back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Gjuha Shqipe At Gjergj Fishta

Gazeta

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Gjuha Shqipe

nga At Gjergj Fishta

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli fllad i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjáma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu á’ gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po; á’ e ambël fjala e saj,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.

Origjina e gjuhëve
Origjina e gjuhëve

Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thánun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njat, qi jetën na ka dhánun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn k’ta djalë mbas djali.

Shqyp na vete, po pik’ má para,
n’agim t’jetës kur kem shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp má s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë k’ta për dhé t’Parvet.

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xúni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kenë ndera e trimnive.

Poezia: Gjuha shqipe
Poezia: Gjuha shqipe

Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për té gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,

N’për gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.

Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Pier Lleshi
    Duke e censuruar për 45 vjet me rradhë Fishtën, diktatura i mohoi Kombit Shqiptar gjeniun e letrave, i mohoi vendit tonë “Homerin shqiptar”. Unë do të thoja që nëqoftëse ndonjë nga ata që e ndaluan njohjen e Fishtës për 45vjet, jetojnë edhe sot iu them me plot gojën TURP të kenë për injorancën e tyre… dhe në vazhdën e kësaj injorance vazhdojnë dhe shumë pinjollë të tjerë, fatkeqsisht në disa raste duke na përfaqësuar edhe në rangje ndërkombëtare…
    (marrë nga muri i fb. 3 janar 2014)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.