back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Hipokrizi – poezi nga Padër Pjetër Meshkalla

Gazeta

 

Pjetër Meshkalla s.j. (1901-1988)
Pjetër Meshkalla s.j. (1901-1988)

Hipokrizi

poezi nga Padër Pjetër Meshkalla

Një maskë e zbukurueme
Që hollë mbulon fytyrën e shëmtueme.
Sa vojna lyrë-ngjyrë
Që mëshehin rrudhat e një plakës mënxyrë.
Një pare kallpe e zbehtë
Që në treg na del porsi flori i vërtetë.
Thesi që në krye ka molla
E poshtë der’ në fund, ka veç gjarpinj e bolla.
 
Një monument mermeri
mbi kryma, mbi skeleta e kafka tmérri,
por zemra ndihnë si’i akull në ty, që ngrinë,
por shpirti i drejtë… nuk di… nuk di, nuk di sesi…
por, ndin…
se jè h-i-p-o-k-r-i-z-i
 
Jé Judë, që fjalën ké si shpirt-njeri,
e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,
në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,
hipokrizi
për treqind pare argjënd!
Joab jé, që pret n’besë e vé pusi:
hasmin e falun përqafon miqësisht,
kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht
hipokrizi
fillë në zemër, si gand…!
Ti Sirenë magjepsore, shtrigë unjî:
tërhjek e detarët i thithë në pasqyrë të qétë
dhe, ia përplasë anijën té’i shkamb nën détë
hipokrizi
me knaqun synin tand!
.
Hipokrizia
Hipokrizia
Të njoh mirë, hipokrizì…
ti jé trathti, lubi!
Gënjen synin pa sherrì,
por, zemra ndin një erë gjaku n’ty, që ngrinë,
por, shpirti i drejtë nuk di… nuk di se si,
por, ndin….
se jé h-i-p-o-k-r-i-z-i!
 
Të kam gjetë, hipokrizi, në çerdhet që ké:
Labirintët tueja janë pa krye,
por me çka pashë e ndjeva unë mbi këte dhé,
mjaft mësova e mjaft m’u çilën këta dy sy.
Në shoqninë njerzore isht’ kenë një gja për bé:
Sinqeriteti kapun në luftë me ty,
e ti, kolonë e pestë, me dinakri,
të sinqeritetit në kështjellin barkas shtri…
Të kam gjetë nën doreza të buta humanitare,
me çapojt e përgjakun të njaj skyftéri…
Në çajë të ngrohta të pashë “bamirëse-kërcimtare”,
me’i zemër si natë dimni kur frynë véri:
Mbi borë përjashta dridhet një lypcarë,
ndërsa… për té(!) gjithë natën krisë Valcëri!
P’aj, të kishte veç një kokë kjo botë e tanë,
për t’ia këputun ma shpejtë, mundim pa i dhanë!!
 
Nën maskë të kam gjetun Aristokracije,
me lule-lajle dhe “virtyte Oborri”…
Po, u zbè me’i herë çdo rreze qytetnije,
kur ia zbulova petët këtij laknori…
 
Të kam gjetë nën xhamadan burri Malsije,
(kujtim i largtë herojsh që koha i mori),
hèu, gardh Kanuni thyemun njëqind herë,
për me i lanë burrit shteg “me dalë me ndérë…”
 
Të kam gjetë nën frakun e njaj Liberali,
që të ngopë me “tolerancë” – “liri-mendimi”,
por, furinë fanatike s’di ta ndali,
kur gjenë përballë një idé të vendosun trimi.
 
Të kam gjetë mbas syzash të Markës “ideali”,
në dy gropa syshë të thella e t’êrrta shqîmi
që botës, dritë s’i dhanë m’sa ‘i natë varri,
sido që të ndrisin syzat me rrathë ari.
 
Të kam gjetë në xhep të Nacionalistit vlershëm
me dhjetra flamuj tubë të shtrênjtë e të lirë,
mbishkrue me shirit etiketë “i ndérshëm”,
p’r’inat të atij që asht veç Shqiptar i mirë!
Në çantë të kam gjetun të Demagogut të tmérrshëm
(anmik intrigash, qytetar i dëlirë).
Ndër disa fletë të mshefta, si po i thona:
“Ndani e përçani… me çdo kusht e jona!”
 
Të kam gjetun nën petkun e Fétarit tonë,
brumë Farizeu, që pjesën rri tue luejtë:
Tartuf buzë-rrudhë e vetull-vrênjtë gjithmonë,
e mbas perdje asht laksist-gaudent i prunjtë.
Ai e di mirë se dy shelqinjë – si’i thonë –
n’një dorë, bèsa, me i mbajtë askush s’ka mujtë:
Detyra e shénjtë në “Shërbim të Perëndisë”,
nuk i lè kohë të shikojë plagët e njerzisë…
.
Hipokrizi
Hipokrizi
Të kam gjetë ndër thonjtë e gishtave të Tregtarit,
sa me shkathtësi tespi e rruzare hjedhin,
si të ishin bash verdhukët e bukur t’arit,
që, pikë prej gjakut të fukarasë, i vjédhin…
S’do mend, nga fryti i shtrydhun n’djersë të mendqarit
barkthatë e lakuriq, do fije drédhin,
e ndezë ndo’j dritë në faltore, si “mëkatnorë”,
e, për “me shkelë” Zotin me’i bakshish nën dorë!!…
 
Të kam gjetë atje ku e ka selinë Drejtësia,
në lagênin e Pilatit, plot gjak të vjetër,
rrjedhun me baltë të Mamonës duerve të tija
dhe, gjak në duer të lame, gatshëm për gjak tjetër!
 
Të kam gjetun té kamxhiku Flakë e shkëndija,
t’apostullit të kulluet të moralit… në letër,
që shkallët e poshtërsive hypë, me rrëzue
monstrat prej froni dhe… aty vétë me u shtrue!
Ku nuk të kam gjetë hipokrizi, të dalët fara!
Plaka botën kafshon e, puthë figure…
Moralin së bijës ia mësueka lara-lara…
Djalin me renë ngatrrueka… lesh tue lënurë…
 
Miqtë s’po shikohen në sy ma si përpara
pse, mbas shpine i diktuen sho’shojt’ kusure…
sé, ma, pallavrat e paundyrë të servilit!!
Se, ma, sadizmi në puthjet e katilit!!!
Të njoh mirë hipokrizi!
Jé dhunë e poshtërsi!
Gënjen synin e pasherrì,
por, zemra ndin jarg ferri në ty, q’e ngrinë,
por, shpirti i drejtë… nuk di… nuk di se si,
por, ndin…
se jé h-i-p-o-k-r-i-z-i !
.
Marrë nga muri i b i Greta Ljarjas  19 Maj 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.