back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Guri i Bardhë dhe gjurmët e gjalla të Pjetër Budit nga Blerina Gjoka

Gazeta

Behar Gjoka - studiues i Pjeter Budit
Behar Gjoka – studiues i Pjeter Budit

Guri i Bardhë dhe gjurmët e gjalla të Pjetër Budit

nga Blerina Gjoka

Ka plot arsye pse banorët e këtij fshati të vogël e të varfër,
të gdhihen e ngrysen me një ndjenjë krenarie,
që i ushqen fëmijët që kur lindin.
Është natyra madhështore që të lë pa frymë,
janë gjurmët e kohës së Skënderbeut,
janë gjurmët e Rrugës së Arbrit,
që po rigjehen në një projekt të ri…
por më shumë se këto, është një emër njeriu,
bir i këtij fshati, që e ka shënjuar këtë vend përgjithmonë
si “vendlindja e poetit”, Pjetër Budit…
Blerina Gjoka, Guri i Bardhë, Mat

Shtepia e Pjeter Budit - Guri i Bardhe
Shtepia e Pjeter Budit – Guri i Bardhe

Nëse do të kishim ndjekur Rrugën e Arbrit, në Gur të Bardhë do të kishim mbërritur për një orë e gjysmë prej nisjes nga Tirana. Por, me itinerarin Tiranë-Burrel e mandej Burrel-Guri i Bardhë, na u deshën afro 5 orë për të mbërritur. Një grup studiuesish, gazetarësh e admirues të Pjetër Budit, poetit, atdhetarit dhe priftit, që u lind në ato troje 450 vite më parë lindi dhe shkroi shqip – duke na lënë një nga dëshmitë e rralla – më 23 prill u nisën të kremtonin ditën e tij të lindjes. Në mungesë të një datëlindjeje të dokumentuar (vetëm viti i lindjes dihet – 1566) nuk kishte ditë më të mirë për të festuar lindjen e poetit se sa Dita Botërore e Librit.
Ka plot arsye pse banorët e këtij fshati të vogël e të varfër, siç janë pothuajse gjithë zonat rurale të vendit, të gdhihen e ngrysen me një ndjenjë krenarie, që i ushqen fëmijët që kur lindin. Është natyra madhështore që të lë pa frymë, janë gjurmët e kohës së Skënderbeut, duke nisur me kështjellën e Petralbës (ku ai mbante gruan dhe fëmijët), ura e Vashës e të tjera si ajo, që datojnë që nga koha e Arbrit, janë gjurmët e Rrugës së Arbrit, që po rigjehen në një projekt të ri…por më shumë se këto, është një emër njeriu, bir i këtij fshati, që e ka shënjuar këtë vend përgjithmonë si “vendlindja e poetit”.
Pjetër Budi, lindi fiks 450 vite më parë në këtë fshat dhe kaloi fëmijërinë e rininë e parë deri 21 vjeç, këtu.
Ende ka trashëgimtarë të Budëve të vjetër, të cilët gjatë pushtimit të gjatë osman, kur u ndërrua dhe feja nga katolikë në myslimanë, tashmë quhen Boda.
Pavarësisht ndryshimeve që solli pushtimi dhe shekujt, ata të gjithë dinë gjithçka që ka lidhje me këtë vend. Të flasin për kisha të vjetra të rrënuara, flasin për shkollat e dikurshme, (ku mendohet se është shkolluar dhe vetë Budi), flasin për urat e kalatë dhe ndriçimin e qytetërimit të dikurshëm.

Sofie Boda - pasardhese e Budeve
Sofie Boda – pasardhese e Budeve

Behar Gjoka, drejtori i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” në Tiranë, autor i librit “Poetika e Budit” dhe nismëtar i këtij udhëtimi, flet për vlerat e kësaj shtëpie.
“Rreth 160 vjet më parë është ngritur kjo shtëpi ku jemi sot, mbi trojet e shtëpisë së lindjes së Budit. Gjatë rindërtimit është ruajtur struktura, hapësirat e odave, pra kur themi jemi te shtëpia e Budit, jemi në trojet ku ka lindur Budi”.
Shtëpia është shpallur Monument Kulture zyrtarisht, por asnjë restaurim dhe mirëmbajtje nuk është bërë nga shteti. Përkundrazi, pasardhës të Budit që kanë banuar në këtë shtëpi kanë bërë restaurimet në mënyrën e tyre, duke shkatërruar shumë nga vlerat muzeale të saj.
“Shtëpia është mirëmbajtur për të banuar trashëgimtarët, por jo me vlerat monumentale. Për fat të keq, hap pas hapi, materialet që përfaqësojnë monumentin kanë nisur të zëvendësohen me materiale të çfarëdoshme nga të zotët e shtëpisë. Tavani është bërë më material plastik, dyshemeja është shtruar me pllaka qeramike industriale. Për restaurime të jashtme as që bëhet fjalë, ndërsa për nevoja jetese familja Bode ka bërë ndërhyrje që të vjen keq se nuk duhet të ishin lejuar në një Monument Kulture. Por s’mund të bëhen me faj për këtë të zotët e shtëpisë. Mirëmbajtja dhe restaurimi i takon Institutit të Monumenteve të Kulturës”, shprehet Gjoka.
Kalldrëmi mbi 500-vjeçar ku ka shkelur këmba e Budëve dhe të parëve të tij është ende aty. Rreth 10 Monumente të Kulturës, që shënjojnë rrugën e vjetër të Arbrit dhe historinë e vjetër, janë jo shumë larg kësaj shtëpie. Urat, kishat, varret e lashtë janë aty rrotull si një dokument historik i lënë pas dore.
E zonja e shtëpisë tani është Sofie Bode, e cila jeton vetëm pasi fëmijët janë larguar për ta ndërtuar jetën e tyre larg nga fshati.
Ajo është kaq e lumtur që ka kaq shumë njerëz në shtëpi. Na tregon një tra druri që mban tarracën e ballkonit të shtëpisë. “Është dru 400-500 vjeçar, nuk ka lëvizur që aty ky dru, që kur është ngulur për herë të parë”, thotë.
Ajo tregon se para ca vitesh disa shkencëtarë gjermanë i kanë shkelur në shtëpi, duke kërkuar gjurmët e Pjetër Budit.
Një tjetër vizitor i rëndësishëm ka kaluar në këto anë. Nga gazetat e kohës mësohet se poeti Ndre Mjeda ka udhëtuar në Gur të Bardhë në vitet ’30, ka qëndruar e ka folur me banorët e zonës, duke bërë kërkime mbi tezën e tij, nëse e folura e zonës vazhdonte të ruante fjalët e përdorura nga Budi në veprën e tij.
Esat Lasku, drejtori i shkollës së fshatit, që mban emrin e poetit, e ndjen si mision të tij që t’u mësojë fëmijëve çdo gjë që lidhet me djalin arbnor të këtij fshati. Tre djem të vegjël, që gjendeshin pranë shtëpisë, të kthejnë përgjigje të sakta për çdo gjë që ka të bëjë me Budin. “Jemi shumë të lumtur që kemi lindur këtu, ku ka lindur poeti i madh Budi”, thonë njëzëri fëmijët, dhe pse pas ca vitesh, me siguri ata do të duan të ikin që këtu, pasi fshati nuk ofron të ardhme për të rinjtë.
Pas vizitës në fshat, nga ku duken në sfond punimet e reja që kanë nisur për Rrugën e Arbrit të lëna përgjysmë, studiuesit e Budit mbajtën në bibliotekën e qytetit Klos konferencën përkujtimore me temë: “Figura dhe vepra patriotike, fetare dhe letrare e Pjetër Budit”.
Po kush ishte Budi dhe vepra e tij, që në shkollat tona studiohet pak ose aspak, vetëm si pjesë e letërsisë së vjetër shqipe.
Studiuesi i tij, Behar Gjoka, mundohet ta përmbledhë në pak fjali historinë e një jete të shkurtër, por me vlera të mëdha në disa dimensione.
“Qysh në moshën 21 vjeç, shugurohet prift dhe shërben në Kosovë për 29 vite.
Ai merr rrugën e kërkimit të mbështetjes me financa dhe armatime, në Spanjë, Francë, Poloni, etj. Kërkon ndihmë për luftë të përbashkët kundër hordhive osmane. Por nga ana tjetër, lufton edhe për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nga viti 1616 deri në 1621 qëndron në Romë dhe boton veprat “Doktrina e Kërshtenë”, “Pasqyra e t’Rrëfyemit” dhe “Rituali Roman”. Prej kohësh, nga studimet letrare është pranuar dhe pohuar që është poeti dhe prozatori i parë i letrave shqipe”.

Guri i Bardhe Vendlindja e Budit
Guri i Bardhe Vendlindja e Budit

Vdekja e tij shpjegon edhe sakrificën e tij si patriot e meshtar i gjuhës shqipe, një vdekje që ka misteret e saj të pazbardhura deri më sot.
“Në dhjetorin e largët, 1622, Budi mbytet, vdekja e tij nuk ishte aksidentale, por e projektuar prej kohësh. Ende historia e emërton vrasjen e tij, si aksident, ndërsa Frang Bardhi, më 1642, sillte argumente të qarta se ishte një zhdukje në valët e Drinit. Budi ka qenë gjurmuar qysh nga viti 1616, kur shkon për herë të parë në Romë. Me të ishte dhe Nikollë Leka, e deri ditën kur u nda nga jeta”, thotë Gjoka.
“Budi, është martir i gjuhës shqipe, është poeti pa varr, është heroi që dha jetën për fjalën shqipe, si bari shpirtëror dhe si shkrimtar”.
Shumë shkolla në vend, këtu dhe në Kosovë, kanë marrë emrin e tij, pas 4 shekujsh e gjysmë, Budi kërkon respektin që i takon. Një restaurim i mirëfillte i shtëpisë dhe shpalljen e saj muze, një botim dinjitoz i veprës së tij dhe studimi i tij i mirëfilltë në shkollë, të gjitha këto propozime u bënë nga organizatorët e kësaj dite përkujtimore në nder të tij.
Marrë nga http://www.mapo.al/2016/04, 27 Prill 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.