Ikja e Hanës së Plotë nga Jozef Radi

Hane Sina - në Ditëlindjen e Saj

Hane Sina – në Ditëlindjen e Saj

Ikja e Hanës së Plotë…

nga Jozef Radi

Simfoni për nji nënë: Hane Sinën… po jo vetëm për atë!

Dy ditë më parë (22 dhjetor 2012), mbylli përgjithmonë sytë, nji prej atyre grave stoike të kampeve të komunizmit, nji nga gratë ma të thjeshtat, ma të përvuajtura, ma të pambështetura… po gjithsesi nji ikonë e njerzores: Hane Sina!
Kish kohë që kish nisur ai kalvar pafund për shumë nga vajzat, gratë e nënat shqiptare, dhe Hane Dishja – Sina, do të ishte nji prej tyre, e cila e kapërceu me dinjitet të papërshkrueshëm at tmerr pafund të pësuar padrejtësisht… dhe mbrriti deri te Dita e Ikjes së saj ashtu e plotë, e patjetërsuar në të gjithë vlerat e thjeshtësisë së vet!
Hane Sina ishte nji prej tri nuseve të Sinëve, e cila së bashku me vjehrrën e tyre te fisme, Kafile Kaloshi-Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet. Ajo, e nis jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, ajo humbi sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për të, si për shumë të tjera si ajo nisi tmerri i pafund e kampeve të diktaturës…! Me tre fëmijë njëri mbas tjetrit: fëmija i parë (Zenepja) sa kish nisur të ecte; i dyti në krahë (Sadiku) dhe i treti në bark(Beqiri), ajo iu dorëzua krejt e re fatit përbindësh, ku më shumë se rrugë… ajo do të qe nji skëterrë e vërtetë e cila zgjati nji jetë… e ku ajo me at thjeshtësinë e saj prej dibraneje do ta përballonte jo vetëm me dinjitet, po edhe me at humorin e hollë e shpërfillës, që ishte në natyrën e saj, ndaj atyre “të plotfuqishëmve” që i shkaktonin vetëm dhimbje kësaj gruaje, kësaj nëne, kësaj gjysheje të dhimbsur, që përtypi në heshtje privimet nga çdo gëzim sado i vogël i jetës!
Ajo, qysh herët pësoi humbjen e të atit, me pas arratinë e burrit, më pas humbjen djalit, Dikës trembëdhjet vjeçar, që ajo shpejt shpresonte t’i bëhesh krah e nga thellsia e shpirtit e quajti gjithnji: “Lofka e Nanës!”

Savër - Baraka e Hane Sinës

Savër – Baraka e Hane Sinës

Ajo përjetoi braktisjen, përbuzjen, varfërinë, urinë, dhimbjen, mungesat, humbjet, po qëndroi në këmbë si pakkush… ashtu me at thjeshtësinë e saj të pervuajtur… Shpesh kujtoj… se në çdo fetë buke kur i mungonte gjithçka, ajo i shtronte ca pika loti dhe i jepte shije bukës thatë: dashurinë prej nëne! Sepse ajo s’kishte asgjë mbas shpirti, veç atë dhimbje dinjitoze ia shtonte asaj mirësinë dhe vlerat…
Ajo shija e bukës së duarve të saj, s’ka për t’i ikur kurrë shpirtit tim, po edhe gjithë atyre që patën rast ta njohin nga afër kët grua të thjeshtë, e stoike…
Më ikjen e saj në qiell, ajo çka vlen të kujtohet është buzqeshja, humori, ironia e saj ashtu e qetë, e pafajme, spontane… kur punonte në brigadën e nji kryetari të famshëm këshilli, të cilit me nji deformim simpatik të emrit të tij, kinse s’arrinte ta shqiptonte drejt i drejtohesh: “Or Mi-hale, po pse më po çon aq larg me punue…” Ose u bë batutë e kohës shprehja e saj, kur u prishën mardhëniet me Kinën. Si gjithnji Kryetari i Këshillit e ngre Hanen dhe e pyet se si e mendonte ajo kët prishje! “Po mirë ban që u prishën, or Mi-hale – po shka na dojshin ata ne… po ne s’i duhemi kërkujt!” Ajo rrëshqitja e së folmes së saj: Or Mi-hale-sh… mbeti nofka qe Hanja i vuri atij njeriu! Kështu u mbyll diskutimi dhe Hanja la nji nga batutat më pikante, nënteksti i së cilës s’kishte nevojë për koment!
Hane Sina i iku kësaj bote dhimbjesh në paqe… e rrethuar nga shumë njerëz dhe e respektuar prej të gjithëve, jo thjesht për vuajtjen e saj, por për at mirësi që shpirti i saj kishte të pashterrur, e që kurrë ajo s’e shfaqi të përgjysmët, po gjithnji të plotë…
Ikja e saj prej Ferrit tokësor, aq shumë ngjan me ikjen e Hanës së Plotë… që e dhuron krejt dritën e vet, që terri kurrë të mos ndjehet i gjithpushtetshëm mbi kët botë!!!
(24 Dhjetor 2012)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Artikuj, “Savra-MonAmour!”  Etiketat: , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook