back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Ikja prej Dritës… nga Ilir Seci

Gazeta

Minatorët e Kripës së Jetës
Minatorët e Kripës së Jetës

Ikja prej Dritës…

nga Ilir Seci

Atë mjes Shkurti të vitit 1991, e kishim lanë me u takue te agjensia e udhëtarëve me mikun tem Ismet Pali… E kishim lanë me u takue aq herët me shpresën se mos gjenim ndonji vend në autobusin e linjes që bante rrugën për Fierzë e prej aty me nxanë tragetin për Koman… Prej Komanit mandej për Shkodër, ku të dy vazhdonim studimet për Gjuhë-Letërsi,. Autobusi zakonisht nisej rreth orës 6 të mjesit, por duhej me dalë përpara sepse s’i dihej. U takuam aty, shkuem e folëm me shoferin e linjes së Fierzës që na premtoi se kishte me na marrë në autobus, por duhej me ndejtë në kambë se vende s’kishte…
“Punë e madhe” – thamë të dy, mjaftonte me kapë tragetin…
Na duhej me pritë nji copë herë prandaj hymë në nji klub aty afër dhe porositëm nga nji kafe me fërnet, si ishte rituali atëherë… Ndërsa po gjerbnim hurthat e parë të kafes përcjellë me fërnet, kur ndigjuem nji zhurmë që vinte nga jashtë te agjensia… Thirrje me za të naltë… Çka po ndodhte!?
Kthyem gotat e fërnetit me fund dhe dolëm me pa se çka po ndodhte…
Përjashta, te agjensia, pamë që kishin mbërritë disa autobusë mbushë plot me njerëz që po zbrisnin tanë zhurmë… Fillimisht jo fort qartë, por mbas pak zanat u shtuen dhe u kjartësue zhurma…
Ata po thërrisnin: “Parti Enver – Jemi gati kurdohere!”, “Enver Hoxha”, “Enver Hoxha!”, “Partia e Punës!”…
Tanë udhetarët te agjensia kqyrën njani-tjetrin të habitun…
“Këta janë autobusat e minierës, së Kamit, Zogajve dhe Rrogamit” – tha nji burrë që e njifte Ismetin, – “Po çka paska ba vaki?!”
“Kemi ardhë me ba miting për mbrojtjen e figurës së shokut Enver!” – na tha nji nga ata që zbritën prej autobusi, – “E rrëzuan bustin e shokut Enver në Tiranë, por ne do ta ngremë në gjithë vendin!”
Burri që foli duhej të ishte ndonji kuadër drejtues i minierës, sepse ishte i veshur mirë, me kapotë me pellush, këpucë me qafa… nga ma të shtrenjtat e asaj kohe…
Ky burri kqyri rreth e rrotull njiherë dhe mandej thirri:
“Hajde shokë bashkohuni me mitingun!”
Nuk lëvizi kush…
“Shazotën i kam nja njiqind punë ma keq!” – tha nji plak, – “se me duhet me shkue deri në Vlonë ku kam djalin ushtar e m’asht shtrue në spital.”…
Nga autobusët vazhdonin e zbrisnin njerëz që brohorisnin – “Parti Enver”… “Enver Hoxha”… Jehona e atyne thirrjeve dhe ngarendja e atyne njerëzve që delnin si trumbë prej autobusi, më kujtoi nji trumbë lakuriqë nate që kisha pa njiherë tue dalë prej një bunkeri të madh kundraajrorësh… Nga ata bunkerët e mëdhenj që i patën ndërtue për mbrojtjen e ardheut, bunkerë kundra-ajrorë që në fakt patën shërbye vetëm si strehë lakuriqësh nate dhe vendtakime për dashnorë që u msheheshin syve kureshtarë të botës… Ashtu m’u dukën edhe ata minatorë rrezikzinj të stërvuejtun që shendonin të knaqun, pse të paktën për nji ditë të vetme nuk kishin me shty vagonat e randë të kromit, por kishin me dalë në miting në qytet! Sjellja e tyne më kujtoi lakuriqët e natës në shumë drejtime… Edhe minatorët e shkretë vinin nga guvat e nëntokes, mbas shumë vitesh nëntokë njajtë si lakuriqët e natës edhe ata e urrenin dritën pse u vriste sytë! Në Shqipni atë vit ma në fund kishin nisë me fry do erëna të mbara ndryshimesh, po flitej për demokraci, pluralizëm politik, zgjedhje të lira, mbyllje burgjesh politike dhe lirim i të burgosunve politikë! Këto ndryshime me sa po shihej ishin shumë për guvat ku i kishte rrasë mbijetesa shqiptarët në tanësi, jo vetëm minatorët! Ishte ndriçim i fortë për sytë e mësuem me terrin! Normalisht në përballje me dritën gjaja e parë që ban njeriu që del nga terri asht mbyllja e syve! reagimi i parë krejt instinktiv asht rendja me gjetë ndonjë skutë terri! Saktësisht njatë gja po banin atë ditë edhe ata minatorë që kishin ardhë në atë miting!
I kqyra me vëmendje, shumica të veshun keq, me zhupa miniere të pandluem, çizme të grisuna, fytyra të rrudhuna që të kujtonin një cohë që kishte hy e stërhy mbasi asht la në djersët e mundimit…
E megjithatë mbi pandlat e xhupave të çkyem mbanin bustet e Enver Hoxhës diktatorit dhe vikasnin plot energji: “Parti Enver”!?
Nuk vonoi shumë dhe tjerë njerëz erdhën dhe u bashkuen me ta. Siç doli mbrapa kishte qenë miting i mirëorganizuem nga Komiteti i Partisë…Erdhën edhe kooperativistë që njisoj si minatorët mbanin bustet e diktatorit që i kishin marrë nga sallat e mbledhjeve të kryesisë së kooperativës apo nga shkollat 8 -vjeçare… Por me nji dryshim nga minatorët, kooperativistët kishin gjetë nji mënyrë tjetër me mbajtë bustet… Bustin e kishin vendosë në nji lesë plehu! Gjetje origjinale, zhvillim krijues që për herë të parë me bani me qeshë në atë mjes të zymtë!
Shumë prej tyne i njihja për fytyre…
Ishin fytyrat e përditshmenisë tonë, ata hallexhinjtë katundarë që prisnin me orë të tana me marrë nji ose dy bukë gruni:
“Oj shitëse pashë besën nëmi dy bukë gruni se e kam djalin e smutë bre!” – luteshin te banaku…
“Më vjen keq, por je fshatar nuk je në listën e bukës në qytet! Ju keni bukë misri!” – ua kthente shitesja…
Ishin ato njerëz të përditshmërisë sonë që kur u vdiste dikush në zonat kufitare u duhej me marrë leje në Degë të Brendshme për me shkue e me e shti ne dhe njeriun e afërm. Ishin njata njerëz që kur u vdiste kush hallin ma të madh kishin ku me gjetë kafen për me pritë për mort! Ishin ato njerëz që kur u lutej grueja me e lanë me shkue në të panë, (në gjini të njerëzit e saj), burri ia kthente:
“Mos më dvet mue moj grue! Dvete brigadierin! Në të dhashtë ai leje, shko!”
Ishin njato njerëz që sa herë ishin qitë para Fronti sepse nuk ua kishin pre thonjtë pulave që kishin ba dam në arën e kooperativës! Njata njerëz që kur donin me u fejue me nji vajzë, gjaja e parë që pyesnin ishte: “Çfarë biografie ka!?”…
.
Drejt Thellësive të Minierës
Drejt Thellësive të Minierës

