back to top
20.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Globalizmi, Komunizëm Integral – nga Alfons Grishaj

Gazeta

Globalizmi... sipas Salvator Dali
Globalizmi… sipas Salvator Dali

Globalizmi, Komunizëm Integral

nga Alfons Grishaj

Gjithë këto vite kam vrarë mendjen pse pala demokrate Amerikane përkrah Globalizmin që, në tre dekadat e fundit është tregëzuar në masë si shpëtim i botës?! Sepse, globalizmi indirekt është filozofi Marksiste, përdorur dhe ngritur nga anti-nacionalisti, anti-kapitalisti, neoliberali, David Harvey, i cili u mundua që zehrin e komunizmit ta kthejë në teori “mrekullibërëse” për botën, përpjekje për të qorruar dritën dhe mirëqënien e kapitalizmit. Amerika nuk ka qenë asnjëherë globaliste… një filozofi e vjetër komuniste me një “kontorno të re”. Filozofia e kapitalizmit dhe pragmatizmit amerikan është bazuar dhe zhvilluar mbi kapitalin dhe besimin në Zotin dhe jo mbi teoritë eteriane nihiliste. Unilateralizmi dhe multilateralizmi amerikan ka poseduar një filozofi në vete… mbrojtje dhe bashkëpunim në favor të interesave amerikane, dhe e theksoj: në favor të interesave amerikane!
Gjatë Luftës II Botërore, ndërsa bota mundohej t’i mbijetonte kësaj lufte, Amerika dhe Anglia hartonin strategjinë e pasluftës për pesëdhjetë vitet e ardhshme. Sigurisht, gjeopolitika e saj përfshinte dhe vendet aleate në kontekstin e bashkëpunimit. Franklin Delano Roosevelt, Winston Churchill dhe Dwight D. Eisenhower, mendonin që t’u siguronin vendeve të tyre për një gjysëm shekulli, begati, prosperitet, siguri dhe në planin politik. Ruajtja e influencës gjeo-strategjike që ishte dhe është jetike për Amerikën. Sot, ne nuk shohim më mendje të tilla të ndritura, por vetëm politikanë karrieristë, mediokër e revanshistë.
Lufta e ftohtë solli nevojën e NATO-s dhe më vonë OSCE, për t’u mbrojtur nga Traktati i Varshavës, si nga ana strategjike ushtarake por dhe politike të moskthimit të komunizmit në vendet që ishin prekur nga murtaja e kuqe. Po çfarë po ndodh? Pas skadimit të filozofisë 50 vjeçare të luftëtarëve fitimtarë dhe mendimtarëve që shkatërruan pa luftë perandorinë e hekurt të BRSS-së, presidencat e demokratëve patën një shkarje graduale në prehërin e globalizmit, ku vendet e nivelit joamerikan ishin dhe janë të interesuara që të fitojnë sa më tepër prej teknologjisë dhe fondeve të planetit blu.
Të mundurit e mëdhenj, Rusia, Kina krijuan me durim të madh strategjinë e marrjes së kalasë nga brenda, duke frymëzuar dhe financuar filozofinë e globalizmit. Ndryshe bënë Gjermanët me disiplinën e filozofisë së fshehtë të Heidegerit, krijuan një supremaci në Europë (bashkim racional dhe jo globalizëm), duke hapur rrugë për një Europë të bashkuar si nevojë e balancave dhe supremacisë. Projekti gjerman, dukej dhe duket afatgjatë, por Brexit, apo më saktë dalja e Britanisë nga Unioni, ka shtruar një pikëpyetje historike që ka mbetur tash për tash pa përgjigje.
Illuminati (Illuminatus), skeptri i Commonwealth-it të sotëm e shikoi nevojën e lojës së dyfishtë për t’u ribërë faktor, ashtu si në të shkuarën, për të rimarrë kontrollin e eskaliburit të fuqisë drejtuese. Kjo perandori, gjoja e fjetur, është boshti i rrotullimit të botës. Ardhja e Donald Trump, aspak politikan, kalorës i biznesit, nacionalist religjioz, prishi interesat e tri botëve të vjetra, të cilat nuk përkonin me filozofinë unilaterale të Trump, filozofi kjo e aplikuar për herë të parë nga George Washington: “America first!”, Donald Trump ishte i vetmi që kuptoi impaktin e konglomeratit infiltrativ dhe neoliberalëve si kërcënim për Amerikën. Ai e shikoi regresin e jashtëm si kurs konspirativ kundër vlerave, kulturës dhe ekonomisë së vendit. I vetmi gabim që bëri ai, qe politika ndaj emigrantëve, e cila u pa dhe si fobi, dhe ndoshta harroi se shteti amerikan është formur nga vetë emigrantët. Është e vërtetë se emigrantët e 30 viteve të fundit kanë përmbysur balancat e vjetra politike. Kjo përmbysje ka qenë e parashikuar, sepse qasja e PD amerikane ka qenë konstante në këtë drejtim. Ajo kërkon ta shfrytëzojë këtë superioritet me nisma që sfidojnë ligjin e vënë nga baballarët e kombit, atë të elektrovotës, sepse duke e eleminuar këtë ligj, ata besojnë se sigurojnë një pushtet absolut për shumë e shumë vite.
Sipas mendimit tim, Trump e shikoi globalizmin si komunizëm integral dhe u përpoq ta luftonte diplomatikisht. Marrëdhëniet me vendet dhe me botën i vendosi mbi parimet e interesit reciprok, ndërsa koston e paqes kërkoi ta ndante me të gjithë ata që e konsiderojnë veten faktorë. Trump e kishte kuptuar se bashkëpunimi multilateral nuk është funksional, edhe pse në aparencë duket si tillë, por në realitet, është e kundërta, është një gënjeshtër e madhe, një mënyrë për të mos zgjidhur asgjë pikërisht për të lënë ndezur krateret e konflikteve.
Bota gjithnjë ka operuar me disa standarte. Amerika shprehjen “duble standart” e përdor si gjykim për jo trajtimin e njëjtë, por nuk ka qenë e thelluar të kuptojë natyrën e funksionimit të mjaft diferencave, sepse vetë Zoti e ka ndarë botën në standarte të ndryshme: në engjëj e djaj, në të mirë dhe të këqinj, në patriotë e tradhëtarë, në të ditur dhe injorantë, barbarë e të qytetëruar, të pasur dhe të varfër, në të moralshëm dhe të pamoralshëm. Vetëm teoria Marksiste e Manifestit Komunist ka pasur një standart, i cili u shkërmoq si teori dhe praktikë përballë fuqisë kapitaliste dhe demokracisë perëndimore, por që sot mundohet të ringjallet falë mendjeshkurtërve, përmes një teorie relativisht të re dhe të frikshme që emërtohet “Globalizëm!”, term që unë e përkthehej: Internacionalja e Re!
Që nga koha e luftës civile amerikanët nuk kanë qënë asnjëherë më të ndarë se sot!
.
Flamuri i Globalizmit
Flamuri i Globalizmit
Në lajmet e shtypit neoliberal të kryesuar nga CNN shohim një pasqyrë kundraproduktive të reales. Lëvdatat ndaj Kinës, ndaj aleatëve të rremë, nga njëra anë, sulmet rrënuese ndaj kulturës, institucioneve, bizneseve nga ana tjetër. Me muaj, ky stacion, i cili ka qenë një dritare informimi dhe shprese, ka humbur emrin dhe qëllimin e lirisë. Ndaluni vetëm në ngjarjet vandale që ndodhën verën e kaluar, rrënimin e institucioneve, shkatërrimin e bizneseve, anarkisë totale, sulmi ndaj Shtëpisë së Bardhë ku kaluan barrikadën e policisë me dhunë. Në Amerikë është një ligj që po kalove barrierën e vënë nga policia, quhet krim. Biles, po e lëvize dhe barrierën e punëtorëve që punojnë në rrugë, përbën felony (krim)! Po sa barriera e gardhe policie, djegie, rrahje dhe vrasje policësh ndodhën gjatë luftës “paqësore” të paguar nga miliarderët dhe politikanët e majtë, sa?! E pra, stacionet në fjalë (duke u përkrahur dhe nga ca “analistë” tanë që nuk e kanë lexuar një libër politik në jetën e tyre) i bënë jehonë barbarëve dhe konglomeratit infiltrativ, duke i quajtur paqësorë etj. Kurse, vetëm një ditë tufani nacional Trumpist, u përpoqën që ta gozhdojnë me të gjithë arsenalin e urrejtjes dhe epiteteve, deri në Insurrection! Filozofi popull thotë: “Çdo të mbjellësh do korrësh!” Nëse mbjell erë do korrësh fortunë!
Armiku i demokracisë është anarkia që shkërmoq qëllimin e idesë në polarizimin e veprimit. Në këtë rast, paqa humb, duke humbur si ideatorët dhe protektorët.
Kur dëgjova se sa patriotë do të mblidhen në Washington për të protestuar në 6 Janar, seç ndjeva një trishtim sepse e dija se është e pamundur që të kontrollohen një milionë e gjysëm protestues. E para: Pala kundërshtare do të bëjë çmos që ta kompromentojë me të gjithë arsenalin e saj. E dyta: Bindja e heroizmit tek nacionalistët nuk njeh kufi dhe nuk ka pushkë e mitroloz që t’i ndalë! E ajo parandjenjë e trishtim që pata u vërtetua.
Asnjëherë nuk e kam thënë më parë, por me 13 Dhjetor 1990 në Shkodër, xhami i parë që u thye… u thye nga një njeri i panjohur, të cilin e gjeta në polici pas arrestimit tim. Ishte oficer i ri me shtat mesatar me flokë ngjyrë kafe të hapur me onde… me një fytyrë të bardhë dhe sy gri. E shikuam njëri-tjetrin gjatë, por heshtëm të dy! (Në vend e mendova se kishte qenë një kurth, në të cilin ra për fat të keq një pjesë e demonstruesve. Ishte një përvojë e re që mua më ndihmoi më pas.) Gjatë atyre momenteve teksa depërtova përmes fantazmës së gjallë që kisha përpara, m’u kujtua demonstrata e 14 Janarit 1990, një demonstratë model që e gjithë bota e qytetëruar do ta merrte shembull. Një heshtje kuptimplote. Demostrimi lexohej në fytyrën e çdo shkodrani: “Liri!”. Një ngjarje qytetare brilante. Heshtjen e theu vetëm i riu Helidon Bele: “Poshtë Partia e Punës!”, por më pas, dhe pse u arrestuan Kastriot Haxhi e Branko Mixha etj, nuk u thye asnjë xham, biles as nuk u dëgjua as ndonjë zhurmë nga këmbët që ishin ngjitur në trotuare dhe asfalt, çfarë tregonte vendosmërinë ideale të shkodërloces së naltë. Ajo heshtje vendosmërie foli më tepër se sa një revolucion me zhurmë e gjak. Atë ditë Shkodra i bëri funeralin regjimit komunist, gjë që e kam thënë që në vitin 1991.
Nëse do rrethohej Capitol Hill në distancën e lejuar dhe të qëndronin disa ditë proteste për votën e vjedhur, Amerika do të kthehej në vlerat e saja që bota i kishte dhe i ka ëndërr. Por, me 6 Janar, kjo megalëvizje u kompromentua rëndë, dhe ju siguroj që kjo nuk ishte në planin e Partisë Republikane dhe të Donald Trump, sepse ajo ishte vetëvrasëse dhe nuk i interesonte askujt, por vetëm palës kundërshtare që ta përdornin më vonë në planin diskreditues.
Vetë vendimet e fundit të Twiter, FB, Google, Amazon, Apple etj., tregojnë se sa të drejtë kishte Trump, për webin majtist. Kompani të tilla kanë brenda Kalin e Trojës, padyshim amalgamat e inteligjencës së huaj. Mendoj se njerëzit më të aftë të këtyre agjensive spiunazhi janë punësuar enkas si “specialistë” të medias për të goditur sistematikisht (por më fort në momentin e duhur), demokracinë amerikane.
Nëse dikush mendon se demokratët (me gjithë gabimet e tyre…), nuk kanë vlera humane e nacionale, mendon dhe shprehet gabim! Demokratët e Amerikës janë një vlerë nacionale dhe ndërkombëtare, një shkollë në vete, por trajtimi i problemeve në këtë mënyrë në një kohë kur Kina dhe Rusia po luajnë një lojë të rrezikshme, nuk e ndihmon Amerikën e Madhe dhe lidershipin e saj në botë, përkundrazi e dobëson atë. Në këtë rast do doja ta kisha gabim, por kam frikë se kam të drejtë!
Duke u kthyer nga retrospektiva e përvojës së kaluar për ngjarje të tilla, vazhdojmë me të kundërtën e CNN dhe makinën e shtypit neoliberal, Fox News. Një kanal serioz dhe dinjitoz që mundohet të thotë të vërtetën. Fox News, denoncon të shëmtuarën dhe mbron demokracinë duke mbrojtur kombin amerikan dhe realen, por përsëri brenda të vërtetës theksi logjik dhe trajtimi i problemit nuk parandalon dot masivitetin dhe dominimin e mediave të skeptrit të ekstremit të majtë!!! Pra, nuk është mjaft!
Sot neoliberalët janë në festë, pasi plani i detajuar i komplotit global u realizua. Boritë e fitores ua kanë errësuar arsyen, dhe siç theksova më lart, kanë filluar revanshin duke mbyllur webe e llogari në Twiter dhe FB. Rasti i mbylljes së dritares së komunikimit në Twitter të Trump dhe suspendimit të “Parler” nga APP Store etj., tregon një nga dukuritë negative të markës Globalizëm. Në Twitter është dhe diktatori Iranit, Ruhollah Khomeni, ndërsa Presidentit Trump i mbyllet llogaria! Çfarë morali është ky? Ky është morali i komunizmit integral, ku krimineli i klanit global është më i vlefshëm se sa nacionalisti amerikan, shqiptar apo gjerman. Kjo tregon definicionin real të klasës së re të përzier pa vizion, parime dhe atdhe, që unë guxoj ta quaj internacionalizëm selektiv, i cili udhëhiqet nga kundraproduktiviteti klasor majtist. Çmeduria nuk ndalet aty, por klasa politike e komunizmit integral që është e frikësuar nga udhëheqësi unilateral i 75 milion votuesve amerikanë, për të mbyllur kapitullin e furtunës nacionale bëri impeachment ndaj Trump! Ju siguroj, se edhe nëse do mundohen të ndalojnë nacionalizmin e Donald Trump, ai do rritet dhe do bëhet një cunam jo vetëm Amerikan, por dhe më gjerë. Gjenerali Bolivar, njeriu që çliroi Amerikën e Jugut nga robëria Spanjolle u degdis deri në eksil, por ja që sot një pjesë e botës së qytetëruar e ka monumentin e tij deri dhe në Amerikë. Pra legasia e tij qëndron më fort sot se atëherë kur qe gjallë.
Gjatë këtyre ditëve, kam parë shumë karkalecë gjoja intelektualë pa bosht që marrin poza dhe skuqen në fytyrë si specat, duke mos qenë në gjendje të mbulojnë defiçencën e dijes, historisë dhe sjelljes qytetare. Askushët kërkojnë të bëhen dikush me përralla fëmijësh. Njëri nga ata, dhe pse nuk i mjaftoi “analiza brilante” e kurthës së fesë… hyri dhe në histori për të na treguar se si u vra Indira Gandi, duke ngatërruar keq luftën sektiste me politikën e votës! O zot! Deri kur do të na shfaqen këta sharlatanë?! Pasioni majtist, ka qenë dhe është gjithnjë gangrena e paqes dhe zhvillimit. Çfarë nuk shikuam e dëgjuam gjatë këtyre katër viteve, retorika të shëmtuara kundër Presidentit të Amerikës, një llum dialektik degjenerativ që do ta kishte lakmi dhe Pol Poti. Askush nuk e ka përkrahur thyerjen në Capitol Hill! Ka qenë një akt i dënueshëm, sepse dhe ne që kemi ardhur më vonë në këtë vend e kemi quajtur altarin e demokracisë botërore… shtëpinë tonë, shkollën tonë dhe jo vetëm tempullin e shenjtë të popullit amerikan!
Histeria e majtë kundër demonstruesve paqësorë patriotë do gjykohet nesër nga historia dhe kurrë nga aparatçikët partiakë dhe mjeranë që shfrytëzojnë momentin për qëllime të mbrapshta. Thyerësit e ligjit nuk kanë asgjë të përbashkët me idealistët nacionalistë që nuk mund të barazohen kurrë në asnjë kusht e rrethanë me puthadorët e paguar.
Do vijë një ditë, kur të majtë e të djathtë, centristë e liberalë do e kuptojnë se kjo nuk ishte lufta kundër Trump, por ishte një konspiracion global ndaj Amerikës.
Dy fjalë për Joe Biden: Politikani amerikan që i dërgoi letrën e “famshme” Josiph Bros Titos. Njeriu që u tërhoq nga gara presidenciale në vitin 87-88, sepse u kap në rrenë. Ky ishte kandidimi i tretë i tij. Megjithatë, ky personalitet pati fuqinë e korigjimit të vetvetes si askush tjetër, duke përkrahur pa rezerva Dardaninë martire, por në udhëtimin e vet politik nuk bëri asnjë gjë signifikative. Le të shpresojmë se, askush tjetër nuk e ka përvojën e tij politike per të bërë punët që nuk ka mundur t’i bëjë me parë.
Uroj me gjithë zemër Joe Biden, për Presidencën sepse dhe ky është mik i dashur i shqiptarëve dhe i demokracisë.
Ai duhet të bëjë kujdes nga dragoi i verdhë, globalizmi që padyshim është komunizëm Integral, neoliberalizmi (që nuk ka lidhje aspak me liberalen tradicionale amerikane) dhe Illuminati… dhe sidomos nga majtistët e partisë së vet.
Ai duhet të tregojë se është një gur i çmuar i shkollës politike klasike amerikane. Nëse ky bie viktimë e konspiracionit global, humbësi më i madh do të jetë Amerika!
Dy vite na ndajnë nga e vërteta e madhe!
.
Botuar te gazeta Dielli 16 janar 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.