back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Historia e nëndetses “Kursk” nga Avis Gjyshja

Gazeta

Nëndetsja “K-141 Kursk”  - Krenaria e Marinës Ruse
Nëndetsja “K-141 Kursk” – Krenaria e Marinës Ruse

Historia e nëndetses “Kursk”

nga Avis Gjyshja

Në vitin 1999, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, njera nga nëndetset nukleare ruse, e cila do të kujtohet gjatë për tragjedinë e saj, pasi ishte futur ilegalisht nga Ngushtica e Gjibraltarit, do të endej për rreth 6 muaj në errësirën e thellësive të Mesdheut në ndjekje të Flotës së Gjashtë Amerikane që kishte në përberjen e saj dhe aeroplanmbajtesen “Theodore Roosevelt”, nga e cila niseshin avionet e NATO-s për bombardimin e Serbisë. Asnjë nga brigjet e Mesdheut nuk ishte aq i njohur për ruset sa brigjet e Shqipërisë ku dhe mendohet se kjo nëndetse fshihej herë pas here.
Sipas gazetës “Pravda” të datës 16 Gusht 2012 (http://www.pravdareport.com/…/16-08-20…/121899-kursk_nato-0/) po kjo nëndetse gjatë kësaj kohe kishte realizuar pesë sulme konvencionale kundër objektivave konkrete.
Po cila ishte kjo nëndetse, e cila shkaktoi kaq alarm tek Flota e Gjashtë Amerikane dhe angazhoi të gjitha forcat anti-nëndetse të vendeve antare të NATO-s në Mesdhe në kërkim të saj?!
…Ishte Nëndetsja Bërthamore Ruse “Kursk”, e cila njihej si vrasëse aeroplanmbajtësesh.
Ishte ajo nëndetse që me tragjedinë e saj të mëvonëshme do të tërhiqte gjithë vëmendjen e botës.
“Kursk” do të mbytej aksidentalisht me 12 Gusht të vitit 2000 në ujrat e akullta të Detit Barents, në Oqeanin e Ngrirë të Veriut duke mbajtur të bllokuar brenda saj, për një kohë jo shumë mirë të përcaktuar, deri sa vdiqën, një pjesë të efektivit të saj.
.
Nëndetsja nukleare ruse “Kursk u mbyt ne detin Barents me 12 Gusht 2000
Nëndetsja nukleare ruse “Kursk u mbyt ne detin Barents me 12 Gusht 2000

Çfarë ishte Nëndetsja Bërthamore “Kursk”?

Nëndetsja “K-141 Kursk” ishte krenaria e Marinës Ruse. Si e dyta për nga madhësia pas nëndetseve planet shkatërruese Tajfun (me të mëdhatë e ndërtuara ndonjëherë në faqe të tokës), ishte arritja më e madhe e shkencës së aplikuar ndonjëherë tek nëndetset bërthamore ruse. E projektuar si një armë shkatërruese për aeroplanmbajtëset dhe anije të tjera të fuqive shumë të mëdha dhe të grupeve shoqëruese të tyre, kjo nëndetse kishte filluar të ndërtohej më 1990 në Kantierin Ushtarak Detar te Severodvinsk në veri të Rusisë. “Kursk” u fut në shërbim me 30 Dhjetor 1994.
Emri i saj ishte në përkujtim të betëjes më të madhe në histori, të mjeteve të blinduara. Ishte përplasja e famshme ruso-gjermane, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila filloi me 12 Korrik 1943, në Prokhorovka, rajon pranë qytetit rus Kursk dhe siç dihet pas humbjesh të jashtëzakonshme të jetëve njerëzore e mjetesh të blinduara nga të dyja palët përfundoi me fitoren e rusëve.
“Kursk” ishte një nëndetse Project 949A Anteye, Oscar II – Klas, me nëntë lokale, dy reaktorë nuklearë te modelit OK-650b dhe dy turbina avulli.
-154 metra e gjatë, komode e me palestër brenda, dhoma të veçanta për oficerët, pavarësi qëndrimi deri 4 muaj nën ujë, shpejtësi lundrimi 32 nyje (59 km/h) nën ujë dhe 16 nyje (30 km/h) mbi ujë, me thellësi zhytje për aktivitet normal deri 420 m dhe thellësi sigurie limit deri 500 m, praktikisht pa kërkesa për rifurnizim me karburant bërthamor (njëherë në 30 vjet) kjo nëndetse qe e aftë të çante dhe akujt e Arktikut dhe e pakapshme magnetikisht së bashku me armatimin e aftësitë goditëse ishte sigurisht krenaria e Flotës Ruse.
– Për armatim kishte 24 copë raketa supersonike P-700 Granit me rreze të gjatë veprimi e 20 km lartësi fluturimi, 24 silura dhe 8 aparate lëshimi silurash e raketash.
Në rast të një luftë të mundëshme bërthamore nëndetsja ishte e aftë që të përdorte koka nukleare për të gjitha silurat dhe raketat e saj.
Por dhe një silur apo raketë e vetme me TNT ishte llogaritur të çonte në fund të detit një aeroplanmbajtëse të tërë.
Baza Ushtarako-Detare ku “K-141 Kursk” qëndronte më së shumti ishte Vidyaevo, në rajonin Murmansk Oblast të Rusisë Veriore.
.
Pjesa e mbetur e Nëndetsjes nukleare ruse “Kursk"
Pjesa e mbetur e Nëndetsjes nukleare ruse “Kursk”

Por si ndodhi që u mbyt?

“Kursk” ishte pjesë e stërvitjes me të madhe detare të atij 10 vjeçari të quajtur “Summer-X” e organizuar nga rusët në detin Barents, pjesë e Oqeanit të Ngrirë në veri të Rusisë.
Në të perfshiheshin dhe 30 anije të tjera luftarake si dhe anija flamurëmbajtese, kryqëzori i famshëm “Pyotr Velikiy” (Pjetri i madh). Po ashtu merrnin pjesë dhe katër nëndetse të tjera të flotës ruse dhe një numër tjetër i madh anijesh më të vogla.
Nga larg stërvitja asistohej nga dy nëndetse amerikane të quajtura “USS Memphis” dhe “Toledo”
…Nëndetsja nukleare ruse “Kursk u mbyt ne detin Barents të Oqeanit Arktik, ditën e shtunë, me 12 Gusht 2000 duke marrë me vete dhe 118 jetët që ishin brenda saj. Aparaturat regjistruan dy shpërthime në interval 2 minuta e 15 sekonda njeri pas tjetrit. Sipas regjistrimeve nga aparaturat sizmografike të Alaskës në anë tjetër të botës, shpërthimi i parë kishte forcën e një tërmeti të shkallës 2.2 Rihter dhe i dyti 4.4 po të shkallës Rihter. Sipas analizave të mëvonëshme një silure pa kokë luftarake kishte shpërthyer.
Marina Ruse nuk e kuptoi menjëherë se çfarë ndodhi me “Kursk” dhe nuk pezulloi manovrat ushtarake për më shumë se 6 orë nga momenti i incidentit. Për këtë arsye dhe vendpërcaktimi i nëndetses së mbytur ju hëngri rusëve 16 orë jashtëzakonisht shumë të shtrejta për atë situatë.
Amerikanët nisur nga regjistrimet e sizmografëve të Alaskës, të dhënat satelitore dhe aparaturat e dy nëndetseve që monitoronin rajonin e kuptuan që në sekondën e parë se çfarë ndodhi.
Konkluzionet e mëvonëshme treguan se kur “Kursk” po ngarkonte një torpedo jo luftarake HTP (pa kokën luftarake) për arësye të mungesës së trajnimit të duhur të efektivit për silurat HTP, një rrjedhje nga një saldim jo i mirë i High Test Peroxide (HTP) (85 deri 95% koncentrim ujë i oksigjenuar – kujtoni se uji i oksigjenuar që shitet në farmaci nuk kalon asnjëherë 3% koncentrim) shkaktoi që kerosene (karburanti i silurës) të shpërthente duke çuar pastaj si rezultat e temperaturave shumë të larta, – në shpërthimin e dytë të 5 deri në 7 koka luftarake jo nukleare torpedosh (këtë numur nuk e kam gjetur të përcaktuar në asnjë material që kam parë/ A.Gj) një shpërthim ekuivalent me fuqinë shpërthyese të dy deri ne tre ton TNT. Ky shpërthim shkatërroi gjithë pjesën e përparme të nëndetses deri në lokalin e gjashtë. Reaktorët bërthamorë në lokalin e pestë nuk u dëmtuan, gjë që ishte e vetmja mrekulli e kësaj tragjedie. Nëndetsja ra në fund të detit, rreth 108 metra thellë dhe e vetmja rrugë teorike për shpëtim të efektivit të mbetur të nëndetses ishte dalja nga sistemi i posaçëm i daljes në rast avarie i lokalit të nëntë. Çdo pjestar ekuipazhi në nëndetse kishte kostumin personal polumbar të daljes nga thellësia në rast avarie. Por kjo dalje teorike mund të realizohej vetëm me ndihmë nga jashtë. Ndihme e cila në fakt nuk u erdhi kurrë…
Për katër ditë rresht rusët u përpoqën me mjete të ndryshme të ndihmonin të mbijetuarit në nëndetse por pa sukses. Teknikisht e oganizativisht të paaftë rusët dështuan në të gjitha përpjekjet e tyre për të ofruar ndihmë tek pjesa e mbetur gjallë e efektivit. Qeveria ruse për të mbuluar paaftësitë teknike e organizative manipuloi dhe kohën e deklaruar të aksidentit dhe refuzoi kategorisht ndihmë prej qeverive të tjera. Vetëm në të pestën ditë presidenti Putin autorizoi Marinën Ruse të pranonte ndihmën e ofruar angleze e norvegjeze. Në ditën e shtatë për nga mbytja norvegjezët arritën të hapnin daljen shpëtuese të lokalit të nëntë por ishte shumë vonë. Lokali i nëntë nuk kishte më njeri të gjallë…
.
Nëndetse shpëtuese angleze për shpëtimin e "Kursk"
Nëndetse shpëtuese angleze për shpëtimin e “Kursk”

