Gëzim Hajdari: Poetët e shkrimtarët e Tiranës, enveristë…

Gëzim Hajdari Portonovo 2007

Gëzim Hajdari Portonovo 2007

Gëzim Hajdari: Poetët e shkrimtarët e Tiranës, enveristë e ish-funksionarë

Intervistoi Fatmira Nikolli (gazeta shqiptare – korrik 2011)

I mërguar prej vitesh në Itali, ai vjen sot në një intervistë plot akuza. I zhgënjyer nga ajo çfarë sheh në vendin e lindjes, ai tregohet pesimist për të ardhmen, madje i këshillon poetët e rinj të mërgojnë. “Shqipërinë e bënë rilindësit tanë në ezil e në mërgim, e mbrojtën burrat e kombit gjatë shekujve me penë e me pushkë, e bekuan fetarët-mistikë dhe e zhbënë pushtetarët e paskrupullt komunistë të djeshëm e të sotëm, në bashkëpunim me poetët e shkrimtarët shërbëtorë të pushtetarëve”, – shprehet ai. Ndërkaq, iu kundërpërgjigjet atyre që e kanë akuzuar si tradhtar pse ka lënë Shqipërinë…

Zoti Hajdari, disa kolegë ju konsiderojnë poet italian, për faktin se ju shkruani në italisht. Ndokush mendon se kanë vlerë njerëzore dhe letrare vetëm ata poetë që jetojnë në atdhe dhe shkruajnë në shqip… Unë shkruaj njëkohësisht në dy gjuhë: në shqip dhe në italisht, e kam theksuar dhe në intervistat e mëparshme për shtypin shqiptar. Pra, vëllimet e mia të botuara në Itali kryesisht nga botuesi ‘Besa’ janë dygjuhëshe. S’e kam braktisur asnjëherë lexuesin tonë, fatkeqësisht është lexuesi i indoktrinuar shqiptar që s’ka ditur të përfitojë nga krijimtaria ime. Habitem sesi kolegët e mi në Tiranë më konsiderojnë poet italian, sepse gazetarët, studiuesit, kritikët italianë e të huaj më konsiderojnë poet shqiptar. Kolegët e mi konsiderojnë shqiptar aktorin austriak Aleksandër Moisiun, i cili u lind në Trieste dhe s’ka recituar asnjëherë në shqip. Kohët e fundit, shtypi shqiptar quajti shqiptar dhe shkrimtarin argjentinas Ernesto Sabato vetëm pse ishte stërnip i arbëreshëve në Itali, apo aktorin amerikan Xhon Belushi, që s’di një fjalë shqip! Kolegët e mi konsiderojnë shqiptar historianin Barleti, që s’ka jetuar kurrë në Shqipëri, por ka banuar në Italinë e para 500 vjetëve dhe ka shkruar në latinisht! Kolegët e mi konsiderojnë me origjinë shqiptare tetë perandorë romakë, madje dhe Aleksandrin e Madh të Maqedonisë. Kolegët e mi konsiderojnë shqiptar lloj-lloj personazhi të huaj që ka jetuar para dy mijë vjetëve, mjafton të ketë përmendur diku Shqipërinë, por jo një poet si unë, që është detyruar ta braktisë Shqipërinë për motive politike në moshën tridhjetepesëvjeçare dhe se vepra ime s’është gjë tjetër, veçse një “himn” Shqipërisë. Mund të vazhdoj me shembuj të tillë deri në pafundësi, por është humbje kohe dhe marrëzi. Unë ndjehem në Shqipëri kudo në botë, sepse Shqipëria jam unë: trupi im është atdheu im dhe identiteti im është emri im. Për mua, atdheu s’identifikohet me malin, fushën, kodrën apo vendin ku jetoj, por me trupin tim dhe gjuhën e origjinës. Përkundrazi, unë krijoj çdo ditë një atdhe të ri, kudo që ndodhem në botë.
Atëherë, si e shpjegoni qëndrimin e tyre ndaj jush dhe kolegëve tuaj? S’më çudit aspak cinizmi i kolegëve të mi, gjysmë shekulli komunizëm enverist i ka indoktrinuar aq shumë ata. Madje kur doli vëllimi im “Poema e mërgimit” (Poema dell’esilio) në Itali, një atashe kulturor në Romë më quajti ‘armik të Shqipërisë’. Historinë e letërsisë shqiptare e kanë bërë pikërisht “armiqtë” e saj. Një mentalitet i tillë, i cili i përket monizmit, është rrënjosur aq shumë, sa është tejet e vështirë për ta ç’rrënjosur nga mendjet e tyre. Kolegët e mi të Tiranës ç’patën për të bërë, për mirë a për keq, e bënë. Ndryshimet pluraliste mbërritën me shumë vonesë, pjesën më të madhe të tyre e gjeti të formuar kulturalisht; “s’mund të nusërohet dy herë” thotë populli ynë. Tërë jeta e tyre letrare kaloi duke u shërbyer komunizmit, Enver Hoxhës dhe qeverive të korruptuara postkomuniste. Kjo është drama e tmerrshme që përjetojnë ata sot. Fati i tyre është tragjikomik, ndërsa gjer dje i burgosi realizmi socialist, sot ndjehen “të burgosur” nga vetë poezia e tyre. Akuza e tyre kundër meje është e njëjta me atë të PPSH-së, që gjer dje konsideronte qyqe, kriminelë, tradhtarë të atdheut dhe popullit, poetët dhe intelektualët e arratisur jashtë vendit. Deprogramimi enverist, apo çenverizimi për të cilën kam folur në intervistën e mëparshme me ju, është një proces që zgjat me vite, ndoshta me jetë, nuk arrihet brenda një nate. Po çka i verbon kolegët e mi pushtetarë të Tiranës s’është banimi im në Itali dhe gjuha me të cilën shkruaj, por vepra ime dhe vlera e saj e padiskutueshme, lindur në Shqipëri dhe mbrujtur pikërisht jashtë saj. Çdo vlerë letrare, vlerësuar jashtë Shqipërisë, i tmerron enveristët dhe konsiderohet armiqësore, kurse autori i saj, ‘tradhtar i atdheut’.

Poema e Mërgimit - Poema dell'Esilio

Poema e Mërgimit – Poema dell’Esilio

Ndër interlokutorët tuaj përjashtoni edhe poetët e viteve ’90? Pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, shpresova në një rilindje të kulturës shqiptare, por me kalimin e viteve, fatkeqësisht, zhgënjimi im sa vjen e përforcohet më tej. Çunat dhe gocat e viteve ’90, në vend që të dilnin me një manifest të ri letrar për t’u shkëputur njëherë e përgjithnjë nga poezia e shpëlarë e patetike, u hipnotizuan nga zëdhënësit e realizmit socialist; magjepsja ndaj tiranëve të Tiranës është ende fatale! Këta çuna dhe goca s’bëjnë gjë tjetër, veçse shkruajnë e jetojnë në funksion të pseudomiteve të kulturës hoxhiste. Pra janë krijues pa ambicione, pa sedër letrare, janë suditë të bindur, pa vizione moderne, janë kthyer thjesht në promovues të veprave të idhujve “pa krena” dhe shërbëtorë të bindur e cinikë të qeverive të korruptuara e kriminale. Poeti i madh italian, Dino Campana thotë se lindja e poetëve të vërtetë përkon me kalimin e kometave. Ndaj arti i madh s’lind sa hap e mbyll sytë, duhen shekuj, përvojë, përjetime të thella ekzistenciale, njohje, studim, sakrifica mbinjerëzore, përkushtim dhe përkushtim. Poetët e viteve ’90 në Tiranë janë funksionarë partie, njerëz me pozita kyçe nëpër ministrira, në fakultete, në RTSH, në Kinostudio, në Teatrin Kombëtar; janë kryetarë jurie të çmimeve letrare qeveritare, botues, deputetë, këshilltarë të kryeministrave, shefa departamenti, të cilët shkëmbejnë midis tyre favore dhe ryshfete. Nëpunës të tillë cinikë e të kompromentuar s’mund të krijojnë kurrsesi art të madh për njerëzimin. Veç kësaj, çunat dhe gocat e viteve ’90 kanë ranë në kurthin e minimalizmit perëndimor, në vend që të gërmojnë në epikën dhe lirikën tonë shqiptare, për ta shkrirë këtë përvojë në traditat e mëdha europiane. Ndaj, këtej e tutje, interlokutori im do të jetë brezi i mijëvjeçarit të tretë, të apasionuarit pas poezisë dhe emigrantët e çdo kombësie.
Cili është roli i diasporave sot? Diasporat janë laboratorë të gjallë idesh, mendimesh, ku mbruhet gjuhë letrare e lindin shkolla artistike. Diasporat kanë ndikuar dukshëm në fatin e njerëzimit dhe të kulturave gjatë shekujve. Historia njerëzore është mjaft e pasur me tradita diasporike, të cilat kanë ngjallur dhe vazhdojnë të ngjallin ende interes të madh tek studiuesit mbi çështje të ndryshme antropologjike, shoqërore, gjuhësore dhe letrare. Historikisht diasporat kanë luajtur një rol tejet të rëndësishëm për kulturat kombëtare dhe botërore. Është i njohur roli i diasporave greke në Itali e në Aleksandri të Egjiptit. Diaspora e Bukovinës në Ukrainë ka qenë një terren plurikulturor e plurigjuhësor ‘sui generis’. Në të jetonin gjermanë, austriakë, polakë, hungarezë dhe rusë, më të shumtit me origjinë hebraike. Një klimë e tillë kulturore aq shtytëse dhe dinamike, bëri që të lindte një numër i konsiderueshëm shkrimtarësh, poetësh, muzikantësh dhe artistësh. Mjafton të përmendim Paul Celan, Rose Ausländer, Norman Manea, Aharon Appelfeld e Selma Meerbaum Eisinger. Diaspora rumene në Paris përfaqësohej me Joneskun, Coran, Cara; ndërsa diaspora e Zyrihut, gjatë nazizmit mblodhi rreth vetes poetë, shkrimtarë dhe artistë nga gjithë Europa.
Sipas jush, rilindja kulturore e Shqipërisë ka ardhur nga diaspora? Rilindjet e kombeve e të kulturave kombëtare në të shumtën e rasteve, siç e thashë më sipër, kanë ardhur nga jashtë. Mjafton të përmendim helenizimin dhe latinizimin e kulturave perëndimore, pa folur për ndikimin e madh të qytetërimeve të Babilonisë së lashtë e të Sumerëve. Roma është themeluar nga një ezilant, Enea. Nobelisti nigerian Soyinka jeton si azilant në Londër; poeti më i madh i Uruguait, Mario Bendeti jetoi si ezilant nëpër botë; Nobelisti i Perusë, M. V. Llosa në Itali, Francë, Spanjë; Nobelisti kinez Gao Xingjian jeton si ezilant në Paris; poeti më i madh bashkëkohor i Irakut Saadi Yousef jeton si ezilant në Londër; mistikët arabë: Abu Dhar Ghifari, Ibn Adham, Ibn Karram, Bistami, Tostari kanë jetuar e krijuar gjithashtu në ezil. Dhe profeti Muhamet ka qenë ezilant në Medinë. Pjesë e kësaj tradite të madhe botërore është dhe tradita shqiptare.
Pra, letërsia jonë kombëtare s’ka lindur në Shqipëri? Rilindja e kombit dhe e letërsisë sonë ka ardhur nga jashtë: De Rada, Dara i Ri, Serembe, Samiu, Naimi, Çajupi, Asdreni, I. Qemal bej Vlora, Noli, I. Luzaj, Pipa, Camaj, Konica, Bilal Xhaferri…., të cilët, për motive të ndryshme kanë punuar dhe jetuar jashtë atdheut. Tashmë është i njohur nga të gjithë roli i diasporave shqiptare në Stamboll, Bukuresht, Sofje, Kajro, Romë, Bruksel, Boston, New York, Çikago. Falë diasporës sonë mbijetoi identiteti shqiptar, gjuha, letërsia dhe memoria kolektive e fisit tonë të lashtë. Poetët e Tiranës i kanë kënduar vetëm luftës së klasave dhe tiranëve të Tiranës. Letërsia jonë ka lindur në latinisht, baballarët e kulturës sonë kanë shkruar në gjuhë të huaj dhe veprat e tyre janë shtypur në Romë. Madje romani i parë shqiptar, “Bardha e Temalit” i P. Vasos, është shkruar në frëngjisht. Naim Frashëri ka shkruar në disa gjuhë, ndërsa veprat e tij mistike i ka shkruar në persisht, po kështu dhe Samiu, traktatin e tij shoqëror politik e filozofik: “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” e ka shkruar në frëngjisht. Por deri më sot, në Shqipëri s’është organizuar asnjë seminar kushtuar rolit të diasporave shqiptare si ruajtëse të identitetit dhe memories kolektive shqiptare, apo ndonjë takim kushtuar konfrontimit midis diasporave të djeshme e të sotme.
A s’është ‘herezi’ të pohosh se letërsia jonë ka lindur në gjuhë të huaj? Një pohim i tillë përkon me të vërtetën historike. Poetë, shkrimtarë, filozofë dhe humanistë shqiptarë, për të shkruar veprat dhe traktatet e tyre filozofikë s’u kufizuan vetëm me shqipen, por e hodhën vështrimin e tyre përtej, duke shkruar dhe në latinisht, greqisht, turqisht, frëngjisht e persisht.
Ka shumë shembuj të shkëlqyer në Weltliterature, ku autorë të ndryshëm kanë përdorur disa gjuhë për të shkruar veprat e tyre: Konradi me origjinë polake ka shkruar në anglisht, Nabokovi me origjinë ruse, gjatë viteve që banonte në Berlin shkroi në gjermanisht, më vonë kaloi përfundimisht në anglisht. Klaus Man, djali më i madh i shkrimtarit Tomas Man, përdori anglishten për të shkruar biografinë e tij “The turning point”.
Duhet të kuptojmë që vepra juaj rinovon një traditë të hershme të letërsisë sonë kombëtare nën kontekstin europian? Po. Vepra ime është një vazhdimësi e traditës diasporike shqiptare në shekuj, nis atje ku e lanë korifenjtë e letërsisë sonë. Kjo traditë e madhe u ndërpre me dhunë në vitet ’40 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Ç’mund të na thoni për rolin e letërsisë emigrante shqiptare jashtë kufijve? Letërsia emigrante shqiptare që shkruhet jashtë kufijve është letërsi e së ardhmes, sjell gjak të ri e vizion bashkëkohor në kulturën kombëtare. Ne poetët emigrantë jemi ndërlidhës, bëjmë të mundur rikuperimin e traditës së madhe kulturore midis dy brigjeve të Adriatikut. Roli ynë është afrimi dhe dialogimi i popujve, kulturave dhe gjuhëve, e në të njëjtën kohë pasurojmë panoramën letrare e gjuhësore të vendit të origjinës dhe të atij mikpritës. Dikur, poeti i madh latin, Katuli përmendte Durrësin si ‘taverna e Adriatikut’ dhe poeti tjetër i madh Oracio u këndonte kopshteve të bukura të Vlorës. T’i respektojmë kufijtë, flamujt, identitetet, por dhe t’i tejkalojmë ato për t’u “shkrirë” në identitetin e ri botëror, për t’u ndier shqiptarë, por dhe qytetarë europianë, qytetarë europianë dhe mysafirë të botëve. Nënvizimi me dhunë i origjinave, kulturave, kufijve, flamujve dhe gjuhëve çon në përplasje me njëri-tjetrin. Dymbëdhjetë shekuj më parë erdhën nga stepat maxhare guerrierët e fundit për të pushtuar Europën, shtatë shekuj më vonë ishte Europa që marshoi drejt botëve duke i pushtuar, kolonizuar, shfrytëzuar e shkretuar. Tani në mijëvjeçarin e tretë vijmë ne nga të gjitha botët, jo për ta pushtuar Europën, as për t’u hakmarrë ndaj saj, por për të synuar sërish një qytetërim të ri. Nëpërmjet veprës sime, unë u mësoj të gjithëve të jenë emigrantë e të huaj duke u mbështetur tek toleranca si mirëkuptim, respekti reciprok, për të ndërtuar një bashkëjetesë të re e për të ndarë së bashku fate dhe të ardhme.
Çfarë duhet bërë për të afruar kulturën zyrtare me Diasporën? Në vend që t’i konsiderojmë të huaj, tradhtarë e armiq të Shqipërisë poetët e shkrimtarët e diasporës, duhet të ngremë ura lidhjeje me ta. Mungesa e një politike ndërvepruese midis kulturës zyrtare të Tiranës dhe letërsisë shqiptare që shkruhet jashtë kufijve, ka bërë që një distancë e tillë të thellohet gjithnjë e më shumë. Përkundrazi, nëse nuk i përket sojit të pushtetarëve të Tiranës të etiketojnë si të pabesë! Emigrantët janë më të huaj në Shqipëri sesa jashtë saj. Kanë kaluar më se 20 vjet dhe ne ende s’na është njohur me ligj e drejta e votës elektorale. Falë kontributit të emigrantëve që vendi ynë ka jetuar gjer sot. Bashkëpunimi midis forcave krijuese në Shqipëri me krijuesit emigrantë do t’i shërbejë dialogimit dhe shkëmbimit të përvojave përkatëse e mund të ndikojë në rritjen e cilësisë së letërsisë tek brezi të ri, i cili sapo ka filluar të shfaqet në panoramën letrare shqiptare. Ka ardhur koha, madje është tepër vonë, që qeveria të ngrejë Ministrinë e Diasporës dhe institutet e akademitë e kulturës jashtë vendit. Ndërsa Ministria e Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Universitetin shtetëror të Tiranës duhet të ngulmojnë për ngritjen e Departamentit të Letërsisë së Diasporës, ku të përfshihet edhe Letërsia e memories dhe ajo e genocidit.
Shqipëria do të rilindë politikisht, ekonomikisht e kulturalisht nga diaspora e punës, mundit dhe e përkushtimit.
Çfarë u këshillon poetëve të rinj shqiptarë në Tiranë? Për t’u bërë poetë të vërtetë duhet të çlirohen nga hijet e pseudomiteve të Tiranës enveriste e të ndjekin gjurmët e Gilgameshit e të Abrahamit. Pra, të marrin udhën e shtegtimit, të migrojnë. Vetëm kështu do të njohin vetveten dhe ndjeshmërinë njerëzore, sepse ‘e vërteta banon jashtë shtëpive tona’, na mëson një thënie e fakirëve të Indisë. Në migrim nuk iket vetëm për motive ekonomike, politike, lufte, persekutimi, por dhe për motive dashurie e krijuese. Udhëtimi mban në vetvete tërë historinë njerëzore. Dhe vetë “I plotfuqishmi” është shtegtar dhe komunikon me njerëzit pikërisht nëpërmjet shtegtarëve dhe jo nëpërmjet poetëve-pushtetarë të Tiranës.
Si e shihni ju të ardhmen e Shqipërisë? Shqipërinë e bënë rilindësit tanë në ezil e në mërgim, e mbrojtën burrat e kombit gjatë shekujve me penë e me pushkë, e bekuan fetarët-mistikë dhe e zhbënë pushtetarët e paskrupullt komunistë të djeshëm e të sotëm, në bashkëpunim me poetët e shkrimtarët shërbëtorë të pushtetarëve.
Po shpresa? Gjendja aktuale lë për të dëshiruar, në çdo qelizë të jetës ekonomike, politike dhe kulturore mbretëron konsensusi kolektiv: të vjedhim sa më shumë e me çdo kusht. Deri më sot, askush s’i ka propozuar qeverisë të aprovojë një ligj kundër korrupsionit. Veç kësaj, mungon sensi qytetar, presin që çdo gjë të vijë nga lart me urdhër qeverie. Në qytetin tim, Lushnje, me afro 100 mijë banorë, s’ka një muze të Memories, në territorin lushnjar ndodheshin 9 kampe internimi nga 11 që kishte në gjithë Shqipërinë komuniste. Sot në Lushnje s’ka një rrugë që mban emrin e intelektualëve të shquar si Lazër Radi, Xhemal Broja, Rexho Plaku. Të tria këto simbole kombëtare si dhe shumë intelektualë të tjerë martirë të lirisë e të dijes kanë qenë të internuar pikërisht në Savër, dy hapa larg nga qendra e qytetit myzeqar. Në Lushnje s’ka një shoqatë kulturore, s’ka një orkestër të muzikës folkloristike, s’ka një kafe letrare, s’ka një orkestër të xhazit, të rokut, s’ka një orkestër frymore, s’ka një teatër, s’ka një estradë, s’ka një gazetë, s’ka një çmim letrar, s’ka një galeri arti, s’ka një zyrë kushtuar diasporës lushnjarë jashtë vendit, s’ka një veprimtari kulturore verore. Teksa para Bashkisë, në shëtitoren kryesore ende ngrihet si një kërcënim i makthshëm monumenti i kolektivizimit enverist: simbol i vjedhjes të pronës dhe i terrorit të kuq. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Vlorën, ku në qendër të qytetit ngrihet edhe sot e kësaj dite shtatorja e Hysni Kapos, krahu i djathtë i gjakatarit E. Hoxha, ndërsa biblioteka e këtij qyteti mban ende emrin e Shefqet Musarajt, poet aq i dashur për ‘Partinë e xhaxhit’.
Asnjë kryetar bashkie s’ka punuar për qytetin tuaj? Çdo kryetar bashkie që ka ardhur në Lushnje, gjëja e parë që ka bërë ka qenë ndërtimi i vilës personale mu në mes të qytetit, duke prishur trotuaret dhe shëtitoret. Këta zotërinj kanë fituar miliarda me trafiqe, tendera dhe lejet e ndërtimit duke masakruar urbanistikën e qytetit, e më pas kanë ikur për të banuar përgjithnjë në Europë e SHBA. Sa qytetarë, juristë, mësues, arkitektë apo njerëz të kulturës kanë zbritur në shesh për të protestuar e denoncuar krime të tillë? Sa kryetarë bashkie kanë dalë para gjyqit? Asnjë? Ka plot 20 vjet që mjeku i spitalit publik s’e prek me dorë të sëmurin edhe sikur të jetë duke vdekur po s’i dhe para në dorë. Kush do t’i gjykojë këta kriminelë, kryetari i gjykatës, Artan Gjermeni është akuzuar si kryehajdut dhe bashkëpunëtor me bandat kriminale të qytetit! Lushnjarët dinë vetëm të qahen me frazën tipike: “Lushnjën e kanë katandisur si fshat! Asnjë s’punon për Lushnjën!” Janë po këta qytetarë që kanë votuar si deputetë të tyre në parlamentin e Tiranës përfaqësuesit më të paskrupullt, hajdutët e trafikantët. Lushnjën do ta bëjnë lushnjarët e ndershëm, punëtorë e të kulturuar, dhe unë kam shumë shprese tek bashkëqytetarët e mi.
Po ndonjë shqetësim të veçantë? Ajo çka më shqetëson më shumë është indiferenca e brezit të ri. Shumica e të rinjve shqiptarë synojnë të diplomohen në arkitekturë, inxhinieri ndërtimi, juridik e shkenca politike, vetëm për t’u pasuruar. Një studente nga Vlora M.Q., thotë se shokët dhe shoqet e kursit të saj kanë vetëm një ëndërr: të diplomohen sa më parë, me qëllim që të vjedhin më shumë se paraardhësit e tyre. Madje, diplomat universitare blihen si patatet në treg. Pjesa më e madhe e të rinjve zotërojnë dy-tri diploma në xhep! Për të blerë një diplomë në Shqipëri mjaftojnë 3-4 mijë euro. Në Tiranë, universitetet mbijnë si kërpudhat pas shiut. Madje, disa prej tyre kanë emra karaokesh e diskotekash apo emra të ngjashëm me night club-et! Këta ‘të shkolluar” me ryshfete do të jenë politikanët, pushtetarët dhe administratorët e ardhshëm të vendit! Ndryshe, s’ka si shpjegohet fakti që në 20 vjetët e tranzicionit në Shqipëri s’ekziston një forum apo blog opozitar serioz e i pavarur nga ana e të rinjve. Në ato pak greva apo demonstrata të rralla të sheh syri vetëm të moshuar. Sa shqyerje, përdhunime, grabitje dhe tragjedi kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, por asnjëherë studentët e universiteteve shqiptare s’kanë demonstruar në rrugë për ta kundërshtuar të keqen duke kërkuar deri dhe dorëheqjen e qeverive mafioze.
Si po e përjetoni ju gjendjen aktuale të vendit? Më shumë shqetësim. Unë dhe miqtë e mi kemi vite që mblidhemi e diskutojmë për ngjarjet në Shqipëri. Diaspora shqiptare po organizohet, në muajt e ardhshëm do të takohen për tri ditë në Romë përfaqësuesit më të shquar të kulturës, prodhimit, artit dhe shkencës në emigrim, për të diskutuar mbi potencialitetin njerëzore, kulturor dhe shpirtëror të emigrantëve, gjendjen aktuale të Shqipërisë, si dhe të ardhmen e saj…

Një përgjigje
  1. vasilika michalas Tha:

    Shumë real në komentin e tuaj! Urime! Zëri juaj shpresoj, ose më mirë dëshiroj të përfillet nga Ministria e Kulturës Tiranë. Vetëm një organizim i mirëfilltë i figurave letrare e të kulturës mund të bëjë që zëri juaj të dëgjohet këtu… Do një organizim të mirë…! Urime!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook