back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Gjokë Deckaj rrëfen… …tmerret e familjes sime në kampet e Enver Hoxhës

Gazeta

Gjok Deckaj
Gjok Deckaj

Gjokë Deckaj rrëfen…

…tmerret e familjes sime në kampet e Enver Hoxhës

Dëshmi ekskluzive për Gazetën “Koha Jonë” e shqiptaro-amerikanit, Gjok Pjetër Deckaj, me origjinë nga fshati Kushe i Hotit, i cili pasi provoi kampet e Tepelenës dhe Savrës, ne vitin 1954, u arratis nga Shqipëria dhe përfundoi në SHBA.

“Nje nate, një grua e re nga Tropoja, e cila priste të lirohej, shkoi natën për të hapur varrin e femijës së saj, i cili i kishte vdekur para 8 muajve në moshën 5 vjeçare. Duke hapur varrin me lugën që hanim supën, ajo fshinte eshtrat me fustanin e saj dhe i thoshte: “Jo, nuk të len nana këtu ty, jo”. E shkreta grua, u detyrua t’i thyente eshtrat e të birit me qëllim që t’i fshihte në rrobat e trupit pa u diktuar nga rojet e kampit, pasi nuk lejohej që t’i merrte. Atë natë, bashkë me të ka qenë edhe nena ime duke e ndihmuar dhe më pas ajo mundi t’i merrte eshtrat e të birit dhe t’i varroste në Theth”. Dëshmia e mësipërme, e cila duket sikur është pjesë e ndonjë skenari të filmave horror, nuk është as më shumë dhe as më pak, por një ngjarje krejt e vërtetë e ndodhur gjysëm shekulli më parë në kampet e tmerrshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Njeriu që e rrëfen këtë histori tragjike, është 62 vjeçari, Gjokë Pjetër Deckaj, i cili ka pasur vetë fatin tragjik t’i provonte këto kampe që porsa kishte ardhur në jetë. Për këto dhe të tjera ngjarje nga jeta e tij, ai rrëfen në këtë intervistë.


Cila është origjina e familjes suaj?

 Origjina e familjes sonë është nga fshati Kushe i Hotit në Malësinë e Madhë. Ne nuk kemi qenë familje shumë e madhe, por babai im, Mark Pjetër Deckaj, ka qenë shumë i njohur si burrë i urtë dhe me emër të madh në të gjithë atë krahinë. Si gjatë kohës së Zogut dhe në periudhën e Luftës, baba nuk është përzier fare me politikë, por ka qenë i njohur si nacionalist dhe patriot.
Po me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944, çfarë ndodhi me familjen tuaj?
 Kur erdhën komunistët në pushtet, ne nuk na panë me sy të mirë, dhe baba, Marku, po shihej si njeri i dyshimtë. Kjo për faktin se nëvitin 1945, ai ishte mobilizuar forcërisht nga një repart special i forcave partizane, dhe gjatë asaj kohe, duke parë krimet e shumta që bënte ai repart, me arrestime, vrasje, tortura, djegie shtëpishë, etj, kishte fituar një urrejtje të madhe për ta. Pak kohë pasi u lirua nga ai repart, diku nga viti 1948, babai dhe gjyshi im, Pjetër Deckaj, u arratisën nga Shqipëria.
Si ndodhi arratisja e tyre? 

Atë vit, pra ne 1948-ën, u arratisën plot 30 vetë nga Hoti në një ditë të gjithë së bashku dhe dolën në Jugosllavi. Kjo ndodhi pasi një oficer i postës së kufirit, u shkoi derë më derë dhe i njoftoi të gjithë këta persona se ishin në listë për t’u arrestuar. Dhe kjo kishte qenë e vërtetë, sepse një orë mbasi ata u arratisën, forcat komuniste u shkuan shtëpi më shtëpi duke kërkuar për t’i pushkatuar. Nga këta 30 burra, më të njohurit ishin; Prek Gjeto Marku, Nikoll Luc Doka, Mark Dosh Frangaj, Pjetër Gjon Luka, etj. Bashkë me këta 30 persona, u arratis edhe komandanti i postës së kufirit.
Çfarë ndodhi me familjen tuaj pas arratisjes së babës dhe gjyshit? 

Unë linda me 17 shtator në 5 të mëngjesit (dy javë pas arratisjes së babës dhe gjyshit) dhe në ora 9, kur nëna ime (File Pashk Ademi) ishte akoma me ujra nëpër këmbë, erdhën dhe na morën forcërisht duke na cuar në burgun e Koplikut. Gjyshja ime shkoi te Kol Maci, i cili ndërhyri te komunistët dhe ne na kthyen prapë në fshat. Por nuk na lanë mëe shumë se 3 muaj… dhe me 23 prill 1949, na internuan në Tepelenë. Atë ditë që na morën për  në Tepelenë, baba kishte ardhur deri afër fshatit me dy shokë të tij trima, me qëllim për të na marrë me vete, e me dalë në Jugosllavi. Ai është afruar jo më larg se 500 metra nga ne, duke më dëgjuar edhe mua që qaja pa pushim, por nuk mundi të na ndihmonte dot. Ata dy shokët i thanë: Medet Mark çka të bajmë? Dhe baba iu përgjigj: “Ma ngushtë s’e kam pa veten kurrë! Kam frikë se ma vrasin djalin, prandaj nuk mundemi të ndërhyjmë!” Mbas një udhëtimi të gjatë në rrugë pa rrugë, na çuan në kampin e Tepelenës. Djepi ku isha unë ishte duke u rrëzuar nga shpina e kalit dhe e ka mbajtë Bora e Prek Gjeto Markut, se ndryshe do kisha rënë në greminë. Në Tepelenë gjetëm edhe familje të tjera nga Hoti e Kastrati dhe midis tyre edhe 13 priftërinj katolikë të internuar. Unë kam qenë i vogël në at kohë, por nëna më pas më ka treguar për vuajtjet dhe tmerret e paimagjinueshme që kemi kaluar aty. Më kanë treguar kur u rrita se Kryetari i Kooperativës së fshatrave përreth kampit dhe sekretari i partisë kishin porositë fshatarët e këtyre fshatrave të Tepelenës, që fëmijët e tyre t’i shanin dhe t’u gjuanin me gurë të interrnuarve. Dhe ka pasë disa raste që kur ktheheshin nga mali u dilnin përpara fshatarët dhe i shanin e i gjuanin të interrnuarit.

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Konkretisht çfarë mbani mend nga ai kamp? 
Aty vdisnin njerëz çdo ditë nga uria dhe sëmundjet, ku më së shumti fëmijë të vegjël. Puna ishte mjaft e rëndë dhe sfilitëse. Të internuarit punonin në transportim lëndësh drusore nëpërmjet Lumit Vjosë dhe kur lumi ishte shumë i rrëmbyeshëm, qëllonte që lënda drusore t’i godiste dhe i linte të vdekur në vend. Nga Gjirokastra aty sillnin qenë të ngordhur dhe qelbej i gjithë kampi. Veç këtyre një tmerr i vërtetë i kampit të Tepelenës ishte një kapter me emrin Tomi, i cili i ndiqte vajzat dhe nuset e reja duke i futur forcërisht në një magazinë për t’i përdhunuar. Mua më kujtohet se kur kam qenë 5 vjeç, kapter Tomi më mbajti disa minuta në ujë të ftohtë, me qëllim për t’i bërë presion nënës sime. Aq shumë zullume bëri kapter Tomi me gratë e vajzat e internuara, saqë vetë komanda u detyrua dhe e hoqi. Nëna me lidhte me brezin e djepit tek krevati që të mos bija, pasi në flinim në krevate me tre kate. Herë pas here nënën e nxirrnin para të gjithë kampit dhe i shanin babën, Markun, duke thënë se ai ishte kriminel e lloj-lloj sharjesh të tjera. Por nëna ua kthente duke iu thënë: Unë e njoh për burrë shumë të mirë. Po këtë gjë ia bënin edhe Borës së Prek Gjeto Markut (Lulaj), po ashtu si nëna edhe ajo nuk fliste asnjë fjalë të keqe për burrin e saj, përkundrazi e lavdëronte. Po të mos kishim pasur ndihmën e dajave të mi dhe gjyshes Katrinë Prela, të cilët na vinin dhe na sillnin ushqime të thata në Tepelenë, ne do të kishim vdekur urie si shumë nga bashkëvuajtesit tanë.
Çfarë kujton ndonjë ngjarje tjetër nga ai kamp?

 Nje nate, një grua e re nga Tropoja, e cila priste të lirohej, shkoi natën për të hapur varrin e femijës së saj, i cili i kishte vdekur para 8 muajve në moshën 5 vjeçare. Duke hapur varrin me lugën që hanim supën, ajo fshinte eshtrat me fustanin e saj dhe i thoshte: “Jo, nuk të len nana këtu ty, jo”. E shkreta grua, u detyrua t’i thyente eshtrat e të birit me qëllim që t’i fshihte në rrobat e trupit pa u diktuar nga rojet e kampit, pasi nuk lejohej që t’i merrte. Atë natë, bashkë me të ka qenë edhe nena ime duke e ndihmuar dhe më pas ajo mundi t’i merrte eshtrat e të birit dhe t’i varroste në Theth.

Nji nga shtatë barrakat e Kampit të Savrës
Nji nga shtatë barrakat e Kampit të Savrës

Kur u liruat nga ai kamp?

 Në vitin 1954, ai kamp u mbyll dhe ne na dërguan në kampin e Savrës në Lushnje. Bashkë me të tjerët dhe nëna ime, punonte deri në brez në ujë në tharjen e Kënetës së Tërbufit. Në një rast nënën e sulmuan shumë ushunjëzat dhe asaj i ra të fikët sapo shoqët e saj e nxorën në breg duke e ditur të vdekur. Tone Nuthi me kunatat e saj nga Pjetroshani i Bajzës së Kastratit, u përleshën me policët, të cilët donin ta fusnin nënën ashtu gjysëm të vdekur me punu në ujë duke i thënë: “çohu dhe puno moj kriminele”. Në atë punë nëna punoi plot 3 vjet. Aty nga viti 1956, një ditë kur erdhi aty një oficer madhor për inspektim, Rrok Kont Marashi, me mësoi mua t’i dilja përpara dhe t’i thoja se isha i pafajshëm. Konti m’i kishte shkruar në një letër se çfarë do t’i thoja oficerit dhe unë ashtu bëra. I thashë se baba më kishte lënë në bark të nënës kur ishte arratisur dhe ç’faj kisha unë. Ai u prek nga fjalët e mia dhe tha se do e studionin punën time. Mbas disa kohësh erdhi letra dhe unë u lirova kur isha 8 vjeç, ndërsa nëna mbeti aty. Erdhën kushërinjtë dhe më morën aty në kamp e më çuan në fshat. Por edhe aty nuk më lanë të jetoja, pasi fshati ishte zonë kufitare dhe më çuan në Kastrat, ku bëja çdo ditë nga 2 orë rrugë për të shkuar në shkollë dhe 2 orë për t’u kthyer në shtëpi. Shkollën 8-vjeçare e mbarova shkëlqyeshëm duke qenë nxënësi më i mirë dhe bëra një kërkesë që të shkoja në Konviktin “Tom Kola” në Shkodër, por më thanë: “Rri urtë e mbyll gojën se ti je djali i kriminelit Mark Deckaj. Shtrëngo fort kazmën dhe mos u ndiej!”. Kështu, deri në moshën 16 vjeçare mua më rritën dajat. Në atë kohë unë isha i rritur dhe duke e kuptuar se nuk kisha asnjë shpresë për jetën, fillova të mendoj që të arratisesha nga Shqipëria dhe të shkoja tek baba.
Ku ndodhej babai juaj në atë kohë? 

Deri në atë kohë, baba ishte në Itali, ndërsa gjyshi në Tuz të Malit të Zi dhe ne komunikonim me letra me ta.
A kishit provokime dhe a u ndiqnin njerëzit e Sigurimit?

 Një person i quajtur Ndue Nikoll Markhelli, i cili ishte i dekoruar nga Kadri Hazbiu, më provokonte vazhdimisht duke vënë radion te Zëri i Amerikës gjoja se do fliste baba im. Po kështu herë pas here ai më thoshte të arratiseshim së bashku. Unë e kuptoja atë gjë dhe nuk i lashë kurrë të kuptonte se doja të arratisesha. Një ditë i thashë nënës (në 1959 ajo u lirua nga internimi) që të arratiseshim se bashku, por kur ajo pyeti nënën e saj, gjyshja i tha: “Mos e len se do na vrasin djalin dhe do na marri në qafë të gjithëve!”. Kështu nëna më tha se ajo nuk vinte dhe unëe nuk duhet të ikja. Por unë e kisha vendosur së bashku me dy shokët e mi, Kol dhe Gjelosh Narkaj dhe kështu u arratisëm.
Si mundet të arratiseshit nga Shqipëria?

 Me 13 qershor 1966, ditën e festës së Shna Ndout, i thashë nënës se do shkoja në kishë. Në fakt, se bashku me shokun tim, Kol Narkaj, (Gjeloshi nuk erdhi se martonte vëllanë) që ishte një vit më i madh se unë, morëm rrugën dhe në fshehtësi dolëm te Leqet e Hotit, poshtë në Grabam dhe kaluam kufirin duke dalë në Jugosllavi. Aty u dorëzuam te një shtëpi ku i treguam të vërtetën dhe ata na pritën shumë mirë. Ajo shtëpi kishte lidhje miqësie me familjen tonë dhe gjetën mundësinë të lajmëronin se ne ishim dorëzuar tek ata. Më pas, sipas rregullave ata na dorëzuan tek ushtarët, të cilët na morën dhe na dërguan në burgun e Leshkopoljes, ku na mbajtën 2 muaj në hetuesi duke na pyetur. Gjatë asaj kohe, me ndërhyrjen e Rroko Keqit (nga Tuzi), tek autoritetet jugosllave, ne nuk na kthyen në Shqipëri, por na liruan dhe unë shkova tek gjyshi im, Pjetër Deckaj, i cili ishte në Tuz. Me gjyshin qëndrova 9 muaj në Tuz dhe në atë kohë, baba që ndodhej në SHBA, kishte bërë letrat dhe me 27 shkurt 1967, me doli azili politik për në Amerikë. Kështu nga Beogradi u nisa për në New Jork, ku më priste baba me një foto timen në dorë, të cilën ia kisha dërguar me postë. Ka qenë një takim prekës ai me babën në aeroportin Xhon Kenedi të New Jorkut. Baba me shikonte dhe unë e shikoja. Kur m’u afrua unë i thashë: “A ti je baba im?” Po tha, vetëm njëherë ta kam dëgjuar zërin. Të kam lenë në bark të nënës dhe thosha se do jetë djalë. Lotët na kishin mbuluar të dyve. Unë i thosha: “O Mark Deckaj. Bëhu i fortë pse qan!?” Baba më pyeste se pse kisha ardhur dhe unë i thosha se kisha pritur 17 vjet dhe doja t’i shikoja sytë e ballit babës tim. Ndërsa ai më puthte, unë i thoja: Tash nuk jam ma i varfën, nuk jam i pababë.
Po pas arratisjes suaj, çfarë ndodhi me nënën?

 Pasi ika unë, diku një vit më vonë, ndërsa nëna ishte në bjeshkë, spiuni Ndue Nikoll Markhelli, lajmëroi policinë se nëna donte me u arratisë, dhe ata erdhën e morën dhe e internuan në Hajmel, ku qëndroi për 19 vjet me radhë.
Gjatë kohës që babai juaj Marku jetonte në Amerikë, a është marrë me politikë?

 Me politikë babai është marrë që kur ishte në Itali, ku u zgjodh kryetar i Bllokut Indipendent Kombëtar duke bashkëpunuar ngushte me Ernest Koliqin, Gjon Markagjonin, Ismail Vërlacin, Kol Bibë Mirakajn, etj. Gjatë asaj kohe, njerëzit e Sigurimit të Shtetit Shqiptar i bënë babës një atentat me pistoletë, por ai mundi të shpëtonte i plagosur në krah. Por edhe në spital atë deshën ta helmonin me disa biskota të cilat i solli aty një grua e veshur si murgeshë e cila pas hetimeve të Ernest Koliqit, rezultoi se kishte dalë nga Ambasada Shqiptare në Romë. Pas kësaj, baba u detyrua dhe shkoi në Amerikë.

Tahir Kolgjini - Blloku Kombtar Indipendent
Blloku Kombtar Indipendent

Po me nënën tuaj kur u bashkuat?

 Me 16 gusht 1990, kur isha 42 vjeç, unë erdha në Shqipëri dhe takova nënën, e cila në atë kohë banonte e vetme në Shtoj. Baba dhe gruaja ime më thoshin të mos vija se akoma nuk kishte rënë komunizmi, por unë e kisha vendosur dhe me mua erdhi dhe gruaja. Në Rinas me nxorrën shumë probleme dhe nuk donin të më vulosnin pasaportën dhe pas një debati prej 15 minutash, ma vulosën. Nënës i kërkova falje dhe ajo më tha se ma kishte bërë hallall. Pas 5-javësh munda t’i bëj letrat nënës dhe e mora me vete në Itali, ku më pas erdhi dhe baba. Kështu pas 42 vjet e 3 muajsh, ata u takuan në Romë. Ka qenë një takim prekës ku vetëm lot kishte. Baba dhe nëna jetuan 3 muaj në Itali dhe më pas erdhën në SHBA, ku u bëmë të gjithë bashkë. Unë i shihja kur ata qanin për njëri-tjetrin. Kur nëna e pa se sa mirë jetonim, tha: Tani jam gati me vdekë. Dhe ashtu ndodhi vërtetë: Me 2 korrik 1991, ditë e martë, ata të dy humbën jetën në një aksident automobilistik.
Po ju kur e krijuat familjen?

 Unë jam martuar me 22 tetor 1971 me Lajde Mark Gjonajn, babai i se cilës, Pashuk Markgjonaj rrjedh nga një familje nacionaliste mjaft e persekutuar nga regjimi komunist, njësoj si ne. Unë kam 3 djem: Robertin, Palin dhe Tomin, i cili është asistent-regjisor dhe producent filmash në Hollivud ku ka bashkëpunuar në 34 filma.
Marrë nga http://botasot.info/diaspora 06.07.2014

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Ky shkrim dhe po të bëhet film mbetet i pakonceptueshëme për nga dhimbja… Shkurt horror komunist… dhimbje…
    Më vjen shumë keq përfatin tragjik të Prindërve të zotit Deckaj…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.