back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Histori çobani n’diktaturë – Bukra Hysenukaj – Kastrati

Gazeta

Bukra Hysenukaj - Kastrati
Bukra Hysenukaj – Kastrati

Histori çobani n’diktaturë

Bukra Hysenukaj – Kastrati

E vogël, ma shumë se me fmij e me gra, kam dasht përherë me ndejt me pleq, (jo plaka). I kam pas do pleq n’katund, që mund t’i krahasoj vetëm me personazhet e preferuem t’autorëve klasik n’vepra madhore. Nji prej tyne asht kanë Barami.
Zotni, i paqt, fjalëpak e zàult, po shndetlig. Barami ish tregimtari ma i mirë që kam mujt me njoft. Ish prag-fundi i sistemit po hala kryheshin eksperimente me jetën e njerzve. Familja e Baramit ish “e prekune” si i etiketojshin at’herë ata me biografi jo t’mirë. N’katund tonin, tufzimi nuk u zbatue i plotë, e kjo na jepte mundësinë me jetue pak ma mirë se katundet n’fundni (qysh u thanshim atyne ma poshtë). At kohë, kooprativa vendosi se bagtia e secilit, t’çoheshin n’kullosë bashkë, ku nji i rritun prej katundi caktohej përgjegjs për me u rujt prona e shtetit. Mbasi krahu aktiv i puns ish ma i dobishëm n’fronte tjera, pleqt ishin zg’jedhja ma e leverdishme për kët rol. Ata ndrroheshin çdo ditë jave me rend. U vendos që për ditë, nji i rritun e nji fmij ruejshin bagtinë e katundit. Duhet t’jem kanë 10-11 vjeç. Mundohesha me u kombinue o me Babën o me Baramin. Nji prej ditve, kur çifti i çobejve ish Barami e une, ra shi me stuhi. Pemt e kshtajve janë streha ma e mirë n’ditë shiu. Edhe pse verë, bani ftoftë. Kur mèni shiu, ndezëm nji zjerm. Ngjitë me kullosën e varfën n’at kohë, (korrik do jetë kanë) kishim arat e kooprativs t’mbjelluna kollomoq, që ish n’fazën e shtalbakut. Z’jermi bani prush. Barami m’thotë: “A po shko kputi do shtalbakë n’arë se gjynah me shkue dam tan ky prush!” Ky veprim ishte kategorikisht i ndaluem e dënueshëm ba me t’kap. Unë menzi ç’prita. U futa ka mesi i arës mos me lanë shej, kputa nja 5 a 6 e turr e vrap te zjermi. Mbetjet duheshin zhduk me kujdes po ashtu, e ktë e zgidhëm tuj “qeras” bagtinë. Sa po rrotullojshim shtalbakt n’prush, na shfaqet brigadieri. Nji njerì i sert. Edhe fmijt i bajke kurban për partinë ba me ja lyp kjo e fundit, jo ma mue e Baramin. “A t’vjen marre! – iu drejtue Baramit – Për çka u ka caktue partia ju t’mdhejve!? Jam i detyruem me t’proçedue!” O Zot sa terrorizuese asht kanë kjo fjala “proçedim” n’at kohë. S’i dihej fundi kurrë. Barami e rujti qetsinë. “Ti ba çka t’duesh, – i tha, – po shtalbakt i ka kput çika pa dit gja une. Une kesh ka kthej lopt se ishin largue e kur u ktheva, i gjeta n’prush. Kesh bà gati me i ba namin, kur erdhe ti!” Une mbeta. U ndjeva e tradhtueme, po prap nuk fola. Te na, kie e s’kie t’drejtë, para t’madhit s’kie t’drejtë fjale. Brigadieri u kthye prej meje: “Tash po t’kallzoj te yt atë, pisk e kie punën!” Prap s’fola. Brigadieri u afrue te zjermi, i muer shtalbakt nja ka nja, i gjuejti prap n’arë e msyni n’punë t’vet. Na prap s’folëm, as me atë, as ndërveti. Isha e zhgënjyeme, e frigueme çka kish me m’thanë Baba, po edhe e mërzitune se as shtalbakt s’i hangrëm. Shkimem zjermin me do degë kshtaje e u nisëm drejt shpijave masi nduem para bagtinë. Ajo histori mbet e fjetune brenda nesh për vite t’tana, por s’u bà kurrë shkak për me e dasht ma pak Baramin, se fellë n’veti, isha e bindune se ai e kish nji arsye pse veproi ashtu.

Vite mbas ndrrimit t’sistemit, shkoj n’katund temin. M’thonë Barami ka zanë shtratin, ndoshta mos me u çue mà. M’dhimti fort. Shkova me e pa. U gzue kur m’pa. Ish shkri krejt. “Kqyre, – tha, tuj m’kallzue nji jastek si e mbajke mes dy gujve – Eshtnit janë ka e hanë njani-tjetrin, i ruj me jastëk!” e keshi zbehtë. I tha Plaks e Nuses s’djalit: “Lemni pak vetëm me qet çik!” Ma muer dorën n’dorë. “Merrem vesh mirë. Peng e kam që t’pata ba me faj pa drejtë për shtalbakt, po i bana llogaritë. Ju (familja jeme) kishit biografi t’mirë e une jo. Telashet tua u lajshin me nji grusht uji e t’mijat s’i lajke as prroni i madh!” – m’tha. Kshtu si… me m’falë!
Kjo ke hera e fundit si e pash Baramin.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.