back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Fshisari – poezi nga Jacques Prevert

Gazeta

Jacques Prevert
Jacques Prevert (1900 – 1977)

Fshisari –

poezi nga Jacques Prevert

Në breg t’nji lumi
nji fshisar paksa i mërzitun
po fshin përtueshëm
e diellin e dashuruem
po e kqyrte.
Nji çift i dashuruem
t’përqafun kalojnë përskaj
dhe ai me shikim i ndjek
si shkojnë e tresin
dhe ulet e i sodit mbi stom.
N’çast muzika
dhe ajri përreth
aq të ambël aq ledhatues
bahen të ashpër
e kërcënues…

Dhe shfaqet at çast
Engjulli mbrojtës
e fshisarin me nji gjest të thjeshtë
e ban me u ndje i turpnuem për pritesën
dhe e kshillon punën me vazhdue

Engjulli mbrojtës i rrëfeu qiellin me gisht
dhe u zhduk
dhe fshisari ia rinisi me fshisë…

Mbrrin nji grue e hirshme
mbështet mbi parmakë
dhe lumin po e kqyr.
Asht kthye me shpinë
po edhe ashtu asht e bukur.
Dhe fshisari pa u ndje
mbështetet bri saj
dhe me gishta droje e dashnie
e ledhaton
o ma mirë me thanë
imiton me gjeste njat burrin
që pak ma parë ledhatonte gruen…

Grueja largohet pa e vu re
dhe ai mbetet veç me fshisën.
Kur befas vëren
se Engjulli asht kthye
dhe ka pa gjithçka
dhe nisin qortimet
e shikimet plot dhimbje
me  gjeste gjithnji e ma të qartë
e gjithnji e ma kërcënues

Dhe fshisari e merr fshisën
e vazhdon me fshi
ndërsa Engjulli mbrojtës largohet

Kalon nji grue tjetër
dhe ai e ndal të fshimen,
me gjeste thotë gjithçka
flet po gjithsesi kot
veç me i rrëfye njat bukurinë e saj
të veçantë.

Dhe Engjulli shfaqet
dhe grueja largohet e trembun.

Engjulli edhe nji tjetër herë
ia ban me dije fshisarit
se asht aty veç me fshi
dhe zhduket.

Fshisari e merr fshisën
po në çast ndjehen ulërima
e klithma
që vijnë prej lumit.
Sigurisht
klithma të ndokujt tuj u mbytë.
Dhe fshisari e ndal fshisën
e befas rrudhos shpatullat
e shpërfillës ndaj ulrimave që vijnë prej lumit
vazhdon me fshi

Shfaqet Engjulli mbrojtës
ndërsa fshisari fshin
si kurrë ma parë s’ka fshi
n’nji punë shembullore e t’përkryeme.

Po Engjulli i rrëfen me gisht qiellin
dhe krahët i rreh me zemërim
me e ba me kuptue fshisarin
se vërtet asht bukur me fshi,
po gjithsesi dikush
asht në pragun e mbytjes
n’dekikun ma të mbramë të jetës
dhe ai kambngul
po fshisari as do me ia ditë asaj ane…

Veç ma s’fundi
duke mos dashtë me ba tjetër
fshisari e heq këmishën
dhe si notar i përsosun
ngjitet mbi parmakë
dhe ban nji zhytje të mrekullueshme engjulli
dhe zhduket

Dhe Engjulli
fjalëpërfjalë si engjujt
i thur lavde Zotit.

Dhe muzika, bahet nji hym
i pamohueshëm qiellor…
kur fshisari shfaqet
tuj mbajtë ndër krahë
krijesën e shpëtueme

Amore e Psiche - François Gerard
Amore e Psiche – François Gerard

Asht nji vajzë e mrekullueshme
krejt e lakuriq

Engjulli e kqyr me shikim bishe

Ndërsa fshisari
e mbështet mbi stol
dhe me nji ambëlsi të skajme
i rri pranë
i jep jetë
dhe ledhatime

Po Engjulli ndërhyn
dhe e këshillon fshisarin
me e hedhë sërish në lumë
at “djallushë”
Po “djallusha” ka rigjetë shijen e jetës
falë ledhatimeve të fshisarit
dhe çohet
dhe buzëqesh

Po edhe fshisari buzëqesh
e vallzojnë së bashku ujnash

Engjulli e kërcënon me rrufetë e qiellit
dhe ata shkyhen në gaz
puthen bashkë
dhe shkojnë tuj vallzue gjithkah

Engjullit mbrojtës i thahen lot’t ndër sy
e merr fshisën vetë
dhe fshin… e fshin… dhe fshin… e fshin
gjer në pa-fun-dë-si…
(Përktheu: Jozef Radi, 21 nantor 2011)

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.