back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Fuad Dibra (1886-1944) – patriot i shquar për Shqipërinë etnike

Gazeta

Fuad Dibra (1886-1944)
Fuad Dibra (1886-1944)

Fuad Dibra (1886-1944)

-patriot i shquar për Shqipërinë etnike

Për çështjen shqiptare
shkriu jetën dhe pasurinë.
Personalitet
që rezaton shembëlltyrë

Në torbulencat që po përjeton sot lidershipi shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, kur pa përjashtim partitë politike shqiptare në vend të afrimit dhe të shtrëngimit të duarve, kanë drejtuar gishtërinjtë e shtangur për t’ia nxjerrë sa më thellë sytë njërit-tjetrit, duke ndarë popullin shqiptar copa-copa, kur gogolat nga brenda dhe shtetet fqinje rreth nesh gëzohen dhe fërkojnë duart, duke i parë me sehir zënkat tona, me shpresë se do të rrjepin edhe pak nga territoret tona, nga gjaku ynë, apo nga shkelja e të drejtave tona, sot kur ne më shumë se kurdoherë lypset të mësojmë nga historia jonë, për të konsoliduar forcat dhe energjitë tona, aty ku mbrohet, ruhet e ndërtohet dinjiteti ynë mbarëkombëtar, vendosëm të paraqesim para opinionit tanë lexues, Fuad Dibrën (1886-1944), patriotin e shquar nga Dibra e Madhe, patriotin dibran dhe mbarëshqiptar, për të na qenë shembëlltyrë dhe për të parë se si duhet punuar dhe sakrifikuar për kombin tonë të përvuajtur, për të mos na u përsëritur gjërat, dhe se si duhet të sillemi, po qe se vërtet ia duam të mirën kombit dhe vetes sonë.
Fuad Dibra, ky patriot dibran dhe mbarëshqiptar me shpirt martiri për çështjen kombëtare shqiptare, shkriu tërë pasurinë e madhe që kishte, refuzoi ofiqet mashtruese, dhe në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-1920, ku u arrit që Shqipëria të njihet si shtet i pavarur, vuri në dispozicion dhe harxhoi më shumë se 500 mijë franga ari.
Kjo fytyrë e lavdishme e patriotizmit dhe e atdhedashurisë shqiptare, si gjithnjë edhe sot shndërit me shembëlltyrën e saj, kur të gjithë duhet të bëhemi si një grusht i vetëm, e t’i tregojmë botës seriozitetin tonë për kauzën mbarëshqiptare, sepse ende nuk e kemi punën të sillemi komodë, krahas këtyre rreziqeve që i kemi pranë.
E pashë të udhës të vë dritë në figurën e patriotit Fuad Dibra, që të na shërbejë si shëmbull të vetëdijësohemi e të bashkohemi në zgjedhjen e rrugës së drejtë në këto çaste vendimtare për kombin tonë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore (Luginë e Preshevës), Mal te Zi e Çameri…

Këshilli i Regjencës 1943 (Mihal Zallari i dyti majtas)
Këshilli i Regjencës 1943 (Fuat Dibra i pari majtas)

Sakrifica për Shtetin Etnik Shqiptar

Fuad Dibra u takon figurave më të shquara të patriotëve të denjë dhe të pastër që për Shqipërinë e Pavarur Etnike shkriu tërë pasurinë e tij të madhe, tërë arin, shkriu jetën e tij, dhe nga Shqipëria as mori e as kërkoi gjë. Ky burrë mbi burra, siç e quan populli, tërë jetën e tij ia dedikoi popullit dhe kauzës së Shtetit Etnik Shqiptar, duke sakrifikuar dhe duke mos prituar që të jetë atje ku e lypte nevoja dhe të sjellet ashtu si e lypte nevoja e popullit, ku bisedohej për vendosjen e bazave të shtetit shqiptar.
Kur shqiptarët me karakter të lig asokohe vraponion pas posteve dhe pasurisë, duke grumbulluar pasuri mbi pasuri dhe ar mbi ar, Fuad Dibra zgjodhi rrugën e drejtë e të ndershme të atdhedashurisë dhe të patriotizmit, duke u përpjekur gjer në vetëmohim për shqiptarët e Shqipërinë, duke luftuar kundër cungimit dhe grabitjeve të tokave shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913 dhe në përsëritjen e kësaj padrejtësie në Konferencën e Paqes në Paris me 1919-1920. Këto ngjarje e tronditën pamasë shpirtin e Fuadit, i cili me me ngulm vazhdoi përpjekjet e tij për t’i bashkuar shqiptarët rreth një programi, siç thoshte ai , “të aftë për të siguruar shpëtimin tonë kombëtar, konkretizimin e ëndrrës së qindramijëra martirëve të kombit për realizimin e të drejtës për Shqipërinë Etnike dhe për ta shpëtuar nga kthetrat grabitqare të fqinjëve”. Ai ishte më se i bindur dhe i patundshëm për plotësimin e këtij ideali të shenjtë dhe thoshte: “Do ta bëjmë Shqipërinë me kufijtë e saj etnikë patjetër, pse edhe sikur Evropa të dëshirojë me na i dhunuar të drejtat tona legjitime, na të bashkuar rreth flamurit të Kastriotit, do të jemi një bllok i pathyer që me fuqinë e armëve tona do t’i fitojmë vetë të drejtat që na takojnë”.
Fuad Dibra, ithtar dhe lëvrues i palodhshëm për Shqipërinë Etnike, në krye të Kolonisë së Shqiptarëve të Stambollit shkrinte pamëshirë çdo gjë që kishte, edhe pasurinë e tij shumë të madhe, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë kudo në Evropë, dhe s’u pendua asnjëherë. Ky martir edhe në momentet e fundit të jetës së tij na len tri porosi: “Me u bashkuar tërë shqiptarët rreth një ideali të vetëm, rreth realizimit të shtetit tonë etnik shqiptar, me u vëllazëruar dhe me u bashkuar në mënyrë të përsosur, që përçarjet e nxitura nga propagandat e huaja, të cilat mundohen drejtpërdrejt të na ndajnë, të mos munden me gjetur vend ndër ne, dhe së fundi, me çfarëdo çmimi të jetë, me përmbushur idealin e konkretizimit të Shqipërisë sonë Etnike. Këto porosi të trashëguara prej martirëve brez pas brezi, do t’i dëgjojnë me krenari dhe shpresë zogjtë e shqipes”, thoshte Fuadi.
Qeveritë e shumta që shkonin e vinin në Shqipëri kërkonin bashkëpunimin dhe rënien dakord të Fuad Dibrës për poste të ndryshme, bile edhe me lutjet direkte të drejtuesve italianë, mirëpo shpirti i pastër dhe patriotik i Fuad Dibrës, i refuzoi të gjitha dhe asnjëherë nuk u dakordua që të vihej në shërbim të të huajve. Kjo sjellje e tij prej patrioti bënte jehonë të madhe dhe ngushëllonte zemrat e motrave shqiptare të mbetura pa vëllezër, të nuseve pa burra dhe të nënave pa djem, të cilët kishin dhënë jetën e tyre për mbrojtjen e atdheut.

Përpjekje për t’i afruar shqiptarët rreth një programi

Deri në fund të jetës së tij ai punoi për bashkimin e trojeve shqiptare, për bashkimin e tërë shqiptarëve , “se të drejtat tona mund t’i fitojmë vetëm po të jemi të bashkuar”, thoshte ai.
U lind në Dibër të Madhe në vitin 1886, dhe qysh në moshën e re u vu në radhët e lëvizjes kombëtare shqiptare ku bënte pjesë edhe i ati Ismail Pasha, deputet i Dibrës në Parlamentin turk, i cili ishte njëri nga personalitetet e para dhe organizues i Kongresit të Dibrës më 1909, që u mbajt në shtëpinë e tij, ku morën pjesë delegatë nga të gjitha vendet shqiptare, dhe ku u morën vendime të rëndësishme për fatin e ardhmërisë së kombit shqiptar. Ismail Pasha ishte patriot i dëshmuar dhe me pasurinë e madhe të trashëguar radhitej si njëri nga zengjinët më të mëdhenj të Ballkanit.
Fuad Dibra pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje shkoi te i ati në Selanik, ku mbaroi shkollën e mesme dhe studimet universitare – fakultetin e drejtësisë në Selanik dhe Zvicër. Babë e bir influencën e tyre në mesin e pasanikëve e përdorën për t’i dhënë shpirt çështjes kombëtare shqiptare. Fuadi me pjekurinë e tij universitare që dispononte, bashkë me të atin Ismail Pashën, bënë një veprimtari të madhe edhe për organizimin e Kongresit të Manastirit, ku u vendos fati i alfabetit shqip. Lufta që u bë në këtë Kongres për të bindur pjesëmarrësit për përdorimin e gjuhës shqipe, për nga forca i ngjante luftës së pushkës, dhe askush nuk e përdori këtë armë morale më shumë dhe më bukur se sa Fuad Dibra, për t’i bindur ata që preferonin alfabetin arab në vend të atij shqip. Ky patriot veç ndihmës morale, çështjen shqiptare e ndihmonte edhe materialisht, duke përballuar shpenzimet e aktiviteteve të shumta, ose duke blerë lokale për mbajtjen e mbledhjeve të ndryshme me rëndësi historike kombëtare. Ndoqi me vëmëndje lëvizjen e Xhonturqve dhe shpejtonte të përfitonte nga rasti i krijuar në horizontin ballkanik, duke ndjerë nevojën se duhet vepruar shpejt para se të bëhet vonë. Punoi aktivisht me delegatë të ndryshëm dhe organizoi e financoi dy komisione të kryesuar nga Haxhi Ismail Manastiri dhe Haxhi Vildani ku merrnin pjesë figura të shquara si Abdyl Ypi, Fadil Pashë Toptani, Fuad Pashë Prishtina dhe Ali Pashë Velikarda, që shëtitën anekënd trojeve shqiptare dhe përgatitën terrenin për reformat e Kongresit të Manastirit dhe për veprimtari tjera mbarëkombëtare shqiptare.

Përhapja e arsimit shqip në Kosovë e Maqedoni
Përhapja e arsimit shqip në Kosovë e Maqedoni

Më shumë se gjysmë milionë franga ari për mbrojtjen e çështjes shqiptare

Fuadit i propozuan të vinte kandidaturën për deputet në parlamentim turk, por ai nuk pranoi.
Si edhe shumë herë tjera në vitin 1921, nuk pranoi ofertën e Kabinetit të Sulejman Delvinës për postin e ministrit.
Nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe vitin 1913, kur dibranët ishin të detyruar nga masakrat serbe t’i braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa Fuadi u ndihmoi të gjithëve si vëlla dhe mik, duke ua lehtësuar dhembjen.
Menjëherë pas Luftës së Parë Botërore vazhdoi me vrrull aktivitetin e tij patriotik në Koloninë Shqiptare të Stambollit dhe me përkrahjen e tij materiale.U themeluan shumë klube dhe u hapën shkolla shqipe me 450 nxënës shqiptarë, në krye të të cilëve ndodheshin mësuesit si Riza Drini, Mumtaz Kokalari, Nesip Voshtina, Qemal Baci, etj.
Kolonia Shqiptare e Stambollit dërgoi delegacionin e saj në Konferencën e Paqes në Paris që u mbajt më 1919-1920, të kryesuar nga Fuad Dibra ku merrnin pjesë anëtarët Halil Pashë Gjirokastra, Mihal Shan Tepelena, Pier Bonati dhe Benedik Bilishti. Këtu kishin ardhur edhe përfaqësues të Kolonive tjera shqiptare nga Amerika, Rumania dhe trojet e tjera shqiptare. Me këtë rast Fuad Dibra vuri në dispozicion dhe harxhoi më shumë se gjysmë milionë franga ari për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Në Paris të deleguarit qëndruan 17 muaj me shpenzimet e këtij patrioti, dhe pas shumë peripecive të krijuara nga shtetet e mëdha dhe armiqtë, u arrit në këtë Konferencë të Paqes në Paris dhe nga Lidhja e Kombeve, që Shqipëria të njihet si shtet i pavarur, por nuk u arrit për fat të keq që të ndreqeshin padrejtësitë që ishin bërë me copëtimin e tokave shqiptare nga Kongresi i Berlinit më 1878, dhe nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1912-1913.
Duke shkrirë tërë pasurinë e vet për çështjen kombëtare dhe duke mos pranuar postet joshëse të ofruara nga të huajt, Fuad Dibra u dha të kuptojnë të gjithëve, se duhet të dallohet vullneti për t’i shërbyer atdheut nga ambicjet për pozitë. Ai ishte shumë i pasur, por kur çështja kombëtare shqiptare u vu në tryezën e negociatave të Fuqive të Mëdha, nuk u hamend fare dhe nuk nguroi të sakrifikonte, duke u hedhur në luftën e tmerrshme dhe të padrejtë që i bëhej atdheut të tij të dashur, duke luftuar si hero gjersa shkriu tërë pasurinë e tij, për një Shqipëri Etnike. Këtë parim e ndoqi gjatë tërë jetës së tij, por edhe në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-1920 dhe në Komitetin Kombëtar të.
Populli shqiptar e din fare mirë dhe nuk do ta harrojë kurrë, rolin që luajti ky patriot në çastet kur ishin në lojë fatet e Shqipërisë.
Kjo shembëlltyre e shqiptarizmit si parim nuk pranonte kurrë t’u jepte ndonjë shënim gazetarëve për jetën e tij dhe për veprimtarinë atdhetare. Megjithatë për veprimtarinë e tij hasim shkrime të shkruara nëpër gazeta, por edhe më shumë tregonin shokët dhe miqtë e tij, për këtë patriot me shpirt graniti që me vendosmëri të pashoqe nuk u lodh së kontribuari për atdheun, për Shqipërinë e Pavarur dhe Etnike në trojet e veta shekullore.
Në fund të jetës së tij, Fuad Dibra u kthye në atdhe. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1944 në Tiranë, ku iu bë një varrim madhështor dhe e qau i tërë populli me lot në sy dhe me dhembje të thellë në zemër, sepse u nda përgjithmonë nga luftëtari i palodhshëm për të mirën e atdheut.
(marrë nga faqe interneti pa emër autori – faqja e Fb Engjëll Buxhaku, 15 dhjetor 2015)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.