back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Humb jeten Atjon Zhiti… Bir, i vogli im… poezi nga Visar Zhiti

Gazeta

Atjon Visar Zhiti (1995-2014)
Atjon Visar Zhiti (1995-2014)

Si mund t’i ngushëlloj Edën dhe Visarin…!?

nga Jozef Radi

Herët e mora vesh lajmin tragjik e humbjes së djalit të vetëm, të mikut tim të shtrenjtë, Visarit… Diçka m’u këput në trup dhe në shpirt… S’e besova, nuk desha ta besoja, dhe në vetvete u luta që kjo të mos ishte e vërtetë… Nuk doja të pyesja askënd, sepse nuk doja ta besoja, e megjithatë i shkrova nji mikes time qe e kishte vënë në statusin e saj. “Po e vërtetë… sot në mëngjes… me motorr!!” Zhitët i njoh prej shumë kohësh… po Visarin, Edën… dhe Atjonin, strumullarin e dashurisë se tyre, i kam njohur aq herët, aq mirë, aq afër e aq thellë… sa nuk doja, as dua, as do të dua ta besoj kurrë, se mund të jetë e vërtetë…!! Po lajmi i tmerrshëm, bëhej më kokfortë, më i egër dhe më i vërtetë me kalimin e minutave dhe… vetëm kur u shpall si lajm, m’u prenë krahët, këmbët dhe një shi dhimbjeje pakufi ma pushtoi krejt qenien… Pse të gjithë kemi fëmijë, dhe sakrifica e dashuria për ta është e madhe, po Ju nuk mund ta besoni se sa shumë dashuri ishte mbjellë te Atjoni… Sot jam ndalur te fytyra plot dritë e këtij djaloshi të përjetshëm dhe nuk gjej asnji fjalë për ta ngushëlluar mikun Tim shtrenjtë, Visarin dhe të shoqen Edën… Nuk besoj se fjala mund ta bëjë këtë gjë, dhe ta zvogëlojë kët humbje… Kjo humbje mbetet e pangushëllueshme për ata si njerëz dhe si prindër, po mbetet humbje edhe për të gjithë ne që jemi… pjesë në jetën e tyre… e që sot në kët ditë të dhimbjes së tyre pakufi, nuk jemi me ta fizikisht, po ama shpirtërisht do të jemi me ta sa tv jetë jeta…
Qoftë e Parajsës krijesa Juaj e pafajshme, dhe Zoti iu dhashtë dritën hyjnore në mbrojtjen e asaj dashurie që mbetet tek Ju dhe ndër ne!!
20 dhjetor 2014

Atjon Zhiti mes shokeve
Atjon Zhiti mes shokeve

Bir, i vogli im…

poezi nga Visar Zhiti

Bir, i vogli im, i bukuri, degë e gjelbër krahu yt,
që më futet në ëndrra,
rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë përherë…
e di ç’do të bëhem kur të rritem?…
bëhu ç’të duash, biri im,
por i dashur patjetër siç je,
i bukur, i bukur siç je!
Ç’të të them, unë do mundohem
të hap rrugën të gjesh vetveten,
pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.
Apo është e pamundur,
duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha.
Bëj vetëm mirë, bir, kjo është e mundur.
Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të shkelin.
Edhe përsosmëria jote është e mundur,
si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe
jeta është e vetmja pasuri,
shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën,
ndoshta janë e njëjta gjë.
Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre
vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat…
Dhe vizatoje ëndrrën tënde.
Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim
sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im
njëkohësisht dhe unë lutem
fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër
“At’jon…”, ashtu siç ke dhe emrin. 
Deti, bir. Më josh, është siç ka
qenë, që kur u krijua bota,
i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e
përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt
ujrash i pambarim, ashtu
qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund.
Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe
sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz.
Një peshk lëvrinte ende mbi rërë,
ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që të ta blinte.
Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën.
Dhe me ta marrë peshkun e gjallë,
me gojën të çarë e të përgjakur nga grepi,
vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe në det.
E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar.
Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi lotët,
që nuk i fsheha dot.
Fati i atij peshku… i ngjashëm
me… mbase … e jo vetëm…

Atjon Zhiti - Student ne "Sacro Cuore" Milano
Atjon Zhiti – Student ne “Sacro Cuore” Milano

Humb jetën Atjon Zhiti – djali i vetëm i Visar Zhitit.

Ka humbur jetën në një aksident djali i poetit dhe shkrimtarit disident dhe ish-ministrit të Kulturës Visar Zhitit, Atjon Zhiti.
Aksidenti ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës mëngjesin e sotëm, (20 dhjetor) në afërsi të QTU, ndërsa lajmi i hidhur është përcjellë me dhimbje nga miqtë e tij në rrjetin social facebook.
Sipas Gazetarit të Ora News, Ledio Halili, Atjoni ishte duke udhëtuar si pasagjer me motor me shokun e tij, Serxhio Matjani, nga Tirana për në Durrës, teksa u përplas me trafikndarësen. Shoku i Atjonit, i cili drejtonte motorin ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Sipas hetimeve të para dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpjetësia e madhe dhe mos përdorimi i mjeteve mbrojtëse, si skafandra.
19-vjeçari ishte kthyer në Tiranë për festat e fundvitit. Jeta e studentit të filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, i cili në gusht mbushi 19 vjeç u ndërpre sot.
Ai ishte dhe djali i vetëm i Visar Zhitit.
http://www.oranews.tv

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.