back to top
11.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Gazeta – fuqi publike Lazër Radi 1937 (pjesa e I)

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

Gazeta fuqi publike nga Lazër Radi (Pjesa e I)

Studime gazetarie – Pjesa e parë

Duke filluar nga artikulli i sotëm, po u japim këndonjësve tanë një pasqyrë sintetike të gazetarisë. Të zhvillimit dhe të rolit të saj në historinë dhe jetën e kombeve. Siç do të konstatohet edhe prej vetë këndonjësve, studimi ynë do të jetë krejt objektiv dhe i bazuar në shkrimet me vlerë të dijetarit dhe gazetarit të dëgjuar Prof. Paolo Orano. Dhe fillojmë me pyetjen?

Çështë gazetaria?
Gazetaria para së gjithash është fuqi publike. Gazetaria është funksion polemik, propagandë, proselitizëm, është gjykim i ngjarjeve, i veprimeve, i parimeve, i metodave të atij që qeveris: Gazetaria është apologji ose dënim, është pretezë e së vërtetës dhe ka për objektiv sundimin e opinionit publik. Gazetaria nuk është periodiçizëm botimesh, gazetaria është në histori manifestim kritike e kontrolli e cila, duke filluar që prej perëndimit të Ancien Regime-it, pak nga pak futet në grindjet fetare, në të drejtat, dhe më në fund, mbruhet dhe shpallet krejt politike dhe polemikat e ideve dhe programeve formon brumin e aktivitetit të sajë, të cilit pushtetet nuk mund t’i bëjnë ballë dhe, duke tërhequr mejtimin në fushën e praktikës politike, tendencat i kthen në korrente, korrentet në parti, partitë në forca që vendosen njëra kundrejt tjetrës, mbi fatet formale dhe substanciale të pushtetit.

Ku e ka origjinën opinioni publik?
Opinioni publik, i cili është aspekti psikologjik i shoqërisë moderne, besohet se origjinën e tij e ka në turbullimet fetare të Reformës Gjermane. Opinioni publik është fenomen dialektik. “Bërthama e parë e opinionit” e pra e nji krize të besimit, nuk mund të ishte veç fetare. Protesta kalviniane e bashkuar me atë lutheriane, dhe me atë filozofike, që nisin prej Leonardit, Brunos dhe gjer tek Galilei, goditën rëndë dogmatizmin fetar. Kështu doemos mori formën e opinionit d.m.th. të tezës, e pra, pozicioni, grindjeje, konflikti dhe beteje. Opinioni publik kërkon popullaritet. Dhe vetëm feja kishte popullaritet, vetëm qënia pro e kontra fesë mund të ngjallin interes. Në gjëndjen shpitërore sinqerisht të turbulluar të shumicës së popullit të Gjermanisë, të Francës dhe të Anglisë, apologjija në fillim, pamflet-i, që shpejt bëhet i dënuar dhe periodik, propaganda e kabalicizmit që mbrohet dhe e protestantizmit që sulmon, veprojnë duke ngjallur kështu nevojën e këndimit, të mjeteve të argumentimit, të bisedimit, të arsyetimit, të bindjes. Bisedimi është publik sepse është i pafrenuar sentimenti që e shtyn; është e natyrshme që ky (bisedimi) të kërkojë të gjitha mjetet ndihmëse dhe se ay i shtypit bëhet pa tjetër më i përshtashëm dhe më i përdorshëm për qëllimet e polemikës.
Karakteret e lëvizëshme të tipografisë kënaqin çfryrjen e mejtimit polemik, simbol i lumtur i lëvizjes së interpretimeve, i opinionevem i tendencave, me të cilën lind moderniteti e nga e cila lindet gazetaria. Dokumentat i gjejmë në Gjermani, dhe ca më tepër në Francë e mundësisht rreth periudhës së Kardinalit Richelien, në fazën hugenote të protestës fetare, në të cilën protesta hodhi rrënjë etnike e filozofike e mund të themi politike. Richelien personifikon fitoren e pushtetit politik centralist dhe Kalvini rishfaqet triumfant nën maskën e skeptikut aristokratik dhe fatalist, si shkatrrimtari mondan i parimeve dhe i disiplinës në Ancien Regime-it, dhe, më i vendosur e më i rreptë, nën atë të gazetarit të difamatorit të pafre që propagandoi të gjitha idetë – rrënjë të doktrinës shoqërore dhe politike që ushqeu më vonë Revolucionin Freng.
(Shtypi, e enjte 23 dhjetor 1937)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.