back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Haki N. Blloshmi (1908-1944) Prof. Ernest Koliqi përkujton heroin e lirisë Haki Blloshmi

Gazeta

Haki Blloshmi (1908-1944)
Haki Blloshmi (1908-1944)

Haki N. Blloshmi (1908-1944)

Prof. Ernest Koliqi përkujton heroin e lirisë Haki Blloshmi

Haki Blloshmi lindi në 1908 në Berzesht t’Elbasanit. Msimet e para i kreu n’Atdhe. Me ndihmën e t’atit e të vllaut, Selahedin Blloshmit që atëherë ishte qark-komandant në Korçë dhe me interesimin e disa miqve të shpisë, më 1920 Hakiu u nis për në U.S.A ku u vendos në Boston. Aty mësoi gjuhën dhe kreu msimet e shkollës s’mesme.
Më 1927, u emnue Sekretar i Konsullatës Shqiptare në Boston që atëherë e drejtonte Gjergj Prifti. Në Konsullatë punoi për 4 vjet rresht. Më vonë, për fat të keq për nji mosmarrveshje me Ambasadorin Fuqiplotë, Faik Konicën, u largue prej detyre. Pat vazhdue studimet në Harvard University, të cillat i ndërpreu se u shtrëngue me u kthye n’Shqipni.
Tue qenë se i ati Hajdar Blloshmi ishte me moshë të vjetër e në pamundësi me vazhdue detyrën si deputet i Elbasanit, me pëlqimin e familjes, të miqve e të Shefqet Verlacit, më 1932, ngarkoi Hakiun me vu kandidaturën i cili filloi fushatën elektorale në rrethin krahinuer.
Gjatë kësaj kohe Hakiu pat shumë pjekje e bisedime me përfaqësinë e popullit t’atyne katuneve që njihshin familjen e tij. Hakiu nuk duel deputet mbasi baheshin me listë t’vetme qeveritare. Në vend të tij duel Abdurahman Dibra. Hakiu nuk kthej mâ n’Boston, por shkoi në Paris ku kreu studimet të tjera për gazetari.
Kur u kthye nga Franca punoi si korrespondent i gazetës zyrtare n’Tiranë, mâ vonë u emnue kryetar i komunës në Belsh, Elbasan e s’fundi u transferue po me atë detyrë në Librazhd t’Elbasanit.
Kur plasi lufta civile, Hakiu muer anën Nacionaliste. Gjatë kësaj kohe u diftue aktiv dhe i vendosun tue komandue çetat e veta e në nji sulm pastrues n’prill 1943, tue u nis prej qendrës s’tij, Qukës, kaloi nëpër Mokër, Gorë, Skrapar deri n’Boboshticë të Korçës tue i thye gjithkund forcat komuniste. N’Pogradec e n’Korçë vuni fuqitë nacionaliste nën komandën e Xhevat Starovës.

Azis Selman Blloshmi, ... Biçaku, Shaziman Blloshmi, ulur: Qamil Blloshmi dhe Haki Hajdar Blloshmi
Azis Selman Blloshmi, … Biçaku, Shaziman Blloshmi, ulur: Qamil Blloshmi dhe Haki Hajdar Blloshmi

Meqenëse gjendja politike po keqsohej dita ditës, lufta vllavrasëse kishte plasë gjithkah. Qeveria e Tiranës nuk e kishte ma at’ fuqinë e duhun me kontrollue vendin e me mbajtë qetsinë, kështu kryetarët e grupeve nacionaliste ranë në mosmarrëveshje, madje n’sabotim me njani-tjetrin. Për kët arsye komunistat filluen të zgjanohen e të përhapen gjithkah, prej Jugu deri n’Veri.
Tue pà rrezikun komunist dhe çrregullimin e forcave nacionaliste, me ato forca që i kishin mbetë besnike, Hakiu bjen n’marrveshje me Xhevat Starovën dhe të dy bashkë vendosin planin për nji sulm të dytë kundra komunistave.
Me 4 mars1944, Hakiu hyni n’Mokër në ditën e orën e caktueme, simbas marrveshjes me Xhevat Starovën, pa ndeshun asnji rezistencë. Komunistat të cilët kishin qenë t’lajmruem për kët sulm, kishin lanë vendin e ishin futë ndër pyje. Në mbramje fuqia e Hakiut u shpërnda për të bujtë ndër shpija të katundit Dunicë. Komunistat të lajmëruem për mosluajtjen prej Pogradeci të fuqisë së Xhevat Starovës, me nji forcë prej 600 vetash, të komandueme prej Tuk Jakovës, Misto Trecka, Tele Baci, zunë shtigjet e daljes prej katundi e në mëngjes të 5 marsit 1944 filloi luftimi. Në kët përleshje Hakiu ra dëshmorë, në katundin Mokër-Dunicë.
Të ramë dëshmorë e pushkatuem mâ vonë, prej shpisë Blloshmit janë: Major Aziz Blloshmi, Kapt. Shahin Blloshmi, Kapt. Shefqet Blloshmi (vllau i Hakiut), Bajram Blloshmi, Sabri Blloshmi, Nel Blloshmi, po ashtu edhe kryetarë çetash e bashkëpunëtorë të Hakiut kundër komunizmit: Shefki Kreka, Sadik Trebinja, Adem Kapri, Adem Çela, Halim Spahiu, Refat Belba, Ramadan Gjona, Xheladin Selca, Selim Kopaçi.
Të përulemi me veneracion para kujtimit të këtyne dëshmorëve të cilët me gjakun e tyne ujitën tokën arbnore tue luftue për Lirinë e Atdheut dhe shpëtimin e popullit shqiptar prej komunizmit.
Prof. Ernest Koliqi
Dokumente nga arkiva e familjes, Ervina Toptani

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.