Teoritë konspirative

Ndërsa shumica e ekspertëve konkluduan që ishte shpërthim torpedoje, midis tyre kishte mospërputhje për mënyrën se si ndodhi. Për rusët ishte e pamundur ta mendonin se si u mbyt kaq lehtë krenaria e nëndetseve ruse. Tragjedia krijoi vend për shumë lloj teorishë konspirative. Në këto teori konspirative u përzie edhe media, specialiste e autoritete ushtarake e politike të të gjitha palëve. Shumë flisnin për prova e dokumenta që nuk e panë kurrë dritën e publikimit. Një teori thoshte që shpërthimi erdhi nga bombolat e ajrit të presionit të lartë që përdorej për shfryrjen e ballastit. Gazetat “Der Spiegel”, “Berliner Zeitung” dhe “Sunday Times” deklaruan se zotërojnë dokumenta që nëndetsja u godit gabimisht me rakete nga Kruizeri luftarak Rus “Pyotr Velikiy” i cili merrte pjesë në këto manovra. Të tjera teori lidheshin me terrorizmin çeçen ose gabime njerëzore. Teoritë vazhdonin duke thënë se “Kursk”, po provonte një tip torpedo për të cilën perëndimi nuk kishte mbrojtje. Të tjera teori thonin se nëndetsja amerikane USS Memphis goditi “Kursk” e ca të tjerë flisnin për një incident me mina ujore.
.
Nëndetja "Kursk" pas tragjedisë.
Nëndetja “Kursk” pas tragjedisë.

Operacioni i dështuar i shpëtimit dhe ndihma nga jashtë.

Ministri i Mbrojtjes Igor Sergeyev nuk e informoi presidentin Putin deri në orën 7 të mëngjesit të ditës së dielë. Po të dielën Komandanti i Flotës së Veriut Admirali Popov, megjithëse ishte i mirëinformuar për tragjedinë tha para shtypit se stërvitja ishte një sukses shumë i madh.
…Por që të dielën në mëngjez midis familjarëve të anetarëve të ekuipazhit të “Kursk” të cilët jetonin afër bazës ushtarake filluan të qarkullonin fjalë se diçka nuk po shkonte mirë. Familjarët e antarëve të ekuipazhit mësynë Bazën Ushtarake, por përgjigje të drejtëpërdrejta nuk kishte!
Ndërkohë në rajonin e katastrofës megjithëse me shumë vonesë kishin filluar operacionet e shpëtimit. Anija shpëtuese “Mikhail Rudnitsky” arriti në rajonin e katastrofës në 9:00 të mëngjezit të ditës së dielë, me 13 Gusht 2010. Duke lëshuar spirancën efektivi i saj raportoi se kishin kapur një sinjal akustik SOS, (sinjali i fatkeqësisë në sistemin MORS). Me një ngadalësi të pajustifikueshme e ardhur nga paaftësia e ekuipazhit dhe teknika e pamirëmbajtur, në orën 17:30 të datës 13 Gusht, anija shpëtuese “Mikhail Rudnitsky” lëshoi në ujë të parën nëndetse të vogël shpëtuese të quajtur AS-34. Në orën 18:30 në thellësinë 100 m, AS-34 raportoi që u përplas me një object dhe se ata shihnin një helikë anije e ca gjëra të tjera. AS-34 ishte dëmtuar nga goditja dhe nuk ishte në gjendje të vazhdonte procesin e shpëtimit. Në 22:40, në ujë u lëshua një tjetër nëndetse e këtij lloji, AS-32 por për një informacion të gabuar të dhënë nga anija komanduese “Petr Velikiy” ajo nuk pati mundësi të lokalizonte “Kursk”. Ekuipazhi i “Mikhail Rudnitsky” u përpoq të kontaktonte “Kursk” dhe menjëherë sipas tyre dëgjuan një tjeter sinjal SOS, i cili në analizat e mëvonëshme u përcaktua si një zë me origjinë biologjike (njerëzor).
Të gjitha këto u raportuan tek anija komanduese “Petr Velikiy”.
AS-32 u kthye pa rezultat në sipërfaqe në orën 1:00 pas mesnate, datë 14 Gusht 2010.
Nderkohe në rajonin e katastrofës arriti dhe “Nikolay Chiker – SB 131” një tjetër anije shpëtuese ruse. Me kamerat e saj të thellësisë ajo pruri imazhet e para të katastrofës në sipërfaqe. Bashi i nëndetses pothuaj i tëri i shkatërruar ishte ngulur rreth 22 metro thellë në fundin gëlqeror të detit Barents, periskopi ishte i ngritur (gjë që dëshmonte se katastrofa kishte ndodhur në thellësinë e periskopit në 20 ose me pak metra), dhe ajo që kish ngelur nga nëndetsja kishte rënë në fundin e oqeanit dhe ishte anuar 60 grade anash dhe rrreth 6-7 gradë në drejtimin gjatësor. Nuk dukeshin dëmtime në pjesën e kiçit dhe nuk kishte rrezatim radioaktiv çka dëshmonte hëpërhë se nuk kishim të bënim me një mega fatkeqësi nukleare.
Ndërkohe AS- 34 ishte riparuar dhe në orën 5:00 të ditës se hënë datë 14 gusht 2010, u rizhyt në vazhdim të operacioneve shpëtuese. Në orën 06:50 gjeti nëndetsen duke filluar operacionin e lidhjes me sistemin e daljes nga nëndetsja në rast avarie mbi lokalin e nëntë të nëndetses.
Por AS-34 ishte një nëndetse e vogël që funksiononte vetëm me bateri… dhe bateritë jo mirë të karikuara u shkarkuan duke detyruar AS-34 të kthehej në sipërfaqe pa rezultat…
Ndërkohe era filloi të ngrinte fuqinë dhe operacioni i shpëtimit me teknikën ruse nuk ishte më në gjendje të vazhdonte.
Të martën “Mikhail Rudnitsky” provoi përsëri e prap pa rezultat. Pastaj provuan të ulnin një lloj aparature të komandueshme nga larg, ROV (remotely operated vehicle) që përseri dështoi. Në orën 20:00 u lëshua poshtë përsëri AS-34 dhe prap u dëmtua. U riparua përsëri dhe u rilëshua në ujë në orën 21:10 të datës 15 Gusht. Me 15 gusht në rajonin e katastrofës mbërriti një anije-vinç, model PK-7500 shumë e fuqishme, e cila konsiderohej me gjithë pajisjet e saj si mjaft më e përshtatëshme për këtë rast. Por as kjo nuk mundi të zbatonte planet e saj. Të mërkurën me 16 Gusht nëpërmjet AS-34 u përpoqën dy herë të lidheshin me sistemin e daljes në rast avarie të lokalit të nëntë por përsëri pa rezultat. Dhe përsëri AS-34 u dëmtua. Ekuipazhi i “Mikhail Rudnitsky” vendosi të heqë pjesë nga AS-32 dhe me pjesët e saj të riparonte AS-34.
Ndërkohe Popov të enjten ora 12:00 raportonte në Komandën e Përgjithshme që nuk ka pasur shpërthim në “Kursk”.
.
Vladimir Putin dhe Admiralët e Flotës Ruse
Vladimir Putin dhe Admiralët e Flotës Ruse

……………………..

Të gjitha përpjekjet dështuan ndërkohë që Komanda e Lartë e Marinës në Moskë i tha medias se ekipet shpëtuese kishin dëgjuar se të ngelurit gjallë në nëndetse godisnin nga brenda me mjete të forta duke dhënë në sistemin MORS sinjalin “SOS…ujë”… Askush edhe sot nuk është i sigurt se sa të vërteta janë realisht këto informacione.
Me 17 Gusht, Presidenti Putin, shpresëhumbur e i zhgënjyer thellë nga mundësitë e rusëve, pranoi ofertën e qeverive Angleze dhe Norvegjeze për asistence. Me 19 Gusht, 7 ditë pas katastrofës, rreth ores 8:00 të mbrëmjes mbërriti në rajonin e katastrofës anija shpëtuese norvegjeze “Pioneer”, e cila kishte një nëndetse të vogël angleze shpëtimi në bord. Të dielën me 20 Gusht norvegjianët ulën një pajisje robotike tek nëndetsja e mbytur duke qartësuar kështu situatën rreth “Kursk”. Por rusët vunë shumë kufizime dhe midis të tjerave ndaluan zhytësit norvegjezë të thellësisë të preknin sistemin e daljes në rast avarie mbi lokalin e nëntë si dhe një valvul kontrolli ajri të lidhur në të. Norvegjezët protestuan dhe më në fund për të mos vonuar procesin e shpëtimit, pranuan të bënin vetëm punët teknike duke krijuar mundësi për zhytësit rusë të inspektonin nëndetsen nga brenda.
Me 21 gusht norvegjezët konfirmuan që askush nuk ishte më gjallë në lokalin e nëntë. Pas kësaj Shefi i Stafit të Flotës Ruse të Veriut, Mikhail Motsak deklaroi në publik që nëndetsja “Kursk” ishte mbytur dhe i gjithë efektivi kishte vdekur.
Me 22 Gusht, Presidenti Putin firmosi urdhërin e shpalljes së datës 23 Gusht si dite zie kombëtare për Federatën Ruse!
.
Përkujtimore në San Pjetroburg për "Kurskun"
Përkujtimore në San Pjetroburg për “Kurskun”

Refuzimi i ndihmës së huaj

Amerikanët u informuan më përpara se sa Kremlini për tragjedinë e “Kursk-ut”. Menjëherë u vunë në dijeni Sekretari për mbrojtjen William Cohen dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara Sandy Berger. Shtetet e Bashkuara njoftuan menjëherë Anglinë, Francën, Gjermaninë, Izraelin dhe Norvegjinë të cilët ofruan ndihmë të menjëherëshme dhe bile Shtetet e Bashkuara afruan një nga dy mjetet e sofistikuara të shpëtimit në thëllësi qe kishin në inventarin e tyre por rusët refuzuan. Ministri i Mbrojtjes Ruse Igor Sergejev i tha Ambasadës Amerikane që ata ishin në procesin e shpëtimit të të mbijetuarëve të aksidentit.
Presidenti Rus Vladimir Putin, i cili ishte me pushime në rezidencën Presidenciale në Sochi të Detit të Zi, u informua menjëherë për tragjedinë por raportuesit i thanë atij që një manovër shpëtimi ishte në proces dhe se ata e kishin në kontroll situatën.
Putin priti dhe pesë ditë para se të kthehej në Moskë ndërkohë që media dhe publiku rus duke parë paaftësinë e qeverisë ruse për të menaxhuar situatën u acaruan jashtëzakonisht shumë. Një vit më vonë ai shprehu pendesë për këtë por u justifikua se ai kishte të njejtin nivel komunikimi si në Sochi dhe në Moskë dhe asgjë për fat të keq nuk do ndryshonte
.

Kulla e "Kurskut" si permendore
Kulla e “Kurskut” si permendore

Vdekja e të mbijetuarëve

Me gjithë konkluzionet kontradiktore Vice Admiral Vladislav Ilyin, udhëheqesi i grupit investigues për tragjedine e Kursk deklaroi që njerëzit në lokalin e nëntë mbijetuan deri tre ditë nga momenti i incidenteve.
Nga investigimi rezultoi që një numur i madh aparatesh regjenerimi të ajrit (konteinere që kanë brenda K2O që thithin gazin karbonik dhe çlirojnë oksigjen) ishin prurë në lokalin e nëntë me qëllim për të zgjatur mbijetesën e të mbledhurve aty deri në një ndërhyrje shpëtuese dëshpërimisht të pritur nga jashtë. Nga analizat kuptohet që dhe kjo pjesë e mbijetuar e ekuipazhit ka vdekur gjatë dhe pas momentit kur një nga aparatet regjeneruese të ajrit ka marrë kontakt me ujin e kripur i cili gradualisht ka filluar të hyjë dhe në lokalin e nëntë në të cilin ishte grumbulluar pjesa e ngelur e efektivit. Vdekja e atyre pak të mbeturve ka ardhur përfundimisht nga asfiksia prej mungesës së oksigjenit.
Të 23 të mbijetuarit e ngelur pas shpërthimeve, efektive që shërbenin nga lokali i gjashtë deri në të nëntin u mblodhën në lokalin e nëntë i cili ishte i vetmi lokal në pjesën e mbetur të nendeteses, që afronte mundësinë e daljes në rast avarie. Duket që Kapiten Leitnant Dmitri Kolesnikov, komandant i lokalit të turbinave mori përgjegjësine e organizimit të përpjekjeve të fundit të të 23 të mbijetuarëve të mbledhur në lokalin e nëntë. Të bllokuar në pjesën e mbrame të një nëndetseje të mbytur e të rënë në fund të Oqeanit Arktik, kur elektriciteti po i linte, në një agoni të tmerrshme e në pritje të vdekjes së sigurt së bashku me 22 shokë, Kapiten Leitnant, Dimitri Kolesnikov përpiqej të shkruante mesazhe që do t’i mbërrinte botës muaj më vonë. Kolesnikov kishte mundur të shkruante dy shënime që u gjetën në trupin e tij pas nxjerrjes së kufomave dhe pak pjesë të të cilave ju afruan medias për herë të parë me 27 Tetor 2000.
Shënimi i parë ishte shkruar në orën 13:15, pra 1 orë e 45 minuta pas eksplozionit të dytë:
“Eshte ora 13:15. I gjithë personeli nga lokalet gjashtë, shtatë dhe tetë janë mbledhur në lokalin e nëntë. Ndjehemi keq dhe të dobët nga gazi karbonik… Presioni (atmosferik) në lokal është duke u rritur. Nëse ne do të dilnim në sipërfaqe nuk do t’i mbijetonim dot kompresionit. Nuk do të shkojmë dot më shumë se një ditë…”
I dyti dhe i fundit shënim shumë i vështirë për t’u lexuar është bërë në orën 15:15: “Eshtë errët këtu për të shkruar, por po përpiqem me hamendje. Duket që nuk ka më shanse, 10-20%. Le të shpresojmë që më së paku dikush do ta lexojë këtë. Këtu është lista e personelit nga lokalet e tjera të cilet janë tani në të nëntin dhe do tentojnë daljen… Kolesnikov!
Gazeta “Izvestia” raportonte me 26 Shkurt 2001 dhe për një tjetër shënim të gjetur në trupin e Leitnant Komandantit të lokalit të gjashtë Rashid Aryapov, i cili shënonte që gjithkça ndodhi për një gabim në lokalin e silurave e të tjera. Por shënimi i Aryapov nuk u bë kurrë publik. Marina Ruse është munduar fort të fshehë të gjitha informacionet që provojnë për pamundësinë e saj për këtë proces shpëtimi të jashtëzakonshëm për nënujsat e ngelur brenda në nëndetse.
.

Shën Pjetërburg
Shën Pjetërburg

Mbas të gjithave…

115 nënujsa, trupat e të cilëve u identifikuan u varrosën në Rusi. Tre nuk munden të gjendeshin…
Një kryq i madh me Krishtin e mbërthyer në të, u ul nga zhytesat rusë të thellësive në fundin e detit ku ra “Kursk”.
Ndërsa ngritja dhe transportimi i nëndetses së mbytur “Kursk” më i madhi që ka ndodhur ndonjëherë në botë deri më sot dhe që në aspektin teknik ishte një mrekulli inxhinierike u bë po nga të huajt. Rusët nuk mund ta bënin dot, kështu që presidenti rus firmosi me kompanite hollandeze “Smit International” dhe “Mammoet” për një kontrate prej 65 milion dollarë amerikanë vlerë punë për nxjerrjen dhe transportimin e “Kursk” në një dok të thate në brigjet e veriut.
Mbytja e nëndetses “Kursk”, e krenarisë së Flotës Ruse, ishte një ngjarje dëshpërimisht shkatërruese për Federatën Ruse.
Më shumë se dy vjet më vonë pas tragjedisë, rusët përfunduan një top-secret investigim prej 133 volumesh lidhur me tragjedinë “Kursk”
Qeveria publikoi vetëm 4 faqe përmbledhëse të natyrës jo – sekrete lidhur me tragjedinë. Sipas gazetes “Rossiyskaya” materiali konkludonte për “thyerje shokuese disipline, bërje keq detyrash, mungesa dhe mirëmbajtje shumë e keqe e teknikës,” si dhe “neglizhencë, paaftësi dhe drejtim i keq.” Raporti konkludonte gjithashtu që operacioni i shpëtimit ishte vonuar në mënyrë të pajustifikueshme…
Kjo katastrofë tregoi kalbëzimin e fodullëkut Sovjetik që akoma i mundonte rusët, paaftësinë e efektivave të keqpaguara e të keqtrajnuarëa dhe njëherazi pamundësinë ekonomike për të përballuar nevojat e kësaj ushtrie të madhe e akoma të inspiruar me mentalitetin megalloman të “Luftës së ftohtë.”
Nga frika për ngjarje të tjera, raketat dhe silurat HTP u nxorrën nga armatimi rus.
Sot ka shumë memoriale kushtuar “Kursk”. Në ëndërren time duke menduar se do kem shëndetin e mjaftueshëm të vizitoj ndonjë ditë San Petersburgun e Rusisë, si një ish nënujës që kam harxhuar një pjesë të mirë të jetës sime po në nëndetse ruse, krahas të tjerave shpresoj të kem mundësinë të vizitoj dhe ndonjë nga memorialet e nëndetses “Kursk”
Olga Kolesnikova, e veja e Dmitri Kolesnikov tregon se i shoqi para se ikte në këtë lundrim të fundit e pa kthim kishte një parandjenjë të thellë vdekjeje.
Përveç gjërave të tjera që bëri para se te nisej, ai shkroi dhe një poezi me vargje të tilla:
“Dhe kur të vije koha të vdes,/ Megjithëse i ndjek këto mendime tutje,
Dua kohë të pëshpëris vetëm një gjë:/ “Të dua shumë e dashura ime!…”
Varreza e Heronjve të "Kurskut"
Varreza e Heronjve të “Kurskut”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.