Ishin njata njerëz që kur e ngrohnin pak kurajon me ndonji dopio raki, flisnin nënza për bëmat e Rakip Ballës, sekretarit të parë të Partisë së Punës për rrethin e tyne, sekretari që si feudalët mesjetare bante çka i donte zogu i qejfit! E po njata prap kishin dalë aty në atë miting për Partinë e Rakip Ballës…

Këto po mendojshe kur i kqyrja tek vikasnin me bustet e diktatorit mbi supe!
”Hajt, kurrë mos ua hjektë Zoti shpine!” – shfryni ai plaku që kishte djalin ushtar në spital në Vlonë…
Për fat autobusi për Fierzë u nis dhe na kurseu nga ajo torturë… Mbrritëm në Fierzë, hypëm në traget, por as në autobus deri në Fierzë dhe as në traget deri në Koman nuk e kena folë nji fjale as unë as Ismeti…
Ishim bukosë!
Me mendjen e njizetvjeçarit mundohesha me i dhanë shpjegim asaj që kishte ndodhë por ma kot! Nuk kishte tjetër shpjegim veçse atij që i mësuemi në terr mbyllë sytë para dritës! E vetmja gja që më sillte pak shend në mendime ishte imazhi i atyne dy kooperativistëve tue mbajtë bustin e diktatorit në nji lesë plehu!
Madhështore…!
Me e mbajtë me lesë plehu, plehun e historisë…
Apoetoza e Diktatures - projekt nga Lek Pervizi
Apoetoza e Diktatures – projekt nga Lek Pervizi

***

Atë mbramje, në lajmet e RTSH-së u mor vesh se mbas rrëzimit të shtatores së diktatorit në Tiranë, ishte krijuar një shoqate me emrin “Vullnetaret e Enverit”, shoqatë që kishte organizue mitingje në tanë rrethet e Shqipnisë me përjashtim të Shkodrës…
Atë mbramje kronikanët e RTSH-së u ngjirën tue dhanë kronika mbi mitingjet e “Vullnetarëve te Enverit” nëpër mbarë Shqipërinë, ku “masat punonjëse dhe fshatarësine kooperativiste”, kishin dalë për me mbrojtje figurën e shokut Enver… Në shumicën e Shqipnisë atë ditë kishte ndodhë e njajta gja… Mbas rrëzimit të shtatores së diktatorit në kryeqytet, masa njerëzish kishin dalë në sheshë për më mbrojtë figurën e diktatorit!
Në tanë kronikat e asaj dite, mund të shihje plot fytyra të rrudhuna vuejtjesh që këlthisnin… Nji masë e tanë njerëzish që ngjasonte me nji Moçal, ujnat e të cilit nuk urrejnë gja ma shumë se lëvizjen… Ujna moçalesh të cilave erënat që u fryjnë përsipër nuk munden me iu dhanë jetë! Përkundrazi lëvizja që munden me sjellë ato erëna ndryshimesh mbi ujnat e fjetuna i irritonte ato! I irritonte ato pse mund të krijonte rrjedhë! Ato soj ujnash nuk duen lëvizje, nuk duen rrjedhë pse janë paqtue me rendin e gjanave…
Shtatorja e diktatorit që ishte rrëzue në Tiranë ato ditë shkurti dukej sikur kishte ra si gur në atë moçalin shqiptar… Kishte ra si gur që shkakton valë aty ku bjen dhe ato valë po gjenin rezistencë nëpër rrethe…
Rrezet e dritës që ma në fund po depërtonin përmes reve të dimnit të gjatë totalitar, ua kishin lëbyrë sytë njerezve që klithnin shesheve nga impakti i dritës…
21 shkurt 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.