back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Gjermania pasnaziste dhe Shqiperia paskomuniste nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika

Gazeta

Thanas L. Gjika
Thanas L. Gjika

Gjermania pasnaziste dhe Shqiperia paskomuniste

nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika

Gjermania naziste më 9 maj 1945, njohu humbjen dhe firmosi kapitullimin e sistemit nazist. Funksionarët dhe ushtarakët e lartë që u kapën gjallë i kaluan gjyqit dhe u dënuan si kriminelë lufte. Kështu u nda populli gjerman prej së kaluarës së tij të keqe. Mbas kësaj Gjermania u nda në tre zona kontrolli, dy nën kontrollin e Anglisë dhe ShBA-ve dhe një nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Dy pjesët që kontrolloheshin prej aleatëve perëndimorë krijuan shtetin Republika Federale Gjermane, që u quajt dhe Gjermania Perëndimore. Pjesa që kontrollohej prej BS u shpall pas disa vitesh shtet më vete me emrin Republika Demokratike Gjermane, që u quajt dhe Gjermania Lindore. Në plan ekonomik e politik këto dy shtete gjermane krijuan dy sisteme të ndryshme. Gjermania Perëndimore me ndihmën e Anglisë e të ShBA-ve, krijoi sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë, kurse Gjermania Lindore e detyruar prej Bashkimit Sovjetik, krijoi sistemin socialist me ekonomi të përqendruar në duart e shtetit.

Ndarja e Gjermanive (1945-1990)
Ndarja e Berlinit (1945-1990)

Gjermania Perëndimore ndoqi këshillat e një udhëheqësi të saj largpamës, i cili iu drejtua popullit me këto fjalë:
“Për fajin e vetë ne gjermanëve, Gjermania është e shkatërruar, ajo humbi rininë në luftë dhe një të tretën e teritorit (Gjermaninë Lindore). Ne duhet të punojmë fort për ta rimëkëmbur vendin tonë dhe për të paguar dëmet që u shkaktuam vendeve që pushtuam gjatë luftës.
Popull gjerman, kur të shkosh në zgjedhje, të votosh ata kandidatë që janë të njohur për ndershmërinë dhe atdhetarinë e tyre dhe jo ata kandidatë që janë të njohur vetëm për shkollimin e tyre të lartë. Gjermaninë do ta ndreqin atdhetarët e ndershëm që punojnë me përkushtim e sakrifica dhe jo ata që kanë diploma të larta, por që u mungon përkushtimi atdhetar!”
Që nga viti 1945 deri më 1960, populli i Gjermanisë Perëndimore punoi kokulur dhe në fushatat zgjedhore zgjodhi bij atdhetarë të përkushtuar pavarësisht nga arsimimi i tyre. Kështu u krijua klasa politike që ndoqi një politikë ekonomike me rritje të shpejtë. Brenda 15 vjetëve RFGj arriti të rimëkëmbej ekonomikisht e politikisht, ia hoqi frikën botës se mos shkaktonte një luftë të re dhe u bë fuqia e parë ekonomike midis shteteve të Europës Perëndimore, e cila filloi të thithte fuqi punëtore nga vendet e tjera. Duke ecur në këtë rrugë ajo u fuqizua aq shumë sa që e detyroi Bashkimin Sovjetik ta dorëzonte Gjermaninë Lindore më 1989, gati gjashtë vjet para afatit të caktuar.

Muri i Berlinit (1961-1989)
Muri i Berlinit (1961-1989)

Kurse Shqipëria paskomuniste ndoqi një rrugë të ndryshme nga ajo e Gjermanisë pasnaziste. Shqipëria paskomuniste nuk deshi të ndahej nga e kaluara, nga e keqja që pati sunduar për gati gjysëm shekulli. Në Shqipëri u krijua një klasë politike, e cila në shumicën e vet vetëm në dukje ishte e palidhur me ish kupolën komuniste, por në fakt ishte pjellë e saj dhe zbatuese e një politike jo demokratike. Kjo dukuri pati pasoja shkatërimtare për të ardhmen e atdheut:

E para, udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë ndonëse e njohu dështimin e sistemit socialist diktatorial dhe pranoi shpalljen e pluralizmit dhe krijimin e ekonomisë së tregut të lirë, nuk pranoi të shpallte veten fajtore për gjithë dëmet që i kishte shkaktuar popullit gjatë viteve 1944-1991 dhe nuk kërkoi të falur. Ajo nuk dënoi askënd prej drejtuesve të diktaturës, madje as ish diktatorin e vdekur. Kjo politikë ndikoi tek ish anëtarët e PPSh-së që drejtonin Partinë Demokratike që të mos i dënonin anëtarët e ish kupolës komuniste si meritonin për krimet e kryera. Kështu kuadrot e lartë të PPSh-së, të sigurimit dhe të ushtrisë u nxitën që të mos pranonin se ishin pjesë e asaj ushtrie që doli e mundur prej Luftës së Ftohtë dhe se duhej të tërhiqeshin kokulur e të mos merrnin pjesë në veprimtarinë politike e pushtetore. Për turpin e tyre ata filluan një luftë të re mashtruese si në politikë dhe në letërsi. U shkruan prej tyre artikuj e libra me kujtime të mbushur vetëm sharje e shpifje kundër kundërshtarëve të tyre dhe me trimëritë e bëmat e tyre pozitive për periudhën e Luftës Antifashiste dhe për kohën e diktaturës. Ata nuk bënë përpjekje serioze për të shpjeguar pse dhe si u instalua e keqja, diktatura, si ata u kthyen nga trima në servilë të diktatorit, si dhe pse kapitulloi ajo diktaturë bashkë me ushtrinë e vet. Ata nuk duan ende të kuptojnë përgjegjësinë që kanë pasur në zbatimin e politikës antinjerëzore të atij sistemi dhe në teprimin e krimeve duke vrarë, burgosur dhe internuar vëllezërit e një gjaku shumë më tepër sesa kishin vrarë e dënuar armiqtë e jashtëm të popullit shqiptar gjatë 100 vjetëve para ardhjes në pushtet të PKSh-së.

Kazmë - Pushkë dhe Parime
Kazmë – Pushkë dhe Parime

E dyta, mosdënimi i krimeve të kryera gjatë sundimit komunist dhe i figurës së ish diktatorit, është pjesë përbërëse e krimeve të rinj, që tregojnë se sa poshtë kishin rënë dhe sa poshtë qëndrojnë edhe sot nga ana morale ish pushtetarët komunistë dhe bijtë e tyre, të cilët shfaqen si enverucë në jetën e sotme duke imponuar mendimet e tyre e duke luftuar me cdo mjet e formë ata që mendojnë ndryshe. Sundimi i kësaj gjendje mendore tregon se Shqipëria e sotme vijon të jetë peng e mendësisë komuniste.

E treta, drejtuesit e partive politike të Shqipërisë paskomuniste, që kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me PPSh-në, nuk punuan dhe nuk punojnë për ndërgjegjësimin e cdo shqiptari për të dënuar krimet e kryera gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe për të mos ua dhënë votën bijve të ish pushtetarëve dhe ish sigurimsave të kohës së diktaturës komuniste.

E katërta, në Gjermaninë Perëndimore nuk ishte prekur prona prej nazizmit, prandaj ndihmat e huaja dhe investimet e pronarëve vendas dhe të huaj dhanë rezultate të shpejta. Në Shqipërinë socialiste prona u shtetëzua krejt dhe qeveritë paskomuniste nuk luftuan me ndershmëri për t’ua kthyer pronën pronarëve të vërtetë, por ua ndanë atë kryesisht ish komunistëve dhe shërbëtorëve të tyre besnikë. Po këtyre forcave u dhanë edhe shumica e ndihmave të jashtme. Kjo gjendje e pronës tek ne nxiti vjedhjen e korrupsionin dhe pengoi e pengon investitorët për të bërë investime serioze.

E pesta, sistemi diktatorial duke e varfëruar tej mase shqiptarin, duke e mbajtur të shtypur përmes një dhune të paparë, ia shkatëroi moralin njerëzor dhe ia neveriti dashurinë për atdheun. Shqiptari i kohës së diktaturës për të mbijetuar detyrohej të bëhej hajdut, gënjeshtar, mosmirënjohës, spiun e vrasës; vese të cilat e pengojnë sot shqiptarin të punojë kokulur e me përkushtim atdhetar qoftë në atdhe, qoftë në diasporë.

E gjashta, duke mos pasur pronë të mjaftueshme në atdhe, duke u drejtuar prej politikanësh të pamoralshëm, shqiptari i sotëm ende e sheh si rrugë shpëtimi rrugën e shpërnguljes drejt vendeve ku mungon tymnaja helmuese e politikës shqiptare dhe puna paguhet më mirë.
Po të mos bëhen korrigjimet e nevojshme për të treguar e dënuar krimet e kryera deri sot prej ish pushtetarëve të diktaturës e të tranzicionit, atëhere shpërngulja e shqiptarëve nga atdheu ka për të mbetur si e vetmja rrugë shpëtimi dhe Shqipëria do të kthehet në një shtet me popullsi të rrallë, gjë që rrezikon të ardhmen e kombit tonë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.