back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Gastare të dhimbës së nji grueje cikël poetik i Arjola Zadrimës

Gazeta

Arjola Zadrima - Vjeshtë 2016
Arjola Zadrima – “…Tash frymoj me të kujtue!”

Gastare të dhimbës së nji grueje

cikël poetik i Arjola Zadrimës

Pak muej të shkuem Arjola Zadrima
botoi librin e saj të parë: “A ban me m’lshue pak rrugë?”.
Nji dashni e saj e hershme për letrat së fundi kje ba libër
e solli mjaft gzim e hare për t’tanë ata që e duen poezinë dhe Jolën…
S’kanë kalue veç do kohë dhe Arjola
ka humbë diçka të shtrenjtë në jetën dhe familjen e saj,
e cila ashtu si krejt njerzisë së kësaj bote
ka pasë edhe ajo uljengritjet e veta
përgjat rrugës së përbashkët…
Ky cikël ma i fundit poetik i Jolës,
asht kjo vjeshtë e vuejtun dyfish prej saj e rreth saj,
janë kto perla fjale që mundet me i krijue veç dhimba…
e dhimba e Jolës asht e tana njaty gandull, ndër vargje që brejnë,
e ndër bulza lotësh mbetun gjetheve të shpirtit të saj
po edhe ndër ne!
jozef radi

***

Mbramja ra,
fijet e diellit perënduen n’horizonte t’rreme,
kalimthi majat e selvijave
grishën pellgjet e qiellit.
Toka e butë u la n’ujna t’bardhë,
jaseminat tuej dridhen ende prej bekimit.
Zogjtë,
kanga e bylbylit,
uji i kataraktit tem,
tisi i pyjeve ku zgjohen andrrat,
asht parajsa që të përkitën.

Ike, e vetmia ma ka tha shpindën,
buzë’s i ka plas etja,
krijesë e kristalizueme
dramcue nga mungesa.

Hana shkëlqen përtej,
ku stinët thurin vargje me penelat e Zotit,
m’ka mbetë me i përkul vitet
si shelg i moçëm
që gjethon veç tue i ndërru stinët.

"...ku stinët thurin vargje me penelat e Zotit..."
“…ku stinët thurin vargje me penelat e Zotit…”

***

M’pate thanë se vetmia
asht smundje e të vdekunve,
pata qeshë me t’madhe.

Tash je ike n’paqe të botës përtejme,
e s’di si me të kallzue se vetmia
asht smundja e të gjallëve,
që mbetën mbas.

***

S’due me i mendue ma
andrrat e gastarta,
as gjetht që bien si mendime të mbrame.
Mbrenda meje kam ndrye
të gjallën e syve që m’fale.

Tash frymoj me të kujtue!

Zot, mos shpraz qiell ndër ne/ që pikojmë gjithkah mall...
O Zot, mos shpraz qiell ndër ne/ që pikojmë gjithkah mall…

***

Kishe dashtë me vrapue,
ndër rrugë të lagshta
ku mbretnon vesa e nadjes.
Kambët e zdathna hedhun pa mend
me i pre ndër gastare drite.

Më duhet me e çlirue bishën e burgosun,
t’lidhun e t’plagosun, m’duhet se s’ban.
Dita s’lind mëninë e pemëve,
as lutjet e qiellit për stinë,
dita ndrin n’simfoninë e shpirtit,
tingull që dridh fije t’ngrime.

Kishe dashtë me t’diftue
sa herë para teje jam zgjue,
veç me t’dashtë pa të tjerë.
Mandej, s’je ma i jemi.

***

Nji muej shkoj pa na pytë.
Mungesa ka aromë raftesh të pahapuna,
heshtja përpin kohë e frymë.
Mendimet më stivohen s’di ku,
e poltrona jote vazhdon me kenë n’krye të shpisë.
Ka do kohë bosh.
Ka do kohë që boshi shetit n’mu
Kam do kohë që nuhas këmishën që kishe veshë.
Veshët më bajnë, por s’vjen.
Veshët më buçasin po duhet me heshtë.
S’duhet me kja, s’duhet me ra,
s’duhet me m’pa kërkush!
Po plasi.
Dhimbja si morsë m’ka mbërthye hatllash.
Kryqi mbi shpatulla, peshon.
E për dreq asht nji natë si kjo
ku unë s’di me pushu,
s’di me u mbajtë,
s’di ku me e gjetë forcë e me jetu edhe për Ty!

Dhimbja si morsë m'ka mbërthye hatllash.
“…Dhimba si morsë m’ka mbërthye hatllash…”

***

Vjeshta kalemendet
n’frymën e fundit të zogjve.
Shikimi humb mbi qylymin
e punum n’gjethe larit.
n’curril drite hana përgjon
pemët e zdathuna ndër ujna
Ndër qerpikë ere,
vjeshta këput kujtime t’zverdhuna…
e bashkë me stinën trete dhe Ti,
e kryet mbas mos me u kthye ma.

***

Vjeshtë,
të lutem mbaj në kujtesë tande
frymën e fundit të jetës.
pse në sytë e mi belbëzon
lutja shenjtë që zhbiron qiellin
anë e përtej,
për dashninë e mishnueme n’trupin tonë.

"...pemët e zdathuna ndër ujna..."
“…pemët e zdathuna ndër ujna…”

***

Orteku i vjeshtës rrxue mbi ballnat tonë,
tue gdhendë pikëllim ndër ftyra t’pa sprovueme.
Trupat u shkërmuen si gjethe të vyshkta.
Pema jeme hesht e akullt
degat e saj pre, shembë fole e jetës.
Heshtje virr,
gjimoje gjoksit tem.
Çliroje këtë dhimbë prej krahnorit ku thurë e ka folenë.
Mue s’më duhet kurrgja,
ma shumë se rrokja e tij,
kjoftë edhe për t’fundmen herë.

***

Gjymtyrët zhytë thellë ndër tesha,
shpirt’i grimcuem,
me mungesë vjen e shkon dita.
Vetë burrë, vetë grue,
vetë nanë, vetë babë
e meçme, e marrë,
e djegun, e gjallë
veç vetëm.
Psherëtimë, ofshamë
koha djeg kohë,
më dhemb e dhimbem gjallë.
Zot, mos shpraz qiell ndër ne
që pikojmë gjithkah mall.

S'mundem me t'shkrue për mallin tem, veç tandin që ka mbì n'dhe të shkriftë...
S’mundem me t’shkrue për mallin tem,
veç tandin që ka mbì n’dhe të shkriftë…

***

S’mundem me t’shkrue
për mallin tem,
veç tandin që ka mbì
n’dhe të shkriftë…

Ps. Në paraqitjen e këtij linku janë përdorë foto të marra nga faqja e autores dhe janë përdorë gjithashtu për ilustrim po vargje të autores, shkëputë prej këtij cikli, të cilat dallohen mbasi janë me të zezë të theksueme… j.r.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.