Historia e Letërsisë Shqiptare Robert Elsie 1995

 

Rober Elsie

Robert Elsie

Histori e Letërsisë Shqiptare Robert Elsie -

History of Albanian Literature (1995) (Fragment libri)

Përkthyer nga origjinali anglisht Abdurrahim Myftiu, Tiranë (1997)

Shkrimtari Lazër Radi (l. 1916) ka lindur në Prizren. Kur familja u shtrëngua nga serbët të largohet më 1929, u shpërngul në Shkodër ku dhe kreu shkollën e mesme. Radi studioi për drejtësi në Romë më 1939 dhe e kreu studime më 1942. Disa nga shkrimet e tij të para u botuan nga Ministria e Jashtme e Italisë, për të keqen e tij më vonë, në një vëllim tani të rrallë me titullin “Fashizmi dhe fryma shqiptare”, Tiranë 1940, me një hyrje nga neoshqiptari Vangjel Koça (1900-1943). Radi u arrestua më 23 nëntor 1944, për mëkatet e tij, pak ditë pasi forcat komuniste kishin hyrë në Tiranë, dhe u dënua me tridhjetë vjet burg. Ka qenë në një qeli me Petro Markon (1913-1991), Jusuf Vrionin (l. 1916) dhe Andrea Varfin (1914-1992). Meqë mjaft intelektualë, që kishin shpëtuar gjallë në kohën e kalimit të pushtetit, tani ishin në burg, autoritetet komuniste, duke u treguar si rrallëherë pragmatistë, krijuan një grup përkthimi nën regjimin e ri. Lazër Radi e drejtoi këtë sektor të parë përkthimi të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, me zyrat në burgun e Tiranës. Të gjitha dorëshkrimet e hershme të Radit në shtëpi, të fshehura në një thes, u dogjën nga të afërmit më 1951, kur në Tiranë u bënë bastisje shtëpi më shtëpi dhe ekzekutime masive pas shpërthimit të bombws në ambasadën sovjetike. I liruar nga burgu në prill 1954, Radi menjëherë u dënua me njëzet vjet internim dhe u dërgua me radhë në fshatrat famëkeqe të internimit në jug: Shtyllas afër Fierit, Kuç të krahinës së Kurveleshit dhe Gradishtë, Çermë e Savër, të gjitha në fushën malarike të Myzeqesë, afër Lushnjës. U lirua më 1991 pas gjithsej dyzetegjashtë vitesh burgimi dhe internimi. Megjithëse nën vëzhgim të pandërprerë gjatë internimit, Lazër Radi vazhdoi të shkruajë, duke i fshehur dorëshkrimet nën tokë. Ndër veprat që shpëtuan janë kujtimet mjaft të gjera, proza dhe poezi, nga të cilat pak gjë është botuar deri më tani.

Lazer Radi 1916-1998

Lazer Radi 1916-1998

Visar Zhiti (l. 1952) hoqi përndjekje të tmerrshme pa kurrfarë shkaku tjetër, veç poezisë. Lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës, bir i aktorit të teatrit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989), Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku dhe kreu shkollën më 1970, e pastaj punoi si mësues në fshatrat afër qytetit verior të Kukësit. Që herët e tërhoqi poezia dhe botoi disa vjersha në organe letrare. Më 1973, ishte duke përgatitur për botim përmbledhjen Rapsodia e jetës së trëndafilave, kur shpërtheu fushata për spastrimin e intelektualëve e Plenumit të Katërt të Partisë. Zhiti, babai i të cilit kishte pasë rënë më parë në konflikt me autoritetet, do të ishte një nga ata që u përzgjodhën si kurban për të trembur shtresën e intelektualëve. Dorëshkrimi i përmbledhjes me poezi, që i kishte dorëzuar redaksisë së shtëpisë botuese Naim Frashëri, u gjet që përmbante gabime ideologjike të rënda dhe u ekspertizua se nxinte realitetin. Sa subjektive dhe idiote ishin gjykimet politike për veprat letrare, mund të shihet nga reagimi ndaj vjershës së mëposhtme të Zhitit:

“Jo, jo,/ Nuk i lyej kurrë këpucët/ te llustraxhinjtë!
S’i dua njerëzit te këmbët e mia.”

Ndonëse shprehet këtu një kritikë për shoqërinë e ndarë me klasa, Zhiti u akuzua mbi bazën e këtyre vargjeve se ishte kundër klasës punëtore. Dorëshkrimi i paraqitur u interpretua si agjitacion e propagandë antikomuniste, kurse poetit, për të provuar pafajësinë, nuk mbetej gjë për t’u thënë hetuesve. Pas vitesh pasigurie me shpatën e Damokleut të partisë mbi krye, Visar Zhiti në fund u arrestua më 8 nëntor 1979 në Kukës, ku qe ende mësues dhe kaloi muajt më pas në izolim të plotë. Për të mos e pësuar nga mendja, krijoi dhe mësoi përmendsh nëntëdhjetë e shtatë vjersha. I dënuar në prill 1980 me dhjetë vjet burg, Zhiti u transferua në burgun e Tiranës e prej këndej në kampin famëkeq të minierës së bakrit në Spaç e në kampin e akullt malor të Qafë-Barit, ku dhe punoi derisa u lirua më 28 janar 1987. Më pas u lejua të punojë në një fabrikë tullash në vendbanimin e tij, Lushnjë. Në vjeshtë 1991 Zhiti dërgohet në Itali dhe punoi si gazetar në Milano deri në korrik 1992. Më vonë u bë drejtor i po asaj shtëpie botuese Naim Frashëri që dikur e kishte lënë në dorë të fatit.
Fati tragjik i Visar Zhitit kurrsesi nuk përbën një shembull të veçuar përndjekjesh. Mjaft poetë të talentuar humbën burgjeve apo në internim nëpër fshatra të thella e të izoluara në fushën e Myzeqesë, kurse pak janë kthyer. I riu Kujtim Aliaj u burgos që në moshën 16 vjeçare dhe kaloi tridhjetë e një vjet në burg. Poeti dhe përkthyesi Jorgo Bllaci (l. 1938) bëri plot dhjetë vjet burg. Viktor Qurku (1941-1983), një poet modest nga Çorraj i Kurveleshit botoi mjaft poezi në fund të viteve gjashtëdhjetë e në fillim të viteve shtatëdhjetë, para se të binte viktimë e spastrimeve të 1973-shit. Humbi pasi e kishin demaskuar për poemën Shkëlqimi, dhe vrau veten duke u hedhur nga një shkëmb. Faslli Haliti (l. 1936) nga Lushnja e pa veten të akuzuar për nxirje të realitetit socialist e për thirrje për përmbysjen e qeverisë popullore për shkak të një poeme me titull Dielli dhe rrëkerat, të botuar në dhjetor 1972. U transferua për katër vjet në Fier-Shegan dhe iu hoq e drejta e botimit me vite. Në burgun e Spaçit nga marsi 1978 deri në nëntor 1982 ka qenë poeti Zyhdi Morava (l. 1946), që më pas do të bëhej anëtar i grupit themelues të së parës sindikatë të pavarur në Shqipëri. Një nga poetët e veriut më të talentuar e më befasues, i lindur në Shkodër, Frederik Rreshpja (l. 1941), autor i tre vëllimeve me vjersha dhe i një romani, bëri nja shtatëmbëdhjetë vjet burg në kampe të ndryshme rreth vitit 1972 deri më 1989 sepse gjoja kishte fyer figurën e Stalinit.

Visar Zhiti 1952

Visar Zhiti 1952

Letrari i ri Ferdinand Laholli (l. 1960) kaloi gjithë jetën në kamp të internimit në Savër të Lushnjës, sepse i ati kishte ikur në Shtetet e Bashkuara pesëmbëdhjetë ditë para se ai të lindte. Në korrik 1990, Laholli iku në Gjermani dhe që atëherë ka botuar dy vëllime me vjersha si dhe proza.
Ndër poetët e tjerë të përndjekur janë: Gjergj Komnino (l. 1918) nga Brezhani i Këlcyrës; Trifon Xhagjika (1932-1963) nga Përmeti, i cili u pushkatua në moshën tridhjetë e një vjeç; Uran Kostreci (l. 1938) nga Elbasani; Daut Gumeni (l. 1943) nga Tepelena; Genc Leka (vd.c1977) dhe Vilson Blloshmi (vd. 1977) të pushkatuar me aktekspertizë kolegësh; Jozef Radi (l. 1957) tani në Tiranë; Shane Mudaj (l. 1962) nga Peshkopia; dhe Hydajet Bajri (l. 1966) nga Buçaj në krahinën e Tropojës.

Kjo listë vazhdon dhe mund të themi se nuk ka të mbaruar…

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook