back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Historia e nji libri të ngrenë qensh refleksion nga Jozef Radi

Gazeta

Shpend Sollaku - Noé - Në vitet '80 si mësues
Shpend Sollaku – Noé – Në vitet ’80 si mësues

Historia e nji libri të ngrenë qensh

refleksion nga Jozef Radi

Me Shpend Sollakun kemi qenë jo vetëm shokë klase, po shokë mendimesh, shokë letrash e antikonformistë. Kështu ka ndodhur shpesh të flisnim për letërsinë e vërtetë, kur lejohesh të flitesh vetëm për realizmin socialist; pra në konfidencë mes nesh kemi folur mjaft edhe për botimin e librave tonë të parë, në vitet ’80.
Librin e parë të Shpendit “Mëzat e Kaltër” e kam ndjekur, qysh kur ai shkruhej, në gjimnaz… po edhe në gjithë peripecitë e mëpasme që Shtëpia Botuese, i kërkonte atij për botimin, duke i bërë vërejtje pafund deri në lodhje… Vërejtjet bëheshin aq denigruese, sa të detyronin ta mendoje heqjen dorë nga libri. Kujtoj një shkresë që më erdhi asokohe nga Shtëpia Botuese, kur flisnim me Shpendin për “Mëzat”, e ku qe shkruar: “Libri juaj me pak punë mund të botohet, por… në të nuk keni asnjë poezi për Partinë dhe Shokun Enver…!”
Të pushtonte një trishtim i madh, kur mendoje se e gjitha kjo bëhej për një libër që s’do të botohej kurrë!
Për fat, libri i Shpendit “Mëzat e Kaltër” u botua, mbasi e kishin çuar më së pari për karton…! Këmbëngulja e Shpendit bëri që ai libër të botohej, por me mjaft faqe të shkulura, e kur në flisnim, ai më tregonte poezitë dhe fletët e shkulura prej librit… duke e bërë atë krijesë të brishtë të rinisë si të ngrënë qensh…
Ja kjo është historia e këtij libri po edhe e shumë librave që realizmi socialist kërkonte t’i bënte të vetët…
I uroj Shpendit, suksese në përkushtimin e tij të një jete me librat…
jozef radi, janar 2017

 

Shpend Sollaku - Mëzat e kaltërt 1987
Shpend Sollaku – Mëzat e kaltërt 1987
Këto poezi u grisën nga cenzura
e Shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në vitin 1987.
Unë i përgatita për në “RD”, por atje kishin filluar të ishin redaktorë
ata apo miqtë e tyre që dikur i kishin ndaluar.
U detyrova t’i fus tek “Ora e Fjalës”… Ishte viti 1991.
Nuk u është ndryshuar asnjë presje.
Janë të gjitha të shkruajtura gjatë adoleshencës dhe rinisë së parë.
(Foto e dërguar nga Biblioteka Kombëtare.
Lexohen mirë, edhe pse cilësi e dobët shtypi me linotip)
(Shpend Sollaku – Noè)
.
Disa nga shokët e klasës Sh. Sollaku, Sh. Këmbora, P. Kice
Disa nga shokët e klasës Sh. Sollaku, Sh. Këmbora, P. Kice

I zhveshur për së dyti

Vite më parë (1987) doli vëllimi poetik “Mëzat e kaltër” i Shpend Sollakut. Ishte një libër i masakruar, që doli njëherë në shkurt të atij viti nga shtypi dhe u kthye përsëri atje për shkak të inkuizitorit të atëhershëm (të përgatitur në studiot e E. Hoxhës dhe R. Alisë), drejtmit të shtëpisë botuese, ku në faqet e para “I vranë…” poezitë  “Revoltë”, “Nokturn me det të fjetur”, “Mëzi… pas karrocës”… etj, të cilat sipas… në asnjë mënyrë s’duhet të qarkullonin!
Kështu ndërsa autori nisej plot shpresë t’i gëzohej vëllimit të ri, fati i tij ndërkaq qe përcaktuar. Në kartonin… Me gjithë mbrojtjen që i kanë bërë personalitete të tilla si: I. Kadare, F. Arapi, N. Jorgaqi etj., u arrit vetëm një gjë: Libri do të qarkullonte, po do të griseshin të gjitha poezitë që cënonin parimet. Dhe kështu u bë. Pas disa muajsh, në nëntor të vitit 1987, doli vetëm sozia e librit të shkurtit, me të njëjtën kopertinë. Një pjesë e poezive të masakruara që mbetën dhe ato që “ranë” gjatë “redaktimit” po i paraqesim më poshtë: Këto krijime autori I ka përfshirë në një vëllim tjetër që është përgatitur tashmë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, i cili titullohet “I zhveshur për së dyti”

I zhveshur për së dyti... Shpend Sollaku Noè
I zhveshur për së dyti… Shpend Sollaku Noè

Kaviet

Kafaz me thurje të imta,
Rrugë vetëm për erën
Kavje me sy të bindur
ngulitur në të errët
Endrra e vrarë e hapsirës
Jep shpirt pas telave
1974

Atë

Qesh i lumtur
Pa e njohur të bukurën
Pas i rashë
Si i marrë i rashë pas
Tani më kot
Përpiqem të rikujtoj
Ditët kur s’e njihja
1974

Mëzi pas karrocës

Ç’e paska lidhur pas karrocës
një mëz që turfullon
Vështrimi bredh, por këmba s’ecën
ndaj jelen flakëron

S’i duron dot në gojë frerët
shkarëzehet si rebel
e nuk e ndien syrin e pelës
plot lëng që e  përkëdhel

E karrocieri flokërënë
bën sikur s’sheh asgjë
më fort në gishta shtrëngon frerët
e mërmërin pa zë

Këtej, këtej, kalë i parritur
nga frerët të drejton.
Në s’të pëlqen rruga e nisur
ky fre pot ë drejton.

Me zor ustai shtrëngon frerët,
në rrugën pambarim
Si dy vullkane të vegjël flegrat
Shfryjnë afsh e pikëllim
1974

Një hop topitje

Reja shkoi
Qielli mbeti
i zbrazët
Zog s’dukej
Po ndihet
Përplasja e krahëvë
1976

Kohë e gënjeshtrës

Më tregove,
për të larguar hallin,
për të vrarë kohën,
që zvarritej,
shumë gënjeshtra të bukura,
shumë gënjeshtra të bukura,
Por syri im një të vërtetë priste,
etej qoftë edhe për një të vërtetë
Sado e hidhur të ishte.
1975

Nokturn me det të fjetur

Deti i vdekur,
det bunacë,
det që fle si foshnjë në të linjta.

Edhe kur të duket se bën, gjumë të thellë,
në gjoksin e tij fle stuhia.

Retë shterpa

Qiellit vërtiten retë memece,
retë shterpa.
Me një hirnosje të shtirur,
premtojnë
shi.
Një ditë vërtitje…
Një javë vërtitje…
Një muaj vërtitje…
Toka
më kot
zgjat gojën të pijë.
1984

Revoltë

Malet,
kur s’kishin ç’të hanin
hëngrën
re
Dhe
patjetër
do të villnin
rrufe!
1984

Bletë që zukasin

Bletë të etura,
bletë që zukasin.
Kërkojnë trëndelinë
të mbledhin nektarin
Po nëse lulëzojnë vetëm lule të hidhura
Si und të jetë i ëmbël mjalti?!
1984

Çast i zgjatur

Shkëmbi
tashmë
u grrye.
Por
edhe dallga
është e vdekur
1985

Cung

I prenë duart.
Pastaj
i dhanë
një shkop dirigjenti
për të dirigjuar
Verdin.
1986

Jeta e Ylberit

Jeta e ylberit thellë,
thëllë më tërhoqi,
atje ku e kam vështirë të lundroj
atje në detin e përkohshmes.
1986

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ka qenë kënaqesi e rrallë kur 35 vite të shkuara në shtëpinë e Shpend Sollakut, kam lexuar këtë kopje të librit të tij të parë, i cili mbasi kaloi “disa sita”, u përgatit të hidhej në treg… ndërkohë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” e qethi sërish ballaboks (qethje tipike komuniste), dhe Shpendi i zemëruar… me dhimbje u detyrua ta pranojë librin e tij tashmë të “ngrenë qensh”. Sot mund të përcillet pak me humor, kurse nga mesi i viteve ’80 ishte një guxim i rrallë!
    Fati e desh që mbrritëm t’i rrëshqisnim së Keqes së Madhe…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.