Historia e Gyvenc Abdallit… rrëfim bektashian

Haxhi Bektash Veliu (shek XIII)

Haxhi Bektash Veliu (shek XIII) 

Historia e Gyvenc Abdallit… rrëfim bektashian

Po ju tregoj historinë e Gyvenc Abdallit, Dervishit të Hynqar Haxhi Bektash Veliut…
Një ditë Gyvenc Abdalli e pyeti udhërrëfenjësin e tij shpirtëror Haxhi Bektashin: “Shenjtëri, çfarë do të thotë  ashik? Çfarë do të thotë Muhib… çfarë do të thotë Dervish… dhe çfarë do të thotë Myrshid o udhërrëfenjës…
Dhe Haxhi Bektash Veliu iu përgjigj: Një Muhib më ka taksur njëmijë monedha flori shko gjeje dhe merrja amanetin që më ka taksur… Dhe dervishi u nis pa bërë zë, dhe pa e pyetur se ku mund ta gjente këtë person… Udhëtoi shumë kohë dhe shkoi shumë larg, ndër vise të Hindisë, pa e ditur se për ku shkonte, ngaqë personin që ia kishte taksur monedhat as e njihte dhe as dinte ku mund ta gjente… Ai vetëm udhëtonte duke menduar: “po ec të dalë ku të dalë…!”
Papritur i del përpara një njeri dhe pasi i jep selam e pyet: “Dervish i kujt jeni juve nga vini dhe për ku do shkoni? Dhe Dervishi iu përgjigj: Unë jam Dervish i Shenjtërisë së tij Haxhi Bektashit, vij nga Anadolli nga qyteti Nevshehir dhe kërkoj një Muhib të Haxhi Bektashit për t’i marrë një nijet që ai ka bërë për Udhërrëfenjësin e tij. Personi që e pyeti Dervishin, gati sa nuk fluturoi nga gëzimi. Ai i tha se: “Muhibi që ju kërkoni jam unë, – dhe shtoi – O Zot je i madh. Amanetin që kisha taksur po e çoj në destinacionin e duhur, se do kisha vdekur dhe do më mbetej borxh për në botën tjetër… Dhe nxorri qesen e monedhave  dhe i dha Dervishit: “Jepi Selamet e mia Shenjtërisë së tij Haxhi Bektashit dhe nga njëmijë që i kisha taksur po i bëj dymijë monedha, dhe për juve që morët rrugën e gjatë dhe erdhët deri tek unë, po ju jap edhe juve nga shpirti im njëmijë monedha të arta… Dervishi i mori të gjitha dhe pasi u përshëndet me atë të panjohur  u largua për t’u kthyer tek Myrshidi i vet në Anadoll… Mirpo kur po kthehej pa një karrocë me kuaj të stolisur me xhufka mëndafshi dhe brenda saj ishte vajza e një princi të një fisi. Princi e kish nxjerrë vajzën e bukur për ta martuar, dhe duhet t’i jepje njëmijë monedha të arta vetëm t’i puthje dorën, njëmijë të tjera t’i shikoje fytyrën e bukur të cilen e mbante të mbuluar dhe po të jepje tremijë monedha ari princi ta jepte vajzën e tij për nuse…!!

Pikture bektashiane

Pikture bektashiane

Dervishi as dha as mori, po nxorri monedhat që kishte me vete edhe ato dymijë që nuk i kishte të vetat dhe i pagoi tek babai i vajzës duke e marrë kështu vajzën e bukur për nuse… Kur po shkonte të flinte me të në shtratin e një bujtinë, gjatë natës u ça muri i dhomës dhe doli një dorë e shenjtë, e cila e kapi prej rrobash dhe e flaku tutje. Dervishi i trembur bërtiti: “Obobo kjo është dora e Myrshidit tim, ai nuk më la që unë të gaboja. Atëhere vajzës së princit ju hapën sytë dhe tha unë mos vdeksha pa e parë dhe pa e përshëndetur të zotin e asaj dore që bëri mrekullinë, dhe këmbënguli të shkonte ta takonte Shenjtërinë e tij Haxhi Bektashin, atëhere Dervishi e mori me vete dhe e çoi tek Haxhi Bektashi…
Kur mbrritën aty Myrshidi vetë i doli përpara dhe i tha: “Eee Dervish! A e kuptove se çfarë do të thotë Ashik, Muhib, Dervish, dhe Myrshid…?!” Dervishi i habitur i tha: Jo Eyvallah…!
Atëhere Haxhi Bektashi i tha: Ashik është kjo bija që kur pa qerametin e dorës (mrekullinë) u betua se donte të takohej me të zotin e asaj dore duke hedhur dashuri shpirtërore për të. Dervish je ti që kur të nisa për tek Muhibi për të marrë amanetin, nuk pyete fare se për ku do shkoje duke pasur bindje se do të ecte mbarë çdogjë dhe do ta gjeje personin e duhur, pra kjo do të thotë bindje dhe dashuri për Myrshidin tënd… Ndërsa Myrshid i vërtetë është ai që kur shkove ti të gaboje me vajzën që more pa bekimin e Udhërrëfenjësit tënd u shfaq dora e Myrshidit tënd dhe nuk të la që ti të gaboje…
Dervishi e kuptoi dhe pasi mori bekimin e Haxhi Bektashit për martesën e tij u largua, por për çudinë e Zotit, kur atyre ju ka ardhur vdekja, kanë ndërruar jetë në të njejtën kohë në teqe brenda dhe janë varrosur po në një tyrbe brenda teqes ku edhe sot e kësaj dite vizitohen rregullisht nga besimtarët duke kënduar aty Fatiha dhe Sure të tjera nga Kurani famëlartë…
Nga i madhi ”Dervish Mikeli”.
Marrë nga muri fb i Nisa Bejlerit 15 korrik 2014

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook