishte roli i zbuluesit, i fshehur pas petkut të diplomatit dhe tregtarit. Të gjitha misionet e tij në Lindje u financuan nga Papati, i cili mendonte t’i shfrytëzonte informacionet e Çiriakut për të njohur situatën politike në Ballkan dhe Perandorinë Osmane. Në vijim të kësaj veprimtarie ai vendosi lidhje me princat e Greqisë Thoma dhe Dhimitër Paleologu, vojvodën e Transilvanisë Janosh Huniadin, përfaqsuesit gjenovezë të kolonisë tregtare të Kostandinopolisit, si dhe me sulltanin turk Muratin II. Pas një veprimtarie të gjatë në lindje së fundmi Çiriaku u kthye në Itali dhe vdiq në Kremona në vitin 1455.

Fragment arkitektural Butrint
Fragment arkitektural Butrint

3.
Një nga qëllimet e udhëtimeve dhe veprimtarisë së Çiriako de Picikolit në Lindje ishte përgatitja e kushteve dhe rrethanave për organizimin e një koalicioni antiturk, sepse Perandoria Osmane konsiderohej një rrezik eventual për perëndimin. Këtu faktet bëhen kontradiktore sepse nga një misionar i organizimit nga papati të një koalicioni antiosman ai papritur do të shërbejë në rrethin e këshilltarëve më të ngushtë të sulltan Mehmetit, pushtuesit të Kostandinopolisit. Burimet historike pohojnë se ai kreu veprimtari agjenturore të dyfishtë, jo vetëm për Papatin dhe shtetet perëndimore, por edhe për llogari të shtetit osman. Ndër aktivitetet e tij në lindje mund të përmendim vizitën që ai bëri në vitin 1444 në Greqi tek dy princat paleologë, Thoma dhe Dhimitër, vëllezër të perandorit bizantin. Gjatë qëndrimit pranë tyre Çiriaku i nxiti ata që të përkrahnin vazhdimit e luftës antiosmane. Po në maj të atij viti ai shoqëroi ambasadorin e Gjenovës, Francesko Draperion, pranë oborrit të Sulltanit, ku do të negocionin rreth marrëveshjeve të reja dypalëshe, (F. Babinger, f. 56). Ndërsa dy muaj më vonë, pikërisht në qershor 1444 ai i dërgoi dy letra sekrete vojvodës së Transilvanisë Janosh Huniadit. Në to me cilësinë e informatorit ai e njoftonte Huniadin për punimet fortifikuese që ndërmorën turqit në Edrene, për shkak se i trembeshin një sulmi hungarez, (Babinger f. 57). Në letrën e dytë Çiriaku e sqaron atë se, “Sulltan Murati II, kishte lënë në Edrene princin Mehmet dhe vezirin e madh Halil Çandarliun, ndërsa vetë me trupa të shumta ishte hedhur në Anadoll. Kjo letër ndikoi drejtpërdrejt tek politika hungareze, pasi mbreti Vladislav e prishi paqen dhjetë vjeçare që kishte nënshkruar me osmanët dhe i sulmoi ata për t’i dëbuar nga Ballkani. Kështu nisi lufta e re turko-hungareze, e cila përfundoi me thyerjen e hungarezëve në betejën e Marnës. Ndërsa Çiriaku e vijoi edhe më tej veprimtarinë informuese. Në 13 mars 1445, ai njoftoi nga qyteti i Magnizës, sundimtarin Italian të ishullit Hios, Andreolo Xhustinianin, se sulltani nuk e kishte në planet e tij ushtarake sulmin ndaj ishullit. Ndërsa në një letër tjetër që Çiriaku i Ankonës, e shkruan nga Foça në 11 maj 1445, ai e siguron Xhustinianin që të qëndrojë i qetë, sepse Sulltan Murati II, ishte nisur drejt Edrenesë i thirrur me ngut nga veziri i madh për probleme të rëndësishme që kërcënonin shtetin osman (Babinger, f.75). Interesante është edhe veprimtaria e Çiriako de Picikolit në shërbim të sulltanëve osmanë. Ajo fillon në vitin 1446, kur në rrethana të panjohura ai merr një letër nga sulltan Murati II, i cili e siguron që të lëvizë në mënyrë të lirë në të gjitha territoret e Perandorisë Osmane. Këtë “Berat” (letër rekomandimi), Çiriakoja e mori nga sulltani në Magniza, qytet në Azinë e vogël, ku Murati II kishte vendosur selinë, pas abdikimit të parë të tij në favor të të birit, Mehmetit II. Dokumenti ju dorëzua Çiriakut në 17 prill 1446, në prani të gjenovezit Francesko Draperio, i cili bashkëpunonte me sulltanin në tregtinë e shapit. Shumë kuptimplotë është edhe fakti se sulltani e priti privatisht Çiriakun në apartamentin e tij dhe jo në ambientet e pritjes në saraje. Ndoshta puna informuese për llogari të republikës së Gjenovës, bëri që Ciriakut t’i propozohej që këtë veprimtari ta kryente edhe për shtetin turk, armiqtë më të rrezikshëm të të cilit në Ballkan ishin Venediku dhe Hungaria. Pas këtij takimi ai e shoqëroi sulltan Muratin II, gjatë tre ditëve të udhëtimit të tij nga Magniza drejt Edrenesë, kur ai u nis për të rimarre pushtetin. Por në letrat e tij Çiriakoja na tregon se ai e kishte vizituar më parë oborrin e sulltanit qysh në vitin 1444. Në to ai përshkruan edhe bisedimet e zhvilluara në Edrene midis sulltan Muratit II dhe mbretit Vladislav të Hungarisë, ku u nënshkrua edhe paqja dhjetë vjeçare, e cila solli qetësinë në Ballkan midis këtyre dy fuqive të kohës. Për këtë ngjarje Çiriaku na tregon edhe protokollin osman të pritjes, ku sulltani qëndronte i ulur në qendër mbi një qilim të madh, i rrethuar prej oborrtarëve. Ndërsa përbri tij qëndronte princi Mehmet Celebiu, i cili më vonë do të hipte në fron si sulltan Mehmeti II, (Babinger, f. 54). Ndërkohë që me ardhjen në pushtet të sulltan Mehmetit II në vitin 1451, për Çiriakun nis një etapë tjetër, e paimagjinueshme më parë për një perëndimor. Ai do të bëhet pjesë e rrethit të këshilltarëve të sulltanit. Ishte koha kur Mehmeti po vinte në jetë qëllimin e tij për pushtimin e Kostandinopolisit, kryeqytetit të Perandorisë Bizantine. Për të realizuar këtë ëndërr të vjetër të osmanëve, Mehmetit i nevojitej Çiriaku, i cili i përktheu atij të gjitha manualet perëndimore të rrethimeve dhe marrjes së kështjellave. Ai i shpjegoi sulltanit skicat e shumë rrethimeve të kështjellave dhe qyteteve që jepeshin të ilustruara në kronikat evropiane. Sipas historianit Franc Babinger, Çiriakoja ishte forca kryesore mësimore e Mehmetit, pushtuesit të Kostandinopolisit. Këtu më mirë se kudo njohuritë e tij të arkeologjisë u përdorën në mënyrën më efikase. Ai përktheu të gjitha raportet dhe kronikat ushtarake të kryqëzatës së katërt, e cila e pushtoi me sulm, Kostandinopolisin në vitin 1204. Të dy së bashku ata formuluan skicat e mureve, vendosjen e topave dhe drejtimet e sulmit. Kështu pas 54 ditësh rrethimi, ditën e martë të 29 majit 1453 Kostandinopolisi ra dhe bashkë me të u shemb përgjithmonë edhe Perandoria Bizantine. Në këtë fitore të madhe të osmanëve pati meritën e tij edhe Çiriako de Picikoli, për të cilin mund të themi, se kreu një punë vërtet të shkëlqyer për një arkeolog perëndimor.

Kapitel ne Butrint
Kapitel ne Butrint

4.
I vlerësuar si një nga figurat e shquara të humanizmit, Çiriaku i Ankonës nuk duhet të ketë qenë vetëm njeriu i kulturës dhe i letrave. Të paktën kështu del nga libri historik i Franc Babingerit, “Mehmet Pushtuesi”. Megjithëse ky nuk është në dukje një problem i yni, pasi tek ne në Shqipëri ai dha të dhënat e para mbi objektet arkeologjike. I pari që publikoi imazhin e Çiriakut, ishte arkeologu italian Luixhi Ugolini, në librin e tij “Butrinti”, botuar në vitin 1937. Këtu Ugolini i njeh atij meritën se bëri zbulimin e parë arkeologjik të Butrintit. Meqenëse Ugolini u etiketua si një arkeolog  “grabitës monumentesh” nga historiografia zyrtare e kohës së socializmit edhe shkrimet e tij nuk e panë dritën e botimit. Vetëm në vitin 1999, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë botoi librin e Ugolinit “Butrinti”, ku në faqen 108 jepet një reliev me portretin e Çiriakut në profil. Tashmë arkeologu i parë i monumenteve të Shqipërisë, apo misionari i Papës dhe Gjenovës, si dhe këshilltari i Mehmet Pushtuesit nuk do të jetë më i panjohur për publikun. Dhe këtu meritën e ka përsëri Luixhi Ugolini, të cilit nuk do t’i njohim vetëm meritën e zbulimit të Butrintit, por edhe “zbulimin” e Çiriako de Picikolit të Ankonës.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.