“Grimca”, në vend të “requiem” për Lume Blloshmi -nga Fatmira Allmuça

Lumturi Blloshmi - Autoprtret

Lumturi Blloshmi – Autoprtret

“Grimca”, në vend të “requiem” për Lume Blloshmi

nga Fatmira Allmuça

28 tetor 2020…. Messenger…
-Lume je në shtëpi? Kam sjellë vajin
-Tani?
-Po. 2 minuta
-Ok. Eja sipër. Pa veshur jam
-Hape derën. Jam tek dera
…Nga ta mendoja që ky do të ishte takimi i fundit me Lumen!?
Mundohesha të mos e “bezdisja”, prisja që të ishte ajo e para që të më shkruante…
…Zbritëm poshtë dhe porositëm kafenë si zakonisht dhe në vend të ujit… le të marim nga një “teke” i them… për të nxehur bisedën. Qeshje pa fund. Faleminderit që më kujton… Lume, mos më falendero. Është kënaqësi e veçantë takimi me ty…
Jam e trishtuar. Vetmia më trishton. Nuk jam mësuar të bëj shtëpiaken. Ndoshta kam gabuar që kam marë këtë shtëpi. Këtu komshinjtë janë të pasur, por pa nivel. Në shtëpinë e vjetër më njihnin të gjithë dhe më respektonin shumë… Shpesh më ndihmonin edhe në punët e shtëpisë… Sheh celularin dhe më kërkon ndjesë. Më duhet të shkruaj se është një nga Kosova që më shkruan për një projekt. Kërkon të hapë edhe një ekspozitë… Ç’është kjo kohë kështu. Më ka hyrë frika. Un’ para 8 viteve i kam thënë miqve të mij, që një njeri i madh ka thënë se vdekja do të na vijë nga globalizmi…

It’s a Wonderful Life - Lume Blloshmi

It’s a Wonderful Life – Lume Blloshmi

Të lutem do të hamë bashkë. Sapo kam ngrënë Lume, të thashë edhe më parë që hëngra mëngjesin shumë vonë. Unë, nuk kam ngrënë, eja të hamë bashkë. E ndjeva që nuk duhet të kundërshtoja… Ndërkohë që porositëm nga një supë peshku, në një dyqan të sapohapur poshtë pallatit ku banonte Lumja, që krahas tregtimit të peshkut të frekët edhe gatuanin me porosi, u ulëm në kafenë përballë, pasi na ftoi B. K. një komshi dhe mik, që dhe ai si ne, priste porosinë.
Kush është profesioni yt? Më njeh ti mua!?… Po, i tha. Unë banoj në rrugën e Shehbegve dhe të njoh që nga fëmijëria. Je piktore e madhe! Sa u lumturua, i qeshën sytë… 
…sa mirë që nuk han bukë, prandaj je e hollë… supa qenka lëng pa shije… E nxehim me nga një raki’, i them… hahahahahaaaa… zgjidhe vetë rakinë, se kam disa shishe …Zgjodhëm një muskat. Qenka raki e mrekullueshme Lume, sidomos në këtë kohë Covid-i, të djeg mikrobet… hahahahaha… E ç’na duhet supa, kur kemi raki kaq të mirë… qeshnin me zë të lartë. Nuk e di ku e kam blerë, por më pëlqen t’i kem gjërat cilësore… Ndjesë, po më shkruan prap ai nga Kosova. Duket njeri korrekt. Kërkon të hapë edhe një ekspozitë me pikturat e mia, por unë, përveçse nuk mundem të realizoj transportin, më duket një çikë e tepërt në këtë kohë pandemie. Marr pjesë me kënaqësi i thashë, por nëse e hap ekspozitën në Tiranë. 
Më pas i them, Lume për sot e “dogja” katundin se u bë vonë… a i hedhim këto që ke mbledhur këtu… Jo, i kam mbledhur për një instalacion… Më ka ikur dëshira të pikturoj… Shiko sa tabllo kam, as vetë nuk e di se ç’kam. A vjen një ditë dhe i kontrollojmë? Po i them, por më parë të heqim këto që të thashë… Si të duash më tha, sikur donte që të vendosja unë. Morëm qeset dhe i hoqëm të tëra sa kishte mbledhur… Sa mirë bëre, sikur u çlirova… Sapo e ndjeu që do ikja… eja me mua, si për të më mbajtur edhe pak dhe, për të disatën herë më tregonte pikturat në dhomën e saj të gjumit… e shikon këtë pikturën këtu!? Vlen miliona! por unë nuk e shes… Këtu jam unë e zhveshur me një medalje… Shkak u bë A. H. Kur i thashë njëherë se përse nuk më kishte ftuar në ekspozitën e radhës… dhe e di si mu përgjigj!? Po, ti Lume nuk ke marë tituj… Ahaaa… ju përgjigja dhe në moment më lindi ideja e kësaj pikture… Unë lakuriq me “medaljen”… hahahahahaa… E kanë vlerësuar shumë… Isha me A.H., kur më tha që është pikturë e bukur. Faleminderit ty që më nxite dhe më dhe idenë, i thashë. Qeshi…

