Ftesa e gabuar nga Ilir Seci (Illyria)

Ilir Seci 2013

Ilir Seci 2013

Ftesa e gabuar… nga Ilir Seci (Illyria)

Ftesa që stacioni televiziv “Klan” i bëri këngëtarit serb Zdravko Çoliç ka ngjallur zemëratë në disa nga qarqet artistike si dhe në një pjesë të madhe të publikut shqiptar. Disa këngëtarë nga Kosova reaguan menjëherë, duke bojkotuar ftesat që Televizionin “Klan” u kishte bërë! Kurse në Shqipëri është për t’u përshëndetur një deklaratë e këngëtarit Frederik Ndoci, i cili publikisht kundërshtoi ftesën e këngëtarit serb! Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe… po t’i vendosim gjërat në kontekstin historik të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Dihet që serbët dhe shqiptarët, fqinjë disashekullorë në Ballkan ndajnë një histori të përgjakshme. Për shumëkënd, (jo vetëm për shqiptarët), dalja e Zdravko Çoliç në një TV shqiptar… ngjalli habi! Pa kaluar as pesëmbëdhjetë vjet nga përgjakja e fundit me serbët në Kosovë, ku u vranë dhe u masakruan mijra shqiptarë, burra, gra, fëmijë e pleq të pafajshëm, drejtuesit e TV Klan, vendosin të ftojnë një këngëtar serb në Tiranë?!
…Për shumë shqiptarë, sidomos për të gjthë ata që kanë humbur të afërmit e tyre në Luftën e Kosovës, kjo është e rëndë! Aq më tepër kur ftohet një këngëtar serb që ka mbështetur politikën e Millosheviçit për spastrimet etnike në Ballkan… Drejtuesit e “Klan-it”, mund të pretendojnë se “koha i shëron plagët dhe njerëzia duhet të shikojnë përpara, pasi jemi fqinj e duhet të mendojmë për të ardhmen”, por realiteti ynë ballkanik flet ndryshe!
Që jemi të dënuar të bashkëjetojmë me serbët në Ballkan, kjo është e vërtetë, por edhe të harrojmë dhe të falim kaq lehtë, nuk bën! Së pari Falja vjen, pasi kërkohet Falje dhe Sërbia deri më sot nuk e ka bërë një gjë të tillë!? As ka kërkuar falje dhe as i ka dënuar krimet e Luftës, ashtu si kanë vepruar psh gjermanët ndaj nazizmit mbas Luftës së Dytë Botërore, pa folë për dëmshpërblimet ndaj viktimave… që as zihen me gojë!

Zdravko çoliç ne studion e Tv Klanit

Zdravko çoliç ne studion e Tv Klanit

Në këtë kontekst, nxjerrja në ekranin shqip e një këngëtari serb nuk është ndryshe, vetëm sikur t’i hidhet kripë plagëve ende të pashëruara të shqiptarëve…!
Edhe sot, 70 vjet mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë vazhdojnë e bojkotojnë mallrat gjermane, edhe pse dihet mirë se janë të klasit të parë! Vështirë të gjendet një Hebre që të ngasë një makinë gjermane “Mercedes-Benz”, pavarsisht klasit të kësaj makine! Ende sot e kësaj dite në Kroaci në radiot dhe televizionet kroate nuk transmetohet muzike serbe!!!
Jo shumë kohë më parë, në një ndeshje vaterpoli mes Kroacisë dhe Serbisë, pasi u përleshën tifozët kroatë me ata serbë, puna shkoi deri aty sa edhe dy ministra respektivë në tribunë, u mbërthyen për fyti! Kurse “Klani” fton në studio një këngëtar që ka përkrahur masakrat serbe të kryera ndër shqiptarë?!!
Mbase drejtuesit e TV “Klan” janë kozmopolitë dhe mund të mbrohen duke thënë se nuk merren me provincializma ballkanike, mirëpo ky argument çalon, sepse nëse TV Klan, pretendon të jetë kozmopolit, Zdravko Çoliç, në fakt s’ka pretenduar ndonjëherë të jetë kozmopolit!!Zdravko Çoliç e mban veten për nacionalist Serb…
Nuk është hera e parë që ardhja e një këngtari serb ka ngjallë reagime në Tiranë. Edhe për Goran Bregoviçin pati të njejtin reagim…Kryeministri i sotëm, Edi Rama, që në atë kohë ishte kryetar u Bashkisë së Tiranës, i pati dorëzuar Çelesat e Kryeqytetit shqiptar Bregovoçit, muzikantit Serb që po ashtu si Zdravko Çoliç kishte përkrahur fushatat e Millosheviçit?!…
Ftesa e bërë mund të kishte kuptim sikur këngëtari Serb Zdravko Çoliç të kishte një të kaluar prej kundërshtari me Millosheviçin dhe të njihej si denoncues i spastrimet etnike në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Por ky këngëtar jo vetëm që i ka përkrahur ato masakra rrënqethëse millosheviçiane, por as sot e kësaj dite s’ka treguar ndonjë pendesë për atë turp!!
Gjithsesi kur diskutohet tema e pipertë mbi shqiptarët e Shqipërisë që pëlqejnë këngëtarë serbë, më bën shumë përshtypje fakti se ata që diskutojnë, asnjëherë nuk e analizojnë shkakun e vërtetë si arriti që muzika jugosllave të bëhej e pëlqyer në Shqipëri?!Dhe në çfarë kohe arriti të bëhet e pëlqyer ajo muzikë?!
Ata që kanë jetuar kohën e Enverit e mbajnë mend shumë mirë atë patologjinë propagandistike komuniste që ndoste muzikën e Shqipërise socialiste! Ato këngët e shpifura të realizmit socialist plot pompozitet fallco si:
“Me dyqind petrita”, “Ndër ara, fabrika, kantiere”, “Mirëse të gjej fabrikë e dashtun”, “Me gëzim po shkoj në punë”, “Agronome na u kthye Mrika”, “Shoferja e Malit”, “Kur u rrita, dhe me gaz punoj në arë”, etj…
Natë e ditë Radio Tirana, me valët e saj emetonte ndotje në atmosferën shqiptare përmes muzikës propagandistike, ndotje në trajtë këngësh revolucionare që askush nuk i pëlqente, e aq më tepër që asnjeri nuk i besonte! Transmetimi pandërprerje i atyre këngëve nëpër altoparlantet kineze që viheshin në qendra kooperativash e ndërmarrjesh ishte një torturë e përditshme, të cilën ishim të ndëshkuar kolektivisht t’a dëgjonim!!
E gjithë ajo propagandë para se krijonte neveritje estetike krijonte gërditje njerëzore!Shumica e shqiptarëve qenë velur nga gjithë ajo kakofoni komuniste në muzikë! Aq neveritje kishte prej asaj ndotjeje muzikore, sa askush s’i këndonte këngët e mësipërme në raste gëzimesh, fejesa apo më shumë në Dasma!? Për të pasur një ide se sa e madhe ishte etja për një muzikë ndryshe nga kakofonia soc-realiste, mjafton të kujtojmë se në atë kohë njerëzit me statusin më special në shoqërinë shqiptare ishin ata që kishin një magnetofon, (kasetofon strereo)…!? Konsiderohej luksi më i madh! Të kishe një “Sharp”, (50 MGë) ishte sikur sot të kesh një BMë X5!!!|
Magnetofone ku në shirita të stërpërdorur kasetash dëgjoheshin këngë ndryshe nga standarti diktatorial… Ata që kishin magnetofonë ftoheshin nëpër dasma pa pasë asnjë lidhje me familjet që bënin dasëm, thjesht për faktin se kishin magnetofon!? Çfarë këngësh dëgjoheshin në ato magnetofonë?!Muzikë tallava, këngëtare si Fadili dhe Sofia, lëngtyra ballkanike, ca këngë si “Aman moj Mihane o me dy kopila” apo “Ç’e mora koferin moj nane t’nisem nga Kosova”, këngë që më vjen ndot sot kur i kujtoj?! Mirëpo njerëzia sa janë gjallë kanë nevojë që të shuajnë etjen estetike dhe të plotësojnë kërkesat artistike! Dhe njerëzia për të plotësuar nevojat artistike i drejtoheshin stacioneve të huaja, ku kërkonin çdo lloj vale, të cilësdo radio të huaj, mjaft që të mos ishte Radio-Tirana! Kuptohet, më së pari dëgjonin radio të vendeve fqinjë si Jugosllavia, Greqia dhe Italia… dhe Jugosllavia ato vite kishte një kufi të gjerë me Shqipërinë… dhe valët e radiove jugosllave depërtonin lehtë, pavarësisht zhurmuesve të regjimit!
