back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Heshtja – e vetmja shkencë! Hans – Joachim Lanksch

Gazeta

Hans-Joachim Lanksch
Hans-Joachim Lanksch

Heshtja – e vetmja shkencë! Hans – Joachim Lanksch

(për poetin Primo Shllaku)

“Poezitë e Primo Shllakut, vetëm me ndonjë përjashtim, janë ankesa të drejtpërdrejta, janë imazhe dhe skica shpirtnore të linduna prej heshtjes, në të cilat pikturohet ithtësia e realitetit përmes nji përjetimi intim të poetit…”

…Primo Shllaku, i lindun në Shkodër, me 1947, në këtë qendër me tradita kulture të Shqipnisë së Veriut, e titullon vëllimin e vet poetik, të botuem më 1994, “Lule nate”.
Poezitë e tij janë vërtetë lule të linduna natën, të shkrueme fshehtazi nëpër atë natë që Enver Hoxha me diktaturën e vet staliniste pllakosi mbi Shqipninë e që, për kah shtrëmbnimi i së vërtetës, shpërbamja e shpirtit dhe përdhunimi i kulturës, mund të përqaset tanësisht vetëm me diktaturën naziste…
Në hapsinat gjermanishtfolëse, letërsia shqiptare asht përgjithsisht një fushë e re dhe e panjohun. I vetmi autor shqiptar që asht tashma i njohun në Gjermani për një rreth të gjanë lexuesish, asht Ismail Kadareja (1936). Krijimet e tij në prozë, të cilat janë përkthye në gjermanisht e frëngjisht, na blatojnë një material të bollshëm. Pjesa tjetër prej 99 % e letërsisë shqiptare, asht krejt e panjohun. Në këtë vështrim nuk çojnë kandar ato përkthime relativisht të pakta të autorëve shqiptarë që kanë pa dritën e botimit. Në fakt, kjo s’ka asfare të bajë me cilësinë letrare, se dëshmohet prej jehonës së pazakontë që pati ndër lexues e kritikë lirika e një Ali Podrimje (1942) a e një Azem Shkreli (1938), të dy kosovarë; apo siç e dëshmojnë tekset e poetit shqiptar Martin Camaj (1925-1992) ose edhe shembulli i disidentit nga Jugu i Shqipnisë, autori lirik, prozatori e dramaturgu Kasem Trebeshina (1926), i cili, ndryshe prej Ismail Kadaresë, në kohën e diktaturës qe edhe institucion moral! Me daljen në gjermanisht të një romani të Trebeshinës, tre kritikë gjermanë e austriakë, në pavarsi prej njeni tjetrit, e quajten atë nji Eugjen Jonesko shqiptar…
Hapësina shqiptare gjuhësore e letrare asht shumë e shpërndame. Letërsia në gjuhën shqipe “degë e veçantë kjo e familjes së gjuhëve që mbarë bota e njeh me termin indoeuropiane e Gjermania si indogjermane) shkruhet sot në Shqipni, në Kosovë, në Serbinë Jugore, në Maqedoninë ish-jugosllave, në ishujt shqipfolës të Italisë Jugore (Kalabri e Siçeli) e, së fundi, në mërgim (SH.B.A., vendet arabe, Zvicër, Gjermani e ngjeti).

Primo Shllaku (1947)
Primo Shllaku (1947)

Kë duhet të paraqesim, Arbëreshin “kështu quhen shqiptarët që para pesë shekujsh ikën drejt Italisë për shkak të pushtimit turk” Skiro di Maxho (1994)? Bashkatdhetaren e tij italo-shqiptare, liriken e mrekullueshme Kate Xukaro (1995), kolegen e saj homologe Edi Shukriu (1950) në Prishtinë, apo ekscentriken e shkëlqyeshme Mimoza Ahmeti (1963) në Tiranë? Kandidatë ka plot. Në Kosovë ekziston nji falangë e tanë lirikësh që duhen nxjerrë prej izolimit të dyfishtë…
Pranë autorësh që në Gjermani janë me të padrejtë ende të panjohun mirë, si Din Mehmeti (1932), Besim Bokshi (1934), Adem Gajtani (1935-1981), Fahredin Gunga (1936), Mirko Gashi (1939) e Rrahman Dedaj (1939), të cilët këtu po përmenden konkretisht, edhe pse numërohen në radhët e ma “të moçëmve”, duhen përmendë në radhë të parë edhe si brez vazhdues, Eqrem Basha (1948), Adem Gashi (1953), Ibrahim Berisha (1955), Abdullah Konushevci (1958), Sali Bashota (1959 e Basri Capriçi (1960).
Në Shqipëni ka mes të ma të rijve autorë të klasit të parë që duhen zbulue përmes kapërcimit të hendekut të gjuhës. Keshtu psh, Rudolf Marku (1950), Visar Zhiti(1952), Stefan Çapaliku (1965).  Një mik shqiptar, vetë lirik i ri i nji shkallë të naltë, më rekomandon autorë “disi ma të vjetër” si S. Buçpapaj(?) e H. Aliaj(?) librat e të cilëve nuk më kanë ra ndonjëherë në dorë. Po kështu kam fare pak libra prej Moikom Zeqos (1949).
Ndërsa në Shqipni, për gati nji gjysëm shekulli tonin e jepte pseudopoezia servile e ideologjizueme e realizmit socialist tue mbytë mesataren letrare e tue ba me heshtë e dënue me mallkim zane poetësh të randsishëm si Vincenc Prennushi (1885-1948), Gjergj Fishta (1871-1940), Lasgush Poradeci (1899-1987), Zef Zorba (1920-1993), Mitrush Kuteli (1907-1967, Martin Camaj, Kasem Trebeshina, Kudret Kokoshi (1907-1991), Trifon Xhagjika (1932-1963), Bilal Xhaferri (1936-1987) e shumë të tjerë, në Kosovë zhvillohej në mënyrë të qëndrueshme e me nivel të naltë, qysh në fillim të vjetve 50, një lirikë për të cilën Mikael Brauni me 24.10.1992, thotë te gazeta “Basler Zeitung”: Asht një letërsi e nivelit botnor ajo që shkruhet në Kosovë. Cilësia e naltë e për dhjetëvjeçarë e qëndrueshme e lirikës kosovare, e cila nuk kishte pse të druhej me u krahasue me lirikën e zonave të tjera në hartën letrare të Europës, pati për pasojë, nga ana tjetër, që prej Kosove të ndihej mungesa e risive poetike. Përjashtim ban disidenti e liriku Xajë Nura (1934), i cili tash së fundi, doli prej qelive serbe ku ndejti për dhjetra vjet i burgosun. Ai asht modernist i pranuem, por në këtë shkrim nuk do të trajtohet për shkak të moshës. Ajo çka tash së fundi paraqitet në skenën e lirikës kosovare si e re, në masë të madhe asht pa vlerë, ose, për shkak të moshës së autorëve, nuk merret në konsideratë. Kjo ka të bajë, në njenën anë, me rrjedhojat e trishtueshme të shovinizmit kulturvrasës serb në Kosovë: afaristë të çdo lloji e kanë marrë punën në dorë. Tipa të patalentuem mbahen për poetë, paret e tyne ose të një ati, ose ungji të majmë ndihmojnë për botime, kurse kritikë jovertebrorë bajnë për ta shkrime lavdesh të pacipa… Nga ana tjetër, rritet një brez lirikësh e lirikesh jashtëzakonisht seriozë e me talent të nji rangu të naltë me moshë rreth 18 deri 26 vjeçare, të cilët ende të pavënëre mirë e të pambështetun sa duhet, po shkruajnë kundër rrymës. Ndërkohë, njeni prej tyre të paktën, i zymti Beqë Cufaj (1970) mundi me u paraqitë përmbledhtas në periodikun “Neue Sirene” (Sirena e re).
Në zgjedhjen e ngushtë për një, paraqitje të parë të një liriku shqiptar ne revisten “Akzente” ishin pranë Primo Shllakut edhe të sipërpërmendunit Rudolf Marku, Visar Zhiti, Mimoza Ahmeti e, mbi të gjithë edhe autori kosovar Jusuf Gërvalla (1945-1982), disident, luftëtar lirie e të drejtash qytetare, lirik e kangëtar, vrasja për motive politike e të cilit e bani simbol të rezistencës shqiptare kundër sundimit jugosllav. Fama e tij prej dëshmori mbisundon në vetëdijen e bashkëvendasve të tij, tue lanë me të padrejtë në plan të dytë për shumë prej tyne randësinë e tij prej letrari të dorës së parë. Shpresojmë se poezitë e tij e të tjerëve që u përmendën këtu, do t’i pasojnë këto të Primo Shllakut, me qëllim që të vendosen theksa të rinj në recepsionin gjerman të letrave shqipe…
…Për ne, lirika e atjeshme, në masë të madhe asht “terra incognita” (terren i panjoftun) në krahasim me atë të Kosovës.

Lule Nate" Primo Shllaku (1994)
Lule Nate” Primo Shllaku (1994)

Vëllimin e vet me 100 poezi, “Lule nate”, Primo Shllaku e cilëson si antologji. Ai asht nji libër me pjesë të zgjedhuna nga sizmografitë lirike të krijueme fshehtas prej një mësuesi me origjinë nga nji familje artistash për ma se 25 vjet, në nji kohë që, siç thuhet në njenën prej poezive të tij “muzat e vdekuna nuk lanë skelet/ por vetëm bar mbi sytë e pleqve”. Të gjitha shkrimet e tij janë, siç e thotë vetë në parathanie “Për lexuesin”, “rritë të gjitha në hije…”. Kjo mund të jetë vdekja e tyne, por edhe nderi i tyne”. Poezia e tij, kështu thotë autori, asht dëshmitare e brezit që u lind rreth vjetëve 1950, brezi ma fatkeq i të gjithë brezave që janë gjallë sot në Shqipëni, të cilët në rinine e tyne të vjetëve 1970, e hangrën diktaturën plotëësisht, e gjatë gjithë ekzistencës së tyne në nji shoqni plot me xhuxha moralë “e në nji atmosferë që i kishte mohue parimisht ekzistencën e jetës së përjetme, në mënyrë tinzare e gradualisht filloi me nxjerrë jashtë ligje edhe jetën tokësore të njeriut. Dhe mandej “na arritëm te kufijtë e ekzistencës, te koma sociale, te HESHTJA, e atje ndërtuam çerdhen tonë të fundit. Ky ishte shansi i parë e i fundit për të mbijetue”.
Poezitë e Shllakut pasqyrojnë ankthin e njië breznie e të nji kombi, bajnë dëshmi të përpjekjes për mbijetesë intelektuale, emocionale e morale. Poezitë e publikueme me 1994, nuk u krijuen në kushtet e nji burgimi të mirëfilltë, siç janë poezitë e shkrimtarëve të mëdhej shqiptarë në burg (writers in prison) Lazër Radi (1916), Arshi Pipa (1920-1997), Daut Gumeni (1943), i cili ndejti në burg politikisht për 23 vjet, ose Visar Zhiti, i cili pa pasë ba disidence letrare, thjesht për teka të pushtetmbajtësve, u dënue me punë të detyrueshme në minierat e bakrit në njenin nga burgjet ma çnjerëzore të Shqipënisë. Shllaku nuk ishte disident i hapët dhe as i burgosun politik shumëvjeçar si trimi i çartun Trebeshina. Ai s’asht burgos si Kokoshi ose Zorba e shumë të tjerë. Burgu i tij ishte marrëzia e përditshme e realitetit psikikisht të sëmurë dhe e normalitetit të mbrapshtë të një diktature që vriste shpirt, liri e dinjitet. Ai s’ra në fatkeqesi për shkak të poezive të veta, që i shkroi fshehtas prej të gjithëve, sepse ai shkruante atë që nuk duhej shkrue në totalitarizëm, vargje për dashurinë. Vargjet e tij nuk janë përshkrime padrejtësisht të përjetueme si te Visar Zhiti ose Ferdinand Laholli (1960), i cili u rrit në mes të dëshpërimit të patregueshëm të një kampi internimi në Jug të Shqipnisë, sikurse kolegu i tij lirik Jozef Radi (1957), biri i Lazër Radit, i cili tashti jeton jashtë vendit dhe shkruen për traumat e kësaj së kaluemje e për braktisjen në mërgim. Poezitë e Primo Shllakut, vetëm me ndonjë përjashtim, janë ankesa të drejtpërdrejta, siç asht poezia e shkurtër “Krim i përsosun”. Ato janë imazhe e skica shpirtnore të linduna prej heshtjes, në të cilat pikturohet ithtësia e realitetit përmes nji përjetimi intim të poetit…
(Marrë nga Fjala e Lirë)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.