back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës – 27 vjet të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Gazeta

Nga Kuvendi themelues - 23 dhjetor 1989
Nga Kuvendi themelues – 23 dhjetor 1989

Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës

27 vjet të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike të Kosovës,
më 23 Dhjetor 2016,
shënon 27 vjetorin e themelimit të saj.

***

Gjatë shkatërrimit të sistemit njëpartiak dhe ngritjes së atij shumpartiak në Jugosllavi, në republikat perëndimore të ish-Jugosllavisë filloi të bëhet regjistrimi i partive të ndryshme politike. Përderisa në pjesët tjera të ish-Jugosllavisë u krijuan disa shoqata politike, në Kosovë në shtator dhe tetor të 1989-ës një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh fillojnë të punojnë për bashkimin e forcave politike shqiptare në një lidhje.
Nisma për themelimin e një partie në këtë sistem, doli nga shkrimtarët Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa. Pas shumë bisedash, ata angazhuan koordinator të Këshillit nismëtar Jusuf Buxhovin, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë. Kjo nismë u përkrah dhe u nxit nga intelektualë të kohës si Ibrahim Rugova, Ajri Begu, Basri Çapriqi e Ramiz Kelmendi, të cilët me nënshkrimet e tyre, pranuan të bëhen anëtarë të Këshillit nismëtar për themelimin e partisë.
Ky Këshill nismëtar takohej herë pas here dhe bisedonte për konturat e ardhshme të partisë. Pa marrë parasysh vështirësitë e fillimit dhe ato të kohës, u vendos që në punën e mëtutjeshme të themelimit të partisë të përfshiheshin edhe intelektualë të tjerë, të guximshëm për veprim në rrethana e shkatërrimit të Jugosllavisë.
Kështu, në listën e nismëtarëve u gjendën edhe Fehmi Agani (që dha ndihmesë të konsiderueshme për versionin përfundimtar të tekstit të Programit të Partisë), pastaj aktivistët Bujar Bukoshi, Zenel Kelmendi, Zenun Çelaj, Jusuf Bajraktari, Mustafë Radoniqi, Hysen Matoshi e Neshet Nushi, për t’u forcuar, më në fund, me akademikët dhe shkencëtart si: Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, Anton Çetta dhe Zekiria Cana (Këta dy të fundit ishin të angazhuar në projektin Pajtimi i Gjaqeve).
Bërthama e Këshillit nismëtar, e përbërë prej njëmbëdhjetë vetash, u mblodh disa herë gjatë tetorit dhe nëntorit. Takimet duhej të dukeshin “spontane”, andaj shumica e tyre mbaheshin në ëmbëltoren “Elida” në Qendrën e Rinis “Boro-Ramizi”.
Ndërkohë, nga gjysma e nëntorit dhe fillimi i dhjetorit po krijoheshin konturat e qarta të Programit të partisë si dhe statuti. Koordinatori Jusuf Buxhovi disa herë ua parashtroi anëtarëve të bërthamës të Këshillit nismëtar përmbajtjen e Programit dhe të Statutit, duke e plotësuar atë me vërejtjet dhe propozimet që i jepeshin nga njëmbëdhjetëshja, si dhe të tjerët që konsultoheshin. Në javët e para të dhjetorit versioni i programit ishte i gatshëm dhe ai u miratua. Mbetej për t’u caktuar dita dhe vendi i mbajtjes së kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kishte propozime të ndryshme, nga ato se kuvendi duhej mbajtur menjëherë në heshtje, deri tek ata që duhej shtyrë pas vitit të ri. Rrethanat përnjëmend ishin të tensionuara, ngase nuk dihej se si do të reagonte pushteti i atëhershëm partiak, i cili ishte në shkatërrim e sipër. Pas shumë shqyrtimesh, u caktua data – 23 dhjetor 1989, pra, dita e shtunë.

Nga Kuvendi themelues - 23 Dhjetor 1989
Nga Kuvendi themelues – 23 Dhjetor 1989

Kuvendi themelues

Kuvendi themelues u vendos të mbahej në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku rëndom asokohe zhvilloheshin që të gjitha vlimet shoqërore dhe politike. Koordinatori i grupit u angazhua ta bënte paraqitjen ligjore të mbajtjes së kuvendit themelues në polici, me tërë dokumentacionin, ashtu si e kërkonte ligji i atëhershëm për mbajtjen e manifestimeve dhe tubimeve publike. Policia nuk njoftoi se do ta ndalonte kuvendin themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por as nuk dha pëlqim për të. Gjendja, pra, mbahej e tensionuar.
Duhet cekur se shtypi i atëhershëm në gjuhën shqipe nuk botoi kurrfarë lajmi për ditën dhe vendin e mbajtjes së kuvendit themelues të LDK-së, anipse Këshilli nismëtar kërkoi që kjo të bëhej. Megjithatë, informimi u bë në mënyrë fare interne, gojë me gojë, duke njoftuar ata që dëshironin të vinin në kuvendin themelues.
Të shtunën, në mëngjes, rreth orës 9, në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, u mblodh tash në përbërje të zgjeruar Këshilli nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të gjithë u pajtuan me Programin dhe Statutin e saj. U bisedua bukur shumë për strukturën udhëheqëse të partisë.
Që të gjithë ishin të mendimit se kryetar i saj duhej të bëhej Ibrahim Rugova, ndërsa sekretar Jusuf Buxhovi. Grupi nismëtar nguli këmbë që Rugova duhej të propozohej për kryetar dhe u deklarua që këtë ta parashtronte Kuvendi themelues, me çka ai u pajtua. Diku para orës dhjetë të paraditës filluan të vinin, heshtazi, të interesuarit për Kuvendin themelues.
Pikërisht në orën dhjetë, lokali i vogël i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës mezi i zuri ata që kishin vendosur të merrnin pjesë në mbledhjen e Kuvendit themelues të LDK-së. Ata ishin gjithsej 96 veta, të cilët me nënshkrimet e veta dhe me deklarim të lirë u përcaktuan t’ia vinin themelet partisë së parë politike shqiptare të pagëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këshilli nismëtar, që më parë u pat marrë vesh se mbledhjen duhej ta hapte Zenel Kelmendi, i cili, pasi do të përshëndeste të pranishmit, do të propozonte rendin e ditës, kryesinë e punës, si dhe komisionet e domosdoshme të Kuvendit. Zenel Kelmendi e hapi kuvendin me pak fjalë dhe propozoi kryesinë e punës në këtë përbërje: Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Fehmi Agani dhe Zenel Kelmendi, gjë që të pranishmit u pajtuan. Pastaj, ai propozoi komisionin kandidues në krye me Milazim Krasniqin, si dhe procesmbajtës Hysen Matoshin.
Në emër të Këshillit nismëtar dhe të Kryesisë së punës, Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Statutin e saj e lexoi Jusuf Buxhovi. Të pranishmit dëgjuan me vëmendje Programin dhe Statutin e LDK-së dhe miratuan me duartrokitje të gjatë përmbajtjet e tyre. Askush nuk ishte kundër.
Kryesuesi ia dha fjalën Milazim Krasniqi, që në emër të Këshillit kandidues të propozonte udhëheqësin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai bëri këto propozime:
Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dr. Ibrahim Rugova,
Sekretar – Jusuf Buxhovi,
Anëtarë të Kryesisë: Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja.

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës - Dr. Ibrahim Rugova
Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dr. Ibrahim Rugova

Propozimet u miratuan me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.
Pastaj, fjalën e mori Ibrahim Rugova, i cili falënderoi për besimin e dhënë dhe u zotua se do t’i kryente detyrat që dilnin nga Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Mbledhja e Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila filloi në orën 10.05 minuta, përfundoi në orën 11:10 minuta.
Mbledhjen e ndoqën korrespodentët dhe gazetarët e këtyre gazetave: “Rilindja“, Tanjugu, Radiotelevizioni i Prishtinës, “Oslobogjenje“, “Vjesniku” dhe Radio-Lubjana.
Nga të dhënat e sakta del se informata për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhanë “Rilindja” (një lajm të gjymtuar keqas), Tanjugu dhe Radio-Lubjana. Dy ditë më vonë për themelimin e LDK-së njoftoi RTV i Beogradit, “Vjesniku”, ndërsa nga agjencitë e huaja njoftuan: AFT, AP dhe DPA. TV Prishtina e dha lajmin shkurtimisht në ditarin e natës së Vitit të Ri, pra, me një javë vonesë.
Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, qysh të hënën, pra, më 25 dhjetor 1989, iu dërgua, ashtu siç e kërkonte ligji, organeve policore krahinore e gjykatës (që të bëhej regjistrimi në regjistrin e shoqatave të pavarura, anipse në vend atëherë ende nuk kishte ligj federativ për partitë politike), pastaj Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, Ambasadës së Anglisë në Beograd, Ambasadës së Gjermanisë në Beograd, si dhe Ambasadës së Francës në Beograd.
I përkthyer në gjuhën angleze, Programi i Lidhjes Demokratike iu dërgua për atë ditë të gjitha agjencive më të mëdha botërore.

