Gegnishtja sot dhe elbasanishtja Ledia Dushi

Poetja Ledia Dushi

Poetja Ledia Dushi

Gegnishtja sot dhe elbasanishtja Ledia Dushi

(diskutim mbajtun në Konferencën e Elbasanit me 14 Qershor 2014)

Instituti i Promovimit të vlerave në Gjuhën Shqipe organizon Konferencën e Dytë Mbarëkombëtare në Elbasan

Të nderuem zoja e zotnij,
Ju përshëndes dhe ju falenderoj për mikpritjen.
Në fakt, lidhun me temën e këtij takimi, “Gegnishtja sot dhe elbasanishtja”, ka kohë që poetët dhe gjuhëtarët e qytetit tim, e kanë konsiderue si të njejtën gja.
Kam ndigjue ndër vite se ka prej atyne që mendojnë se na nuk e njihkemi standardin, prandaj provojmë me shkrue n’gegë…
Asht i thjeshtë standardi, asht gjuhë për dokumente e shkresa, ndërsa letërsia, poezia në veçanti, asht e madhe për me ndejë mbrenda thesit te standardit.
Më lejoni t’ju them dy fjalë në lidhje me diçka që tashma e konsideroj grimcë nga jeta ime. Sapo kisha fillue studimet ne universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, kur m’u botue libri i parë. Poezitë e mija ishin shkrue ashtu siç më vinin, shut siç më dritësonin figurat mbrenda meje, unë thjesht i ndjeja n’atë mënyrë. Fitova një konkurs të shpallur n’atë kohë nga Fondacioni SOROS, cili më mundësoi botimin e atij libri. Po i njëjti libër, nji vit ma vonë u vlerësue me çmimin “Penda e Argjendtë” në konkursin vjetor që organizohet gjithnji nga Ministria e Kulturës në fund të vitit… Në motivacionin që shoqëronte simbolikën shkruhej ndër të tjera, “edhe për rigjallërimin e gegërishtes letrare”. Të nesërmen e në ditët n’vazhdim, kur prisja ndonje shkrim inkurajuas, në nji nga revistat e kohës, shkruhej gjithçka tjetër e tipit, shkruan gjuhën e plakave dhe furrtarëve të Shkodrës, po ndjek variantin e ndarjes ashtu si Pipa nën ndikimin e serbëve etj., e kurrnji fjalë nxitëse a mbështetëse. Bahet fjalë për vitin 1998, kur isha thuajse 20 vjeç.
Mbeta e çuditun dhe e topitun nga mllefi. E për ma tepër, askush nuk shkroi dy fjalë mbrojtëse apo mbështetëse. E për ma tepër ma tepër, nji nga profesorët e mij të gjuhës, pra nji shkodran që asht ba për “ndjesë pastë”, përpara gjithë kursit të studentëve u shpreh, “kjo nuk din gja mor, por e nxisin priftat…”
Pse gjithë ky tmerr e mllef n’lidhje me gegnishten?!
Njeni prej shkrimtarëve ma t’ndigjuem shqiptar shkroi se, nëse poezia asht e mirë, ç’të keqe ka nëse shkruhet gegnisht. E kështu u mbyll ajo që unë e quejta grimcë.
Sigurisht, ma vonë kam botue edhe dy libra tjerë. Personalisht nuk e kam marrë seriozisht shprehjen e motivacionit në lidhje me “rigjallërimin”. I kam njohun të gjithë autorët e kjo mënyrë t’shkruemi, për mue, s’ishte ndërpre asnjiherë. Nuk thashë asgja, thjesht rilexova Camajn e Pipën. Takova e fola edhe me ata që më kishin “fshikullue” e më kujtuen, kinse për të mirën teme se, gegnishtja paska vdekun e nuk ka me m’lexue njeri… Por kët gja nuk ma kanë thanë vetëm toskët.

Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku

Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku

Rilindja Kombëtare përvijoi dy variante letrare, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. Kjo gja u shoqnue me përpjekje t’vazhdueshme për afrimin e tyne dhe realizimin e gjuhës letrare. Shqipja shkruhej në disa alfabete, si: latin, grek, turko-arab. Arritja e parë ishte krijimi i nji alfabeti. Kët detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit. U banë shumë diskutime dhe u vendos ai alfabet që përdorim edhe sot. E randësishme asht të përmendim se, kongresi e la t’lirë edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, të cilin askush nuk e hoqi por koha solli të përdoret vetëm ai që u vendos me shumë debat.
Mbas alfabetit, hapi ma i randësishëm për njësimin e gjuhës letrare shqipe, ishte puna e që u ba nga “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni zgjodhi mënyrën ma të mirë dhe të sprovueme nga modeli botnor lëvrimin e gjuhës letrare shqipe nëpëmjet zhvillimit të letërsisë shqipe. Komisioni kishte gjuhëtarë dhe shkrimtarë, të cilët filluen punën për formimin e nji gjuhe letrare të përbashkët tue vlerësue nji variant letrar të mesëm, përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat duhet thanë se ndikuen në njësimin e shqipes së shkrueme. Kongresi i Lushnjës (1920) i aprovoi ato. Duhet evidentue se ato u zbatuen deri në Luftën e Dytë Botërore.
Mbas Luftës së dytë Botërore, puna për njësimin e gjuhës letrare kombëtare (gjuhës standarde) dhe të drejtshkrimit të saj, filloi të konsiderohej si nji veprim politik. E organizueme nga Instituti i Shkencave, i cili krijoi komisione për hartimin e projekteve të drejtshkrimit, të cilat fillonin punën me thirrje për partinë dhe “shokun Enver”, kuptohet, këtu nuk mund të merrnin pjesë “armiqtë e popullit”, nji pjesë e konsiderueshme e të cileve, ishin punëtorët ma të mirë për zhvillimin e gjuhës letrare. Gjatë viteve 1948-1966, u hartuen disa projekte të shoqnueme me nji fushatë anti-gege. Të gjithë hajdutat, kriminelat e prostitutat flisnin gegnisht. Burgjet u mbushen me intelektualë, klerikë të cilët ishin veprimtarët më të randsishëm. Shumë prej poetëve, shkrimtarëve u shpallen armiq dhe veprat e tyne u bane t’pakenuna. Me 1967, u botue nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, në vitin1968, e udhëhequn nga parimi “nji komb-nji gjuhë letrare”, aprovoi projektin e 1967-ës. Simbas mendimit tim kjo ishte nji çudi. E them kët sepse ishte gegnishtja ajo që i bëri ballë për 13 shekuj me rradhë gjuhës serbe dhe kjo s’kishte pse t’i adresohej tosknishtes. Harruen nji vepër të tanë të Fishtës ngjizun n’mijra vargje grumbullue n’folklorin e malësive.
“Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” të vitit 1967 u vendosën pa asnji diskutim publik. U paraqitën për diskutim në Kongresin (për respekt të Gjuhës Shqipe, nuk u quajt as kuvend) e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipes, që u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, u përzgjodhën, ashtu si në Kongreset e Partisë, delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipnisë, si dhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga arbëreshët e Italisë, i cili pasi analizoi të gjithë punën e bame deri atëherë për njesimin e gjuhës letrare, miratoi nji rezolutë, në të cilën përveç tjerash, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”, gjuhën në të cilën flet edhe udhëheqësi i Popullit dhe i Partisë. Kështu tosknishtja u ba baza e gjuhës zyrtare dhe s’e di se me ç’të drejtë u quejt shpesh edhe gjuhë letrare.
Vit mbas viti u punue për largimin e gegnishtes deri ne propozime, ju kërkoj ndjesë për fjalen, “injorante” si, ta kthejmë nëpër tekstet shkollore Migjenin tosknisht. Mësueset “krenoheshin” se nxanësit e tyne lexonin dom Ndre Mjeden si ma poshtë: Po shkrihet dëbora/ dimri po shkon/ bilbili i varfër/ pse po gjëmon. Fishta u konsiderue si nji prift i “pa talentuar”. N’teatrin e Shkodrës nji aktor me qeleshe thoshte n’dramë “si veni burra”. Poet të talentuem i shkruen apo i kthyen poezitë e tyne n’standard, tua lanë diku mbas vetes figurat e shkëlqyeme që mund të thuhen vetëm gegnisht. Kjo gja u shkaktonte dhembje n’shpirt e jeta e tyne ecte vshtirë në kët jetë ku grimcat e bukura t’poezive ngacmojnë andrrën e sjellin nji jetë t’humbun.
Kujtoj këtu me tanë forcën e respektit Federik Reshpjen e ma Zef Zorbën e ma Primo Shllakun, Sandër Gerën, Anton Çefën… Edhe sot, fatkeqsisht nxanësit tonë nuk mund t’lexojnë ma Fishtën, Mjedën, Xanonin, Shirokën, Mosin, Koliqin, Camajn e deri te ata që i dhanë jetë gjuhës shqipe, Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin. Nuk mund ta kuptoj se çfarë bahet, si mundet që e gjithë pasunia shpirtnore shihet n’kët mënyrë.
Dikush më tha se mos duhet ta harrojmë Frashërin, Çajupin, Asdrenin, Poradecin, t’mrekullueshmin Mitrush Kuteli. Askush nuk mund ta thotë kët gjà e të quhet artist. Pse na vyen me u fut n’kët diskutim kur na mund dhe duhet t’i mësojmë të gjithë në shkollë në orët e mësimit të veçanta. Pse duhet me diskutue se cili asht ma i miri.

Ledia Dushi Poezi

Ledia Dushi Poezi

Zoja dhe zotnij,
unë thjesht tregova diçka, mendime e ngjarje për me fitue të drejtën që me thanë diçka për grupin tonë. Gabimisht, ka njerëz që mendojnë se ne duem me “vendosë gegnishten dhe me heqë tosknishten”. Na jemi bashkue me dhanë kontributin tonë për gjuhën shqipe, për pasunimin dhe zhvillimin e saj. T’mendosh se mund t’zhvillosh gjuhën tue përjashtue, n’kët rast, gegnishten, ke mendue diçka që nuk mundet me ndodhë.
Nji miku im pogradecar, m’pat thanë se “në të vërtet poezia në gegërisht tingëllon bukur”, madje, tue kene për profesion aktor, thuejse i vinte aftësitë e veta n’prove tue thanë batuta n’gegnisht.
Po, asht e vërtetë, se poezia asht, për sa mundet, gjuha e shpirtit dhe shpirti asht gjallesa e kombit, prandaj n’shumë vende asht gjuha e poetëve ajo që asht ngrite nëë normë.
Asht i pafalshëm krijimi i nji mjedisi ku të tretet gjithë ajo pjesë e shpirtit të kombit punue e mbledhun n’ato treva ku “hapte flatrat e mnershme/ me thoj t’përharkuem/ që i përshndrisnin/ Shqipja arbnore”.
Asht pjesë e shpirtit dhe e gjallnimit të gjuhës shqipe, asht pjesë e kombit.
S’ishte as në diskutim Kosova, kur shqipja jonë ishte me dy krena!
Ju falemnderës!

Marrë nga muri i fb i Gjergj Kolës

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook