back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Hapja e Shkollës Shqipe të Pogradecit – 14 Mars 1887 nga Lasgush Poradeci

Gazeta

Lasgush Poradeci - Shkolla Shqipe e Poradecit
Lasgush Poradeci – Shkolla Shqipe e Poradecit

Hapja e Shkollës Shqipe të Pogradecit – 14 Mars 1887

nga Lasgush Poradeci

Shkolla Shqipe e Pogradecit, e këtij qytetthi palcërisht shqiptar, i futur në gjirin e maleve si truri në kafkën e njeriut, është një nder jo vetëm për Atdheun po dhe për Pogradecarët në mënyrë të veçantë. Ka qënë një kuxim, në tërë meritën dhe në tërë fuqinë e fjalës, rrëmbimi i flamurit të gjuhës nënore nga ana e pogradecarëve pothuajse njëkohësisht me Korçën – vetëm dymbëdhjetë muaj më von.
Ndinkë Gushua dhe Sotir Gushua, nisjatorët e atdhetarisë në Pogradec, ishin që të dy prej një race thjeshtësisht shqiptare, të hollë dhe viganë nga shtati, nga i cili shkak dhe bashkëqytetasit i-u theshin Ndinka-i-Gjatë dhe Sotirka-i-Gjatë, dyke i miemëruar për ndjenjat e tyre sipas një zakoni të ditur të kohës Ndinkë Shqiptari, Sotirkë Shqiptari:
Mësonjësi i parë i Shkollës Shqipe të Pogradecit, ka qenë, Koço Sotiri, i vëllaj i dëshmorit Pandeli Sotiri, mësonjësit të parë të Shkollës Shqipe të Korçës. Është vërtet, siç shënon Ilio Mitkë Qafëzezi ish-mësonjës dhe ky i kohëve të vona i shkollës fillore në Pogradec – se Koço Sotirit këtu i-u pat ngjitur mbiemri ultësonjës mason për shkak të përhapjes së Ungjijve shqip të Kostandin Kristoforidhit që ay bënte nër popull – atje ku i-a qëllonte… Ky lajm i vjetëruar që na harin gjer më sot në ditët t’ona gojërisht nga kujtesa e Thoma Abramit, kryemësonjësit veteran të Shkollës Shqipe të Korçës, ka qënë gjith aq i vërtetë, sa dhe i bujshëm dhe i potershëm.
.
Lasgush Poradeci - Portret nga Luan Jakupi
Lasgush Poradeci – Portret nga Luan Jakupi

Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të Pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi.

Masonëri, në gjuhën e Rilindjes Shqiptare, është një kujtim i idhur nga dhembjet e shumta të plagës së madhe së Kombit që thuhet plaga e ndarjes në gjirin e njëshmë të një populli, e përbuzur prej veteranëve me fisnikëri, e shëruar prej dëshmorëve me gjakun e vet të therrorisë. E përbuzi dhe Koço Sotiri në Pogradec, me bindjen e tij të pathyer, siç e përbuzi i vëllaj Pandeliu me burrëri në Korçë dhe siç e përbuzë që të dy kur vajtnë një herë për t’u çmallur në fshatin e tyre të dashur fort-në Selckën e Lungjerisë – ku bashkëfshatarët, domethënë far e fis e miqërija, nuk i nqasnë po i përzunë prapë nga ardhë, për shkak të apostullatës së të dyve ndaj gjuhën dhe ndaj Kombin e adhuruar. Dhe u këthyen e iknë që të dy prapë në mërgim e në arratisje që nga kishin ardhur, dhe njëri, Koço Sotiri-Kota – vajti drejt për në burg i dënuar me një-qind-e-një vjet dyke dhënë pastaj shpirtin nga mjerimi rrugëve në Manastir më 1909, kurse tjetri, Pandeli Sotiri – Pandua – gjeti vdekjen e tmerrëshme në Stamboll nga fitilat e armikut më 1894. Sepse kështu, me kësisoj dëshmorësije, shërohej atëhere plaga e dhimbëshme e ndarjes Shqiptare, sikundër sot e nesër e në gjithë kohën e kohrave. Që të ndritet sa vete më shume fjala e Vjershëtorit të Rilindjes, që është Dhiata e gjithë Dëshmorëve.
“Si trashëgim ju lemë shpirtin t’onë” *
Lasgush Poradeci - Romantiku i Fundit i Letërsisë Shqipe
Lasgush Poradeci – Romantiku i Fundit i Letërsisë Shqipe
“Vepërimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë me Kryeqëndër Kolloninë e Bukureshtit”. (Fragment)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.