Giaccomo Leopardi – L’infinito – sjellë në shqip prej Ernest Koliqit, Lazër Shantojes, Arshi Pipës, Nikollë Dakajt dhe Jozef Radit

Giacomo Leopardi (1798-1837)

Giacomo Leopardi (1798-1837)

Giaccomo Leopardi

L’infinito

(Ernest Koliqi, Lazër Shantoja, Arshi Pipa, Nikollë Dakaj dhe Jozef Radi)

në 4 + 1 përkthime gege të viteve ’40 +

Leopardi asht nji poet fort i dashtun për italianët dhe shumë prej poezive të tij janë në fondin e artë të poezisë jo vetëm italiane po edhe ma gjanë…
Vendlindja e tij, Recanati, asht jo fort larg prej qytetit ku unë jetoj prej 20 vitesh, kështu shpia e tij, rrugicat e tij, fqinjët e tij, dashnitë e tija tashma janë pjesë e nji kënaqësie që unë e kam marrë n’vazhdimsi të çdo vizite në Qytetthin e Leopardit, e në veçanti, ajo kodra e ambël ku Leopardi dilte dhe shkruente vargjet e veta.
Poezia “Pafundësi” asht shkrue te kjo kodër, dhe vargu i famshëm i saj: “Sempre caro mi fu quest’ermo colle” asht shkrue me gërma të mëdha sa mund të lexohet edhe prej dhjetë kilometrash larg.
Kjo poezi asht përkthye prej meje dikur, po s’asht se isha fort i kënaqun prej saj, dhe flente diku e tretun mes fletësh…
Para pak ditësh, në murin e poetit Agron Tufa, zbulova se kët poezi të famshme e kishin përkthue edhe katër penda fort të nderueme të letrave shqipe, duke fillue prej Ernest Koliqit, Lazër Shantojës, Arshi Pipës dhe Nikollë Dakajt… çuditnisht të katërt të mallkuem prej letërsisë zyrtare shqipe… e meqë edhe unë e kisha pothuej të kryeme kët punë, thashë pse mos!? Ku janë katër le të bahen pesë… Nuk bahet nami… dhe në kët renditje të leximit asht kënaqësi e madhe me vërejtë se sa bukur sjellet fjala shqipe e gegnishtes me rrokë edhe sfumaturat ma të holla të shpirtit leopardian…
Nji lexim të kandshëm!
jozef radi, 12 maj 2017
.
Leopardi - Sempre caro mi fu quest'ermo colle,

Leopardi – Sempre caro mi fu quest’ermo colle,

L’infinito

poesia originale di Giacomo Leopardi

Sempre caro mi fu quest’ermo colle,
e questa siepe, che da tanta parte
dell’ultimo orizzonte il guardo esclude.
Ma sedendo e mirando, interminati
spazi di là da quella, e sovrumani
silenzi, e profondissima quïete
io nel pensier mi fingo, ove per poco
il cor non si spaura. E come il vento
odo stormir tra queste piante, io quello
infinito silenzio a questa voce
vo comparando: e mi sovvien l’eterno,
e le morte stagioni, e la presente
e viva, e il suon di lei. Così tra questa
immensità s’annega il pensier mio:
e il naufragar m’è dolce in questo mare.
.
Pamja qe shtrihej para Kodres ku shkruante Leopardi

Pamja qe shtrihej para Kodres ku shkruante Leopardi

Pambarimi

(sjellë në shqip nga Ernest Koliqi)

Prorë e pëlqeva kët kodrín’ vetare
edhe kët gardh, qi i a ndalin shikimit
mâ të madhën pjes’ të horizonit t’fundëm.
Por tue ndêjë e tue vrojtun, t’pambarueme
hapsìna përtè saj edhe heshtìna
mbinjerzore e ‘i qetsì shum e shum t’thellë
përfytyroj me mênd e n’to mue zêmra
disì m’frigohet. E tue qên’ se erën
ndëgjoj tue frushulit’ nepër kto lândë,
un rrij e krahasoj gjith’ at heshtì
t’pasosun me kët zâ dhe m’përkujtohet
amshimi, t’shuemet stin’ dhe koha e sotme
gjallë, e zhurma e saj. Kështu mêndimi
mue n’at pamatësì kryekput më mbytet:
e mbytja m’asht e ambël në kët dêt.
.
Dom Lazer Shantoja (1892-1945)

Dom Lazer Shantoja (1892-1945)

Të pambaruemit

(sjellë në shqip nga Dom Lazër Shantoja)

Daj e desha kët kodër vetmitare,
e njikët gardh, qi të malbrêzit megjet
e mbrame bukur gjatë i a mbyll’ shikimit.
Por ndêjë e tue soditun, hapësina
të pambarueme përtej tij, dhe heshtime
përmbinjerzore, e t’thellë tejèt qetí
un trilloj n’menden t’ime; ku mue zêmra
më merr gati trishtim. E sikur erën
ndîj kah fërshllon nëpër kta lisa, at heshtje
un t’pambarueme shkoj tue krahasuemun
me njikët zâ: dhe përkujtoj t’amshuemit,
edhe stinat e vdekuna, e të tashmen
e t’gjallë, e të saj kumbon. Kështu mbytet
mendja e ime në kët pamatësì:
e m’u përmbytun në ket dè me kande.
Tomori, 21 qershor 1942
.
Arshi Pipa student në Itali

Arshi Pipa student në Itali

Pâkufini

(sjellë në shqip nga Arshi Pipa)

Gjithmonë e dashun qe për mue kjo kodër
vetmitare e ky gardh qi horizontin
s’e lên me e pá veç për nji copë kah fundi.
Por kúr rrij e sodis, të pakufishme
hapsina përtej tij dhe mbinjerzore
heshtje dhe nji qetí e pámbarim
trilloj ndër mend, kah zêmra gati m’ndalet
prej frige. E kúr veshtroj erën qi tash
gjethet e pêm’ve bân me frushullue,
at heshtje pá mbarim shkoj me kto zâne
tue krahazue. E përkujtoj amshimin,
stinët e vdek’na e t’soçmen, ktê të gjallën,
me jehonën e sáj. Ashtu mendimi
te kjo pamatuní humbon e birret.
Dhe t’âmbël m’vjen të mbytunit n’kët’ dét.
.
Nikoll Daka

Nikoll Dakaj

Pambarimi

(sjellë në shqip nga Nikollë Dakaj)

Përherë e desha kët kodër vetmore
edhe kët gardh, që larg e larg shikimit
hovin ia pret me pàm n’anë të përtejme.
Por, kahë rrij e kundroj, të pambarueme
hapsí tej soje e heshtje mbinjerzore
e nji qetí, atje ku asht ma e thella,
unë marr me mendë; e gadi-gadi zemrën
ma pushton friga. E, kah tue fërshllyem
erën ndigjoj përmes këtyne landve,
unë at heshtí t’pafund me kët fërshllimë
vê ball për ball: e m’kujtohet amshimi,
e stinët që kanë vdekë edhe kjo e tashmja
e gjallë e zani i saj. Kështu mendimi
m’rrin tue ba not në kët pamatuní;
e zemra m’heë me hupë në kët farë deti.
.
L'infinito... fac simmile

L’infinito… fac simmile

Pafundsia

(sjellë në shqip nga Jozef Radi)

Ah, sa e dashtun m’asht kjo kodërz vetmitare
edhe njajo gardhiqe që kqyr kah tana anët
e atje tej n’horizont shikimin ma ndal.
E kah rri e kqyri e kah kundroj, njat hapsin’
të pamatë përtej së cilës, rrijnë heshtjet
mbinjerzore dhe ma e thella paqe, ù
ndër mendime t’mia shtirem, sikur
zemrën ma pushton trimnia. E njashtu si
erë ma kande me fërshllye midiss pemsh,
e njat heshtje të pakufi edhe njat zà
shkoj tuj i krahasue: e m’shfaqet amshimi,
edhe stinët e vdekuna, edhe e tashmja
e gjallë, edhe njaj zani i saj. E njashtu zhytë
n’shpirt pafundësie mendimet m’derdhen:
e gja ma e ambël se m’u mbytë n’kët detë s’bahet.
 
 
 
 
 
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Përkthime  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook