back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Gjurmë të hershme në Nikaj-Mërtur nga Gjon Neçaj

Gazeta

Studiuesi Gjon Neçaj
Studiuesi Gjon Neçaj  

Gjurmë të hershme në Nikaj-Mërtur

nga Gjon Neçaj

Prej vitesh, nga hulumtues të ndryshëm lokal dhe kombëtar kanë hedhur plane për të gjurmuar dhe eksploruar këtë zonë të panjohur të kulturës nëpërmjet objektve ende të dukshme, kryesisht në kishat shekullore.
Fshati Breg Lumi (Rajë), i cili i përket krahinës së Nikaj-Merturit, e fshati Selimaj (Geghysen), ndonëse me besime të ndryshme fetare, janë afërt e afër dhe kanë histori të njejtë në gjurmimet historike të identitetit të tyre.
Në Selimaj ndodhen ende rrënojat e disa kishave, si Kisha e Gatë, Kisha e Lekës, Kalaja e Lekës, etj. Këto dy objektet e fundit janë përkarshi njera-tjetrës. Po kështu edhe në Breg Lumi (Rajë), e njohur për numrin e kishave, ende sot janë rrënojat e tetë kishave, disa prej të cilave po ua sjellim në foto lexuesve.
Në kohën kur u ndërtuan këto kisha, dhe religjioni ishte i fesë katolike, Princi Lekë Pjetër Spani ishte njeri i fuqishëm, sepse e fuqishme ishte edhe Dinastia e Spanëve. Lekë Spani (Aleks Spani) ishte baxhanak me Sulltan Murati II, i një prej perandorive më të mëdha të kohës. Kurse Lekë Spani qe martuar me një nga vajzat e Despotit të Serbisë, Gjergj Brankoviçit, me Lisabetën apo Milicën, kurse një vajzë e Lekë Spanit, Luçia, “…qe martuar me një nga kapedanët e mëdhenj të Skënderbeut”, shkruajnë kronikat e kohës.

Kisha ne Raje dhe prifti - viti 1916
Kisha ne Raje dhe prifti – viti 1916

Kjo trevë ishte e njohur, se kishte tre princa Lekë: Lekë Dukagjinin, Lekë Spanin, Lekë Zaharian. Dy kala ende sot mbajnë emrat e tyre: ajo në Rajë dhe ajo  në Gegëhysen. Këto dy vende kanë lidhje mes tyre me shekuj. Edhe një kala tjetër ka qënë në anën e përtejme të Valbonës, e ku flitet për kalanë e Lekë Zaharisë, që u shpërngul në Vaun e Dejës.
Po kështu, gojëdhëna të shumta, u transmetuan ndër breza rreth krijimit të Vargut dhe Kishës së Rrënuar, po ende nuk asnjëherë nuk është arritur të përcaktohet saktësisht koha e ndërtimit dhe e funksionimit të tyre. Mbi të vërtetën e këtyre rrënojave u hodh pak dritë në shek. XVII, kur këto ruheshin ende në gjendje fizike disi më të mirë.
Don Vincenti, në relacionin dërguar Vatikanit më 31 gusht 1628, lidhur me vizitën e Benedikt Orsinit në krahinën e Pultit, tregonte se: Vargu, i shtrire midis Palcit dhe Nikajt “…kishte qenë njeri nga dy qytetet më të rëndësishëm të Pultit dhe seli ipeshkvnore e tij…” Ai shprehte mendimin se Qyteti dhe Kisha qenë themeluar në kohën bizantine, mbasi thotë: “…besohet se kanë qenë (murgjit) e Shën Bazilit. !”
Rreth kishave dhe objekteve të tjera muzeale në Nikaj-Mertur, studiuesi dhe historiani Dodë Progni ka shkruar edhe një libër me vlera historike dhe akademike.

Mbetje te nji Kishe sot
Mbetje te nji Kishe sot

Idetë e B. Orsinit për Vargun i saktësoi me mirë albanologu i njohur Karl Steinmetz ne vitet 1904-1905, kur vizitoi Vargun dhe Nikaj-Merturin. Me syrin e një arkeologu të zellshëm ai u ndal te rrënojat e Kishës së Vargut, e cila, siç shkruan ai: “…shtrihej një orë larg fshatit të sotëm Gjonpepaj…” Me vizitën që i bëri një vit më vonë, me 1905, ai zbuloi dhe rrënojat e Qytezës dhe tregoi se aty ishte gjetur një sentencë e Mark Aurelit. Steinmentz në përshkrimin e vendit thotë: “Suvaja dhe mbeturinat e murit që ndeshen dendur mbulojnë këtë truall me një sipërfaqe prej afërsisht 70×100 hapa. Shihet qartë vetëm baza e një ndërtese gjatësore. Erozioni i fortë i murit dhe korja e trashë ndërmjet zgjatimeve të murit flasin për një moshë të lashtë të vendbanimit…” Steinmetz është i mendimit se vendbanimi i përkiste kohës romake (shek. II-V pas Krishtit) dhe këtë e mbeshtet tek bronxina e Mark Aurelit, e gjetur aty. Ky është datimi më i pranueshëm për themelimin e Vargut, i cili vazhdoi të ekzistojë si vendbanim-qytezë për shumë shekuj të tjerë gjatë mesjetës, duke u bërë edhe qendër ipeshkvnore për besimtarët kristianë të krahinës së Pultit.
Marrë nga http://www.revistadrini.com
Shkrimit i janë bërë korigjimet e nevojshme.

Guri te Kisha në Curraj t'Epër
Guri te Kisha në Curraj t’Epër

Nji shënim i para ma shumë se nji viti…

Në lidhje me kët shkrim po paraqes edhe kët bisede time pak kohe të shkuara ne Murin e Fb, mbasi e pashë kët mbishkrim të gdhendun në gurin e derës së Kishës, i kërkova pak ma shumë informacion autorit të fotos Gjelosh Mrijaj, i cili më shkroi:
“Vitin tjetër do të shkoj në atë vend, dhe ju jap fjalën se do ta përkthej saktësisht!
Në vitin 1967, janë mundue me e prishe atë shkrim do komunista të lodhun, nuk po ja u them emnat se ata nuk e kanë e dijtë se çfarë po bajnë. Nji burrë tjetër edhe këtij nuk po ja them emnin, për arsye lidhje gjaku, i pa duke e prishë shkrimin me dalta e me çekiç dhe ju drejtue: “Nuk kini çfarë i bani burrit e shkoni e i bini gurit!” Fjala shkoj në vesh të operativit sigurimit nji lloj qeni Filat Mala… E ai burrë që e ndaloj prishjen e shkrimit latin në ballë të kishës, u fut në rreth të kuq…”

(.AL ANTI TITE? EPTE? ERTE?)
DI NICOLAO MARC –
ZELATUM –
P. LUIGI LUSC

I nderuem Gjelosh,
Së pari të falenderoj për kët informacion mjaft të randsishëm. U përpoqa edhe unë nji ditë me e deshifrue kët shkrim në latinisht… dhe mundem me thanë se deri diku e kam afrue kët thanie në gur të Ballit të Kishës së Currajt… i cili duhet të jetë falenderim për ndërtimin (o ndërtuesin) e kësaj kishe që nji Nikollë Marku (DI NICOLAO MARC) – njeri i zellshëm o i devotshëm (ZELATUM) – ka ndihmue dhe prifti i parë ose sherbestari i parë duhet të ketë qenë Padër Luigj Lushi (P. LUIGI LUSC)…
Sigurisht ky shkrim tash ka edhe legjendën e vet…
Jozef Radi

(Kushdo që mund t’i japi nji interpretim më të plotë e më të saktë këtij shkrimi… e ka vendin e hapur për ta publikuar në sit)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.