Gazeta e Shpresës së Madhe… nga Jozef Radi

Numri i Pare i Gazetes RD

Numri i Pare i Gazetes RD

Gazeta e Shpresës së Madhe…

nga Jozef Radi

5 janar 1991, e shtunë
Atë dite pritej dalja e së parës gazetë opozitare. Gjithandej qe përhapë fjala, dhe si nji ankth pritej që mbas nji gjysëm shekulli shtyp që vetëm kishte shtypur me mijra njerëz, do të shfaqej nji gazetë që njerëzit ta donin. Mjaft më me Shtypin e Pushtetit, kishte ardhë ora e Fjalës së Lirë!
Nji mbramje ma parë, ndërsa hanim darkë bashkë më Zotin Lazër, (krejt familja ishte në Savër, vetëm ne të dy jetonim në Tiranë, në shtëpinë që na kishte lënë Alfred Radi nën kujdes) në at kuvend kokë më kokë,  përcollëm mendimin se e nesërmja do të ishte nji ngjarje jashtëzakonisht e randsishme për krejt historinë e shqiptarëve.
Disa nga shkrimet që mund të paraqiteshin n’at numër të parë, i kishim diskutue edhe në shtëpinë tonë, tash çeshtja ishte kur t’i lexonim në gazetë, cila do të ishte shija e emocioneve.
Edhe pse ndejtëm deri vonë duke diskutue, në gjashtë të mëngjesit isha rrugëve të Tiranës në kërkim të gazetës. Ishte terr i plotë dhe binte nji shi i lehtë. Dukej sikur kryeqyteti zgjohej përtueshëm dhe as e kishte mendjen te liria… aq ma pak ajo e shtypit. Vetëm ku shiteshin gazetat kishte potere  të madhe. U futa disa herë rradhë, po rezultati ishte shtymje – shtymje, pritje po asgja në trastë… Mbasi u tha se kishte ardhë nji numër i kufizuem gazetash, përballë asaj etje të çmendun me lexue diçka ndryshe, s’po dija nga t’ia mbaja!
Mbas dy dështimeve, u nisa për te selia e PD-së në “Rrugën Fortuzi”, pse dikush hapi fjalën se atje ishte e sigurt se mund të gjenim. Ia dhashë vrapit, dhe e vrava disi atë të ftohtë e at shi t’asaj dite janari, që dashtë pa dashtë po futej në histori…
Edhe te Selia kishte përfundue shitja.
Përjetova nji çast dëshpërimi, po nuk lëviza vendit. Isha i gatshëm ta bleja nji gazetë me çfarëdo çmimi të ishte. Mjaft ta kisha në dorë Gazetën e Parë, që kish lindë me e kundërshtue at të keqe të madhe që e kishim të gdhendun në shpinat dhe shpirtnat tonë.
Ishim shumë me frymë pezull. Veç kur na erdhi dikush me gazeta e tha: “Te “Zëri i Popullit… mund të gjeni sa të doni gazeta”!
-O Zot, – mërmërita me vete – duke ndjekë turmën që u fut ndër rrugicat që të çonin nga selia e PD-se, te godina e ZP! Prap shpëtimin te “Zëri i Popullit” do ta kërkojmë?! A nuk na kishte mjaftue e teprue ajo e keqe që na kishte sjellë ajo godinë manipulimesh të frikëshme?!
Nuk pata kohë me mendue ma tej, se u futa përmes baltnave dhe rrugicave derisa dola te dritarja e nji tipografie të madhe ku ende vazhdonte shtypja e gazetës. N’at mizëri njerëzish u futa në rradhë. Herë mbas herë dikush nga tipografët linte punën, shiste nji sasi gazetash, dhe kthehej e vazhdonte punën nëpër rotativa, derisa lutja e blerësve bahej e padurueshme. E ndërsa shtyheshim, dikush tha se atë ditë do të hidheshin në treg dyqindepesëdhjetë mijë gazeta!
E besueshme dhe e pabesueshme njiherësh… po unë vazhdova me u shty, sepse ende s’e kisha ma së pakut nji gazetë në dorë.
Kur më erdh rradha, në vend të nji gazete mora pesë. Le të ishin në shtëpi, qoftë edhe si kujtim. Kur dola me to në dorë ashtu të ngrohta m’u duk sikur kishin aromën e bukës së mbrume. I hodha nji sy ashtu vetëtimthi fasadës nëpër ditën që po zbardhte përtueshëm, dhe m’u duk sikur s’po e ndjeja ma të ftohtin e atij janari. Ia dhashë vrapit drejt Shallvareve, për t’i dhanë sihariqin e sigurisht për t’i “kërkue edhe myzhde zotit Lazër!”

Lazër Radi, Robert Elsie, Jozef Radi, 1992

Lazër Radi, Robert Elsie, Jozef Radi, 1992

E zgjova duke ia hjedhë gazetat në gjoks. Më futi nji të shame të mesme, pse si duket u tremb se ishte në gjumë. Ishte ora shtatë pa nji çerek. Edhe pse 75 vjeç u ngrit pa përtesë, duke mbërthye pantallonat, u ul te karrigia e tij me marrë vesh ma të rejat e asaj dite që na premtonte se do sillte ma së pakut: shpresë…
Lexuem secili për hesap të vet, nga gërma e parë te rreshti i fundit. Lexuem gjithçka për së gjati e për së gjani. Jo, nuk e lexuem, e hangrëm, e pimë, e përpimë. Ndodh që leximi asht edhe ma i shijshëm se buka. Atë ditë ishte i tillë. Mandej i ofrova kafen e mëngjesit. Hera herës ia lexoja me za të naltë diçka që më kishte pëlqye, ndërsa zoti Lazër, gjerbte si patriark kafen e përhumbesh në tymin e cigareve të njipasnjishme t’atij mëngjesi. Ishte nji kënaqësi e papërshkrueshme ta kundroje at fytyrën e tij të mendueme si prej filozofi lashtësie. Ndjehesh sikur krejt qenia e tij lshonte nji çlirim shpirtnor që e përcillte përmes asaj pamje të përhumbun midis tymnajës së duhanit që sa vinte e bahej ma e dendun mbasi pa mbarue njena cigare niste tjetra…
E randsishme asht që Visari e paska nji shkrim në numrin e parë të gazetës! Nji prej tonëve! – tha zoti Lazër. Mandej i morëm shkrimet me rradhë dhe i diskutuem si ishte gjithherë në komunikimin mes nesh…
Aty rreth orës dhjetë, i mora leje zotit Lazër me dalë… (sa herë i thoja zoti Lazër – aq herë e lëshonte shprehjen “Zoti Lazër i  sat’ame!” që ishte nji prej kënaqsive të mia ngacmuese!!) U vërdalla pak kohë nëpër Tiranë dhe e ndjeva të vërtetën e asaj çka ishte shkrue në RD e 5 janarit 1991.
Ndërsa kthehesha, te Banka e Shtetit takova nji piktor nga Lushnja, Gëzim L., i cili u gëzue pa masë kur më pa. E pyeta se si kishte shkue mitingu i Lushnjes i nji ditë ma parë.
-Keq – më tha – kanë arrestuar nja dhjetë vetë. Më duket se edhe disa djem nga Savra. Më shumë ishte i indinjuar dhe i dëshpëruar për diçka tjetër. Më foli mjaft ashpër për poetin B. Xh. “Po ai ç’donte atje në tribunë! Pse ka surrat ai prap për tribunë, mbas gjithë të këqijave që ka bërë. Më vjen keq edhe për ndonjë mik tonin, që i bën shoqëri atij njeriu pa vlerë! Ka folur vazhdimisht keq për cilin ka mundur. Është e padenjë, që nji njeri që e ka parë veten maje deri dje, të kërkojë ta shohë edhe sot veten maje!! Ai njeri s’do askënd mbi vete. Ai të bëhet mik vetëm për të zbuluar ndonji dobësi, që më pas ta këtë me të lehtë për të nënshtruar! Ja ky është B. Xh…
Vetëm po e dëgjoja. Nuk kisha asnji dëshirë ta kundërshtoja. E pashë që zemërimi i tij ishte i frikshëm. Ndoshta me të drejtë ai dhe shumë të tjerë e kishte vuejtë praninë në tribunë të atij njeriu, me të cilin edhe mund të kishin pasë konflikte të herëshme.
-Tashti nuk asht koha me i shpallë luftë njeni tjetrit o Gëzim. – u mundova ta qetësoj unë – Është koha të goditet përbindëshi.
-Eh, te këta klyshët e vegjël fshihet përbindshi i madh! – më tha Gëzim L. e duke u përshëndetë u ndamë…
Në shtëpi e gjeta Zotin Lazër, duke lanë shënimet të gazeta e re… I tregova për takimin me Gëzim L. dhe bisedën qe kisha ba me të. Qeshi, si dinte të qeshte ai!
-Eh, as Roma s’asht ndërtue në nji ditë! – më tha, dhe vazhdoi i patrazuem me shënimet dhe nënvizimet e veta!

.

(Marrë nga ditari “Ditët dhe netët e ikjes nga terri!” i Jozef Radit)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook