back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Hija e zezë e lavdisë – një rrëfim pa dëshmitarë – nga Artan Gjyzel Hasani

Gazeta

Gjyzel Hasani
Gjyzel Hasani

Hija e zezë e lavdisë – një rrëfim pa dëshmitarë

nga Artan Gjyzel Hasani

Kjo është një histori e vërtetë, të cilën unë s’mundem ta provoj para jush si të tillë. Dëshmitarët e besueshëm kanë vdekur prej kohësh, ndërsa një dëshmitar disi më i parëndësishëm, sapo ka mbushur të nëntëdhjetat. Kur t’i arrini deri në fund këtij rrëfimi nuk kërkoj prej jush ta besoni; as mëtoj të zhbëj gjëra që s’mund të zhbëhen. As të krijoj zhurmë mediatike a sensacion. Por kërkoj veç një gjë: të mendoni që e vërteta mund të jetë edhe kështu siç po ua tregoj.
Kaq do të më mjaftonte!
Sa ishte gjallë im atë nuk donte t’ia zinim në gojë këtë histori. Pas vdekjes së tij, jam matur disa herë ta shkruaj në trajtë tregimi, por s’e kam bërë. Gjithnjë kam pritur momentin kur mund ta rrëfeja ashtu siç ka ndodhur. Dhe ja, po e bëj sot.
Historia zë udhë në verën e vitit 1976, në Tiranë… dhe fillon me një tregim. Një tregim të cilin im atë do ta shkruante për këngëtarin Mentor Xhemali, zëri i të cilit e magjepste. Ideja i kish ardhur pas një bisede me të njohurin e tij, këngëtarin Avni Mula, që i kishte treguar detaje interesante nga jeta e panjohur e Mentorit. Me ndërmjetësinë e Avniut, u realizua një takim me Mentorin, të cilit i pëlqeu ideja që dikush donte të shkruante një tregim për të. Takohen disa herë, shkojnë në vendin ku këngëtari ynë i ardhshëm i kishte rënë në sy dikujt për herë të parë për zërin e tij, pikërisht në portin e Sarandës, ku kishte punuar si hamall në moshën 18 vjeçare.
Mbasi kishte shpenzuar edhe qindarkat e fundit hoteleve e restoranteve me Mentorin, im atë kthehet në shtëpinë tonë në Peshkopi dhe ulet të shkruajë për netë me radhë… Si tani e kam parasysh kënaqësinë me të cilën ia lexonte çdo mëngjes sime mëje atë që kishte shkruar gjatë natës. Tregimi mbaroi dhe doli një dorëshkrim prej 30 faqesh të daktilografuara. Mentor Xhemali, ishte përlotur kur e kishte lexuar tregimin në dorëshkrim. Dy shokët e vjetër të tim eti Adriatik Kallulli dhe Vath Korreshi e kishin pëlqyer. Gazeta “Drita”, ku punonte Vathi e kishte refuzuar botimin pasi ishte shumë tregim i gjatë për një format gazete. “Do e botoj te revista “Nëntori” në disa numra rresht”, i kishte premtuar Vath Korreshi dhe i kishte marrë dy kopjet e shtypura të tregimit…
Kaluan muaj, dhe tregimi nuk po botohej. Telefonatat e tim eti me Vathin ishin rralluar duke pasur parasysh edhe natyrën e ndrojtur të tim eti, kur ishte puna për të kërkuar ndere e favore nga të tjerët, qofshin këta edhe shokë te tij. Kaloi edhe viti 1977, dhe asgjë prej gjëje.
.
Gjyzel Hasani me dy djemtë, Edmondin dhe Artanin
Gjyzel Hasani me dy djemtë, Edmondin dhe Artanin
Im atë nuk i telefonoi më Vathit. Ishte neveritur e lodhur nga pritja e gjatë. Atë vit Mentor Xhemali doli në pension dhe do të kishte qenë dhuratë shumë kuptimplotë botimi i atij tregimi pikërisht ato ditë. Por nuk ndodhi. Ndërkohë Vathi ishte larguar nga redaksia e “Dritës” dhe kishte filluar punë si skenarist në Kinostudion e vetme filmike shqiptare.
Një mbrëmje të fundvitit 1978, ndërsa po hanim darkë, shohim që në televizion filloi të shfaqej filmi i ri “Gjeneral Gramafoni”, që akoma edhe sot konsiderohet si një ndër majat e kinematografisë shqiptare. Skenarist i filmit Vath Korreshi… Në një moment dëgjuam zërin e fikur të tim eti: “Po ky qënka tregimi im!” Ishte zverdhur në fytyrë dhe mbuluar nga djersë të ftohta. Nuk e harroj kurrë atë moment. Kishim mbetur të shtangur të gjithë në shtëpi. Të nesërmen i telefonoi Vathit. “Gjyzel, nuk kisha ç’të bëja, nuk e botova dot askund, ia propozova Viktor Gjikës, por ai sapo pa emrin tënd të panjohur e refuzoi pa e lexuar, e kështu sa të qëndronte i vdekur në sirtar e ndryshova pak, hoqa Mentorin dhe futa një klarinetist personazh, i futa edhe ca linja të tjera dhe e përshtata për skenar filmi…” Pasi uli receptorin babai mori dorëshkrimin original të tregimit dhe e grisi copë copë…
Për shumë vite me radhë nuk e kuptova pse e kishte grisur origjinalin, të vetmen provë të shkruar. Ky ishte edhe fundi i miqësisë së vjetër të tim eti me Vath Koreshin. Një zhgënjim vrastar që e shoqëroi deri sa iku nga kjo botë. Nuk shkruajti kurrë më pas letërsi artistike. Kur ia hapja ketë bisedë shumë vite më vonë dhe i thoja që duhet shkruar kjo histori më përgjigjej: “E kush do të të besojë? Ku e ke dorëshkrimin origjinal? Si do t’ia vërtetosh publikut që isha unë autori?!” “Po pse e grise origjinalin?” e kisha pyetur, ndërsa kujdesesha për të gjatë kohës që lëngonte në shtrat para vdekjes. “Nuk më duhej më. Nuk e kam menduar kurrë ta diskreditoj Vathin në publik. Kemi qenë shumë shokë. Nuk më besohet akoma, si ma bëri atë gjë…!”
Mbetet mister, si pranoi Mentor Xhemali të merrte pjesë me zërin e tij në xhirimet e këtij filmi me atë skenar që në origjinal ishte shkruar veç për të! Im atë nuk e takoi kurrë më pas.
.
Bujar Lako & Kadri Roshi  - Filmi "Gjeneral Gramafoni"
Bujar Lako & Kadri Roshi – Filmi “Gjeneral Gramafoni”
Prej kohësh Mentori, Vathi dhe im atë nuk jetojnë më. A kanë pasur dijeni njerëz të tjerë për këtë histori?! Ata miq e shokë të tim eti që e dinin nuk jetojnë më. Adriatik Kallulli, Jorgo Bllaci, Herkul Tartari, gazetari Fatos Cekodhima janë disa prej tyre. Jo fort i sigurt, por mbase e di Skifter Këlliçi që akoma jeton. Doktor Lame Koçi po ashtu. Po ç’rëndësi ka kjo, unë nuk pres të ma pohojë askush, mbasi jam vetë dëshmitar i tërë kësaj meseleje… Më erdhi ndërmend sot kjo histori e vjetër dhe po mendoja: vërtet im atë e grisi dorëshkrimin original, por është vetë skenari i vjedhur i filmit që e jep provën. Në film flitet për një muzikant, klarinetist, që e kanë regjistruar italianët gjatë pushtimit në pllaka gramafoni. Në realitet kjo ka ndodhur, por me hamallin Mentor Xhemalin, dhe me asnjë lloj klarinetisti dhe pikërisht ky detaj ka qenë edhe boshti rreth të cilit ngrihej tregimi i tim eti. I regjistruan Mentor Xhemalit në një pllakë gramafoni këngë të njohura italiane të asaj epoke dhe në anën tjetër të pllakës këngë popullore përmetare. Pa orkestër. Veç me zërin e tij. I regjistruan për provë se donin t’ia çonin shtëpisë diskografike në Milano që ta vlerësontë nëse ia vlente. Por pak muaj më pas, Mentori iku në Durrës e që andej doli partizan. Ky fakt mbetet e vetmja provë që unë sjell për ju në këtë histori të trishtë të cilën nuk kërkoj ta besoni si të vërtetë, por të mendoni se edhe mund të jetë e vërtetë…
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.