Hetuesi Brinja dhe makina e shkrimit… nga Kastriot Dervishi & Agim Musta

Aranit Cela - 650 procese politike, si hetues, prokuror dhe gjyqtar

Aranit Cela – 650 procese politike, si hetues, prokuror dhe gjyqtar

Hetuesi Brinja dhe makina e shkrimit…

nga Agim Musta

Ndoc Misloca, lindur në Tivar në vitin 1907 dhe banonte në Durrës. Ishte 63 vjeç, ku u arrestua më 28.2.1970 nga shokët e Sigurimit. Kishte qenë nëpunës i mesëm dhe prej tre vjetësh ishte në pension. Dosja formulare agjenturiale-operative ishte mbushur kundër tij e tanimë duhej hapur një proces i ligjshëm. Duke vrarë mendjen për akuzën që do ngrinin, hetuesi Nazmi Brinja kishte parë disa letra të ndaluara që Ndoci ia kish dërguar kunatit në Itali. I kish bërë përshtypje se ishin të shkruara në makinë shkrimi. Ndoci kish punuar llogaritar dhe e përdorte mjaft mirë këtë makinë. Hetuesi Brinja, mendoi se hetimi duhej mbështetur pikërisht te kjo makinë shkrimi, sepse me siguri do zbuloheshin edhe lidhjet e mundshme agjenturore dhe një rezidenturë e zbulimit italian që drejtohej nga një pensionist. Derisa çështja u sqarua, Ndoci vuajti fizikisht padijeninë e hetuesit. Duke mos dashur më, të kishte të bënte me një çështje qesharake, Brinja ua kaloi atë dy hetuesve të rinj, njëri prej të cilëve, më vonë, gjatë viteve të demokracisë, u bë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave!!
Ndoc Misloca, u dënua me 5 vjet burgim për agjitacion e propagandë dhe “përvetësim të pasurisë socialiste në shumën e 1.418 lekëve” (se kish prekur sahatin e dritave) u lirua më 28.2.1975.
Historinë e tij, ia ka treguar Agim Mustës në burg, si dëshmi e nivelit profesional dhe kulturor të hetuesve të diktaturës komuniste.
nga Kastriot Dervishi
Makina e shkrimit e Zef Zorbes

Makina e shkrimit

Makina e shkrimit

I burgosuri Ndoc Misloca tregonte se si kryehetuesi i Degës së Punëve të Brendshme Durrës, Nazmi Brinja, e kish torturuar me ditë të tëra, duke i kërkuar makinën e shkrimit me të cilën Ndoci, i shkruante letra kunatit të tij në Itali.
Ndoci pohonte se letrat i shkruante me makinën e shkrimit, që ndodhej në zyrën e tij, ku ai punonte si shef llogarie. Nazmiu tërbohej nga zemërimi dhe e godiste me shkelma duke bërtitur: “Pse gënjen mor armik i fëlliqur!? Si ka mundësi që makinat tona të shkrimit të shkruajnë italisht?!”
I shkreti Ndoc, i lutej kryehetuesit që t’ia provonte pohimin me makinën e shkrimit që ndodhej në tavolinë, po ku dëgjonte injoranti Nazmi, fjalët e një “armiku të popullit”. Torturat vazhdonin dhe brinjët e të mjerit Ndoc, dërmoheshin nga shkelmat e xhelatit Nazmi, gjersa një ditë, një hetues i ri, ia kishte provuar kryehetuesit, se makinat e shkrimit që përdoreshin në Shqipëri, mund të shkruanin në çdo gjuhë të botës që përdorte alfabetin latin.
(Agim Musta, “Dosjet e gjalla”, Tiranë 1995, faqe 53-54)
.
Marrë nga Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 1 shtator 2020


Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook