back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Giuseppe Ungaretti – Poeti – që s’e lodhi përsosja… nga Jozef Radi

Gazeta

Giuseppe Ungaretti (1888-1970)
Giuseppe Ungaretti (1888-1970)

Poeti, që s’e lodhi përsosja…*

nga Jozef Radi

kushtue poetit Nobelist Giuseppe Ungaretti

Të përkthyemit, mbeti nji provokim i hershëm i rinisë sime.
N’at labirinth jete ku na kish hjedhë fati, ndiqja vazhdimisht tim atë n’at shumsi gjuhësh që njihte të punonte në vetminë e tij, e ndodhte që ballafaqohesha me përkthime të tija, ba msheftas, thjesht për kënaqësi të vet, mbasi ishte e pamundun me i gjetë ata libra ndër librari a biblioteka. Ishte si të thuesh ajo knaqësia e luejtjes me zjarrin, me lexue diçka jashtë atyne standarteve të përcaktueme prej shtetit e jashtë atij ushqimi shpirtnor uniform, që na jepesh detyrueshëm me doza të forta ideollogjie, prej t’cilave sot e kësaj dite, t’paktë mbeten ata që mujtën me pshtue.
Kështu, krahas knaqësisë që provoja prej atyne pak përkthimeve, hyja në “konflikt” me tim atë për gjuhën e përdorun në përkthimet e veta, mbasi e kishte thuej t’pamundun me i shpëtue gegnishtes, edhe pse shqipen standarte të përcaktueme me dekrete, dhe “diktate të specifikueme”, përpiqej gjithsesi me e respektue.
Aty, ai njeri i shkolluem, më lejonte të ndjehesha edhe njifarë censori i përkthimeve të veta, e mos me e lanë at mund me shkue dam, mbasi ato vepra do të shkruheshin dy herë, nji ditë vendosëm s’bashku që ai ta punonte paraprakisht materialin për përkthim, ndërsa mbramjeve të merreshim me përkthimin; Ai e lexonte drejtpërdrejt veprën, ndërsa unë jo vetem e shkrueja po edhe e rafinoja gegnishten e tij, në shqipen time standarte.
Ditë mbas ditë, ky zell pune u ba rutinë e zakonshme mes nesh, dhe s’ishin të pakta punët që realizuem përmes këtij bashkëpunimi, që me thanë të drejtën, n’njifare mënyre më shërbeu edhe si shkollë m’u futë në gjuhën dhe kulturën e popujve të tjerë, dhe me nisë me e përvetësue nga pak at art të vështirë, që im atë ma përsëriste vazhdimisht: “me përkthye do me thanë me tradhëtue, përpjekja bahet me tradhëtue sa ma pak të jetë e mundun, dhe kjo realizohet vetëm nëse i hyn në shpirt veprës letrare, kështu vulës së autorit i shtohet edhe vula e përkthyesit…”
E ndërsa atij, përkthimi i shërbente me i mbajtë gjallë energjitë e pashterra të intelektit, n’ato kushte mizerabël ku jetonte; unë si pa u ndje po i futesha botës së përkthimeve pa e dijtë si duhet nji gjuhë!

Ungaretti - Jeta e nji Njeriu - shqip nga Jozef Radi
Ungaretti – Jeta e nji Njeriu – shqip nga Jozef Radi

Ndërsa lumi i mendimeve tija vazhdonte rrjedhën… unë, në ma t’shumtën e rasteve i përcillja në heshtje fjalët e tij, pa i dhanë fort randësi se çka ai m’thoshte… derisa nji ditë të bukur prej nji antologjie poetësh italianë, që s’di se prej kah mbiu në shpi, mes tjerëve m’u shfaq edhe Giuseppe Ungaretti. Mbaj mend se im atë ma citoi për t’parën herë poezinë ma të shkurtë në botë: “M’illumino d’immenso”: veç dy fjalë kishte krejt poezia e shkrueme nga Ungaretti. Dhe shtoi se: “Fjala e përdorun me mjeshtëri, asht pushtet i pakufi n’emocionet njerëzore…!”
Prej asaj dite, Ungaretti ka jetue brenda meje, edhe pse mundësitë e takimit me veprën e tij asokohe ishin thuej të pamunduna.
U desht me kalue rreth dy dhjetvjeçarë me mbrritë te Poeti që kërkonte të Përsosunën.
Përmbledhjen e krejt veprës së tij poetike “Vita d’un uomo” e kam lexue e stërlexue, e kam ndje e rindje sa herë e shfletoja at libër të vëllimshëm. E kam ndjekë me laps e shënime të shumta, n’at latim të pafund që i bante Ungaretti veprës, si mjeshtër i mendimit dhe i fjalës. Në at hulli ku isha futë, gjaja ma e vogël që m’u desht me ba për kët Mjeshtër të Madh, ishte me ia nisë përkthimit. Dëshirë që sa merrte hov mbrenda meje, aq edhe tkurrej n’at dyshimin e “tradhëtisë”, që mund t’i baja njatij burri, portreti i së cilit në krye të librit, shpesh ma sillte të gjallë imazhin e tim eti, që s’ishte ma…
Midis atij hovi dhe dyshimi, midis asaj dashnie dhe tradhëtie, midis asaj gjuhe ku kisha shpirtin dhe gjuhës ku jetoja, po ngjizesh Ungaretti në shqip. Për ma shumë se dy vjet Poeti, s’e braktisi për asnji çast tavolinën time të punës… Ai jetoi aty si ezilant i përjetshëm, si njeriu që vërtet e humbi dheun e lindjes, po e jetoi heroikisht e tragjikisht fatin e tij prej burri dhe poeti, ngado ku u end.
Tash, po jetonim bashkë.
Imazhi i tim eti dhe prania e veprës ungaretiane u banë krejt kuptimi i ditës sime, humbun ndër tjerë qiej.
Ungaretti po më mësonte çka m’kish thanë dikur im atë: “Mos e lodh mendimin veç me fjalë, sepse edhe vetë heshtja asht fjalë…”
Ungaretti më kishte rrëmbye n’rrjedhat e veta poetike. Ai kishte mbetë mbrenda meje qoftë edhe n’at mundimin sizifian të kapërcimit prej nji gjuhe te nji tjetër, me at paknaqësinë e përjetshme ndaj asaj çka kish shkrue me dëshirën pafund të përsosjes së fjalës dhe mendimit… që sigurisht, për mue u banë shkollë.
Mbas dy vjetësh të lodhshme pune, po edhe kënaqsish të pamatshme, mjaft nga vepra e plotë e Giuseppe Ungarettit, heshtte shqip mbi tavolinën time.
Ndoshta pret me i kalue ndokush përskaj, me ia hjedhë nji sy e ta zgjojë, siç bante edhe vetë krijuesi i tyne; o ndoshta pret ndokënd ta ftojë me folë n’at gjuhën e pashoqe të Mesdheut, prej ku xen fill poezia… sigurisht, edhe ajo magjike e Giuseppe Ungarettit…

Giuseppe Ungaretti dhe Anna Magnani - Venezia
Giuseppe Ungaretti dhe Anna Magnani – Venezia

Nga poezitë e gjetuna

të Giuseppe Ungarettit

Përktheu Jozef Radi

***

Ja Luka, e ngrohtë dhe e ashpër, e fshehun dhe e blertë.
Këtu ndjehem në mishin e çdo personi që ndeshi.
Vëzhgoj të veçantët, e m’bahet sikur çdonjeni prej tyne ma merrte trupin tim, në veshjet e tij. Asht toka ime, gjaku im. Kam nji mundim e nji dëshirë, si ai që i asht shmangë nji inçesti; – dhe s’mundet me e sundue fatalitetin e ndjesive të veta.
Ditë ksisoji ndër kto vende m’bajnë me vuejtë, më mbulojnë me nji knaqësi të epshët dhe m’bajnë me u ndje shtrënguet si mbrenda nji qivuri.
Kam me ju rikthye rrugave të botës. Kam me shkue atje ku ndjehem i huej. Atje ku s’asht as mëkat e as sakrilegj, me qenë kureshtar i vedit në gjanat që të përkasin.
E njaty deshta me e mbyllë tuj ju rikthye shatit e tuj u përzie me fshatarë, me harrue mllefet dhe mrekullitë e letrave; me ua lëvdue atyne diellin e njat grunë të hijshëm e të artë ndërsa ata korrin; dhe kofshët e grave që papritmas pllenohen me ty n’ato shikime të përhumbuna e në ato kafshime egërshane; ku nuk mbrrin me e kuptue n’se asht pjeshkë a buzë ajo gja që ke gllabërue, e si të mos e ndjeje njat aromë dehse grueje edhe ma tepër mbas njatij dielli që të fal braktisje, nji braktisje kaq të pafundme, sa me e andrrue edhe gjumin si nji qetësi e vërtetë vdekjeje.

***

Sot, tue e vështrue kët qiell të mbytun shiu, mendoja sikur, falë ndonji mrekullie hyjnore, me u shfaqë kaltërsia, unë s’do t’isha mbërthye as prej mahnitjes e as prej shpresës. As malli s’do të kishte fuqi me ma mbushë mendjen. I kam kapërcye krejt njato faza në të cilat njeriu ende mund me gjetë ndonji arsye me jetue…
Naltsitë qiellore të netëve të kthjellta, nëse ende do të duhej të zbuloheshin për mue, do të kishin kuptimin e nji lamtumire.
Nuk e di – (e kush vallë mund ta dijë?) – kët fatkeqsi të të ndjemit i braktisun!
I braktisun prej gjithçkaje, edhe prej tokës, edhe prej mistereve të stinëve.
Duke mos pasë të afërm; do të mund ta mbushja botën me të mirëbesuem imagjinarë; por të mosqenit i rritun në nji vend të përcaktuem; të mosçuemit askund të atmosferës familjare të origjinës; po veç at vërdalljen gjithnji ezileve. Kështu pra kam krijue nji atdhe t’kristaltë, sepse fatalisht m’duhej të kujtoj, se nga çdo pikëpamje, s’ishte i natyrshëm.
Dhe s’mundem me jetue gjatë me ksi haluçinacionesh idealizuese.
Jeta asht nji përplasje e ashpër e vume n’lëvizje prej andrallash konkrete, dhe duhet nji shesh ku ne të hjedhim rranjë, dhe na duhet ngrohtësia me u pjekë e me lëshue aroma, dhe na duhet mbramja me na përmbytë në melankoni dhe mëngjesi me na këndellë e na kthjellë të tanëve.
S’më ka mbetë tjetër me ba veç rrugë, rrugë dhe rrugë: kjo përhimtësi djallzore e këtij rrugëtimi pa asnji përfundim…

Giuseppe Ungaretti - Alllegria
Giuseppe Ungaretti – Alllegria

Pranvera

Edhe kët vit munda me të përshndetë, Pranverë.
Kjo rrugë, asht e para në Paris që zgjon at përhimtësinë e ndërtesave të tij me nji shtresë të ambël gjethesh.
Po nji hije m’ka mbetë, ajo hija që m’shoqnon lehtas si fluturimi nji reje, si ajo forma fisnike e vallzuese e antilopëve, që n’fundësinë përvëluese të ajrit të zjarrtë, më ka kthjellue, e sërish më josh:
-Vetëm vdekja asht seroize.
-O djalosh modern, shih pak ma përtej… se edhe jeta asht po aq serioze!

Preja e saj

Për Mario Diacono, poet, mik dhe zbulues kartash të vjetra
Taranto, korrik 1933

Ky diell kërkon që t’kuptohet mirë se kjo ditë e gjatë, asht e gjitha preja e tij.

Ka kohë që ai i asht vu përndezjes së barnave të fundit.
Kryqi i vjetër mbi at gurin e brejtun, s’do të lodhej kurrë së derdhuni at vezullim, tuj ia lehtësue prej krahëve të hekurt çekiçin dhe heshtën, gozhdët dhe danët.

Ka vetëtue nji dallndyshë.

Po sjellja e tij prej padroni prej 7 gjer në 19 asht mjaft e mirë, dhe orët janë ende mikpritëse.
E zmerilon me ambëlsi hapsinën e tyne.
Hijet që ju fshehen e vërtiten tuj ju hjedhë nji nuancë vjollcë e lehtë tek e trëndafilta, s’mund të jenë tjetër veçse mendimet e nji djaloshi shtegëtar të dashuruem.

Mbasi kalon 7, asht shkreti e plotë, nëse s’gaboj asht nji kafshë që i merret fryma.
Pa gjetë askund paqe, ajo, herë mbas here, në t’parit tym që shfaqet, i zhyt më kot turinjtë.
I ringre tuj mbetë e trullosun.

Tuj mos e lëshue vedin ngjitet në zenit.
Ndodhet nën nji rrahje të fuqishme rryme aq sa rrzohet lehtë, pa peshë e pa qëllim njashtu siç rrzohesh në andërr.

Ma së fundi erdh ora 14.
Ai vend i xhveshun bahet nji zgavër e gëlqertë ku kafsha që merrte frymë me zor çmendet.
Dhe shumfishohet.
Asht nji kope dhishë që ikin të trembuna o ndoshta vallëzojnë
S’merret vesh.

Dielli sapo e ka prekë tokën me kambë të kobshme merimangash.

Tre Hermetiket Nobeliste Montale-Ungaretti-Quasimodo
Tre Hermetiket Nobeliste Montale-Ungaretti-Quasimodo

Ecejake

kujtimit të Prezzolinit

Flakëzat tërbonin
në t’kuqin e ndalun mbi krye
nji engjëllor
mbi betlehem
dhe dikush i shfrynte bories
dikush tjetër i gjëmonte lodrës
e dikush rrihte doçkat e vogla

Gjithçka e re e mbledhun
në magazinë
mbasi i mbushi pesë vitet
n’fluturim i kap zanat

Kthjelltësia
shkallare pafundësie
e zgjat ma tej qetësinë
ndër dendësinë e rrapeve

Nëse admirohem
nën kët qiell
me zemrën time sot zbulohem
i neveritshëm
turbullimi m’rrëzohet në zemër
e vajtimi m’ngrin në shpirt

Mbillem nëpër botë
i mbrojtun me e dënue
përditë
e ma tepër
zemrën time njerzore

Ushtar

Jam vorfnue krejt
vorfni e gurëve
mbi të cilët përplasem
kur vjen koha
e pritjes.

S’kam ma
asgja me dhanë,
veç ksaj ashpërsie
prej jete rrahun
njashtu si kjo rrugë
lufte.

(*P.s. Shkrimi dhe përkthimet janë botuë te “Ars” – 2005, titulli i shkrimit: Poeti që kërkonte përsosjen)

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.