Lume Blloshmi - Medalja

Lume Blloshmi – Medalja

…Po të përcjell dhe ta mbyllim ditën me ëmbëlsirë dhe kështu përfunduam në pasticerinë ngjitur… Faleminderit që më kujton… Lume, mos ma thuaj më këtë. Ti je grua e rrallë. Është privilegj të të kesh mike! Puthëm njëra-tjetrën me dorë… 
Do të ishin fjalët e fundit që shkëmbyem… Lamtumira, më mirë të themi… 
…Meshkujt nuk me kane sulmuar. Tek- tuk ndonjë… por femrat shumë. Ndoshta është xhelozi. S. V. duket sikur më do, por asnjëherë nuk më ka promovuar. Nuk e di se ç’i bëra N. B. që nuk me flet më… Më mban inat dhe pse!? Sepse një ditë, gjatë një bisede i thashë: po ti ke mbaruar për letërsi, duhet ta dije këtë… që nga ajo ditë nuk më flet më. Unë nuk ja thash’ me të keq… Unë i vlerësoj shumë talentet. P.sh Zamfira me Adin kanë evoluar shumë. Adi punon shumë dhe më pëlqen… I kam mbështetur me komentet e mia, nuk e di pse nuk më ftojnë më nëpër aktivitete. Nuk kam nevojë për emër se atë e kam, por për shoqëri…
…Kam patur njëherë një kërkesë për t’u martuar dhe për të lënë Shqipërinë, por që në takimin e parë më tha që lere pikturën… I thashë faleminderit që ma the që në fillim… piktura është gjuha ime! Piktura është jeta ime… Po më hoqe pikturën më ke hequr lirinë, jetën!
Më kujtohet kur punoja në shtëpinë e librit… sa herë që nxehesha e shprehja me pikturë… ma kishin hequr “vizën”… e ka bërë Lumja këtë dhe nuk më ngacmonin për partishmëri…
Mira, unë nuk kam lindur kështu. U bëra kështu në moshën 5 vjeç …I besoj syrit se më ndodhi mbrëmjen e asaj nate që unë dhashe koncert dhe kam kënduar arie nga operat… Imagjino një fëmijë 5 vjec që këndonte muzikë klasike. Më duartrokitën shumë, por që atë mbrëmje me hipi një temperaturë e lartë dhe më la me këto pasoja. Nuk kam lindur kështu, se po të kisha lindur kështu, nuk do të isha në gjendje të komunikoja fare… Mamaja ka vuajtur se në një natë të errët erdhën në shtëpi dhe morën babain gjoja për ta pyetur dhe në fakt e vranë që atë natë. Babai im ishte nga fisi i Blloshmëve dhe të gjithë ishin me shkollë të lartë. Me mamanë është martuar dashuri me shikim të parë, se ai ishte shumë i pashëm dhe kishte mundësira pa fund. Mamaja ime ka qenë shumë e bukur dhe e ka dashur babain dhe nuk është xhelozuar kurrë edhe kur gjatë mbrëmjeve galà i vardiseshin femra të tjera. E shikon këtë pikturën këtu, kjo është mamaja ime dhe kjo tjetra është bërë nga unë, sipas kësaj fotoje. 
E shikon këtë pikturën këtu? Është Papa Kristo Negovani… e kam stilizuar në të kuqe… ashtu siç e vranë…
Lulet i kam patur debulesë dhe i kam pikturuar shumë. Ja sepse më pëlqen që t’i hedh në fb ato lule aq të bukura që unë i kam pikturuar dikur.

Vilson Blloshmi dhe kushërira e tij piktorja Lumturi Blloshmi

Vilson Blloshmi dhe kushërira e tij piktorja Lumturi Blloshmi

Këtë pikturën këtu e ka bërë nipi im… edhe ai ka talent, por mori drejtim tjetër. Është në Amerikë… kohët e fundit ka humbur gruan dhe është me fëmijë… duhet t’i gjejmë një vajzë të mirë… E njoh nipin tënd se është shok me nipin tim… edhe emrat i kanë njëlloj… Ahaaa po me E. H. lëre ate se ai është gjeni… Si e ka bërë Zoti atë njeri… Me ke premtuar të më çosh në Ibë. Më pëlqen shumë fshati. Edhe me motrën jam takuar me ty. Më ka ftuar… Shkojmë kur të duash Lume. Motra ime gatuan mirë me të vërtetë…
Këtë portretin ma ka bërë profesori im Myrteza Fushekati dhe këtë portretin tjetër e ka bërë Sali Shijaku… Këtë autoportretin e kam bërë me një stil të veçantë dhe kjo piktura tjetër shpreh jetën time… e kam bërë pasi i thashë miqve të më bënin një foto, ndërsa notoja në Dhërmi… Jam duke dalë nga dallgët… Nuk kisha se si ta bëja ndryshe, më duhej të shihja veten nga mbrapa… Ky portreti nuk është i arrirë ndoshta, por e ka bërë një mikja ime piktore. Po pikturonim njëra-tjetrën dhe kështu më mbeti mua… Këtë portretin tjetër e ka bërë Mustafa Arapi, nuk e di në e njeh. Posi jo! – i them. Përveçse është mik më tim vëlla është edhe burri i Xhixhit, piktore dhe ajo. Lerë vëllain tënd. Është piktor i madh. E di pse më pëlqen!? Se ashtu si mua është konceptual! Si mund të jesh piktor pa patur koncept!???
Po albumet e mia i ke parë… le t’i shfetojmë… dhe për çdonjërën fletë ka një koment… Figurat e Matisse i kam realizuar me lëkura portokalli… Këtë “parzmoren” që kam veshur në këtë foto art e kam bërë me blisterat e ilaçeve… si ato që sapo hodhëm…
Dua të bashkëpunoj, por këta janë të pangopur. E di ti që A. X. më tha se mund të më ndihmonte të hapja një ekspozitë. Erdhi këtu dhe pa u ulur mirë më tha: këtë pikturën ma jep mua. Edhe këtë. Edhe këtë tjetrën… po unë me artin jetoj. Si mund t’i fal asaj që ka miliona!? Nuk u afrova më kurrë…
E pe që E.R. më uroi ditlindjen? Në fakt m’u bë qejfi se u kujtua vetë, ndërkohë që shumë të tjerë më kanë “harruar”…

.

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook