Gojëdhëna e përrallëza të botës shqiptare – nga Artan Kafexhiu

Portret i Ramadan Sokolit, Buron Kaceli)å

Portret i Ramadan Sokolit, Buron Kaceli

Gojëdhëna e përrallëza të botës shqiptare

nga Artan Kafexhiu

Ky është titulli i një prej librave studimore të Prof. Ramadan Sokolit. Ai e nis librin kështu: “Kur isha çun i vogël, shpeshherë, në shtëpinë tonë, në Shkodër, vinin përbujtës fshatarë poshtakë, nga trevat kodrinore e fushore. Pas darkës futesha mes syresh, e si kureshtarët e përhershëm, u lutesha të më tregonin për vendbanimet e tyre, për kullotat në stanet e bjeshkëve, e për kreshtat e maleve me borë të përherëshme, për luginat e lëndinat, për krojet e për ujvarat me ujë të ngrimë, për pamjet e bukura të natyrës e për vende ngjarjesh të shënuara… Dhe nuk ngopesha së dëgjuari rreth shëmtirave, xhindeve dhe sabaregjetheve, apo rreth xhuxhëve që jetuakan në të çarat e shkembinjëve… apo për Hijet e Pëlhurëzave, për Flamën e Syqenëzit, për Nënën e Vatrës, për Shtrigat e Shëmtuara, me pamje plakash hundëmëdha, gungaçe… Ashtu, të shëmtuara e cullake me nga një shkop mes gishtave si çaponj, që kërcejnë e vallëzojnë rreth flakadajve së toku me disa qenie të neveritëshme brinoce e leshtore me këmbë si të cjapit…”
Libri i R. Sokolit është një dëshmi mjeshtërore se si Shqipëria, ashtu si çdo vend tjetër i kontinentit të vjetër, ka qenë e mbetet një djep mitesh, gojëdhënash, përrallash, etj. Mitologjema shqiptare, përngjan si dy pika uji me të gjithë narrativën, modelet tipike europiane, si në strukturë, ashtu edhe në mesazhin universal. Martin Camaj, poeti dukagjinas, i detyruar me u arratisë prej atdheut, e me u gjendë në rrugët e mërgimit të detyruar, na sjell një pamje të ngjashme të shpirtit të folkut shqiptar, i prirur drejt mitologjizimit të historisë e kulturës së vet. Në poemen e tij me titull Hoja (Palimpsest, 1991), – një figurë magjistrice gege, më shumë imagjinare, që endej qytetit të Shkodrës, – na sjell poetikisht mesazhin universal mesdhetar të gojëdhënës popullore:
.
“Mundet se ka qenë në Shkodër
Ose dikund ngjeti një qytet në Mesdhé
I lyem në gëlqere e entuziast ndërr rreze
Midis pazarit të mbytun në ujë
janë zhdukë mija ngjyra të folklorit…
.
Hoja, grueja e marrë, magjistare,
E veshun nuse 100 vjet e thrrèt
e thrrèt e kercen rreth pusit venecian
.
Jo mâ në Pazár, po në qytèt dhe turma
i brohorit në jehonë madhështore:
Hoja, Hoja, Hoja!”
.
Ramadan Sokoli - Gojëdhënena dhe Përrallëza te botës Shqiptare

Ramadan Sokoli – Gojëdhënena dhe Përrallëza te botës Shqiptare

Folku shqiptar mbështetet në historitë imagjinare, legjendat, ku protagonistët janë heronjtë, të cilët në shumicën e rasteve janë karaktere historike. Pavarsisht mozaikut të ndryshëm, e përbashkëta me mitologjemën europiane, ështe modeli i unifikuar i narracionit mitik. Mitet, legjendat përgjithësisht, mbështillen rreth një bërthame të vërtetë, por në udhën e tyre të gjate historike mbeten pragmatike. Prof. Sokoli në vazhdim shkruan: “…Hulumtimet në këtë rrafsh nuk marrin shkas nga kureshtia e kotë, por nga dëshira për t’u njohur sa më mirë me disa anë te traditës popullore, si dhe me mendësinë e popullit tonë… Gjithsesi ato kanë shërbyer për brymosjen e breznive pararendëse me porositë e këshillimet e dobishme.” (idem RS)
Siç dëshmohet, qëllimi i përdorimit të narracionit folklorik, – është për nevojat që ka shoqëria, aspektin utilitar të tyre, ku në shumicën e rasteve, jetëgjatësia e motive të këtyre gojëdhënave, i ka shërbyer ngjizjes së shoqërisë në përgjithësi, etnisë shqiptare në veçanti, duke luajtur rol edukativ, emancipues. Këto aspekte i ka përmbledhur fort bukur Prof. Sokoli në librin e lartpërmendur: “…Lufta kundër vështirësive është pjesë e pashmangëshme e jetës. Me përpjekje e me qëndresë të paepur kundër syresh kaliten njerëzit dhe arrijnë të kuptojnë më mirë vetë vështrimin e thellë të jetës. Lum kush qëndron pa u ligështuar. Pikërisht ky ështe mësimi i shumicës së gojëdhënave me gjithë ngarkesën e vuajtjeve dhe mizorive, pra në përforcimin e bindjes se pa përpjekje e pa qëndresë të vendosur askush nuk ngadhnjen dot.” (idem RS) Shtjellimi i tyre është simbolik, kërkon të legjitimizojë rreziqet dhe sakrificat e bashkëkombasve, sherben si mjeti më efikas për një zgjim kultural, emocional, ndërgjegjësues e çlirues. Influenca e mitologjemave, jo vetëm që nuk është zbehur, por përkundrazi, vazhdon të mbetet një forcë e fuqishme, që me mesazhet e tyre influencon jetën dhe mendimin e bashkësisë.
Mitologjemat në rastin e Europës, vazhdojnë të luajnë një rol të veçantë, në ngjizjen e një kulture të përbashkët europiane, duke i rreshtuar europianët në idealin e bashkësisë. Mitet europiane u bënë edhe më të vlefshme edhe për cilësinë vetëhulumtuese të tyre, për të gjetur qoftë gabimet, ashtu edhe meritat në mitet e mbrritura në ditët tona. Në lidhje me djepin e përbashkët të gojadhanave, Prof. Sokoli hulumtoi dhe shpjegoi me kthjelltësinë, thellësinë e një shkencëtari, edhe origjinën e tyre të lashtë, e cila humbet në thellësinë e kohës, si edhe të përbashkëtat me mitologjine dhe folklorin europian.
Ai shkruan: “Hulumtimet dhe studimet krahasimore e kanë provuar katërcipërisht se djepi i shumë personazheve të mitologjisë mesdhetare nuk është Olimpi i Greqisë; si shembull, Hyjnia Dioniz ishte huazim prej Trakëve, ose Pani, pajtor i barinjve, kullotave e kopeve, ishte me prejardhje ilire. Kështu mendohet për sa e sa personazhe të tjerë.” (idem RS)
Në morinë e teorive të origjinës së miteve, Ramadan Sokoli ishte mendjehapur përsa i përket karakteristikave të përbashkëta të mitologjemave europiane, përfshirë ato shqiptare, e sjell në vemendje teoritë që përforcojnë idenë e ekzistencës paralele të shumë qendrave të kulturës mitformuese, të përvojave të ngjashme të popujve të ndryshëm, atë ç’ka ka përjetuar tërë njerëzimi, përgjat mijravjeçarëve, zhvillimet e pavetëdijëshme të psikologjisë kolektive, etj.
.
Oxhaku i Sokolajve rreth të cilit Ramadani  dëgjonte rrëfimet

Oxhaku i Sokolajve rreth të cilit Ramadani dëgjonte rrëfimet

Në mënyrë të veçantë, ai përmend “Gesunkenes Kulturgut”, që në thelb është e njejtë gjë me teorinë e britanikut, Lord Raglan, të një “origjine ritualistike” të folklorit; rite, traditë që krijohen nga shtresat e larta të shoqërisë, pra prej naltë zbret poshtë, në masën e popullit, për të celebruar ngjarje, momente, me rëndësi jetike për një bashkësi. Studiuesi e folkloristi i mirënjohur rus, Vladimir Propp, është kritikuar nga marksistët rreth rrymës historike të përrallave popullore, si jo historike, sepse sipas atyre, “i shmanget shqyrtimit konkret të ngjarjeve historike”. (idem RS) Argumenti thelbësor i Propp-it është se, mitet, gojëdhënat janë krijuar, e udhëhequr kryesisht prej karaktereve, personazheve njerëzorë, që lëvizin në to, dhe e gjithe narrativa e mitit zhvillohet në bazë vendimeve dhe veprimeve të tyre. Gjë që e dëshmon krejt qarte edhe tradita folkorike shqiptare. E vërtetë, mitet, gojëdhënat, në udhëtimin e tyre të gjatë kohor, zhvishen nga të qënurit specifik, rreth një epoke apo ngjarje historike, ata marrin me kohë karakter përgjithësues. Ketë vëren edhe Prof. Sokoli: “Vetëkuptohet se popujt e ndryshëm kanë krijuar gjatë shekujve gojëdhëna e përrallëza të ndryshme. Por pavarësisht ndryshimeve, ato kanë shumëçka të përbashkët.” (idem RS)
Historia specifike është fshirë, ajo çfarë ka mbetur është motivi dhe morali i gojëdhënës. Kjo gjë, mund të vërehet lehtë edhe në shoqëritë moderne dhe postmoderne, e në shumë fusha të artit, duke përfshirë edhe ato, që i konsiderojmë sot si “legjendat urbane”.
Mitet, gojëdhënat janë frymarrja që ngjiz idealin e bashkësisë, çfarë është e mirë (simbolikisht e bardha) e çfarë është e keqe (simbolikisht e zeza); çfarë e motivon përgjithësisht një bashkësi. Ideali i bashkësisë, nuk huazohet nga popujt e tjerë, por përftohet vetëvetiu si cilësi natyrale e bashkësisë; e cila organizohet kryesisht rreth bërthamës së gjuhës dhe origjinës etnike, me shtresëzimet dinamike gojore nga brezi në brez, duke sjellë ndryshime e tjetërsime në mënyrën se si shtjellohen gojëdhënat deri në ditët tona.
Ramadan Sokoli, na kujton se përveç konflikteve dhe përleshjeve me fqinjët, “…nuk kanë munguar marrëdhëniet e ndërsjellta të stërgjyshëve tanë” me fqinjët, apo edhe më gjerë; “…marrëdhenie të cilat shëmbëllejnë me baticat dhe zbaticat e detit”. (idem RS) Është për t’u sjellë në vemendje se, “në përrallëzat popullore shqiptare janë hetuar disa tema e disa motive me ato të Ezopit.” (idem RS) E jo vetëm të Ezopit, por edhe të tragjedisë të Edipit, apo të “Grues Besnike”, sikur të kishin dalë prej bartëve homerike, por në kontekse dhe motive, të cilat shkriheshin natyrshëm me ambjentin kanunor, kristian, apo pagan të jetës tonë malcore. Tema e motivet e përbashkëta në gojëdhënat malcore janë qëmtuar prej vizitorëve të huaj, apo fretërve françeskanë nëpër trevat e thella të Malcisë, të izoluar me shekuj prej influencave të gjuhës së lëvruar, vende ku nuk njihej shkrimi e këndimi. Madje, na duhet të kujtojmë se vetë Homeri hyri, e u përhap më gjerë si tekst leximi në Kanonin Perëndimor, vetëm diku midis shekujve 17-18-të. Ndërkohë, gojëdhëna e djalit që martohet me nënën e vet (miti i Edipit), tregohej në Dardhë të Pukës, mbi një shekull më parë; apo studiuesi, Pater Mark Arapi, na përcjell se çfarë kishte dëgjuar prej gojës së një malcoreje në Pult të Dukagjinit; gojëdhënën për gruan besnike, “pëlhura e së cilës nuk përfundonte kurrë, sepse çka endëte ditën e çthurte gjatë natës.” (idem RS).Unë veç sa ceka në sipërfaqe hulumtimin kompleks shkencor të Prof. Sokolit, për me arritë me ngjallë interesin e duhur të lexuesit të këtij shkrimi rreth librit të tij, “Gojëdhanat e përrallëza të botës shqiptare”. Libri është një minierë hulumtimesh erudite të folklorit gojor shqiptar, më shembuj dhe analiza, që të hapin një botë te magjikshme të pasurisë shpirtërore-kulturore të shqiptarëve si etni. Së fundmi, libri do të mundte në këtë mënyrë, të shuante sadopak kureshtjen e çdo lexuesi, pavarsisht përgatitjes profesionale e arsimore.Po e mbyll këtë shkrim me pjesë të një paragrafi nga libri i sipër përmendur, që na sjell përsëri atë çunin, pra profesorin, R. Sokolin atëbotë riosh, por plot pasion dhe ëndrra, si dëshmi e rrugëtimit të tij të gjatë për të arritur në majat e kulturës shqiptare: “Përshtypje të thellë më linte veçanërisht gojëdhëna tronditëse e Rozafatit. Duke e dëgjuar, kridhesha në përfytyrime pafund rreth mjeshtrave të djersitur, që përlesheshin me blloqet e gurëve, rreth tradhëtisë të dy vëllezërve kundrejt vëllaut më të vogël, rreth përfundimit tragjik të Rozafës; pastaj rreth sulmeve dhe luftimeve të përgjakëshme pranë atyre ledheve. Asokohe, nuk e kuptoja ende domethënien e kësaj gojëdhëne, nuk kuptoja se çdo ngrehinë për të qënë e qëndrueshme kërkon flijime në themel; as nuk e kuptoja se kundrejt mbijetesës së përkohëshme, nëpërmjet tradhëtisë, ngadhnjen përjetësisht shembulli i besës së mbajtur. Së fundmi, nuk e kuptoja se ai qumështi i pashtershëm i Rozafës së flijuar, nuk është vetëm shujtje e foshnjes, por është simboli i amësisë dhe shëmbulli i lidhjeve familjare.” (idem RS)
.

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook