back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Gegnishtja në optikën e Ismail Kadaresë nga Gjokë Vata

Gazeta

Gjoke Vata
Gjoke Vata

Gegnishtja në optikën e Ismail Kadaresë

nga Gjokë Vata

Sapo pata rastin me u njoftë me vlersimin e gegnishtes nga shkrimtari i njohun Ismail Kadare, publikue në rubrikën “Kultura gege”. Me gjithë bindjen time se mbrojtja ma e pathyeshme e gegnishtes asht gegnishtja vetë, s’pari si shqiptar e mandej si gegë e ndjeva të domosdoshme kryemjen e detyrës që na ngarkon e vërteta me i dalë zot së drejtës si e meriton.
I pyetun për vlersimin e tij të gegnishtes Kadare përgjegjet: “Zhurma më e pandershme është e mashtrimit se: komunizmi e ndaloi gegërishten!” E pra ndër ata që e dinë masmiri se me ç’dhunë e ndaloi komunizmi shqiptar gegnishten asht edhe vetë Kadare i pranishëm në Kongresin politikogjuhsor të 1972, e firmues i atij vendimi.

Shkrimtari Ismail Kadare
Shkrimtari Ismail Kadare

Të vërtetat e dhunës së ushtrueme ndaj gegnishtes përbahen nga raporti i tejpolitizuem prej 92 faqesh mbajtun nga ma i përzgjedhuni i Enver Hoxhës, Androkli Kostallari drejtues i atij kongres famkeq, i cili nëse do të ishte shkencërisht gjuhsor drejtimi i tij do të ishte nga kryegjuhtari ynë Eqerem Çabej. Kushdo ta ketë rastin me e lexue at raport, që për fat gjindet në vëllimet e kumtesave të mbajtuna në atë kongres, e sheh se ky raport përbahet nga shpifje aq të paturpshme kundra korifejve të letërsisë shqipe sa me i ardhë turp edhe letrës e bojës së atyne faqeve. Pjesa ma e madhe e atij raporti u kushtohet mësimeve të vyera të shokut Enver Hoxha për gjuhsinë. Të ftuem të e nderit në hapjen e atij Kongresi janë Enver Hoxha, qeveria e pothuej të gjithë antarët e Komitetit Qëndror. Ktë pasqyrë faktesh e ka pa e jetue shkrimtari Kadare. Din gjithashtu se gegnishtja nuk asht mësue në asnji shkollë të Shqipnisë e megjithëktë, nuk e paska ndalue komunizmi??!!
Qysh me ardhjen në pushtet të komunizmit asht përdor shqipja e përdorimit të sotëm në arsim, administratë e në mediet e shkrueme dhe elektronike. E megjithktë: Gegnishten nuk e paska ndaluar komunizmi??!!
Në vijim Kadare thotë: “Komunizmi ka bërë aq shumë prapësira sa nuk është e nevojshme t’i shtohej edhe nji krim i pa qenë!” Nëse ky krim kulturor do të mund të konsiderohej i paqenë, çudinë e këtij mohimi nuk do të mund të shprehte as libri Guinness. Pasojat e këtij krimi antikulturor në Shqipni jo vetëm ndihen edhe sot e kësaj dite, por edhe do të ndihen edhe kush e din sa e sa kohë.
Ndër të tjerat Kadare thotë: “Kjo gënjeshtër e ndalimit të gegërishtes nga komunizmi do të vente në dyshim edhe prapsira tjera të komunizmit.” e përpiqet të na argumentoj me: “Shembulli më i qartë është Migjeni më i botuari e më i popullarizuari në të gjitha nivelet e shkollave…” Kadare e din fare mirë se parulla kryesore propagandistike e enverizmit ka qenë: Politika në plane të parë e shkrimet e Migjenit kanë qenë mbase ushqimi kryesor i propagandës ateistokomuniste, prandej aq tekste gegnisht sa i kanë shërbye propagandës së asaj kohe enverizmi i ka marrë në konsideratë. Sa për Ndre Mjedën që Kadare i referohet si nji shembulli se komunizmi nuk e ka ndalue gegnishten. Komunizmi shqiptar i ka lanë si material muzeumi. Shembullin tjetër me të cilin mundohet me na mbushë mendjen se komunizmi nuk e ndaloi gegnishtën na përmend përkthimet e “Komedisë Hyjnore” e “Iliadën”. Kadare duhet ta dijë se këto përkthime janë realizue para 1972, e se këta përkthyesa kanë qenë të vetmit shqiptar që mund të banin ktë punë madhore e shteti e ka pranue punën e tyne vetëm e vetëm për mos me u thanë se kto kryevepra botnore nuk janë të përkthyeme në shqip.

Gjuha Shqipe, Kryedialektet dhe Nendialektet
Gjuha Shqipe, Kryedialektet dhe Nendialektet
Zonat e Dialekteve te shqipes
Zonat e Dialekteve te shqipes

Në vazhdim të intervistës, Kadare polemizuesat rreth gegnishtes i quen “amatorë të bezdisshëm…” Gjaja ma e bezdisëshme për ata që nuk e duen realitetin asht e vërteta. Lind pyetja: Si mund të konsiderohet profesionist mohuesi i së vërtetës ma të pamohueshme?! Kadare thotë: “Toskërishtja ka mundur të krijojë koinenë…” Tosknishtes iu dha mundsia politike e përdorimit, e gegnishtes iu mohue mundsia shkencore. Ktë na vërteton edhe kreyegjuhtari ynë në kumtesën e tij të mbajtun në Kongresin e 1972, ku tekstualisht shkruen: “Standardizimin e një gjuhe e bëjnë shkrimet e shkrimtarve më të mëdhej të vendit. Si shembull kemi Toskanën, dialekt në të cilin shkruan shkrimtarët më të mëdhej të Italisë. Standardizimin e një gjuhe mund ta bëjë edhe epërsia politike e një krahine”. Lind pyetja: Kush i ka njoftë ligjet e gjuhës si kryegjuhtari i shqiptarëve? Kadare thotë: “As antikomunizmi nuk do ta pengonte toskrishten letrare…” Kjo asht aq e vërtetë sa ç’asht e vërtetë se nuk do ta pengonte as gegnishten letrare. Kadare thotë: “Në asnjë vend të botës nuk lejohet zhvillimi i lirë i gjuhës…” Zhvillimin e lirë e pengon vetëm tirania. Kadare duhet ta dijë se Norvegjia përdorë 2 dialekte me të drejta të barabarta. Vlerat e dialekteve na dëshmojnë se as nji dialekti nuk i duhet nxanë fryma për hir të tjetrit dialekt ngase dialektet janë vllazën të bijtë e të njejtit Atdhe. Në mbyllje të intervistës Kadare na thotë: “Nji gjuhë me 20.000 fjalë mund të duket e varfër e nji gjuhë me 500.000 fjalë e pasur, por nuk është ashtu…” Unë mendoj se ktë të vërtetë e pohojnë ma s’miri vetë numrat e këtyne fjalëve. Përndryshe shqipja e përdorimit të sotëm do të ishte shumë ma e pasun se anglishtja. E vërteta asht detyrim për të gjithë ata që duen me e përmbushë detyrën ma të shejtë që asht e drejta.
Marrë nga International Institute for the Protection of Cultural Gege 8 mars 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.