back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Fshati Bubullimë – nga Dr. Niko Ferro

Gazeta

Pamje nga Bubullima
Pamje nga Bubullima

Fshati Bubullimë –  nga Dr. Niko Ferro

Një përpjekje për të hartuar historikun e fshatit Bubullimë

Fshati Bubullimë ndodhet 18.7 km në jugperëndim të qytetit të Lushnjës. Nga pikëpamja gjeografike fshati ka shtrirje fushore, dhe ndodhet 10 metra mbi nivelin e detit.
Ky fshat ndodhet pranë autostradës Lushnje – Fier. Sipas ndarjes territoriale të viti 2015, fshati Bubullimë është qendër e Njësisë Administrative Bubullimë në Bashkinë Lushnjë. Në veri kufizohet me fshatrat Rrapëz (Lagja Kosturli) dhe Pirrë, në lindje me fshatin Eskaj, në juglindje me fshatin Gjonas, në jug me fshatin Halilaj, në perëndim me fshatrat Ardenicë dhe Kolonjë. Fshati Bubullimë ka kushte të favorshme klimaterike e tokësore për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe drunore. Klima mesatare me reshje luhatet nga 850-1000 m/m në vit. Dimër i butë dhe verë e nxehtë.
Toponime të vjetra të fshatit Bubullimë: “Metoq”, “Pylli i Frashërishtes”, “Vidhi i Kondës”, “Stani”, “Delli” “Struga”, “Pylli i Radomeit”, “Plaçka e Monajve”, “Plaçka e Bardhenjëve” e të tjerë. Brez pas brezi tregohet se: “Bubullima e hershme shtrihej në një pyll të madh dhe pranë saj gjarpëronte një rrëke uji, e cila vinte nga Devolli sot Delli, dhe kalonte nëpër gjazet, tek “Vidhi i Kondës” (sot qendra e fshatit), kalonte përmes moçalishtes së “Strugës”, pranë “Frashërishtes” kthente tek “Mekishti” e derdhej në kënetën e Bitajt. Po ashtu një rreke tjetër dilte prej lumit Osum, dhe përshkonte “Stanin”, drejt “Mihalajve”, “Prençerve”, “Rinës” e nga shtëpia e Gjokës, derdhej ne “Strugë” dhe kalonin te dyja bashkë në Kënetën e Bitajt. Pikërisht ne mes të këtyre dy vijave te lumenjve u ndërtuan shtëpitë e para.
Mund të themi se Qendra e fshatit ishte aty ku sot ndodhet kisha e Shën Mihalit”.
.
Pamje nga Bubullima
Pamje nga Bubullima
Etimologjia e emrit Bubullimë: “Për historinë e emrit ka disa versione. Ne po u japim versionin më të njohur nga bubullimasit; ky emër vjen nga burbullinja e ujërave të dy vijave (rrëkeve) të lumenjve Devoll dhe Osum që kalonin në këtë fshat, dhe mëqenëse shtëpitë e para të fshatit ishin ngritur në fushën midis këtyre dy vijave të ujit, fshatarët e tjerë të Myzeqesë, u thoshin banorët bubullimas, dhe kështu e mori emrin Bubullimë”. Ky fshat i ka dhënë peshkopatës së Beratit tre dhespotë dhe shume klerikë; tre prej dhespotëve janë: Metodi, i cili ishte hirotonisur (dorëzuar) prift ne vitin 1720, (emri i tij i parë ishte Marko, sepse ne shërbesën e hirotonisjes ndryshohet emri, por jo monogrami i parë). Metodi shërbeu në Berat; si dhespot nga viti 1736-1751, emrin e këtij dhespoti e gjejmë të shkruar në Manastirin e Ardenicës, dhe në kishën e Shën Thanasit në Karavasta, pas Metodit në fronin despotikë të Mitropolisë së Beratit u vendos Joasaf “Plaku” i cili ishte nipi i dhespot Metodit, (emri i tij ishte Joan) dhe shërbeu si dhespot, 1752-1770. Dhe së fundmi erdhi Joasafi “i Ri”, nipi i Joasaf “Plakut” (i cili me pare quhej Jakovë, por në hirotoninë priftërore ndryshoi emrin në Isak dhe në dhespot Joasaf), ky qëndroi në fronin despotik nga 1770-1800. Pra, që tre despotët bubullimas e udhëhoqën me devotshmëri Mitropolinë e Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë për plot 63 vjet. Këtu vlen të përmendim se familjet e para që erdhën në Bubullimëë dhe u vendosën në vende të larta që të mos përmbyteshin, ishin gjashtë:
.
Pamje nga Bubullima
Pamje nga Bubullima
1.Familja e Bardhenjëve, me origjine nga Dardha e Korçës, e cila shtrihej në të gjithë pjesën Lindore të fshatit, ku ndodhen edhe sot e kësaj dite, dhe që kanë ruajtur edhe gjeneralitetin që përbëjnë pjesën më të madhe të fshatit, ata ishin vendosur në tokë pasuri shtetërore.
2.Familja e Gjokonjëve, banonin ne pjesën veriore te fshatit.
3.Familja e Nikollajve, banonin pranë fushës së Kondës (dikur qendra e fshatit).
4.Familja e Mihalajve, banonin fillimisht në pjesën Jugore te fshatit.
5.Familja e Prençajve; banonte buzë lumit Seman.
6.Familja e Bitronjve; u vendos në lagjen Ristaj. Më vonë në vendin e tyre aktual.
.
Pamje nga Bubullima
Rruga per Bubullime
Po ashtu vlen të theksojmë edhe lagjet më të mëdha ose më të njohura të Bubullimës, ku vetëm një pjesë e vogël ruan sot këto emra:
1.Lagja e Bardhenjeve (është edhe sot),
2.Lagja Gjokonjëve ose e Ristajve, (sot lagja e Gjokonjëve),
3.Lagja e Mihalajve ose Priftërinjëve, (sot lagja e Mihalajve),
4.Lagja e Stanit, (sot Lagja e Stanit).
5.Lagja e Katundareve, (sot Lagja e Pazarit).
Bubullimasit i kanë dhënë shumë arsimit të zonës, që në momentin kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë në vitin 1887, patriotët bubullimas dhe arsimdashësit e prunë arsimin në Myzeqe pas 25 vitesh, pra, në vitin 1903. Mësuesi patriot Theodhor Rista filloi mësimet në gjuhën shqipe në fshatin Bubullimë në vitin 1913. (Atëherë shkolla fillore, quhej plotore.)
Në vitin 1917, fshati Bubullime u bë Qendër Komune, status që e gëzon dhe sot e kësaj dite. Një tjetër emër i shquar i Bubullimës është poeti dëshmor Dhimitër Mino, shkolla e fshatit mban emrin e tij. Një emër tjetër që ka lënë gjurme në arsimin e zonës është edhe Petro Muzaka, i cili bashkë me përfaqësuesit e tjerë të Bubullimës kanë lënë firmën e tyre edhe në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, në të cilin morën pjesë patriotë të shquar si Qemal Mullaj, Zija Mullaj, Llambi Pambuku, Ndin Kosova, Arif Ngurrëza e të tjerë. Gjatë Luftës Nacional Çlirimtare shumë të rinj bubullimas u ingranuan në Grupin Partizan të Myzeqesë. Se çfarë kontributi i dhanë luftës e tregon më së miri lapidari në qendër të fshatit. Gjatë viteve të komunizmit shumë të rinj bubullimas duke qenë se rridhnin nga një fshat i arsimuar, u shpërndanë gjithandej nëpër Shqipëri për të dhënë kontribut në fushën e arsimit. Ndryshimet që ndodhen në fillim të viteve ’90, sollën largimin e një pjesë të banorëve në emigracion ndërsa një pjesë u zhvendos në Lushnje. Megjithatë fshati pati prurje edhe nga fshatrat fqinjë.
Ju sugjerojmë ta vizitoni. Mikpritja dhe bujaria do t’ju befasojë.
.
Marre nga faqja ne FB Shoqata AK Myzeqeja Lushnje
 
 
 
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.