George Pali: “…hiqni dorë nga piktura depresive, gri, e randë, e pakuptimtë…!”

George (Gjergj) Pali

George (Gjergj) Pali 

Nji penelatë ma tepër mbi Gjergj Palin dhe veprën e tij…

refleksion nga Jozef Radi

Të dielën, me 7 Shtator 2014, në orën 8 te mbramjes, në murin PerShkodra u paraqit në nji bashkbisedim mjaft interesant Piktori shqiptaro-amerikan Gjergj (George) Pali, me organizatore takimi Justina Filipin. Pyetjet kryesisht ishin nga krijues shkodranë, të cilët e njihnin veprën e piktorit dhe kërkonin t’i futeshin sa ma në detaje kësaj vepre pa anashkalue jetën e Autorit.
Zoti Pali e konceptoi intervistën ma shumë si nji bisedë të lirë. Ai i kishte asimilue ma parë krejt pyetjet e paraqituna dhe qetësisht shpjegoi shumçka nga jeta dhe vepra e vet… Ajo çka m’rà ma së shumti n’sy, ishte dinamika e mendimit, e veprimit dhe e krijimit. Ritmi i nji bote dhe nji jete, që nuk njeh stacione të rehatshme refleksionesh… po i krijon ato gjatë rrugës dhe dinamikës së veprimit.
Gjergj (George) Pali asht prej ma shumë se nji çerek shekulli pjesë e nji tjetër bote, e nji tjeter mënyre mendimi dhe veprimi, ai tashma ka temperue kokfortsinë e duhun për me i shkue deri në fund rrugës së vet, falë talentin dhe krejt atyne vlerave të nji bote të vogël prej nga vjen, e ku ai ka mbledhë gjithçka i nevojitet për me e kry artin e vet (qoftë edhe në trajtë reminishencash) dhe ai i trupzon përditë n’at botë të madhe të ideve dhe dinamikës, ku ai asht pjesë dhe ndjehet në 3D… Ai me mjaft qetësi, shpjegoi mjaft bukur e mjaft thjeshtë krejt rrugtimin e vet: tregoi se java e tij i kishte të shtata ditët, (po pa të kuqe); tregoi si Diellin e Mesdheut e mbillte Kontinentin e Ri; se punonte në dy studio njiherit; se ishte ndërtues i Galerisë së vet dhe se ajo e kishte kthye në nji fëmijë të hareshem; se kavalocat e tij s’ishin asnjiherë bosh… bile as pragu i shpisë; se punonte edhe në dhjetë kudaro njiherit; se tabllotë ishin nji kantier në kambë dhe pshtonin prej tij… veç kur binin në duert e blerësve!!!! Cka mundet me thanë ma tepër!
Unë kam kohë që e ndjek me kënaqsi veprën e George Palit. Dhe me kënaqsi mundem me thanë se e kam ndje Dritën, Dinamikën dhe Muzikën e tij… po edhe nji botë pak të përrallshme… gjithkund tabllove të tij. Në ma të shumtën e herëve këta elementa janë bashkë, po edhe kur mbetet jashtë ndonji prej këtyne elementeve, Ai asnjiherë  s’i len as ma të voglën frangji trishtimit e as zymtisë…
Nesë do të më duhej me shprehë nji mendim krejt të vogël për artistin George Pali do të thoja: “Ai, harron gjithnji me ble tubeta me ngjyrë të zezë!”
Përgëzime dhe suksese për kët bisedë aq interesante zoti Pali…

Gjergj Pali - Lodertarët

Gjergj Pali – Lodertarët

“…hiqni dorë nga piktura depresive, gri, e randë,

e pakuptimtë e me sterhollime mitike…!”

Bisedë me piktorin George Gjergj Pali në PerShkodra

Gjergj Pali - Dasma

Gjergj Pali – Dasma

Jetmir Troshani: Kur ishit i ri a mendonit se mund të kishit këtë sukses që keni sot, të shkallës ndërkombtare? Çfarë këshillash mund t’u jepni artistave të rinj? George Pali Po them edhe njëherë atë që duhet ta sqaroj: unë mendoj se jam “një nga ju” që përfaqsoj atë pjesë të Shkodranëve që me punë e këmbëngulje punoj, krijoj e kontriboj në shoqëri. Të qenit artist është një status me “shumë privilegje” e i fitum me punë e konsensus.
George Pali Po vazhdoj me sqaru intersimin tim për tematikën dhe grupim e veprave (pikturave të mia) është e dukshme që Muzika përbën një nga faktorët e fillimeve të mija të interpretimit të asaj që mua më ka ba përshtypje e ka lanë mbresa që në fëmini, në Shkollën e Muzikës.
George Pali Shpesh më është vënë etiketa e “Piktorit të Muzikës” dhe kjo e natyrshme.
 Por gjithmonë mendoj që tingulli e ngjyra janë vetë abstrakte e konkrete nga natyra e tyre të marra në vetvehte. Mbaj mend në fëmini, i përfshirë në orkestrat e Festivaleve të “Pionierëve”, në fillimvitet ’70. Unë shpesh e humbja fillin e notave që duhet t’i luaja ne violinë duke pa format e instrumentave të muzikantëve të tjerë, si pianoforten, kontrabasin, violinat e violat, klarinetat, kornot, trombonat, çelsat e violinçelave, notat e muzikës, legjiot etj… Një konfuzion fantastik në trunin e një 11-12 vjeçari. Por këto më vonë më krijuan mua eksperiencat, të cilat unë i filtroj në subkoshincën time tashti e gjithmonë…

Gjergj Pali - Fanatzi

Gjergj Pali – Fanatzi

Marjan Bunaj: Koleksionizmi shqiptar a shfaq interes ndaj artistave të afirmuem si ti? George Pali Mr. Marjan Bunaj më drejtoi nje pyetje për muzikën që unë dëgjoj gjatë punës në Studio. Mundohem me ndigju muzikë që nuk ka lirycs (fjalë ose tekst) nqs do të kishte tekst ajo më shtyn të mendoj e të analizoj atë që muzika e fjalët krijojnë… e kështu shpërqëndrohem. Jazzi është më i përshtatshmi e muzika klasike sidomos me shumë dëshirë ndigjoj koncerte për violinë e orkestër e akustikë…
George Pali Formimi im si piktor fillon në Shkodër me Ismail Lulanin, i cili ishte përnjëhere që në vitin e parë në Gjimnazin “Jordan Misja”, mik i babës tim Zef Palit. Mbasi unë refuzova për vazhdimin e violinës ai ishte jo shumë i kënaqun me kët veprim, por “disi u pajtu” me veprimin tim… nuk isha “i premë për muzikant!” por më duket se isha jo for larg, por në një formë tjetër që unë shprehem më mirë. Më kujtohet kur shkoja në shkollë mbas mësimit të përgjithshëm në klasat e violinës me Henrrik Darragjatin (mësues) ai shihte që unë kisha gjithmonë vizatime e lapca ngyrash në kasën e violinës… shihte ndonjë vizatim që kisha në arkë të violinës e thoshte: “Për ktë ban ti… jo për violinë” Si duket kishte dijtë diçka… Qesh..
Marjan Bunaj Respekt e admirim! Suksese në jetë e krijimtari i dashur Gjergj! Falemnders për përgjigjen!
George Pali Du me shpjegu edhe një herë se Danish Jukni ose më mirë Profesor Danish Jukni ishte influenca më pozitive e formimit tim si artist… Ishte logjika e të menduemit si artist, ndërsa Ismail Lulani ishte instinkti artistik. Respekt të pafund për këto dy artistë Shkodranë në fillim si nxënës, e më vonë kolegë si miq e shokë…

Gjergj (George Pali) - cikli i fundit Bookheads 2015

Gjergj (George) Pali – nga cikli i fundit Bookheads 2015

Jetmir Troshani Jam i sigurt që Znj. Ormira Lulani do kishte dashtë me i dëgju këto fjalë!
Aleksandër Pali: Sa larg dhe sa afër ndjehesh me kolegët e pikturës së vendlindjes? George Pali Po i përgjigjem pyetjes së Aleksandër Palit (po e mbaj pak me hatër se e kam vlla e asht Vllai i Madh e gjithmonë është shumë i rëndsishëm në jetën time, sepse është në “Kambë të Babës!” Raportet e mija me artistët kolegë në Shqipni janë shumë të ngushta, Lad Myrtezai, Sadik Spahija, Adrian Paci (tan kenkan Shkodran)… komunikoj rregullisht e kemi mardhënie shoqërore e familjare. Jena një pjesë shumë vlefshme e kulturës Shkodrane e Shqiptare. Në historinë bashkëkohore kombet vlerësohen nga kontributi i tyre artistik “oqeanin botëror të Artit”. Shumë prej nesh emigrojnë në Perëndim po pak munden me “ba dritë” në këtë oqean artistësh.
George Pali Përpjekjet për të dalë në sipërfaqe janë mbinjerzore në fushën e Artit Vizual, por jo të pamundshme. Orët, ditët, vitet që kalojnë në studio duke punu e duke mendu për “This very heavy ball”, “is an uphill battle” por jo e pamundëshme… Muzetë e artit, galeritë, art shows… gjitha këto janë balancat dhe influencat që duhet të mirren parasysh (kur ti je nën presionin a cilësisë më ekstreme në botë siç është Neë York art scene, San Francisco, Miami, etc….(eksperienca ime). Dua me shtu se eksperienca e jonë në Shqipëri pa e negativizu (siç e kam pa në shumë raste nga artistë shqiptarë) është me shumë vlerë.
George Pali Gjithmonë i kam parasysh Zadrimoret, Mirditoret, Dukagjinaset që shisnin në “Fushë” në Shkodër… Ecja me kry mbrapa në rrugë duke i pa, e gati shkapetesha me kalimtarët, e ndojherë më thoshin edhe ndoj fjalë që s’duhet me e zanë në gojë… por këtu ku jam unë janë eksperienca e refenca me shumë vlerë (më vjen keq që koha tash të ketë mund t’i ket eleminu këto kalimtare të zakonshme të fëminisë sime.
George Pali Unë personalisht problemet sociale të periudhës së represionit komunist nuk kam tentu t’i bëj objekt të interesit artistik, as mbrapambetjen sociale e ekonomike të shoqërisë shqiptare. Paçka se ato janë në koshiencën time. Mundohem të jem pozitiv e të shoh anët e mira e me vlerë të asaj çka unë ofroj, dhe është e veçantë nga karakteristikat që janë formu si rezultat periudhës që unë kam jetu në Shkodër.
Zef Naçaj: A jam gabim unë apo ju e keni gjetë rrugën tuej perfundimisht tuj kriju origjinalitet në veprën tuj? George Pali Do të kthem të sqaroj atë që unë e lashë pa thanë ma parë… Tematika dhe temat që unë pikturoj janë në vështrimin e parë pak eklektike… duke dijtë që unë gjithmonë në studion në Stamford (kam edhe studion e dytë në Pocono Mountains, Pennsylvania) kam normalisht 5-7 punë të filluara gati njëkohesisht, kjo formë pune që unë bëj krijon “self burning” nuk punoj me hope, por jam puntor i artit, konsistent e në vazhdimsi 7 ditë në javë… piktura e kavaletit është si atletika, nëse e len dy tre ditë te len dy tri javë është tip “maratone e përjetshme” Grupimet artistike të tematikave janë në periudha  5 vjeçare, e linjat e tematikave bashkohen për atë që e analizon punën time dhe kalimet e zhvillimin tim artistik e kërkimor në fushën e artit. Gjithmonë mundohem me avancu dhe eksperimentu, për ta shty kufinin e mundësive të krijimit dhe të invencionin teknik.

Gjergj Pali - Fizarmoniçisti

Gjergj Pali – Fizarmoniçisti

George Pali Habitem se si shumë “artistë” mendojnë që ka marrë fund piktura… duhet me vendosë “Dy goma makinet, një sorrë të cofun katër pordha në pe” e me i vu një diçiturë fantastike e me shkrue edhe nji tregim se si lindi kjo ide… “My goodness” how easy… probably for a month or two or may be a year but… you name it!
George Pali Fat i madh me vizitu Momen (Museum of Modern Arts in New York) kur të nevojitet Yale Art Gallery, Guggenheim, etje… Jam me shumë fat që këto mundësi i kam mbrenda mundësisë normale. Por duhet të ndihesh shumë përgjegjës kur viziton e konsultohesh me kolosët e artit bashkëkohor… nuk intimidohem se mendoj që këto muzeume kanë vend edhe për ne, e gjithmonë puna është ajo që të ngre në këto nivele. (Jo excuses) Objektivi i jonë personal e përgjegjsia që merr si artist për ta zhvillu e përfaqsu vedin e atë që ti bjen të re në fushën e artit, Jam i bindun që gjithmone ka vend “For more art” but very good one not “Just good”
Më vjen keq që në Shqipëri e në rastin tonë në Shkodër është gati jo ekzistues tregu i Artit Vizual. Duke pasë parasysh që ekonomia është ajo qe i paraprin zhvillimeve artistike.
George Pali Gjate ekspozitës sime në Tiranë (GKA) mendoj se ajo ishte e suksesshme. Kolegë e profesorë shprehën idene që na dhe shpresë se mendonim që arti objektiv ishte drejt zhdukjes… Never... Cilësorja, e reja pozitivja, nevoja me sjellë një këndvështrim të ri (ose këndvështrimin tënd) e thjeshta, pa komplikime e pseudo modernizma, ajo që ti përfaqson në statusin tënd social e intelektual. Pa e pa vehten mbi të tjeret, por më i udhëheq në… “nice way young talented artists of the comming generation…”
Desantila Qerimaj: Jam kurioze me dijtë në cilën fazë t’punës e keni zbulue stilin tuej? Pra kur ju erdhi ajo shkëndija, dhe si ju erdhi që ju me kuptue e me thanë:- kjo asht piktura jeme, kjo asht dora, bota jeme, ky jam un! - A mund t’na thoni diçka mbi pikturën tuej ma t’pëlqyeme? – Si e ndërmorrët zgjedhjen ndërmjet muzikës e pikturës dhe pse? – Dhe s’fundmi, çka jeni duke punue aktualisht, e nëse do t’na surprizonit me ndonji sekret mbi planet tueja për t’ardhmen… George Pali Gjithmonë në ekspozita do të jeshë i ekspozuem në “sulmet e medias” e artistëve të tjerë që vendosin etiketa se si kush të duket e se kush ka influencu këtë apo atë vepër… Mondoj që unë kam mentalitetin e Karvanit që duhet të ecin përpara… Patjetër që duhet me ndigju çka thohet… por jo shumë. Të gjithë artistët vendosen në shpatullat e njeri-tjetrit por individualiteti artistik vjen nga puna shumfishe e përpjekjet eksperimentale e të pavetëdishme në repeticionin e përditshëm në penelatat e sukseset sado të vogla ditore në studio… por më pozitivet e mësimdhënset janë disfatat dhe fillimi nga e para është ajo që themi një hap mbrapa dy hapa para… “Zhgënjimi i përkohshëm është pjesë e pandarë e suksesit” puna e parreshtun asht ajo që ka me të veçue!
George Pali Disa herë duke bisedu me artistë të tjerë vjen biseda tek “What’s next” how hard it is… to get seen at picked up on a huge crowd… Simple again work work and work more… Unë personalisht tashti po ndërtoj një ndër të tjera GR Art Gallery in North Stamford, CT por mundohem që të pikturoj nadje herët e pastaj të shkoj të udhëheq punimet e ndërtesës që do të jetë GR Gallery në të, i gëzohem si fëmijë… Ndërtimi është si piktura, por pikturë tridimensionale e me shumë pjesëmarrës. Mendoj se do të përfundojë në pranverë të 2015-s.  Kjo sipërmarrje imja ka si objektiv me i dhanë mundësi edhe artistëve që nuk janë të përfaqsuem në galeritë komerciale në zà, e me një mundësi për t’u pa, por që kanë i cilësi të lartë e profesionale.

Gjergj (George) Pali - Edited

Gjergj (George) Pali – Edited

Alba Kavaja A asht vepra finale ajo që kishit mendu se do ishte, pra a asht një punë e përcaktueume ma përpara apo diçka qe krijohet gjatë pikturës… dhe Kur e dini që një pikturë ka përfundu? Pra çka ju ban me lanë penelin e me thanë nuk mund të shtoj ma asgja!! George Pali Po i përgjigjem Alba Kavajës: Në punë jam sistematik e i kalkulum shumë në konsistencën e krijimit e të përsëritjes deri në fund… jam gjithmonë duke punu disa piktura në të njejtën kohë e në dy studio të ndryshme, kjo formë pune nuk më lejon që të velem nga ajo që për mua është e “shenjtë” Arti, studio kryesore ka kater kavaleta e një prag ku vendos një pune të pestë, po kështu në mure vendosi kanavace direkt pa telajo që punoj e në parastudio janë punët e fundit që shpesh i prek me penel tash e parë… Me të thanë të drejtën shpesh nuk di se a kanë përfundu… mendoj që ato janë në vazhdimsi e vetëm Art shoë e blemjet nga galeritë koleksioniste e përfundojnë atë…
Olta Dokle-Troshani: çka asht dashnia dhe familja për ty, e çka je ti për to? George Pali Po i përgjigjem shumë të talentuemes “Talent i Natyrshëm” Olta Trashanit a wonderful artist, mbështetja që unë kam tek Rozafa është garanci e vazhdimsisë sime, ajo është influenca më reale e ma profesionale “my secret weapon” I feel lucky to be understood by most closest person in my life…. Ajo vjen nga një familje artistësh cilësisë së lartë, Rozafa është rritë duke ndigju “bamat e artistëve” dhe artit. Lucky me… (Rozafa Pali, bashkëshorte e Z. Pali, asht vajzë e artistit Ndrek Luca)
Kol Mileta: Ti Gjergj sot po ndërton galerinë tande. A thue ka me ta zëvendësu at dhomë t’vogël, plot me dritë, midis hatllave, afër qiellit me yje?! George Pali Kol Mileta, të falenderoj për fjalët e vlerësimin e shoqnisë të ndërtume në kohët e vështira, je dëshmi e rrugës që kaluem e po kalojmë në realizimin e aspiratave artistike dhe kontributin në fushën e artit. Ju falenderoj të gjithve.
Justina Filipi: Si i përjetuet orët pak para fillimit të përballjes tuj me mendjet, por edhe me miqtë e tuej shqiptarë në ekspozitën “The Journey”? Duke e ndie vedin të privilegjueme që pata fatin të merrem personalisht me përgatitjen e kësaj interviste, ju falenderoj se hasa nji njeri, dhe artist mbi tana të thjeshtë… George Pali  Tash po e shoh pyetjen e Justinës, për ekspozitën në Tiranë, në Tetor të 2013.
Ishte një rikthim shumë i kandshëm emocional me vlerë për mua dhe ato që e vizituan (thuhet që thyem rekord në numrin e vizitorëve…) por nuk ka fort rëndesi ky fakt.
Dua me dalë tek ajo që ka interes te artistët në Shqipni: tregu i artit në Tiranë ekziston, por për fat të keq janë vetëm ambasadat e organizatat ndërkombëtare të cilat blenë një sasi mjaft të konsiderueshme (në rastin tim) dhe vazhdojnë edhe tani të blejnë punë nga ajo ekspozitë që janë në Zeta Gallery (Galeria që më përfaqson në Tiranë). Po dal tek ky aspekt për arsye se piktorët në Tiranë duhet të dalin nga piktura depresive, gri, e randë, e pakuptimtë me stërhollime tregimesh e anekdotash mitike që askush nuk ka interes me i vu në mur. Nuk asht e thanë që mos të ketë emocione e probleme shoqërore të infiltrueme në të, por unë shikoja një garë se kush e bën pikturën sa më “filozofike e me shumë kuptime” që fillojnë në “Pukë e marojnë në Lezhë…” Shqipria është vend mesdhetar e me ngjyra karakteristike të veçanta e duhet me u ndi, në artin Shqiptar. Me thanë që para ekspozitës tash po knaqena me ekspozitën Salla është shumë e mirë, por nuk ka me u shitë gja, ju përgjigja që “…shitja nuk ka rëndësi e kjo ekspozitë ka vlera të tjera për mua… por për çudinë ma të madhe ndodhi krejt e kundërta, është ekspozita që kam shitë më shumë punë se asnjë ekspo tjetër, dmth që tregu ekzizton por… jo i pikturës depresive e të kamuflume me “super idena” që vetëm një grup i vogël superintelektualësh i kupton…

George Pali Ju falenderoj të gjithëve për krijimin e kësaj mundësie, Justinën që mori përsipër për ta realizuar e koordinuar, a Big Thank You!

Justina Filipi: Ju falenderoj unë ju zotni dhe mik artist!

3 Përgjigje
  1. lola shehi Tha:

    E lexova kët intervistë, dhe më pëlqeu shumë, për faktin se George Pali më shumë është ndalur te komentet e artit të tij se sa tek pjesa e vuajtjes, duke u larguar si guximtar i mendimit ndryshe.

    • Ikja nga vendlindja është tragjedi e kohës së represionit komunist, më duket se gjithmonë shoh përpara rrallë e “kthej kokën mrapa” sa mos me harru prej ku kam ardhë…
      Çdo e keqe ka një të mirë dhe anasjelltas… Jam gjithmonë aktiv e nuk kam kohë me mendu për ato kohë të vështira!
      Mundohem me ndërtu të ardhmen…

  2. Jozef Radi Tha:

    George Pali
    Përpunimi i bisedës është ba shumë mire nga Mr. Radi.
    Thank You, very professional!
    (marrë nga Muri i fb PerShkodren)

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook