back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

I masakruemi… – nga Pjetër Logoreci

Gazeta

Mark Harapi (1890-1974)
Mark Harapi (1890-1974)

I masakruemi…

nga Pjetër Logoreci

 
Edhe kur nuk ishte më në burg, jeta nuk ishte e thjeshtë
për Atë Mark Harapin. Komunizmi i kishte hequr zhgunin e klerikut
dhe mundësinë për t’u ushqyer, por s’ishte i kënaqur.
Ai përndiqej për t’u poshtëruar sa herë të shfaqej mundësia,
edhe pse në moshë të thyer dhe në gjendje të ligsht shëndetësore.
Shkodrani Pjetër Logoreci sjell për kujto.al rrëfimet e një ditë dimri e vitit 1969,
kur një punonjës i Sigurimit e sulmon, e pështyn dhe më pas,
e rrëzon në rrugë atdhetarin, poliglotin, filozofin Mark Harapi!
 
Dikur, si nxanës 12 vjeçar, u kthejshe n’shpi te Arra e Madhe, tuj kalue nëpër nji rrugicë t’qetë t’Shkodres, ku gjindet shpia e Pashko Vasës. Ashtu si misteri i dyerve t’vjetrueme e i mureve t’nalta t’ksaj rrugice, m’kuriozonte edhe nji kalimtar i moshuem, me pamje t’mjerueme e t’lodhun, qi përshkohej aty pothuejse çdo mesditë. Kasketa e vjetër e rrasun mbi sy, s’më pengonte me vrojtue te i mjeri, tiparet e nji burrit fisnik, me fytyrë t’mprehtë, me sy gri e autoritar, mustakë t’thinjun e t’dendun, e nji hundë me kurriz, si shkabë malesh… Korpi i tij koc e lkurë, i mbluem me nji pallto t’vjetër e t’arnueme, kambët me plagë e shika prej galosheve t’çame qi i tërhiqte zvarrë, dy duer t’thata plot njolla t’zeza qi i dridheshin, qindronte n’kambë ndihmue prej bastuni t’moçëm me dru bjeshket. Baba em m’diftoj, qi ky skamnuer ishte At Mark Harapi, nji gjigand i atdhetarisë, poliglot, filozof e përkthyes i vepres s’Aleksandër Manzonit “T’Fejuemit”, qi dha ndihmesën e tij intelektuale n’fusha t’veçanta t’kulturës shqiptare. M’diftoj qi u “shpërblye me 20 vjet burg e internim politik” dhe qi mbijetonte nga lëmoshat e qytetarve të Shkodrës… por ajo çka ndodhi me të, nji ditë t’akullt dimni t’vjetit 1969, tronditja e trishtimi ma mbyllën n’mende e n’zemrën teme fmijnore, mos me e harrue kurr’ ma…
N’mesditen e asaj dite t’kristalizueme, tuj çapitë kadalë, skamnori plak, po bante metrat e fundit me mbrritë te dera e nji familjes zemerbardhë, qi për mshirë shpenzonte çdo ditë vaktin e mesditës për te, kur… nga brryli i rrugës (te shpija e Gjonejve), po duket nji alamet burri. Veshja tij, pardesyja teritalit me rryp në mes, pantallonat e ngrituna mbi nyje t’kambës si dhe kasketa stil kinez, i jepte atij pamje qesharake, por t’frigshme sigurimsi… Mbasi ktheu kryet mbrapa, siç duket me u sigurue qi ishte vetëm, tuj injorue prezencën teme, ju afrue plakut dhe filloi me i folë tanë inat e zemrim, me nji ton urrejtje qi mue m’drithtoj ma shumë se t’ftohtit. Shfrynte, shante e turfullonte me egërsi tuj i pengue rrugën viktimës, deri qi e rrasi për mur… Mandej, zgjati dorën tuj e mbërthye t’mjerin e pafuqishëm prej jaket, e afroj drejt vedit dhe e pështyu mbi ftyrë…
At Marku, i mbështetun mundishëm mbi bastun të vet, tuj mos dashtë me u përballë me t’keqen, u mundue pa bëzà, tuj i kthye shpindën, me vazhdue rrugën. Sigurimsi, qi u ndi i sfiduem, me sa fuqi pat, i shkelmoj bastunin plakut qi hupi drejtpeshën e u rrëzue tuj përplasë mbi ngricën e rrugës kryet e ftyrën, qi ju mbluen n’gjak…
Edhe sot e ksaj dite, s’di si s’më plasi zemra, tuj mbetë i palëvizun si gur zallit, i pafuqishëm me vu dorë mbi çka ndodhi. Ndër kohë, nji grue shpijake, qi siç duket mbas grilave, e kishte vrojtue krejt ndodhinë, duel prej nji dere tuj i ofrue ndihmë Atit të plaguem qi tregonte me dorë e sy kah dera e mëshirës, aty afër…
Vjenë, 25.10.2019
.
Marrë nga kujto.al
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.