Njerëzia mësuan “Posdravi-n” dhe çdo mbramje me veshin ngjitur mbas radio-tranzistoreve tip “Iliria”, dëgjonin Lepa Brenën, Esma Rexhepovën, Selma Bajrami, Halid Beshliç, Halid Muslimoviç, Haris Xhinoviç, Seka Aleksiç e tjera hedhurina të kabareve boshnjake! Ata që dëgjonin “Posdravi-n”, ishin më së shumti njerëz që preferonin këngët popullore dhe kuptohet që në këngët boshnjake gjenin po atë nënshtresa ndikimi osman që gjendet si kalk në shumë nga këngët popullore shqiptare…
Një kategori tjetër dëgjuesish shqiptarë të “Parajsës” së izoluar Socialiste, ata që nuk pëlqenin muzikën popullore jugosllave në ato radio gjetën muzikën “moderne” jugosllave… ose mendonin se zbuluan muziken moderne, të cilën në fakt nuk e njihnin fare… Kështu që dëgjonin këngët “moderne” që transmetoheshin në radiot jugosllave të asaj kohe nga grupet si: “Bijelo Dugme”, “Idoli”, “Merlin”, “Plavi orkestar”, “Vatreni poljubac”, “Divlje jagode”, “Zabranjeno pušenje”, “Crno Vino”, “Bajaga & Instrouktri”, “Crvena jabuka”, etj, si dhe nga këngët e solistëve si Daniel Popoviç, Zdravko Çoliç, Neda Ukraden, etj… Aq ishte perceptimi për modernizëm në kushtet e izolimit shqiptar dhe dëgjuesit e asaj muzike nuk kishin nga ta dinin se krejt grupet e “Rock and Roll-it” jugosllav, s’ishin tjetër veçse kopje karikatureske të grupeve perëndimore! Në shumë raste grupet “moderne”, kaq të dallueshme e kishin plagjiaturën saqë edhe në veshje imitonin “Deep Purple” dhe “Led Zeppelin”… “Bjello Dugme” janë shëmbull ilustrues për këtë plagjiaturë!
Muzika “moderne” jugosllave përgjithsisht është vlerësuar si muzikë e dobët pa origjinalitet dhe siç e përmendem, plot plagjiaturë, por prap në Shqipëri ajo dëgjohej më me shumë dëshirë se hymnet e shpifura socialiste! Nuk ishte faji i shqiptarëve të izoluar që modernizmin e njihnin të jugosllavizuar, pasi në ato kushte izolimi, ashtu vinte! Pak a shumë si njohja e Hollywood-it që për vite me rradhë shqiptarët e kanë njohur me dublim italisht si e shikonin te RAI…
Gjatë atyre viteve do të kishte qenë më mirë sikur të ishin njohur grupet shqiptare në Kosovë dhe muzika e lehtë e krijuar atje. Për fat të keq valët e radiove shqiptare të Kosovës nuk depërtonin dot në gjithë Shqipërinë me përjashtim të zonës verilindore të vendit, kështu që në Shqipëri nuk arritën t’a njohin muzikën e lehtë të Kosovës deri në vitet ’90…si “Telex”, “Trix”, “Ilirët”, “Gjurmët”, “Fisnikët”, “TNT”, “Hareja”, “Trio Rona”, “Grupi 403″, etj, si dhe solistë si Edmond Islami, Bedri Islami, Hilmi Obertinca, Gazmend Pallaska, Sabri Fejzullahu, Haki Mezini, etj.
Për këto arsye, për vite me rradhë shqiptarët plotësuan kërshërinë e tyre muzikore me këngët e armikut shekullor! Kaq keq ishte varfëruar e zhveshur shpirtërisht Arti shqiptar saqë ajo varfëri detyroi shqiptarët të mësyjnë derën e hasmit! Faji më së pari bie mbi ata që e intoksinuan muzikën shqiptare duke e ndotur deri në neveri!
Kjo, për shkaqet se përse shqiptarët u detyruan të dëgjojmë këngët jugosllave! Ajo kohë që e lamë pas, justifikon shijet e një mase të njerëzve, por nuk justifikon ftesat e televizioneve për këngëtarët serbë sot! Sepse në këto 23 vjet shqiptarët janë hapur me botën dhe kanë parë më shumë se kopjet e lira të muzikës jugosllave! Televizionet publike si mediume kanë detyrime ndaj shoqërisë dhe në vend që të kontribuojnë në detoksimin, (ç’ndotjen) e shijeve të publikut, bëjnë të kundërtën! Asnjë apel nuk ka ftesa Zdravko Çoliç në “Klan”! Ne “hodhëm hapin e parë” mund të thonë ata që e ftuan, por udha e pajtimit dhe shërimit të plagëve historike nuk hapet asnjëhere nga viktima! Nga ana tjetër deri më sot nuk kemi parë që ftesa nga “Klan” e Zdravko Çoliçit të jetë pasuar nga ndonjë ftesë ekuivalente të ndonjë artisti nga Shqipëria në Beograd…! Përveçse në e marrshim si gjest balancues ftesën që një Televizion serb i bëri Kujtimit, transseksualit të parë shqiptar…!
Marre nga Illyria, 22 prill 2014

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook