back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Gjimnazi “Zosimea” në Janinë dhe shqiptarët nga Gëzim Bullaku

Gazeta

Gjimnazi Zosimea i Janines
Gjimnazi Zosimea i Janines

Gjimnazi “Zosimea” në Janinë dhe shqiptarët

nga Gëzim Bullaku

“Zosimea”, shkollë e nivelit europian

Shkolla e Mesme Gjimnaz Zosimea në Janinë (Gre. Zosimaia skoli – ΖΩΣΙΜΑΙΑ ΣΧΟΛΗ – ζωσιμαια σχολη) ishte një shkollë me nivel të lartë kulturor e arsimor, prestigjioz dhe me emër, i krahasuar me një universitet për kohën. Ishte ndër institucionet më të njohura edukative – arsimore gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Duke folur për këtë institucion profesor Jashar Rexhepagiqi mes tjerave thotë edhe këtë: “Kristoforidhi, Vreto, Naimi, Samiu, Abdyli, Ismail Qemali, Anastas Byku dhe disa rilindës të tjerë kanë qenë nxënës dhe kanë kryer mësimet në Gjimnazin Zosimea në Janinë. Për këtë shkollë, e cila kishte profesorë të ngritur, të aftë dhe një bibliotekë të pasur, po ashtu nuk kemi ndonjë studim të posaçëm monografik, gjë që është një zbrazësi e madhe për punën kërkimore shkencore”.
Si datë zyrtare e themelimit të Shkollës së Mesme Gjimnaz “Zosimea” në Janinë merret viti 1828. Mirëpo sipas një shënimi në librin Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës, (The Muslim Bonaparte: Diplomacy & Orientalism in Ali Pasha’s Greece) të autores Katherine E. Fleming, e që i referohet punimit Sistemi i miletit dhe kontributi i tij në zbehjen e identitetit kombëtar ortodoks në Shqipëri – The Millet system and its contribution to the blurring of Orthodox National Identity in Albania të Stavro Skendit, publikuar në kuadër të monografisë Christians and Jews in the Ottoman Empire në vitin 1982 në New York nga Holmes & Meier Publishers, nën redaktimin e Benjamin Braude dhe Bernard Lewis, “Gjimnazi është themeluar nga vëllezërit Zosimea në vitin 1769”.
Shkolla u quajt Zosimea për nder të vëllezërve Zosimea me shpenzimet financiare të të cilëve edhe u themelua dhe funksionoi për një periudhë të gjatë kohore. Fillimisht funksionoi si Shkollë e Përgjithshme (General School) kurse gjimnaz i plotë bëhet aty nga viti 1833. Vetëm pak vite pas themelimit, ajo filloi të konsiderohet si Shkollë e Madhe e Kombit, (Gre. Megali tou Genous Skoli – Ang. Great School of the Nation). Në vitet 1833-1862 drejtor i shkollës ishte Anastas Sakellario nga fshati Zagori, përndryshe ish-student i Athanas Psalidhës. Nën drejtimin e tij shkolla arriti suksese të mëdha. Lëndët themelore mësimore fillimisht ishin: gjuha dhe letërsia greke, latine, frënge si dhe ajo italiane dhe me kalimin e kohës plani dhe program i saj mësimor u zgjerua dhe u pasurua edhe më lëndë të tjera, madje deri në atë masë sa që aty mësoheshin gjerësisht lëndët klasike dhe shkencat natyrore, siç ishin: filozofia, teologjia, fizika, kimia, biologjia, kozmografia (astronomia), gjeografia, historia, matematika. Kohëzgjatja e mësimeve – studimeve në këtë institucion fillimisht ishte trevjeçare pastaj katërvjeçare ndërsa që nga viti 1840 u shtuan edhe tri vite të tjera kështu që ajo u bë një shkollë shtatëvjeçare. Si shkollë me kohëzgjatje shtatëvjeçare mbeti deri në vitin 1852. Po në këtë vit sipas dëshirës së Nikola Zosimeas, shkolla profilizohet në tri drejtime. Edhe numri i studentëve nga 215 në vitin 1852 u ngrit në 400 kah fundi i mandatit të Sakelariosit.
Nga viti 1860, Universiteti i Athinës u krijoi mundësi studentëve të Zosimeas që ti vazhdonin studimet universitare pa iu nënshtruar fare provimeve pranuese. Kjo ndodhi për shkak të suksesit të studentëve të Gjimnazit gjatë provimeve përfundimtare si dhe prestigjit të lartë që kishte arritur Shkolla e Mesme Gjimnaz Zosimea. Sipas rregullores së vitit 1878 ky institucion edukativo – arsimor i përgatiste të rinjtë për studime universitare, për mësuesi si dhe për tregti. Kuadrot që dilnin nga drejtimi i normales Zosimea emëroheshin mësues të shkollave të ndryshme nëpër Gadishullin Ballkanik. Edhe personeli mësimor e stafi pedagogjik ishte mjaft i zgjedhur pasi Zosimea “kishte profesorë të ngritur dhe të aftë” madje aty kishte edhe profesorë prej France, Italie, Gjermanie e Austro-hungarie. Disa nga drejtuesit dhe profesorët e Zosimeas nëpër periudha të ndryshme kohore ishin: Anastas Sakellariou, Mannar Spyridon, Miltiadi Pantazis, George Soteriade, Dimitrio Constans, Antoni Traflantonis, Alexio Th. Zamarias, Panaiotis Aravantini, Angjelo Çaço, etj.
Sipas gjurmuesit Iljaz Gogaj e i cili i referohet revistës “Minerva” nr. 12, Tiranë, 1934, si mësimdhënës i Gjimnazit Zosimea në Janinë nga viti 1904 kishte qenë edhe pedagogu i njohur nga Gjilani, Qamil Bala. Edhe pse në këtë detyrë kishte qëndruar shkurt, Qamil Bala ishte shquar me aftësitë intelektuale e profesionale dhe zellin për punë.
Me paraqitjen e tij autoritare dhe të ngrohtë, i rreptë dhe i dashur, i drejtë dhe dashamirës, kërkues në disiplinë dhe tërheqës në mësim, ai do t’ia rriste së tepërmi emrin vetes ndërmjet nxënësve dhe profesorëve si një autoritet intelektual e atdhetar. Duke vlerësuar me notat më të çmuara ndihmesën e atëhershme të Qamil Balës, shumë vjet më vonë, gazeta “Besa” që dilte në Tiranë, do të shkruante: “Ç’ka qenë Bajo Topulli për Shqipërinë e asaj kohe në Selanik, ka qenë edhe Qamil Bala në Janinë dhe gjetkë”. Këta i mbanin gjallë dhe i lartësonin ndjenjat kombëtare në shpirtin e njomë të studentëve shqiptarë. Sidomos gjatë kësaj periudhe, “Zosimea” në Janinë, ishte qendra ku në format më të ndryshme, ushqehej ndjenja dhe dashuria ndaj çdo gjëje shqiptare, nga punëtorët e luftëtarët e shquar të shqiptarizmit, e ku bënte pjesë pa dyshim edhe profesori Qamil Bala. Në këtë mënyrë “Zosimea” dhe Janina u bënë vatër e diturisë dhe u kthyen “në shtëpi kombëtare për djemtë e Shqipërisë”. Përveç në Gjimnazin “Zosimea” Qamil Bala kishte punuar edhe në gjimnazet e Manastirit dhe të Selanikut.
“Zosimea” ishte e pajisur edhe me një bibliotekë të pasur si dhe më një laborator të fizikës. Sipas pasqyrës së fondacionit të dhënë nga historiani i Janinës Aravantini, Kolegji “Zosimea” zotëronte një kapital prej 1. 107. 610 rubla në Bankën e Moskës, 143 800 monedha ari në atë të Vjenës, dhe 515. 000 dhrahmi në Bankën e Athinës.
Hapja e gjimnazit “Zosimea” në Janinë është edhe meritë e padiskutueshme e kohës së Ali Pashë Tepelenës dhe e qëndrimeve të tij. Fatkeqësisht askund më pare nuk është përmendur kjo vepër unikale e Vezirit të Janinës, e cila pati kontribute të veçanta për arsimimin dhe kulturën e banorëve të këtyre viseve, vend në të cilin u rritën dhe u arsimuan me dhjetëra pionierë të Rilindjes dhe Pavarësisë Shqiptare, por edhe të asaj greke. Kujtojmë vëllezërit Frashëri, Vretot, Qiriazi, etj. të cilët dolën nga dyert e kësaj shkolle. Që në fillim të veprimtarisë së saj, institucioni edukativo – arsimor “Zosimea”, ishte një shkollë jashtë arealit të Perandorisë Osmane. Kurikula e saj nuk i përgjigjej programit të ndonjë shkolle shabllon të zonës, apo të vetë perandorisë. Lëndët e mësimdhënies nuk u përgjigjeshin atyre që do duhej të përthithte një nxënës i asaj kohe për tu vënë më pas në shërbim të perandorisë. E para gjë, dhe më e rëndësishmja për rolin e vet iluminues, ka qenë diversioni prej gjithçkaje tjetër në atë kohë. E rëndësishme gjithashtu, ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Edhe profili që zgjodhi shkolla të kishte, ishte ai i përcjelljes së këtyre ideve. Pra, “Zosimea” ishte një shkollë e përparuar e nivelit evropian. Thanas Psalidha, ish mësues i drejtorit të atëhershëm Sakellario, ka qenë përjashtuar nga marrëdhëniet akademike dhe në fund të jetës së vet shkon në Korfuz. Ndodhi kjo për shkak se idetë e tij ishin shumë përparimtare.
Në rrjedhë të Lëvizjes së Tanzimatit, “Zosimea” u bë gjithnjë e më e pëlqyer derisa në vitin 1860, ajo arriti nivelin e një instituti mësimor, i cili edhe sipas kritereve të Evropës së përparuar, mund të quhej plotësisht i kënaqshëm. Në atë shkollë mësuan, jo vetëm shqiptar ortodoks por edhe shumë mysliman. Ndërkohë që në shkollat qytetëse dhe të fshatit të ngritura më vonë nga grekët në Shqipërinë e jugut, predikoheshin idetë shoviniste dhe fanatike grekomëdha për institutin “Zosimea” duhet thënë, e kjo e nderon atë, se shqiptarët e mësuar këtu vërtetë sillnin me vete në shtëpi njëfarë simpatie për Greqinë, por ata dilnin prej dyerve të saj si shqiptar me ndërgjegje të lartë kombëtare. Falë gjimnazit të famshëm “Zosimea”, i cili dallohej për cilësinë sipas standardeve moderne evropiane, Janina, si kryeqendër e Vilajetit me të njëjtin emër, nuk mbeti vetëm qendër e një zone administrative por u bë edhe një qendër e rëndësishme arsimore e njohur në gjithë Perandorinë Osmane. Gjatë vizitës që i bëri Aleksander Thomsoni, gjimnazit “Zosimea” të Janinës, ai u njoftua edhe me planprogramet moderne shkollore gjë të cilën nuk e kishte gjetur as në shkollën hebreje, e cila kishte ngecur prapa në krahasim me shkollat në gjuhën greke.
Sami Frashëri në enciklopedinë e tij me titull “Kamus al – alam” të botuar në vitin 1889, këtë institucion edukativo – arsimor na e paraqet si “shkollë idadije e përsosur, speciale për grekët, e cila quhet “Zosimea”, kurse ish nxënësi tjetër i kësaj shkolle, Jani Vreto lidhur me këtë Gjimnaz thotë: “Vetëm kur shkova në Gjimnazin ‘Zosimea’ u njoha me historinë e Kastriotëve dhe të parëve tanë”. Pikërisht në bankat e kësaj shkollë Vreto e shkroi poemën Istori e Skënderbeut. (Ka të dhëna të cilat flasin se si tekst mësimor në Gjimnazin “Zosimea” përdorej edhe “Historia e Gjergj Kastriotit” botuar në Moskë më 1812).
Ish-nxënësi tjetër i kësaj shkolle ishte edhe poeti Ali Asllani. Ai lidhur me shkollën në fjalë mes tjerash shkruan: “ Të ndihmuar edhe nga mësimet ne na u ngjall edhe një dëshirë aguridhe për një farë lirie sipas kohës”.
Në librin me titull “Kujtime” Ismail Qemali, duke evokuar vitet e tij të studimeve në Gjimnazin “Zosimea” mes tjerash shkruan: “Duke qenë i pari mysliman në atë kohë, u bëra objekt i një vëmendjeje të veçantë, jo vetëm për shokët e mi të shkollës por edhe nga profesorët. Ruaj kujtimin më të mire për këta mësues, dhe ndaj një mirënjohje të thellë për kujtimin e Omer Efendiut dhe të profesorit Cime që çdo ditë vinin për të më dhënë mësime private, njëri për arabishten e tjetri për frëngjishten…  Drejtori i shkollës dhe profesorët e tjerë, me shumë mirësjellje, më lejuan të bëj provimet para kohës e më dhanë diplomë të rregullt si dhe një certifikate mirësjellje. Kështu lashë gjimnazin pasi kisha përfunduar studimet e mia humanitare (greqishten e vjetër dhe latinishten), pasi kisha marrë njohuri të mira në shkencat fizike dhe matematikë. Në të vërtetë kisha aftësi të veçanta për matematikë. Kisha bërë ushtrime e që ishin çmuar shumë nga profesori im”.

Ballina e librit  “Përmbledhje e historisë së  Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbe Mbret i Shqipërisë”  (Epitomi tis historias Georgiou tou Kastriotou, eponomasthentos Skentermpeu, Vasileos tis Albanias)  në gjuhën greke, e botuar në Moskë më 1812 nga tipografia N. S. Vsevolozhsk. Ky libër përdorej si tekst mësimor në Gjimnazin “Zosimea”.
“Zosimea” si një gjimnaz i lidhur me historinë e Shqipërisë, është shkolla ku mësuan shumë nga rilindësit tanë të shquar. Asokohe ajo konsiderohej si njëra ndër shkollat më të mira për formimin e nxënësve me virtyte të larta, dije dhe kulturë.
Edhe në shekullin e XX “Zosimea” vazhdon veprimtarinë dhe aktivitetin e saj të ngjeshur në drejtim të edukimit, arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri. Interesimi i të rinjve për t’i vijuar mësimet në këtë shkollë vazhdoi të rritet vazhdimisht. Në vitin 1918 për shkak të numrit të madh të nxënësve, në Janinë, krahas Gjimnazit “Zosimea”, themelohet edhe një shkollë tjetër e lartë ndërsa nga viti 1927 “Zosimea” fillon të quhet Shkollë e Lartë për Djem (Eng: Boy’s High School ). Nga viti 1932 nisi një periudhë e re për Shkollën e Lartë “Zosimea”, kur stafit të saj pedagogjik e arsimor i bashkohet edhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve eminent të asaj kohe. Në këtë mënyrë, ky institucion edukativo-arsimor bëhet edhe qendër e aktiviteteve kulturore. Në vitin 1937 nga organet përkatëse shtetërore i rikonfirmohet edhe një here epiteti i shkollës model mirëpo kësaj radhe si Shkollë e Lartë Model (Eng: High School Model).
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shkolla e Lartë “Zosimea” vazhdon funksionin dhe misionin e saj. Kështu në vitin 1952 vendoset që për nevojat e Shkollës në fjalë të ndërtohet një objekt i ri dhe në nëntor të vitit 1955 përurohet ndërtesa e re e Shkollës së Lartë – Akademisë “Zosimea” në Janinë.
Sot “Zosimea” është një shkollë që ndërtesën e vjetër historike e ka në mes të Janinës, dhe si për ironi të një fati akoma më ironik, gjendet tamam mbi rrugën e stacionit të autobusëve interurbanë, sapo dikush zbret pasi ka hipur në Kakavijë, Gjirokastër apo Tiranë. Nëse dikush do të kërkonte në katalogët e regjistrimit të asaj shkolle, do të gjente emra shqiptarësh të mëdhenj të asaj kohe.
Nga ky institucion dolën personalitete të shquara shqiptare jo vetëm të periudhës së Rilindjes Kombëtare por edhe pas saj. Në literaturën e shtypur dhe atë elektronike si ish nxënës apo student të Gjimnazit “Zosimea” në Janinë përmenden: Zenel Hito Gjoleka, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Tahsini, Ali Asllani, Anastas Byku, Elmaz Boçe, Mehmet Esat Pasha (Mehmet Esat Bülkat ), Abedin Dino, Hasan Dosti, Qazim Koculi, Petro Poga, Hodo Sokoli, Dhimiter Tutulani, Sulejman Aliko Alikaj, Filip Aleks Joani, Dhimitër Zarkali, Gjergj Çako, Turhan Permeti, Sali Nivica, Apostol Meksi, Krist Meksi, Ndini Ziu, Gori Ziu, Kostandin Kola, Ibrahim Gramshi, Perikli Ikonomi, Vangjel Mëhilli, Hamit Xheka, Thanas Sina, Fiqret Shehu Fterra, Shemo Ceka, Sali Asllami, Ali Beqaj, Namik Delvina, Sylejman Delvina, Vehip Hoxha, Vangjel Zhapa, Vangjel Koça, Xhevat Korça, Myfit Libohova, Turhan Permeti, Aristidh Ruci Qazim Kokoshi, Mustafa Muço, Hamza Isaraj, Ali Spahiu, Qazim Mulleti, Llambi Goxhomani, Balil Mete Pelari, Kiço Konomi, Abaz Sinani, Ilia Dilo Sheperi, Fehim Mezhgorani Tepelena, Mustafa Kruja, Theodos Llukani, Leonida Bezhani, Thoma Papapano, Aleko Kondili, Xhafer Shehu Fterra, Sinan Kërpi, Hysen Çela, Pavllo Konomi, Sotir Konomi etj.
(e.r. / epokaere.com)
marre nga http://www.epokaere.com 16 dhe 17 qershor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.