back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Gjergj Fishta si kurban nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Gjergj Fishta si kurban

nga Ilir Hashorva

Pra pak ditësh, në disa gazeta, u botua një letër e Gjergj Fishtës, e zbuluar prej Nasho Jorgaqit, të cilën Fishta ia dërgonte një miku të tij, një oficeri fashist, këtu e më se 75 vjet më parë. Mjaftoi kjo letër që Fishta menjëherë të quhej fashist dhe të anatemohej nga komunistët ashtu siç dinë ata, kur i vënë tjetrit epitetin fashist, ndonëse Fishta nuk ka qenë asnjëherë as fashist me bindje dhe as fashist i organizuar se, po të kishte qenë, do të kishte bërë, së paku, një poemë a një vjershë për Beniton a fashizmin, ashtu siç bënë poetët tanë komunistë për Enverin dhe partinë. Por jo. Fishta nuk i këndoi kurrë fashizmit. Do të kishte qenë me shumë vlerë, po të ishte bërë ndonjë studim i paanshëm për të krahasuar fashizmin italian me komunizmin shqiptar, prej nga të dilte se cila prej këtyre dy diktaturave kishte qenë më totalitare, më shtypëse dhe më e dëmshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe, rrjedhimisht, cilët do të duhej të kritikoheshin më shumë: komunistët apo fashistët
Disa shkrime të tjera po në gazeta si dhe komente të lexuesve, krijuan atmosferën e viteve të para të pasluftës, kur Enver Hoxha u ngrit i pari për të denigruar dhe masakruar poetin e madh kombëtar Gjergj Fishtën, këtë poet që i këndoi vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe, pas Enverit, të gjithë larot, me demek shkrimtarë e poetë, pasuan me një sulm të përgjithshëm e të larmishëm kundër tij, ca nga smira e ca nga dallkaukllëku. Enver Hoxha e denigroi dhe e masakroi Gjergj Fishtën, për hir të jugosllavëve, sepse pa denigruar dhe pa masakruar atë, pa e bërë kurban atë, nuk mund të krijonte ato marrëdhënie me Jugosllavinë e Titos, të cilat mund të arrinin deri aty sa Shqipërinë t’ia bashkonte Jugosllavisë.

Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike, diplomatike.... Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare,
qytetnuese, letrare, politike, diplomatike….
Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi – Gjergj Fishta dhe Asdreni.

Pa dyshim, lind pyetja: ç’u kujtua shtypi shqiptar, që të rilindte një fushatë antifishtë pikërisht sot, kur kishte filluar një rehabilitim i ndrojtur i tij, kur kishin filluar t’i botoheshin veprat, kur kishte filluar vlerësimi i tyre, kur edhe Ismail Kadareja, dikur një nga kritikët më të mëdhenj të tij, tha se kritikën nuk ia kishte bërë për ta luftuar, por për ta mbrojtur!? Rastësisht doli letra e Nasho Jorgaqit sot kundër poetit më antisllav e më pro shqiptar, letër për të cilën nuk thuhej as se kur dhe ku ishte zbuluar dhe as nuk jepej faksimilja e saj
Në këtë botë ka shumë gjëra që duken si koincidenca apo rastësira. Në të vërtetë prej tyre koincidenca dhe rastësira janë fare pak dhe ato që konsiderohen rastësi, shpesh janë ligjësi. Në qoftë se do të shohim periudhën kur rilindi fushata antifishtë sot, do të vëmë re se ajo u zhvillua njëkohësisht me vizitën e kryeministrit tonë Edi Rama në Serbi si dhe me botimin aty në serbisht të librit të tij “Kurban”. Edi Ramës i duhej një atmosferë e brendshme proserbe që të bëhej më i besueshëm prej serbëve në bisedimet që do të zhvillonte me ta dhe për t’i larë borxhin atyre për botimin e kurbanit të tij. Kështu, në Shqipëri Fishta u bë kurban për herë të dytë
A mund të ishte Edi Rama orkestruesi i asaj fushate, apo për të kanë punuar edhe qarqe të tjera okulte, apo, e thënë shqip, proserbe? Nuk mund të thuhet me siguri se cilët e orkestruan, por me siguri mund të thuhet se ajo fushatë i shërbeu Edi Ramës dhe, po qe se ishte e orkestruar prej tij, ishte si një dhuratë personale që një mbret i çon një mbreti tjetër, kur kërkon favore prej tij.
Nju Jork, 15. 10. 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.