back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Hakërrim… poezi nga Ali Asllani

Gazeta

[youtube]http://youtu.be/w2Ta0TIc2Tk[/youtube]

Reshat Arbana – Maskarenjte – Ali Asllani

Sistemi bankar - Sistemi qeveritar - Populli
Sistemi bankar – Sistemi qeveritar – Populli

Hakërrim… poezi nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra, mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’e ças,
Për çakallin, nat’e errët, është ras’e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’e tija, djers’e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, “tutti quanti come vuole!”

Nënshkrim i zotris’ suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar decorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur(!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’

dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!
Grand Cordon i zotris’ sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vremosur;

dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarrë,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që përdita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veçse vul’e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni patur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!

As ju hahet, as ju pihet, vetem titulli ju kihet…
Teksa fshat’i varfer digjet… kryekurva nis e krihet!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!

Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe…

kukuvajka gjith’ me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!
Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…

Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdojë, puthni këmbën e armikut!

Që ta kesh armikun mik e pandehni mënçuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanikë, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vëndi qënka sofr’e qorrit, vlen për goj’e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku shokut krreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’i errët, vjen e bënet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta d’rmon hekur!
Shkruar në vitin 1942

Poeti Ali Asllani (1884-1966)
Poeti Ali Asllani (1884-1966)

Ali Asllani, poeti i dashurisë

Ali Asllani u lind në Vajzë të Vlorës, ku që në moshë të re mbeti jetim. Në Vlorë ai kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin “Zosimea” në 1888. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga antarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit, filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës. Më 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912, punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarsisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri në 22 janar 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princi Vidit shkoi disa kohën në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10.11.1915-1.1.1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por meqënëse kundërshtoi pushtimin u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 – 5 nëntor 1920, ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921-1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretari parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930-1932, ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934, përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua antar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952, mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.
Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën “Hanko-Halla” në 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960-’66 përmendim: “Vidi – vidi pëllumbeshë” (1960), “Shqipëria kryesorja” (1961), “Vajzat dhe dallëndyshet” (1964), “Kur merr zjarr rrufeja” (1966) dhe pas vdekjes iu botua në 1973 “Poezia shqipe”. Është autori i këngës së njohur “Vlora, Vlora”.
Pas viteve ’90, iu botuan disa libra si “Poezi të zgjedhura” në 1996, dhe “Vidi, vidi pëllumbeshë” në 1999.
Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.
Aktori i Teatrit kombëtar Bujar Asqeriu së fundi ka nxjerrë në treg një kasetë me poezitë më të bukura të poetit Ali Asllani
(marrë nga Wikipedia)

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Aktuale kjo poezi që duhet recitu çdo ditë, para lajmeve në televizor, sa për t’i kujtu se populli vëren veprimet e tyre, që janë shum, pasi dalin edhe në mbrojtje të megavjedhjeve, si të thesareve dhe parave të bankës. Mbrojtja bahet kur flasin (për pavarsinë e bankës (për të vjedhë) dhe kur nuk flasin në mbrojtje të vendeve të punës të pamerituara aty për femijtë, gratë, motrat. etj.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.