Humbja e një miku të rrallë, dhe dhimbjet tona shpërndarë nëpër botë… nga Jozef Radi

Dhimitraq Tasho (1933-2017)

Dhimitraq Tasho (1933-2017) 

Humbja e një miku të rrallë

dhe dhimbjet tona shpërndarë nëpër botë…

nga Jozef Radi

 

kushtuar humbjes së mikut tim të shtrenjtë,
mësuesit dhe suljotit të paepur Taqos,
Dhimitraq Sokrat Tasho (8 mars 1933 – 13 shtator 2017)
 
Humbja e një miku të shtrenjtë, krahas dhimbjes së madhe ka sot me vete edhe një dhimbje dyfishe humbjen e kordinatave tona nëpër botë, për shumë prej nesh që liria, na shtyu ta kërkojmë paqen jashtë dhe larg…
Sot në të zbardhur të ditës, kur mora vesh humbjen e Dhimitraq Tashos, ndjeva një boshllëk të thellë dhe një dhimbje pakufi, edhe pse e lashë shënimin mbi një shkrim kushtuar atij, asgjë nuk mund të ma fashiste atë çka ndjeva, edhe pse në moshe 84 vjeç, miku im Taqoja, (Dhimitraq Tasho) kishte vdekur aksidentalisht.
Me Taqon, edhe pse na ndanin rreth 24 vite diferencë, kemi qenë miq, shumë miq, kemi ndarë lodhje, biseda, halle, konfidenca, dimra plot baltë dhe verëra plot vapë, kemi ndarë punë netëve mes ugareve, dhe punë ditën mes kanaleve, kemi ndarë mbasdite të lira duke diskutuar për sport dhe filozofi, po edhe kemi luajtur letra dhe shah nën hijen e plepave, kemi rrëfyar ato që shumkush nuk guxonte të rrëfeheshin, dhe tek ai kam gjetur gjithnji atë njeriun e urtë që dinte ta ndante përherë të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta, besimin nga mosbesimi. Më ka dhimbur në shpirt sakrifikimi i tij për familjen, po edhe ëndrra e tij e humbur e mësuesisë, që ja vranë kur ishte vetëm 27 vjeç…
Për gati 20 vite me Taqon i kemi pasur shtëpitë pothuaj përballë, po më shumë se shtëpitë i kemi pasur shpirtrat, shpjegimet e tij për matematikën, për letërsinë, për jetën, për vlerat e njeriut. Ato kanë qenë nji e përditshme që na bënte gjithnji bashkë, pastaj ajo e qeshura e tij prej fëmije… i dilte nga shpirti e sidomos kur gjente një motiv për të vënë në lojë…
Po sot Taqo nuk ka më…
U dashka që njeriu të vdesë një ditë, e ti të zbrazësh krejt atë thes me kujtime dhe mirësi që ky njeri ka lënë brenda teje, po edhe ndër të tjerë…
Familja e Tashove erdhi në Savër, aty rreth vitit ’69, duke u vendosur në barakën, ku më parë kishin qenë Familja e Dostëve… Kur u përshëndet për herë me tim atë dhe i shpjegoi se Tashot, vërtet kishin ardhur nga Leskoviku, po ata ishin nga Suli, nga fisi i famshëm i Xhavellëve, babai jo pa humor i tha, mbasi e shkëmbyen (internimin) me Dostët e Kardhiqit: “Po ju paskeni qenë armiq të përbashkët të Ali Pashës, po edhe të pashallarëve të mavonshëm…!” Unë atë kohe s’e mora vesh kuptimin e kësaj fjalie, po Taqoja sa here flisnim si me të qeshur më thoshte… Që atë ditë, isha shume mik me babanë tuaj!
.
Dhimitraq Tasho & Jozef Radi - Janinë 2006 - Shtëpia e Ali Pashës në ishull

Dhimitraq Tasho & Jozef Radi – Janinë 2006
Shtëpia e Ali Pashës në ishull

***
Dhimitraq Sokrat Tasho, u lind në Leskovik me 8 Mars të vitit 1933, në familjen e nderuar të Sokrat dhe Maria Tasho, në përbërje të së cilës ishi 6 vajza dhe 3 djem. Mbasi mbaroi studimet e mesme shkëlqyeshëm, në vitin 1953, filloi punë si mësues matematike. Talentin dhe zellin e tij të spikatur, ai s’mundi ta shpaloste si duhet, mbasi në vitin 1959, regjimi komunist dhe lakejtë e tij, mbasi u kishte sekuestruar pronat dhe shtëpitë (Tashot kishin në pronësi fabrikën e konjakut në Korçë) e internuan familjarisht në kampet famkeqe të të ashtuquajturve armiq të pushtetit popullor, fillimisht në Gradishtë të Lushnjes (1959-1969) e më pas në kampin e Savrës (1969-1991), pra 32 vite internim, 32 vite mohim i çdo të drejte minimale njerëzore. Familja e tij, dy prindët (Sokrati dhe Maria), dy djemtë dhe tri vajzat u internuan në kampet e Myzeqesë, ku jo vetëm u privuan nga çdo e drejtë, por u shpronësuan, u rrëmbyen me forcë, ju shkatërrua prona, që babai i tij, por edhe i gjithë fisi Tasho e kishin ndërtuar me aq mund, djersë e sakrifica, ku falë iniciativës, mjeshtërisë, përkushtimit e inteligjencës së tyre arritën të krijoni një begati të vërtetë.
Dhimitraq Tasho, mbeti një dëshmi e gjallë se si një regjim antinjerëzor e antivlerash si ai komunist, me lehtësi shkatërronte jetë normale të familjeve punëtore. Është një dëshmi e gjallë e faktit, si zilia, injoranca, paaftësia, hipokrizia, servilizmi, spiunllëku, dashakeqësia dhe shpifja u përpoqën të gjejnë çdo formë mizore, djallëzore, apo rrufjanllëku siç i pëlqente ta theksonte vetë Ai, për të mbytur vlerat me antivlera, moralin me imoralin, krenarinë me nënshtrimin… por është dhe një dëshmi e gjallë se si e mira triumfon mbi të keqen, dashuria mbi urrejtjen, qëndresa ndaj nënshtrimit, e vërteta ndaj gënjeshtrës, besimi tek Zoti ndaj besimit te djajtë e regjimeve antinjerëzore.
Dhimitraq Tasho, mbeti një qëndresëtar i paepur ndaj padrejtësive të regjimit diktatorial!
Përpara nënshtrimit dhe mohimit të vlerave të familjes dhe fisit të Tij, zgjodhi qëndresën, krenarinë, megjithëse ishte një vuajtje e tmershme të bënte këtë zgjidhje… Ai mbeti gjithnji krenar për origjinën e tij Suljote, për vlerat e Tashollarëve (Xhavellëve), për mirësinë dhe talentin e tyre, për historinë që kishin nga pas. Pavarësisht se çdo gjë u mohua prej pinjollëve të regjimit, nga fisi Tasho, dhanë jetën për çlirimin e vendit 13 martirë.
Mbas shembjes së komunizmit diktatorial, edhe pse mbi supe mbante gjithë ato vite vuajtjesh e shtypjesh, Ai nuk zgjodhi kurrë hakmarrjen, shpirti dhe mendja e Tij nuk u errësua kurrë prej saj, por përkundrazi, fisnikëria e tij, u lartësua prej mëshirës dhe faljes së mëkateve dhe mëkatarëve.
Ai kurrë s’kërkoi përfitime, as poste, as nderime, por drejtësi, drejtësi, dhe vetëm drejtësi.
Nuk rrëmbeu, por kërkoi t’i kthehej ajo çka iu rrëmbye, ajo që ju mohua, ajo që i përkiste familjes së tij. I kërkoi me këmbëngulje, me ligje dhe me drejtësi! Kurrë nuk e kërkoi të drejtën e tij dukem mohuar të drejtën e tjetrit, por gjithmonë luftoi për të drejtën si një akt moral, legjitim, qoftë edhe si një akt pendese e shkaktarëve të mohimit të së drejtës së tij.
Dhimitraq Tasho, ishte i barabartë mes të barabartëve, duke mbetur respektues i personalitetit të vet. Disident i çdo regjimi, që shkel të drejtat njerëzore…
Mbeti i paepur në të drejtat e veta, deri para dy ditësh kur me 13 shtator 2017, u nda aksidentalisht nga jeta… (*)
.
Nji nga shtatë barrakat e Kampit të Savrës

Nji nga shtatë barrakat e Kampit të Savrës

***
Dhimtraq Tasho, mbeti njeri i rrallë!
Ai sakrifikoi jetën e tij për vëllezërit, motrat dhe nipat e tij të shumtë të përplasur interrnimeve. Taqo nuk pati një familje të vetën, nuk pati fëmijë të tijët. Internimeve qysh 26 vjeç, atij i ra barra e rëndë të kujdesej, për më të vegjëlit e familjes për nipat e shumtë që mbetën pa prindër, ai s’e njohu ngrohtësinë e familjes së tij, por të gjithë e deshën Taqon, të gjithë e nderuan dhe e vlerësuan sakrificën e tij…
Në bisedat e shumta me të më dhimbsej mësuesin që ia kishin vrarë, prindin që ia kishin munguar, pronën që ia kishin rrëmbyer, jetën që ia kishin shkatërruar… dhe ai vazhdonte ashtu i paepur kanaleve dhe ugareve, të punonte pa u lodhur, me atë shpirtin e sakrificës për cilindo që ishte në vështërsi, dhe me atë buzëqeshjen e ëmbël prej fëmije të përjetshëm…
Lamtumirë miku im Taqo, të falënderoj për gjithë kohën e ndarë bashkë, për gjithë mirësitë që ke mbjellur ndër të tjerë, pa pritur kurrë që shpërblimi të kthehet…
I lehtë të qoftë dheu, i bekuar qoftë shpirti i mirësive të tua…
16 shtator 2017

(*) – Ky material u punua nga shkrimi i një prej nipave të Dhimiter Tashos… 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook