back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Hasan Prishtina: Arkivat greke zbulojnë misterin e vrasjes në Selanik nga Arben Llalla Revista “Milosao”

Gazeta

Hasan Prishtina (1873-1933)
Hasan Prishtina (1873-1933)

Hasan Prishtina:

Arkivat greke zbulojnë misterin e vrasjes në Selanik

nga Arben Llalla Revista “Milosao”

Data e 13 gushtit të vitit 1933, është data kur në qytetin e Selanikut u vra në pabesi dhe mizori ish-Kryeministri i Shqipërisë, Hasan Prishtina. Gjatë viteve të qëndrimit tim në Selanik në arkivat e këtij qyteti zbulova një gazetë të vjetër që përshkruante ngjarjen e vrasjes së atdhetarit të shquar Hasan Prishtina. Në gazetën “Maqedonia e Re” e datës 14.8.1933, ishte botuar fotografia e Prishtinës i vdekur dhe fotografia e vrasësit Ibrahin Çelos. Gazeta e asaj kohe shkruante për jetën, veprimtarinë dhe pasurinë në Selanik të Hasan Prishtinës dhe na sjell një fakt të vërtetë për datën e vrasjes së tij që deri më sot shumë historianë shqiptar që janë marrë me figurën e tij e kanë gabuar duke shkruajtur si datë të vrasjes 14 gushtin e 1933, por sipas gazetës së kohës është data 13 gushti i 1933. Hasan Prishtina ka qenë shumë i pasur, por pasurinë ai e shkriu për çështjen kombëtare. Ai pat mbledhur të holla për të çuar në shkollën normale të Elbasanit djemtë shqiptarë nga Kosova. Pasuri e patundshme që i ka ngelur ende dhe që njihet botërisht është një ndërtesë tre katëshe që ndodhet në qendër të Selanikut, anës detit në rrugën Vasilis Ollga dikur zonë e privilegjuar. Ndërtesa trekatëshe rrethohet prej një oborri gjigant me sipërfaqe rreth 1500 m katrorë, vlera e saj në tregun e shitjeve të banesave me truall arrin në shumë milion dollarë amerikanë. Thuhet se mjaft vite më parë pronën e kërkoi e mbesa e Hasan Prishtinës, por shteti grek nuk ia dha. Sot shtëpia është pronë shtetërore dhe funksionon si shkollë dhe Instuticion bamirës për personat shurdhmemecë dhe të verbër. Kjo ndërtesë për shqiptarët ka një vlerë historike. Vendosja në murin e saj të jashtëm e një pllake memoriale është gjëja më elementare për indentitetin e ndërtesës dhe kujtimin e këtij personaliteti. Është e drejtë dhe detyrë që përfaqësuesit e Kosovës të kërkojnë që kjo pronë e njeriut që nuk e ndali luftën për bashkimin e trojeve shqiptare të njihet dhe të zotërohet. Hasan Prishtina pranoi më mirë të vdesë nëpër malet e Kosovës, se sa kolltukun e turpit në një ministri në Stamboll. Dhe fitimi i së drejtës do të ishte një shpërblim i merituar, një peng nderimi për këtë burrë të shquar shteti.
.
Ismail  Qemali i biri dhe Hasan Prishtina, ne Vjene...
Ismail Qemali i biri dhe Hasan Prishtina, ne Vjene…

Hasan Prishtina nëpër faqet e historisë

Hasan bej Prishtina ka qenë një nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Ky ideolog i shquar, dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurinë e dha për çështjen kombëtare shqiptare. Lirisht mund të thuhet se veprimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatiten ngritjen e Flamurit në Vlorë.
Hasan Prishtina lindi në vitin në vitin 1873 në Vushtrri, por familja e tij, ishte nga treva e Drenicës, Polaci (tani Hasanprishtina). Mbiemri i vërtet i Hasan Prishtinës ka qënë Berisha, por me largimin e gjyshit të tij Haxhi Ali Berisha nga Polaci në Vushtri, mbiemrin e ndryshoi nga Berisha në Polaci. Por mbas zgjedhjes së tij deputet në Kuvendin Popullor Turk (1908-1912), ai e ndryshoj mbiemrin përsëri, por kësaj here nga Polaci në Prishtina pra, edhe u njoh si Hasan bej Prishtina. Studimet politiko-juridike i kreu në Stamboll. Shovinizmi i xhonturqve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, nxiti një urrejtje të deputetëve shqiptarë, antarë të Kuvendit Popullor turk, të cilët ndërrmorën një takim të fshehtë për fillimin e Kryengritjes (1909-1912) në Shqipëri. Esat Pashë Toptani mori përsipër krahinën e Shqipërisë së Mesme dhe krahinën e Mirditës, Myfti Beu, Azis Pasha dhe Syrja Beu, morën përsipër krahinën e Toskërisë. Ismail bej Qemali u nis për në Europë, për të mbledhur të holla dhe armë për kryengritjen. Hasan bej Prishtina mori përsipër organizimin e kryengritjes në Kosovë, bashkë me Bajram Currin dhe Isa Boletinin. Kjo kryengritje do të kurorëzonte më 28 nëntor 1912 shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë së zvogëluar. Në vitin 1913, u ngarkua me detyrën e Ministrit të Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Hasan Prishtina ka qenë drejtor i së përditshmes “Zukre” (Afërdita) që ka dalë më 1911. Për arsye të gjendjes së jashtëzakonshme brenda dy vjetëve gazeta e ndërroi emrin rreth 20 herë, ku dolën 412 numra. Dhe emri i drejtorit shkruhej gabimisht si; “Pessembe Mebusu Hasan” (deputeti së enjtes). Në vitin 1914, kur vjen për të drejtuar Shqipërinë princ Vidi, Hasan Prishtina zgjidhet ministër i punëve botërore të qeverisë së Durrësit. Më 1918, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), Bajram Curri dhe shumë të tjerë formojnë Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në shtetin mëmë Shqipëri, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjes (1920) dhe në prill 1921, u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921, u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, kryeministër dhe ministër i jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Prishtina mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi.
Me vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene më 1922, Qeveria e Ahmet Zogut dhe e Xhaferr Ypit u hoqi të drejtën e deputetit në Kuvendin Popullor shqiptar, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadriut dhe shumë udhëheqëve të tjerë nga Kosova dhe filloi ndjekja për eleminimin e tyre. Kjo ishte marrëveshja që bëri kryeministri Ahmet Zogu me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave z. Ninçiç më 1922. Në janar të vitit 1922, qeveria e Tiranës lidhi marrëveshjen që ushtria serbe ta ndiqte Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë edhe brenda territorit të shtetit shqiptar. Në fund të muajit shkurt 1923, Hasan Prishtina dhe Barjam Curri u ngritën kundër regjimit serb në Kosovë. Kjo kryengritje u shtyp sepse qeveria e Ahmet Zogut nuk i mbështeti. Mbas kësaj 3500 shqiptarë të Kosovës u përzunë nga trojet e tyre për në Turqi.
.
Hasan Prishtina & Koste Boshnjaku - Selanik
Hasan Prishtina & Koste Boshnjaku – Selanik

“Tradhëtari” Hasan Prishtina

Më 26 shtator 1924 krahas Fan Nolit, Luigj Gurakuqit ishin dhe Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani në Lidhjen e Pestë të Kombeve në Gjenevë. Përfaqësuesit e Kosovës Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Bedri Pejani kundërshtuan për genocidin që ndiqte Beogradi ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit më dhjetor 1924, dhe ardhjen e Zogut me ndihmën e serbëve, Hasan Prishtina largohet përgjithmonë nga toka e mëmëdheut, për t’u vrarë më 13 gusht 1933 në Selanik, nga dorësi i Ahmet Zogut. Deri në vitin 1962 Hasan bej Prishtina ishte cilësuar tradhëtar i kombit shqiptar. Kështu mbreti Zog e vrau, ndërsa qeveria e asaj kohe e Enver Hoxhës e rivrau, sepse pseudohistorianët shqiptarë shfrytëzuan deri më 1962, dokumenta jugosllave dhe ruse për të bërë historinë e Shqipërisë dhe vlerësimet e disa figurave të ndritura politike shqiptare. Shumë dekada pas vrasjes së Hasan Prishtinës, eshtrat u sollën nga Selaniku për t’u rivarosur në një copë tokë në Kukës, pranë kufirit me Kosovën.
.
Hasan Prishtina (në rreth) me tre miqtë të tij: Qazim Mulleti, Beqir Valteri e Azis Çami, pak para atentatit ndaj Mbretit Zog, Vjenë 1932
Hasan Prishtina (në rreth) me tre miqtë të tij: Qazim Mulleti, Beqir Valteri e Azis Çami,
pak para atentatit ndaj Mbretit Zog, Vjenë 1932

Përshkrimi i atentatit nga Gazeta greke e kohës

“ Maqedonia e Re” e datës 14 gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruante për ngjarjen që tronditi Selanikun më 13 gusht të vitit 1933. Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës. Në faqet e gazetes shkruhej: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 38 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën.
Vrasja u krye në orën 2 mbasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhëtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markës “Smith” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregëtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z. Dukidhis, ku dhe ju dorëzua rojes së policisë. Por nuk mundi t’i shpëtojë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur idetitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vijë skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur: -Shqyjeni, shqyjeni, vrasësin!
Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte antentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysëm vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi t’u mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z. Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta mbasdite oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.
.
Statuja e Hasan Prishtinës - Tiranë
Statuja e Hasan Prishtinës – Tiranë

Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaromaqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë antetatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjet ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogun. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit te mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajne tradhëtar. Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregëtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të shlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vërshtirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.

Revista “Milosao” 5 shtator 2007
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.