back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Hiqet natën emri i Teatrit Kombëtar nga fasada – Opinione

Gazeta

Godina e Vjedhur e Teatrit Kombetar
Godina e Vjedhur e Teatrit Kombetar

Hiqet natën emri i Teatrit Kombëtar nga fasada – Opinione

.

Lindita Komani

Sot, natën, hajdutçe siç e kanë bërë gjithçka deri tani që prej ditës kur qeverisin e sidomos që prej kur na premtuan “s’keni parë asgjë akoma”, janë hequr shkronjat: Teatri Kombetar, nga fasada e teatrit.
Sot duhet të jemi sa më shumë njerëz te teatri, t’u tregojmë maskarenjve që nuk mund të bëjnë ç’të duan.
.

Jozef Radi

Në qendër të Tiranës, mbrëmë në mesnatë, në të hyrë të së Premtes së Zezë, janë vjedhur 14 gërma të gjuhës Shqipe, vlefta e të cilave është e pallogaritëshme, e shumë më e madhe se vlefta e vjedhjes së para ca ditëve në Rinas…
Lajmërohen gjithë Institucionet përgjegjëse të Shtetit Shqiptar, të marrin përgjegjsitë që u takon. Heshtja konsiderohet bashkëpunim në vjedhje…!
.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Sot qytetarët e Tiranës u përballen me faktin e kryer. Fasada e Teatrit Kombëtar u zgjua e dhunuar, e zhveshur nga shkronjat identifikuese të saj.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e dënon këtë akt të ulët dhe kërkon nga Ministria e Kulturës të mbajë urgjentisht dhe publikisht qëndrim për sa ka ndodhur dhe të kujdeset që shkronjat të rivendosen aty ku ishin.
Në rast se kjo nuk do të ndodhë, Aleanca do të ndërmarrë një aksion privat për riprodhimin e rivendosjen e shkronjave, dhe do ta denoncojë aktin e paprecedentë në Prokurori!
Është në nderin e gjithkujt që ka diçka për të thënë, që e ndien veten qytetar dhe shqiptar të flasë dhe të veprojë tani.
.
Teatri Kombëtar - Pishat në Përkujtim të Artistave të vdekur
Teatri Kombëtar – Pishat në Përkujtim të Artistave të vdekur

Elona Caslli – Alfabeti i Qëndresës

Lartmadhëri
Orëve të natës janë hequr gërmat mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Nëse do të kish qenë një veprim krejt i rregullt dhe në përputhje me ligjin do të ish kryer ditën dhe jo vjedhurazi natën.
Lind pyetja Lartmadhëri: Hoqët vjedhurazi gërmat e një ndërtese, por vallë a do të mundeni të hiqni gërmat e një qëndrese?!
Në atë shesh Lartmadhëri ka një bashkësi gërmash që nuk mund të vidhen as pas mesnate dhe as pas mesdite.
Dhe a dini se çka përfaqësojnë ato gërma? Lartmadhëri?!
Përfaqësojnë atë që quhet Alfabet i Qëndresës.
E kush e njeh Alfabetin e Qëndresës, njeh vetëm një autoritet – Autoritetin e së Drejtës.
Post Scriptum – Shkulja e gërmave nga Teatri Kombëtar nuk bën gjë tjetër veçse më risjell ndërmend Kamel Daoud-in …
Duket se ata e urrejnë qytetin dhe duket sikur vijnë për të bastisur një vend të huaj. Qyteti për ta është plaçkë lufte. Ata e konsiderojnë si prostitutë plakë, e fyejnë, e keqtrajtojnë, e pështyjnë në surrat…
.

Kastriot Çipi

Ndërkohë që shembej tavani i një dhome në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, duke plagosur dy gra lehona (falë Zotit asnjë foshnjë), nga fasada historike e Teatrit Kombëtar shkuleshin shkronjat ndriçuese.
I njëjti shtet, që nuk kontrollon sigurinë e ndërtimeve dhe rindërtimeve të spitaleve, po shkatërron me dhunë objekte të trashëgimisë, që i kanë mbijetuar mungesës së mirëmbajtjes për dekada.
Por, pasi ka kaluar nata e hajnave me rroga shtetërore, skandali sapo ka nisur të shpërfaqet… dhe të thellohet. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, njeriu që për katër vjet me rradhë në post nuk shpenzoi asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e ndërtesës, që u rreshtua pro shembjes së saj dhe u shpërblye me një mandat të dytë, e mohoi ngjarjen, prova e së cilës është aty, në zemër të Tiranës, në një shesh publik, ditën me diell. Ai i tha gazetares së Faxnews se “asnjë shkrojnë nuk është hequr nga fasada e Teatrit Kombëtar”.
Këtu ngrihen ca pikëpyetje të mëdha. Nëse drejtori i TK nuk ka dijeni, kush e dha urdhrin për heqjen e tabelës ndriçuese? Ministria e Kulturës apo Bashkia Tiranë? Deri tani asnjëri prej këtyre institucioneve nuk është shprehur.
Teatri Kombëtar është në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe asetet e tij janë në pronësi të kësaj të fundit. Bashkia Tiranë, pra, nuk ka asnjë tagër ligjor dhe nëse ajo është përgjegjëse, atëherë skandali është i dyfishtë.
Por nëse urdhrin e ka dhënë zonja ministre e Kulturës, mbeten të gjitha pikëpyetjet e tjera: Pse natën? Pse u hoqën shkronjat? Ku ndodhen tani?
Në bazë të ligjit special për “Rindërtimin e Teatrit Kombëtar”, Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë duhet të bashkëpunojnë për të shpallur garën për projekte për “zhvillimin urban të zonës” dhe krijimin e komisionit negociator për vlerësimin e tyre. Por këto veprime duhet të bazohen në një Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili nuk është miratuar ende, megjithëse afati ligjor ka kaluar qysh më 13 dhjetor 2018.
Atëherë pse u hoq emri i Teatrit Kombëtar nga fasada? A nuk është kjo, në rastin më të mirë, kompromentim i garës? Ligji special thotë se i takon komisionit negociator të vendosë për këtë ndërtesë. Kjo do të thotë se komisioni ka të drejtë edhe t’i refuzojë të gjitha projektet e paraqitur në garë dhe, në këtë rast, Teatri Kombëtar nuk ka arsye të shembet. Me këtë veprim, shteti tregon sa seriozisht e merr garën dhe ligjin, institucionet e drejtësisë dhe vetë nocionin e drejtësisë.
Bashkia Tiranë trumbeton me të madhe çdo gjobë për shkelje bari apo urinim gjatë protestave të opozitës, por nuk ka bërë ende asnjë koment për këtë dëmtim të pronës publike, në zemër të Tiranës dhe në bashkëpunim, të ndodhur para kamerave të Ministrisë së Brendshme dhe më pak se 70 metra larg vetë Bashkisë.
Orët e ardhshme duhet të mësojmë kush e dha urdhrin dhe cilët e zbatuan. Por nëse Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës nuk japin asnjë sqarim, atëherë duhet të ndërhyjë Prokuroria për të zbardhur të vërtetën.
.
Avni Delvina - Djali me llastiqe
Avni Delvina – Djaloshi me llastiqe

Avni Delvina

Kjo grafikë me titull “Djaloshi me llastiqe”, është e frymëzuar nga romani “Djemtë e rrugës Pal”… Në grafikë është paraqitur Nemeçeku, i cili sakrifikon për të gjithë bandën e Lagjes, dhe qëllon me llastiqe gërmat e Teatrit Kombëtar…
Këtë aksion ai e bën natën dhe aty ai merr një të ftohtë…
.

Gent Zenelaj

“E kam ditur gjithmonë që hajdut… e kam ditur gjithmonë që je skuth… e kam ditur gjithmonë që je gënjeshtar… por qënke edhe burrec… Me këtë gjest nuk me trishtove fare… Thjesht jam i qetë… Jam i qetë, sepse isha i bindur që je ky që je…
O burrec… nuk e bëjnë gërmat Teatrin Kombëtar…
Ps. U bëre njësoj me ata që vjedhin kapakë pusetash? Go? Yourself!
.

Paranojë nga emri – Juli Emiri

Në mënyrë simbolike emri është identitet, individualitet, është ajo çka përfaqëson dhe fshirja e emrit është tentativë për fshirjen e identitetit. Po pse duan ta fshijnë identitetin? Cilët janë ata që kanë paranojë nga një emër? Ata që s’kanë. Kanë paranojë nga emri ata, që te emri i tyre shohin vetëm një bashkim gërmash boje firmosur në letër me lehtësinë me të cilën mund të kryhet ky veprim nga ana fizike. Ajo letër mund të jetë një urdhër për shembje shtëpie që përkon me shembjen e një familjeje, një urdhër për një shembje objekti kulturor me vlerë të papërsëritshme, një diplomë plagjiaturë e një njeriu që nesër në rastin më të mirë do të të zërë vendin e punës e në rastin më të keq do ketë në dorë jetën tënde, një recetë mjekësore e gabuar, një dënim me burg për një të pafajshëm… mund të jetë çfarëdo, por ajo firmoset lehtësisht nga njerëz që e kanë shitur emrin e tyre. Ata e kanë shitur të drejtën e të folurit në emrin e tyre, të drejtën e të vendosurit, të drejtën e të zgjedhurit, të drejtën e të shprehurit një mendim, madje kanë shitur dhe të drejtën e të pasurit një mendim… Ndaj ata kanë paranojë nga qeniet me emër se kjo u kujton pafuqinë e tyre për ta pasur. Dhe ata tentojnë dëshpërimisht ta fshijnë.
Por emri nuk fshihet dot, se nuk është bashkim gërmash. Tentoni më mirë të mbani emrin tuaj! Shiteni trupin nëse doni, shiteni dhe shpirtin nëse doni – është zgjedhja juaj – por mbajeni emrin!
P.s. Arthur Miller ka shkruar një dramë madhështore për këtë, “The crucible”, të cilën do ia sugjeroja kujtdo ta lexonte; po ata që nuk kanë kohë se janë të zënë duke fshirë emra i ftoj të shohin skenën kyçe të kësaj vepre të bërë film nën interpretimin e papërshkrueshëm të Daniel Day Lewis.
 


 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.