back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Gjyqi i Shopenhauerit… rrëfim nga Dine Dine

Gazeta

Ahmet Kolgjini dhe Dine Dine (1963)
Ahmet Kolgjini dhe Dine Dine (1963) 

Gjyqi i Shopenhauerit…

rrëfim nga Dine Dine

Kjo ngjarje ka ndodhur, pak kohë pasi e arrestuan Ahmet Kolgjinin për të dytën herë.
Ishte një e dielë vere. Gjithçka dukej frymësuese; dielli vezullues, nji fllad i ëmbël që të mbushte me frymë, lulet shumëngjyrëshe në oborr dhe flutura nga më të ndryshme në madhësi e ngjyra, që përpiqeshin të rrëmbenin nektarin e luleve, zogj të pambarim çuçurisnin aq gëzueshëmm e shpenguar në drurët plot gjelbërim të plepave aq sa pa e tepruar mund të them, se të jepnin përshtypjen e një sinfonie, plot ngjyra e nuanca. Që të jem i sinqertë, shkak i këtij frymëzimi, ishte bërë një arsimtare e hijshme, e cila një ditë papritur erdhi e u ul pranë karriges sime, ndërsa haja drekë në mencën e sektorit, pasi atë ditë nënën s’e kisha aty.
Pa u zgjatur, ajo m’u lut që të dukesha herë pas here në Shtëpinë e Kulturës, për t’i rënë fizarmonikës, duke më thënë se ishte e vetmja mundësi për t’u parë pa rënë në sy. Kur e pyeta nëse vërtet dëshironte të më shihte sa më shpesh, ajo tundi kokën me një buzëqeshje të ëmbël dhe u zhduk si nji krijesë ere… veçse emocionet që ajo më krijoi më mbetën të pashlyeshme…
Nevoja për pak dashuri të çiltër, më kishte bërë aq optimist dhe me flatra, sa atë ditë besoja se gjithçka mund të ndyshonte dhe të përbysej… kjo ishte edhe arsyeja që dola në oborr dhe nisa t’i bija muzikës së gojës, që e ruaja si sytë e ballit, atë relike të fëmijërisë, pasi në atë kohë nuk ishte e lehtë t’i gjeje në shitje. Kështuqë atë ditë kisha atë ndjenjë, që më shtynte ta shijoja natyrën në mënyrë të veçantë.
Dukej se edhe harmonika Olympia, atë ditë kishte një tingëllim ndryshe… dhe unë vazhdoja t’i bija e t’i bija… kur papritmas një zë metalik ma preu melodinë në mes… U ktheva dhe pashë përgjegjësin e sektorit, Rrapin hipur në majë të bunkerit përballë shtëpisë sime…
-O Dine! Më telefonuan para dy orësh, po unë e paskam humbur fare… Për hatrin tim, nisu sa më shpejt në Degën e Brendshme… se të presin atje.
S’e merrja vesh për ç’arsye duhej t’ia kisha hatrin atij, por sidoqoftë i thashë si me ironi, e gjysëm shakaje se: “Zakonisht, në kësi rastesh, ata s’të mundojnë, po vijnë e të marr me gaz… po kët rradhë paskan ndërruar stil, si duket!”
-Jo Dine, jo! Të ma besosh, nuk është aspak për keq. Ja kur të kthehesh, hajde dhe më tako se jam në merak!
-Vajtja dihet shoku Përgjegjës, po ardhja asnjëherë…! – ia mërmmërita jo pa ankth dhe në sy të tij i hypa menjëherë biçikletës, dhe i thashë se do të mundohem të jem atje sa më parë…
Rrugës ndërsa mendoja njëmijë rrethana, m’u kujtua një episod i ndodhur shumë vite më parë…
Ndërsa çlodhesha në nji breg kanali, dëgjoja një bilbil që ligjëronte për shtatë palë qejfe, e nuk pushonte për asnjë çast. U përpoqa ta dalloj zogun këngtar, mes gjetheve të denduara, po ato e fshihnin dhe qe e pamundur ta shihja.
“Ku e gjen gjithë atë energji… – mendoja ndërsa me sy kërkoja ta zbuloja derisa në nji moment e pikasa. E që të mos zgjatem me meditimet dhe admirimin që po përjetoja ato çaste, ndërsa dëgjoja atv çuçurimën e tij të ëmbël e melodioze, që e zotëronte përsosurisht… nxjerr instinktivisht nga xhepi llastiqet, i fus një gur zalli të vogël dhe i tërheq thjesht për ta trembur… Po do ti, shkon guri dhe e godet mu në shenjë këngëtarin e fshehur ndër gjethe dhe ai rrëzohet i pajetë te këmbët e mia…
U preka shumë, kur e pashë atë krijesë të vogël e të pafajshme, që aq mrekullisht ligjëronte pak çaste më parë, që pa trazuar askënd e kishte mbushur vendin. Ndërsa e shihja, ndjeva ta urreja veten. I zemëruar i kapa llastiqet i bëra copa copa dhe i hodha në kanal. Ky qe çasti i fundit i vrasjes së zogjve, nga ana ime, të çfardolloji. M’u kujtua pikërisht ky episod, ndërsa i bija muzikës me aq pasion, nën efektin e një dalldie dashurore, kur Përgjegjesi i sektorit, më kish ndërprerë në mes, duke më lajmëruar të shkoja në Degën e Brendshme…
Kisha kaluar Savren, dhe isha diku afër Fabrikës së Plasmasit, i përhumbur ndër mendimet, kur dikush papritur ma vuri dorën në krah.
-Po ku je ore, se kemi katër orë që të presim! Na bëre merak. Shokët e Degës janë shqetësuar, se u vonove shumë!
Ndjehesha aq i tensionuar, sa isha gati t’u përgjigjesha se: “Për shqetësimin e atyre shokëve, as po më plaste fare…”, po heshta, që mos ta acaroja edhe më tej situatën, pa e marrë vesh se pse më kishin thirrur.
Iu përgjigja shkurt se: “Nuk kishte qenë faji im, dhe se isha nisur menjëherë sa po më kishin lajmëruar!”
Dhe vazhdova me biçikletë në drejtim të qytetit, ndërsa “gazi” që ishte parkuar në cep të rrugës, më ndiqte nga pas me shpejtësinë e biçikletës sime.
Provoja një gjendje të tmerrshme tensioni, pasigurie dhe ankthi, që edhe mund edhe s’mund ta shpjegoja. Pse jo, edhe njëlloj frike, kur çoja ndërmend se më “kishin ftuar” të më arrestonin pa shumë bujë.
Ndoshta ishte më mirë kështu e pabujshme… dhe prisja që sapo të hapej dera, tre a katër prej tyre të më mbërthenin duart mbas shpine, e të më vinin prangat duke shqiptuar ato shprehjet tashmë bajate: “Në emër të Popullit, je i arrestuar” dhe kështu ankthi merrte fund njëherë e mirë!
Mendime nga më kontradiktoret më shoqëruan gjithë rrugës. Sapo iu afrova portës metalike jeshile, një person civil, që si duket qe ngarkuar të më priste, më pyeti për emrin dhe më shoqëroi sipër. Trokiti në derë, dhe vetëm pasi dëgjoi një “Hyr!”, hapi dhe mbasi mori një “Faleminderit!” u largua.
Personi që më ftoi përzemërsisht të ulesha, më prezantoi edhe dy të tjerët, që unë s’i njihja. I pari që u ngrit e më dha dorën, më tha se ishte hetuesi i Ahmet Kolgjinit, ndërsa tjetri nuk e kujtoj fort mirë se si m’u prezantua. Hetuesi i Ahmetit, kishte nji palë mustaqe të zeza, të prera me kujdes, që s’më lanë ndonjë përshtypje fort të mirë. Tjetri kishte një fytyrë të rruar e të shëndetshme, që të jepte përshtypjen e një babaxhani.

Dine Dine, Ahmet Kolgjini me shokët e kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)
Dine Dine, Ahmet Kolgjini me shokët e kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)

Sapo u ula, hetuesi i Ahmetit m’i nguli sytë, sikur përmes atij vështrimi do të zbulonte gjithë sekretet që mund t’i shërbenin punës së tij hetimore.
-Do t’i biem shkurt – tha Hetuesi i Ahmetit – Pasi nuk kemi shumë kohë në dispozicion! – dhe bëri ca lëvizje me duar sikur kërkonte diçka mbi tavolinë, pastaj hapi një sirtar dhe prej andej, nxorri një fletore.
E pashë që ishta fjala për nji fletrore timen dhe kur ai më pyeti me autoritetin e dokumentit ndër duar se e “Kujt ishte ajo fletore…?!” nuk hezitova të pranoj se “Ishte e imja!”
-A mund të na shpjegosh se e kujt është kjo punë, që mban emrin tënd përsipër?
Ja thashë, dhe ai pa më lënë kohë të vazhdoj m’u drejtua me gisht:
-A e di ti se Shopenhaueri është filozof pesimist dhe reaksionar, dhe se idetë e tija janë në kundërshtim të plotë me pikpamjet tona marksiste-leniniste? Po ç’të duhet ty, nji i ri, i edukuar me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver të merresh më kësi paçavuresh, që i kanë çuar njerzit deri në vetvrasje?! Po të flas për të mirën tënde!! Më kupto drejt! Po të qe ndryshe, s’të thërrisja fare, po të linim të zhyteshe në atë batak dhe një ditë të bukur, do të vinim prangat dhe të fusnim brenda, ku e kanë vendin të gjithë ata që merren me kësi prapësish…! A më kupton?! Sot je i thirrur vetëm se ta duam të mirën tënde! Ti nuk e di se çfarë ka katranosur ai shoku yt?! Jam i sigurt se ti nuk e di aspak, sepse po ta dije, nuk do t’ia kishe dhënë kurrën e kurrës atë fletore. Ai e ka përdorur, atë fletore tënden, për të bërë agjitacion e propagandë… Hë si thua ti… mendon se unë po gënjej?!
-Unë vetëm një gjë mund ta them me siguri, që Ahmeti s’kishte nevojë që ta përdorte fletoren time për të bërë agjitacion e propagandë. Ahmeti nuk ma ka kërkuar atë fletore, dhe as e dinte që unë isha marrë me përkthimin e Shopenhauerit, dhe as besoj se “Metafizika e Dashurisë”, që kisha marrë guximin ta përktheja, mund të ishte diçka e rëndë për mua dhe për atë… Po ta dinte, sigurisht do të qeshte me të madhe, për anglishten time të varfër. Libri i Ahmetit kish mbetur aksidentalisht në shtëpinë time, prej një kohe të gjatë, mbasi atë e kishin interrnuar prej disa kohësh në Kampin e Çermës.
Një ditë kishte ardhur në Gjazë, të shihte një mikun e vet, dhe ndërsa po largohej u pamë rastësisht, dhe atij ju kujtua libri.
-Besoj se nuk të duhet, – më tha – po deshe ma kthe!
Libri, bënte gjumë prej kohësh në shtëpinë time, prandaj edhe unë nxitova, shkova në shtëpi ia mbështolla me të shpejtë me një gazetë dhe ia dhashë. Qysh prej asaj kohe s’jemi parë më… Tani që po e shoh fletoren time këtu, e kuptoj që e paskam harruar dhe gabimisht ia kam dhënë bashkë me librin. Kjo është e gjitha!
Në fakt gjithçka kisha thënë, s’përputhej me të vërtetën, pasi Ahmeti atë ditë kishte qenë për drekë në shtëpinë time, dhe kishim ndejtur pothuaj gjithë ditën bashkë.
Bile atë ditë ftova edhe kushërinjtë e mi, edhe ndonjë shok tjetër dhe hëngrëm, pimë e bëmë muhabet gjithë kohës, sigurisht duke trajtuar edhe ato tema, për të cilat rreziku i kokës ishte i pranishëm.
Hetuesi i Ahmetit, më hodhi një vështrim disi zhbirues, sikur t’i kujtohej diçka e rëndsishme, që i kish dalë nga mendja, dhe tha: “Po a e di ti se Ahmeti, ka bërë agjitacion e propagandë me Shopenhaurin tënd!?”
-Së pari ai nuk është Shopenhauri im, dhe së dyti Ahmeti nuk ka pasë nevojë të përdorë fletoren time, se e njeh anglishten më mirë se unë…
-Edhe ne e dimë kët gjë, por fakti është se ai ka përdorur pikërisht materialin tënd. Shopenhauerin e kishte idhullin e tij, dhe a e di ti pse?! Ja po ta tregoj unë: Sepse Ahmeti ishte tip thellësisht fetar. E ka pranuar vetë këtë gjë! Ai shpesh shprehte nji sentecë të Shopenhauerit që e kishte bërë të vetën: “Zoti është ideja ime!” Kuptohet që ai ishte i prekur nga ideollogjitë reaksionare, po ajo që më habit është se pse i duhej të të infektonte edhe ty… Pse duhej t’u mbushte mendjen të tjerëve se “Feja është shërim!” kur i më i madhi i doktrinës sonë ka thënë që “Feja është opium për popullin…”?! Dhe ai heshti nji çast.

Arthur Schopenhauer (1788-1860)
Arthur Schopenhauer (1788-1860)

Ne nuk na vjen keq për të, sepse ai tashmë e ka mbushur kupën! – Vazhdoi Hetuesi i Ahmetit, – Po të ishte ashtu do t’i vinim prangat ty! Do të mjaftonte edhe vetëm kjo fletore që ti ke përpara, e që e pranon se është e jotja, për të vënë prangat e për të rrasur në burg… sepse ke përkthyer nji libër të ndaluar, me përmbajtje reaksionare, që s’ka asgjë të përbashkët me ideollogjinë tonë përparimtare! Edhe fakti, që ai të ka besuar ty Shopenhauerin tregon se ka pasur shumë besim tek ti, si shok që të ngushtë që ishit.
Kuptohej që tani Hetuesi i Ahmetit po përdorte edhe shantazhin që të më friksonte, qoftë për të fajsuar Ahmetin, apo edhe mua që kisha rënë viktimë e një “Armiku të deklaruar”.
Heshta një hop, pastaj u shpreha se nuk kisha pasur asnjë lloj shoqërie të veçantë me të, se kisha shkuar në shtëpinë e tij si gjithë të tjerët, në ndonjë rast hidhërimi… dhe kaq…
Por ai këmbëngulte, bile më akuzoi se isha parë shpesh të shkoja në shtëpinë e Ahmetit natën. Jo vetëm kaq, po akuzohesha se rrija gjatë me të dhe kjo tregonte se më kripesh edhe muhabeti.
“Oh – ju thashë gjoja me njëfarë habie, – është e vërtetë që më keni parë të shkoj andej, por jo në shtëpinë e Ahmetit, shkoja në shtëpinë e Ismail Spahiut, sepse punoja me të dhe ai e kishte zakonin që mbante gjithnji bishta lopatash rezervë, dhe mua më ndodhte shpesh që të më thuheshin bishtat gjatë punës, dhe gjithnji gjeja derman te Ismaili. Kjo mund të jetë nji arsye që jam parë shpesh asaj rruge, po unë kthehesha në të majtë nga Ismaili dhe jo në të djathtë ku banonte Ahmeti… Kështu që mund t’tju kenë dhënë informacion të gabuar në kët rast!
Ai m’i nguli sytë me një lloj nervozizmi sikur desh të më hante, por u përmbajt, sepse donte t’ia arrinte qëllimit. Për një çast u step dhe bëri sikur u ngrit nga karrigja dhe përsëri u ul si me rrëmbim
-Sa për dijeni, ne informacionet i kemi gjithmonë të sakta, dhe që ta dish ti, Partia jonë, nuk akuzon kurrë njerëz mbi informata të rreme!
-Unë besoj është thjesht një keqkuptim – shtova me një lloj pafajsie ironike pa u zgjatur!
-Ti thua që te Ismaili rrije nga dy orë për nji bisht lopate?!