Nga Kuvendi themelues - 23 Dhjetor 1989
Nga Kuvendi themelues – 23 Dhjetor 1989

***
Ua sjellë listën e pjesëmarrësve të Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të mbajtur më 23 dhjetor 1989, në Prishtinë.
Në këtë kuvend kanë marrë pjesë: Dr. Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Akademik Idriz Ajeti, Akademik Dervish Rozhaja, Dr. Fehmi Agani, Dr. Zenel Kelmendi, Dr.Ali Aliu, Dr. Ymer Jaka, Nekibe Kelmendi, Xhemail Mustafa, Arbën Xhaferi, Mehmet Kraja, Milazim Krasniqi, Dr. Abdyl Krasniqi, Sylejman Syla, Hysen Matoshi, Neshet Nushi, Hysen Zhekra, Agni Ilir Dika, Luljeta Buxhovi, Evliana Bajqinovci, Vesta Nura, Ajri Begu, Hasan Hajzeri, Dr. Fatmir Sejdiu, Dr. Fehmi Rexhepi, Sejdullah Hoxha, Muharrem Ramabaja, Fetah Ademi, Suzana Hajzeri, Sylejman Aliu, Ilaz Bylykbashi, Ali Mehmetaj, Sali Sefaj, Ahmet Kelmendi, Florent Neka, Ismail Gashi, Ramadan Sejdiu, Ibrahim Berisha, Rami Hoxha, Jusuf Rexhepi, Bahrije Krasniqi, Shefqet Gashi, Mon Muliqi, Ejup Kolica, Milaim Kadriu, Sadi Bexheti, Luan Pula, Daut Blakaj, Ylber Hysa, Haxhi Mehmetaj, Rexh Mehmetaj, Nehat S. Hoxha, Demë Topalli, Hamdi Gërguri, Sali Zekaj, Qamil Batalli, Rexhep Hajdari, Shemsi Sh. Gërguri, Ejup Latifi, Bajrush Plakaj, Ali Krasniqi, Petrit Dushi, Abit Asllani, Lutfi Bilalli, Selman Mehaj, Isak Murati, Nehat Krasniqi, Ragip Veseli, Abdyl Ramaj, Xhafer Xhaferi, Binak Kelmendi, Islam Veliu, Halil Matoshi, Mentor Jakupi, Bejtush Isufi, Lutfi Dervishi, Salih Krasniqi, Skënder Kada, Isuf Hakaj, Faik Polloshka, Abdyl Kadolli, Gani Mehmetaj, Islam Ejupi, Agron Haxhosaj, Ndue Kurti, Mehmet Gashi, Skënder Zogaj, Ibrahim Kelmendi, Selajdin Krasniqi, Bujar Mirsini, Zenun Çelaj, Fikrije Mirsini, Behram Krasniqi, Abdullah Osmani, Xhafer Hyseni, Mehedin Rexhepi, Munish Hyseni, Abdyl Mustafa, Adem Hasanaj, Rrahman Bislimi, Milaim Kelmendi, Flamur Keqa, Fatos Aliu, Rizah Krasniqi, Rifat Krasniqi, Musa Tullari, Haqif Sh. Mulliqi, Ali N.Duli, Haki Mulliqi, Abdyl Zhaveli, Basri Gojani, Zaim Istrefi, Kadri Zhuta, Mizhait Pollozhani, Ramadan Muharrem Maloku, Rexhep Sahit Osmani, Rihan Ismaili, Ramiz Fazliu, Hazir Reka
Marrë nga http://botapress.info/sot-27-vjet-te-ditelindjes-se-lidhje…/
http://gazetanewborn.net/ekskluzive-keta-ishin-120-themelu…/
Foto: Nga Kuvendi themelues

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.