back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Ikja që më la pa fjalë, por jo pa brengë… – persiatje nga Albert Vataj

Gazeta

Autori Albert Vataj
Autori Albert Vataj

Ikja që më la pa fjalë, por jo pa brengë…

Persiatje nga Albert Vataj

-Miku im, unë po iki!
Nuk e di nëse shihemi më, por do të të kërkoj të lutesh për mua që të kthehem. Ta kërkoj këtë sepse ikja tek unë është më e fortë se çdo motiv qëndrese, ngadhnjimi e sfide.
Nuk kam marrë asgjë me vete, madje as emrin dhe kombësinë. E bleva me para atë identitet që do të përpiqem ta pranoj se do të jetë i imi, të paktën për aq kohë sa ikja do të më mbajë larg gjithçkaje që lash këtu, edhe ty miku im.
Të jam borxhli për gjithçka. Ishe i mirë, ndoshta shumë më i mirë se sa e meritova, por e kam vlerësuar dhe konsideruar si privilegj që pata një mik si ju, tek i cili gjeta atë që më duhej për të vazhduar. Tani që po iki do të thotë se jam lodhur së mbeturi prè e një shprese që s’mundi të ishte diçka më shumë se zhgenjim.
Më vjen keq për gjithçka që po lë pas. Kjo keqardhje shpresoj të mos më mbetet barrë në shpirt e lëndim në zemër, për të më penduar të përpiqem të gjej vetveten, atë që ma mohoi vendi im, në një vend tjetër, me një identitet tjetër.
Ti ke qenë gjithnjë kundër që unë të iki, të largohem duke i rënë mohit gjithçkaje që besova dhe për të cilën isha gati të vetëflijohesha. Provova çdo rrugë e shteg, që të mund të gjeja se nga dilej nga kjo gjendje fundosjeje. Nuk kurseva asgjë që të merrja të drejtën për të merituar vendin tim, atë që ma lanë amanet prindët, atë që më la peng gjaku. Pas çdo përpjekjeje një zhgënjim më kishte zënë pritë. Pas çdo rrëzimi një zemërthyerje më kishte lënë plagë, në gjunjë dhe në besim. Çdo sfidë e imja ishte një përjashtim nga e drejta për t’u ndeshur dhe besimi në fitore.
Miku im, nuk mbeti asnjë fushëbetejë e denjë për ndeshje. Të gjithë trofetë i ndanë njëri me tjetrin. Përvetësuan jo vetëm ëndrrat tona, por edhe gjithçka tjetër që na mbante të lidhur me dëshirën për të pjesëmarrë në të sotmen e vendit tënd.
Unë po iki, siç ikën edhe të tjerë dhe siç po gatitet të kenë të njëjtën busull ardhmërie edhe shumë shpresëvrarë. Vendi im do të vijojë të ekzistojë edhe nëse ne të gjithë ikim, por ai nuk do të mund të jetë më vendi i atyre që u dëbuan. Këtu gjithçka shitet dhe blihet, madje edhe nderi. Poshtërsia është virtyt. Maskarenjtë nderohen me përulësi dhe respekt galant. Hajdutët dhe zhvatësit, janë zot të fateve. Perversët dhe… bëjnë moral dhe nënshkruajnë manifeste nderi. Injorantët baltosin çdo vlerë dhe trashëgimi, mohojnë çdo normë dhe kanun në emër të modernitetit.
E ç’të të them tjetër miku im, ne i kemi biseduar sa e sa herë këto zezona që i kanë rënë mbi krye shqiptarëve.
.
Emigrimi - pikture e Agim Sulajt
Emigrimi – pikture e Agim Sulajt
Më la një përqafim dhe u largua pa më kthyer kurrizin. M’u duk sikur pashë lot në sytë e tij, ndërsa largohej duke lënë në këtë zgjatim ndarjeje kaq shumë dhimbje dhe mall.
Kur ai kishte humbur mes dhjetra siluetash të tjera që shkarravisnin gjeometrinë e asaj dite të zakontë, u kujtova se gjithçka kishte ndodhur kaq shpejt dhe kaq papritur, aq sa nuk më dha mundësi të shqiptoja asnjë “mirëupafshim”!
Ike miku im, pëshpërita nën zë dhe lotët fshiva tinëzisht si i zënë në faj. Ike duke më lënë të vetëm në këtë betejës humbjesh dhe disfatash, gjunjëzimesh dhe gjymtimesh. Ike duke më kredhur në pendim që nuk të mëkoha ende besim prej t’imit, për të luftuar në qëndresë.
Ike, duke iu bashkuar atyre që vendosën t’ia lënë plisin e bardhë e gurin e rëndë, atyre që e kthyen këtë truall hekash e gjamesh, në një tokë ikanakësh. Ik, ikni, por mos harroni se kjo ikje ju bën njëjtësisht fajtor me ata që ju dëbuan.
.
Marre nga Muri i Albert Vatajt 25 mars 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.