-Jo, – thashë prerë. – Ismaili ishte njeri mikpritës dhe nuk të linte t’i dilje nga shtëpia pa nji gotë raki, dhe e shoqja sapo niste rakia e bënte mezen gati… dhe kështu kalonte ora pa u ndjerë. Dhe unë që s’para pi raki, me nji gotë behesha në qejf dhe harroja se nëna bëhesh merak…
-Nejse, – më ndërpreu Hetuesi i Ahmetit – nuk na interesojnë hollësirat, por çfarë bisedonit kur bëheshe në qejf… se helbete…
-Flisnim për hudhrat, qepët, domatet, sepse edhe unë isha qejfli dhe i mbillja çdo vit në kopështin tim… ja për kësi gjërash, po edhe për problemet e ndërtimit, mbasi të dy ishim të profesionit si muratorë dhe shpesh punonim bashkë…
-Unë besoj sinqerisht se me Ismailin mund të kesh diskutuar kësi gjërash, sepse je njifarë pelivani ti, që i përshtatesh seicilit, nuk po ta them me kuptim të keq, të më besosh, por meqë ra fjala, duam të dijmë se ç’bisedoje me Ahmetin, se ai është intelektual, ka njohuri të gjera dhe kulturë të gjerë, di gjuhë të huaja, është i këndshëm në bisedë, apo jo?
Fillimisht bëra sikur buzëqesha, po ishte si një lloj ngërdheshje nga e keqja.
-E di që s’do të më besoni, po ai ishte një tifoz i sëmurë futbolli. Po të rastiste që të punonim bashkë në bujqësi, nga mëngjesi në mbrëmje bënte tifozllëk.
-Sigurisht do të ketë qenë me gjermanët – tha Hetuesi i Ahmetit, dhe unë mbeta disi i shastisur, se nuk isha i përgatitur, për kët variant gënjeshtre. Por aty për aty iu përgjigja shpejt e shpejt, se sigurisht bëhej fjalë vetëm për skuadrën e Traktorit të Lushnjes, pasi në ishim rritur në atë qytet.
Në fytyrën e Hetuesit të Ahmetit u shfaqën shenja irritimi, pasi u ngrit në këmbë dhe me gishtin tregues, m’u kërcënua plot mllef:
-Dëgjo o Dine, ndofta mendon se na mrekullove me këto pallavra që na shpike, po dije se një ditë do të bien mbi kurrizin tënd. Po të paralajmëroj, sepse vetë fakti që ke shfletuar Shopenhauerin, autorin më pesimist, më reaksionar, që është në kundërshtim flagrant me ideollogjinë tonë, objektive, optimiste, që ndërton socializmin me forcat e veta, pra vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për të t’i futur të dyja këmbët në një këpucë. Nëse ti nuk do ta kuptosh, paç veten më qafë!

Gjyqet Komuniste me Koci Xoxen ne balle...
Gjyqet Komuniste me Koci Xoxen ne balle…

Sot, unë të kam thirrur këtu për fletoren që mban sipër emrin tënd përsiper për të na shpjeguar lidhjet e tua me Ahmet Kolgjinin, i cili e ka përdorur këtë material me dëshirën tënde, ku dhe si i ka dashur qejfi, duke abuzuar dhe bërë agjitacion e propagandë kundra pushtetit tonë popullor… Por, meqë jemi këtu te fletorja e Shopenhauerit, do të bëj edhe një pyetje tjetër, për të parë se sa i sinqertë je me ne…
Po për ato esetë e tjera që janë mbas kësaj që ke përkthyer, e që unë jam i sigurt se ti, në mos i ke lexuar, së paku i ke shfletuar të gjitha… dhe që besoj ti i mban mend mirë, çfarë mund të na thuash? Po për Gratë, për Vetvrasjet, për Zhurmat, për Letërsinë… çfarë mendimi ke… apo thjesht s’i ke lexuar dhe nuk di gjë fare për to?
Në të vërtetë unë i kisha përkthyer të gjitha ato, po vala e arrestimeve që kishte përfshirë gjithë brezin tonë, më kishte detyruar t’i digjja të gjitha… kështu që e vetmja rrugdalje ishte që mos t’i jepja asnji lloj shpjegimi të mëtejshëm për kët gjë.
Ndërsa hetuesi përpiqej me çdo kusht të më tërhiqte të pranoja se kisha dijeni edhe për esetë tjera, e në veçanti për atë “Mbi vetëvrasjen”, për një moment m’u fanit para syve portreti i shokut tim, Ahmetit. Befas shpërtheva në të shara: “Maskarenj, të paftyrë, ushtroni zanatin më të padenjë në botë, atë të mashtrimit të njerëzve të ndershëm që s’ju kanë asnjë borxh, për t’i dërguar në fund të ferrit, vetëm e vetëm pse nuk e duroni dot inteligjencën e tyre. S’e kuptoj ç’kërkoni më prej tij?! E latë tërë jetën në burg! Herën e parë e arrestuat në bangat e shkollës, kur ishte pothuaj fëmijë! Pse edhe atëhere bënte agjitacion e propagandë?! Ishte i urtë, i zgjuar ndaj ju vriste sytë. E groposët të gjallë në ferrin e burgut të Burrelit edhe pse qe pa mbushur 18 vitet! Mëkatarë të pandreqshëm! Mos u mërzisni, në këtë botë do të paguhen të gjitha! S’dini se ç’bëni! S’ju vret ndërgjegja për asgjë, dhe ndjeheni mirë vetëm duke bërë keq…!
E kisha humbur pothuaj fare… Kujtoja Ahmetin dhe më bëhej sikur e kisha para syve, me mallin që s’më ndahej asnji çast, kur ndjeva një dorë që më shtrëngoi papritur: Ej, kujt i flet kështu?! Më duket se ke lajthitur! Më qe vërsulur hetuesi i Ahmetit.
U përmenda… E ndjeva se nuk isha mirë, e megjithatë më duhej të vazhdoja…
Ai buzqeshte hidhur, dhe bënte ca ecejake para meje në pritje të ndonjë përgjigjeje dhe kur e pa që s’mori asnji lloj përgjigjeje, mori një copë letër dhe filloi të shkruaj vetë. Pasi shkroi rreth një gjysëm faqeje, me dorë, ku ndjehej vetëm zhurma e stilolapsit, ma dha ta lexoja… Unë iu ankova se asgjë prej atyre që kishte shkruar nuk ishte e vërtetë. Atëhere ai, i indinjuar thellësisht ma shtyu letrën me nervozizëm, para syve të mi dhe më ulëriti: Merre dhe shkruaj vetë çfarë të do qejfi. Me dorën që po më dridhej, mora stilolapsin dhe shkrova gjithçka që isha i bindur që s’mund ta përdornin si dëshmi kundra Ahmetit. Përsa më përkiste mua, pranova se fletorja me 44 faqe ishte e imja, dhe hodha një firmë, duke pranuar gjithçka nën përgjegjsinë time…

Ahmet Kolgjini (1939-1999)
Ahmet Kolgjini (1939-1999)

Pas disa muajsh më erdhi rradha edhe mua, të kem fatin e keq të Ahmetit dhe sapo u futa në sallën e gjyqit, gjykatësi Sofokli Papajani, për t’u bindur se deklaratën e kisha firmosur vetë, gjoja konfidencialisht më tha: “Gabim i madh të lexosh Shopenhauerin, sepse ka çuar me mijra vetë në vetvrasje!”
Unë vetëm heshta dhe ai s’u zgjat më tej! Emri i Hetuesit të Ahmetit, nuk u përmend askund. Pas gjithë atyre fatkeqsive të hetimit dhe gjykimit, më çuan nga Kaushi drejt e ne Spaç. Në Kampin e Spaçit më prisnin shokët e vuajtjeve nëpër kampet e Interrnimit si Qemal Dema, Lekë Mirakaj, Naim Staravecka, kushëriri im Adnan Nasufi, e shumë të tjerë me të cilët njiheshim qysh fëmijë. Pasi u përqafova me mall me të gjithë, në fund vura re fytyrën ngjyrë dheu të Ahmetit…
U përhumbëm në krahët dhe mbetëm ashtu të varur në qafat e njëri tjetri derisa dikush prej shokëve na thirri… Hej, po jemi edhe ne të tjerët këtu.
Kur u nisëm drejt mensës për darkë, pasi qe si traditë, që të burgosurit e rishtë ishin mjaft të uritur, u afruam edhe njiherë me Ahmetin… dhe i pëshpërita në vesh një thënie të Shopenhaurit që e pëlqenim të dy: “Është e vështirë që e një e keqe të vijë pa kompensimin e vet!”
Ai me një buzqeshje të dhimbsur, edhe njëherë ma hodhi krahun në qafë dhe më shtrëngoi edhe njëherë dhe u ulëm në tavolinën e bukës, duke kujtuar kohët e shkuara dhe ndarë atë të keqe ku na kishte hedhur fati e që s’dihej se kur do t’i vinte fundi…
New York , janar 2015

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Kur lexoj këto shkrime, më duket vetja aq e vogël, ndoshta si një fëmijë që sheh filma me fantazma, me ndodhi e personazhe të panjohura e të padëgjuara kurrë… dhe papritmas harroj se jam duke lexuar, më duket se po shoh film, ku personazhet janë të stisur nga regjisorë dhe skenaristë, por jo… fatkeqsisht këta janë personazhe të vërtetë, ndodhi të vërteta të një jete makabre, të një rinie të vrare, të burgosur, një rinie ëndrrash vrarë…

  2. Nuk di si mund të përshkruhet më qartë tensioni që kanë pasë para arrestimit gjithë djemtë e familjeve antikomuniste, të internueme në kampet e Myzeqesë. Ai momenti, kur dikush përfytyron arrestimin, asht vërtet nji situatë e papërsëritshme për dramacitetin që përmban. Siç e ka dëshmu saktë Dinia, njeriu pranonte me vetëdije burgosjen, thjesht i bindun se kjo ishte rruga ma me pak pasoja për të dhe familjaret e rrethin e vet shoqnor, karshi idesë së arratisjes apo rrallë herë, rezistencës kundër regjimit.
    Ky shkrim, për mendimin tim, asht i denjë me qenë në cdo antologji të krimeve të regjimit komunist në Shqipni.
    Edhe pse kanë kalu bukur do vite, qyshse ka ndryshu sistemi, këto dëshmi janë të domosdoshme për shoqnine shqiptare, që të njohë konkretisht format e persekutimit dhe dënimit të shtetasve, pa pasë krye kurrfarë shkeljeje ligji!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.