back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Gjashtë Shkurti i 1967-ës – Një njollë e zezë në historinë e popullit shqiptar – kujtime nga Ndoc Selimi

Gazeta

Shkurt 1967. Banorë të Durrësit në një manifestim ateist drejt manastirit të Shën Vlashit
Shkurt 1967. Banorë të Durrësit në një manifestim ateist
drejt manastirit të Shën Vlashit

(6 shkurt 1967 – 6 shkurt 2017)

50 Vjetori i krimeve makabre kundra fesë

dhe institucioneve fetare dhe historisë së tyre

6 shkurt të vitit 1967, gjoja me iniciativë të
rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri” Durrës,
filloi një “epokë e re” e ndryshimeve rrënjësore
dhe lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe fetare
mori një tjetër dimension. Iniciativën kuptimboshe
të organizatës së rinisë komuniste të shkollës “Naim Frashëri”,
e pasuan dhe nxënësit e shkollës “29 Nëntori” dhe më pas
në aksion u hodh gjithë klasa punonjëse e rrethit të Durrësit.
Në letrën drejtuar institucioneve partiake dhe qeverisjes së asaj kohe,
organizata e rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri”,
kërkonte që: “tashmë kishte ardhur koha
kur priftërinjtë dhe hoxhallarët duhet ta fitojnë vetë
bukën e gojës dhe jo të shfrytëzojnë djersën e fshatarësisë…”
 
Raporti informativ jep me shifra dhe detajon gjithë aksionin
për shkatërrimin e objekteve fetare në Shqipëri
dhe luftën e hapur kundër besimeve fetare.
Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat
740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire,
157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame…

Lin Delija - Krimet
Lin Delija – Krimet

Gjashtë Shkurti i 1967-ës

Një njollë e zezë në historinë e popullit shqiptar

kujtime nga Ndoc Selimi

Ndodheshim në Lushnje, në aksionin vullnetar kombtar për ndërtimin e hekurudhës Rogozhinë-Fier. Isha me grupin e studentëve të Shkollës Pedagogjike të Shkodrës.
Gazetat e radiot mbushnin ajrin e qytezës së vogël të aksionistëve me tone të papërmbajtura. Transmetoheshin fjalët e udhëheqsit. Ndër të tjera flitej edhe për inisiativën e rinisë për shkatërrimin e objekteve të kultit. Por në fakt ky sulm i ri ishte i tëri kundër klerit e në veçanti atij katolik.
Me 18 shkurt 1967, në orën 7.00 të mëngjesit, një bori marramendëse buçiste në çdo derë kapanoni në shenjë alarmi… dhe bënte thirrje për rreshtimin e të gjithë aksionistëve në sheshin ku ngrihej flamuri çdo mëngjes. Në tribunë u ngjit një grup të rinjsh me shalla aksionistesh në qafë. Njëri nga organizatorët foli për inisiativën që kishte marrë shtabi i rinisë së aksionit për shkatërrimin e xhamisë dhe kishës së Lushnjës “prandaj – tha ai – kërkoj mbështetjen tuaj!”
Në fillim u dëgjuan disa duartrokitje, pastaj më shumë, derisa kjo mënyrë aprovimi pushtoi gjithë sheshin.
E gjithë kjo farsë bëhej në sy të shumë sigurimsave që vërenin se mos ndokush pëshpëriste apo nuk duartrokiste. Ne, që ishim mësuar me këtë lloj taktike dhe frike, duart na shkonin vetë si të telekomanduara.
Në orën 10.00 të 600 studentët dhe mësuesit e të tri shkollave pedagogjike: Shkodrës, Beratit dhe Gjirokastrës në kolona marshimi u drejtuam për në qendër të qytetit të Lushnjes.
Binte një shi i imtë, sikur edhe natyra po qante për atë që do të shihte më vonë. Arritëm para xhamisë së qytetit. Aty na priste një hoxhë më mjekërr krejt të bardhë. Ashtu i ngrirë, siç ishte, dukej si statujë e lashtë romake. Rreth 30 veta u shkëputen dhe me vrap nxituan për në xhami duke ulëritur e bërtitur në hapësirat bosh. Dëgjonin jehonën e zërit të tyre dhe gëzoheshin. Hodhën prej andej vetëm ca tapete e asgjë tjetër. Të tjerë të ngjeshur te porta ngacmonin hoxhën me lloj lloj sharjesh bile ndonjë arriti edhe ta shkelmonte, por njeriu i ngurtësuar as nuk lëvizi e as nuk u mbrojt. Ashtu stoik, m’u duk sikur thoshte: “Unë këtu do të jem!”.
Pastaj u dha urdhëri të kalonim te kisha që mbante emrin e Shën Prokopit, e cila nuk ishte më shumë se 3-400 m larg prej xhamisë.
Aty gjetëm një grup të rinjsh që po shkallmonin derën kryesore. Me ata u bashkuan edhe disa të tjerë derisa ia arritën qëllimit. Nga brenda nxorrën një prift ortodoks me një pamje engjëllore, një mjekërr thinjoshe dhe një kryq që i varej në qafë e i vazhdonte deri në gjoks. Tre vetë e kishin mbërthyer në formë arresti dhe filluan ta shajnë. Ai rrinte para nesh me kokën drejtë, në oborrin e kishës, ku të krijonte përshtypjen e një tribune të vogël.
-E shikoni këtë fytyrë? – pyeti njeri prej atyre që e mbante si në arrest – ka gënjyer gjithë jetën, ka vjedhur popullin e ka jetuar si parazit. Tani do ta shohë se si fitohet buka me krahë.
-Ptfu, maskara! – e pështyu tjetri. Pastaj i dhanë një të shtyrë e atij iu morën këmbët e ra. Ne e ndoqëm gjithë skenën derisa u çua e mori rrugën mes selvive, si një hije që po shkonte të vizitonte varrezat.
Për herë të parë dallova se një përqindje shumë e madhe e të rinjve qëndronte në heshtje… dhe ashtu në heshtje, si edhe unë, nuk e miratonte në shpirt atë brutalizëm, atë mllef, atë zemërligësi, që na imponohej dhunshëm të gjithë ne të tjerëve.
Pjesa tjetër e turmës tashmë kishte hyrë në kishë e në mënyrë barbare thyente ikonat, përplaste për tokë pikturat. Pastaj filluan të nxirrnin librat e shumtë duke i flakur nën murin e vogël të oborrit. Spektatorë të kësaj skene vandalizmi ishim ne, që qëndronim sehirxhinj, të heshtur, pa patur mundësi as të reagonim të paktën me ndonjë fjalë…
Aty nën pikat e imta të shiut, i cili përzihej me lotin tradhëtar, që rrëshqiste fshehurazi nëpër shumë faqe të atij grumbulli të madh studentësh. Në mes tyre mbaj mend si sot shoqen time të klasës, Fatimen, e cila kishte vënë të dyja duart në ballë e veç qante pa pushim. Unë isha ngulë te turra e librave nën mur, që priste bidonin me benzinë për t’i dhënë flakën. Në atë grumbull pa fund librash shikoja historinë e kombit tonë, shikoja luftën, qëndresën, heronjtë. Në atë turrë kishte edhe libra shumë të rrallë, me vlera shekujsh. Por ku donin t’ia dinin vandalët për vlera dhe histori; për ta mjaft të kishin emrin e Krishtit apo të ndonjë shënjtori tjetër, për t’u shpallë herezi politike e për t’u dënuar me djegie.
Shtriva dorën të marr një libër.
Ishte një botim i hershëm i shtëpisë botuese “Luarasi”, por shokët me qortuan me gjeste duke më bërë me dije se dikush po më shihte. Atëherë tërë dhimbje e hodha librin në flakën që tashma po përpinte çdo gjë…
Të gjithë ne studentët e Shkodrës e ndjemë në shpirt atë mënxyrë që dukej sikur dilte nga errësira e shekujve për t’u përsëritur në shekullin e XX.
Ashtu kokulur e në heshtje u drejtuam për në kapanonet tona, sikur po ktheheshim nga një funeral i dhimbshëm nga fundi i një epoke të lumtur, që një dorë e zezë e kishte dënuar me vdekje, me pushkatim e ndoshta edhe më keq; me djegie.
Vite me vonë shkrova një poezi kushtuar historisë kobëzezë të asaj dite shkurti, që kurrë s’do të më shlyhet nga kujtesa.
Shkatërrimi i kishave
Shkatërrimi i kishave

Te Kisha e Vjetër, Lushnje ’67

nga Ndoc Selimi

 Qielli i shkurtit lshonte pika shiu n’formë loti
mbi pullazin e kishës Shën Prokopit
Lushnje, ’67.
Turra e librave nën mur
flakë shpirtnash shpërndante kur digjej
e fryma e saj drejt qiellës
me zogj e shejtnorë bashkë ngjitej.
Ne, flakdhansave t’shekullit
na u duk,
se vorret pa kokë
shpupurisnin koca e kafka
e n’trajta heshtash e shpatash
dolën mbi tokë.
Trungu i ullinit moçëm me krahë
zgjatun mbi kishë
thonë se ruen imazhin e krimit
me mijra vjet në rrathë.
Fatimja, shoqja ime e klasës
për here të parë në jetë bani kryq
mandej qau mbi ikonën e Shën Mërisë
që zjarmi i pamshirshëm
e kishte kthye n’prush.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.